Atalanta, Lacio dhe Panucci, Gjimshiti tregon gjithçka!

Më të fundit


Berat Gjimshiti ishte një nga lojtarët më të mirë në fushën e lojës për Atalantën mbrëmjen e së enjtes kundër Fiorentinës, në gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Italisë.

Qendërmbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka folur pas kualifikimit të ekipit të tij në finale, duke komentuar disa çështje për mikrofonin e “Rai Sport”.


Fillimisht, gazetarët e kanë pyetur Gjimshitin lidhut me luftën për një vend në Champions League sezonin e ardhshëm. Sipas preshevarit, skuadra e Atalantës e kuptoi se mund ta arrinte këtë objektiv kur po fitonte ndaj ekipeve të mëdha në Serinë A.

“Mendoj se e kuptuam shpejt, sepse po shihnim ndeshjet që po bënim ndaj ekipeve të mëdha. Ndaj tyre po bënim lojëra shumë të mira”, ka thënë fillimisht Gjimshiti.

Më pas mbrojtësi i Atalantës ka komentuar ndeshjen me Fiorentinën dhe kalimin në finalen e Kupës së Italisë.

“Ne e njohim potencialin që kemi. Sot (dje) kemi pasur një kundërshtar të vështirë përballë me sulmues të shpejtë. Në pësimin e golit të parë ishim vendosur gabim, por reaguam mirë, jemi të kënaqur dhe presim me padurim finalen”, ka thënë Gjimshiti.

I pyetur nëse ka frikë nga ndonjë nga sulmuesit e Lacios, Berat Gjimshiti shprehet kështu: “Ne nuk mendojmë për lojtarët e kundërshtarit. Të gjithë sulmuesit në Serinë A janë të mirë. Milinkovic, Imobile apo dhe të tjerët janë të mirë, por ne kemi ekip të fortë dhe çdo ndeshje e luajmë për ta fituar”, është shprehur qendërmbrojtësi.

Në fund, gazetarët e kanë pyetur Gjimshitin edhe për ish-trajnerin e Kombëtares Christian Panucci. “Nuk kam folur shumë rreth Italisë me të, vetëm për ekipin kombëtar. Ne kemi një marrëdhënie të mirë së bashku. I uroj Panuccit më të mirat për të ardhmen”, ka përfunduar mbrojtësi i Kombëtares.




Skip to toolbar