DASH i ndalon hyrjen në SHBA Dakos dhe familjes

AKTUALITET


Departamenti i Shtetit ndalon hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Kryetarit të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe anëtarëve të familjes së tij.

Sipas Zërit të Amerikës, vendimi, i marrë nga Sekretari i Shtetit, thekson se kryetari i bashkisë Dako është përfshirë në raste madhore korrupsioni.


Në bazë të ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit, ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë i ndalohet hyrja në Amerikë.

Ligji po ashtu i jep të drejtë Sekretarit të Shtetit që vendimin ta bëjë publik, ose t’ia bëjë atë privatisht zyrtarit në fjalë. Në bazë të njoftimit të së martës, Vangjush Dako, bashkëshortja e tij Alba Dako, djali Xhulio Dako dhe vajza e tij Kejsi Dako nuk lejohen të hyjnë në Amerikë. “Vendimi i sotëm është një sinjal i fortë se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për të luftuar korrupsionin në vende të tjera të botës”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit.

Dako, bëhet kështu zyrtari i tretë nga Shqipëria së bashku me Adriatik Lllallën dhe Tom Doshin që ndalohen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Në një prononcim për mediat, Kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment për vendimin e DASH. “Nuk kam asnjë koment. Nuk di asgjë për vendimin”, deklaroi ai.

Vendimi i Departamentit të Shtetit vjen pas daljes së përgjimeve të prokurorisë, të cilat u publikuan në gazetën Bild. Sipas këtyre përgjimeve Dako flet në telefon me personazhe të krimit gjatë fushatës elektorale në zgjedhjet e vitit 2017. Dako është nën hetim nga Prokuroria për Krimet e Rënda për këto përgjime. Më herët, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në pyetje kryetarin e i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Për plot 5 orë Dako ka dëshmuar lidhur me përgjimet në “Dosjen 339” ku doli emri i tij në lidhje me shitblerjen e votës në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017.




Skip to toolbar