Një krim në
familje është parandaluar në kohë nga policia, duke arrestuar bashkëshortin
dhunues. Në pranga ra 48-vjeçari me iniciale A.E., i cili ka tentuar të godasë
bashkëshorten e tij me levë hekuri.
Të bërtiturat
dhe dhuna e ushtruar ka alarmuar fqinjët duke lajmëruar policinë, e cila arriti
të parandalonte në kohë përshkallëzimin e dhunës që mund të rezultonte fatale për
gruan. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Larushkë të Krujës.
Policia vuri në pranga 48-vjeçarin, i cili do të përballet
me veprën penale “Dhuna në familje”.
Ndeshja
derbi mes Partizanit dhe Tiranës u luajt për herë të parë në stadiumin “Air
Albania”. Stadiumi i ri kombëtar priti për herë të parë një ndeshje e cila në
vetvete ka rrisk për incidente, pasi mes tyre përballen dy ekipet me tifozeritë
me rivalitetin më të lartë në vend. Megjithatë, parametrat e sigurisë në këtë
stadium janë të mëdha.
Për
shkak të kërkesave të UEFA-s, “Air Albania Stadium” është i pajisur me kamera të
një rezolucioni të lartë, ku mund të shohësh nga afër çdo veprim të tifozëve. Të
gjitha kamerat kontrollohen në një dhomë të posaçme, e cila sa herë ka ndeshje
monitorohet nga punonjës të Policisë së Shtetit.
Edhe
në këtë ndeshje, ku janë angazhuar qindra forca policie në terre, efektivët Blu
po monitorojnë çdo sektor të tribunave nëpërmjet kamerave të sigurisë. Drejtori
i Rendit Publik, Albert Dervishaj, inspektoi punonjësit e Policisë që kryejnë
shërbim me kamerat në derbin Partizani-Tirana.
Dervishaj
u ka kërkuar punonjësve të Policisë që të regjistrojnë çdo rast të evidentuar
nga kamerat, në rast se do ketë prishje të rendit apo hedhje të lëndëve
piroteknike dhe sendeve të forta.
Në rast se evidentohen incidente, Policia e ka shumë të lehtë ndalojë autorët e tyre. kujtojmë se për të shmangur dhunën në stadiume, Kuvendi miratoi ndryshimet në Kodin Penal, ku parashikohet deri në disa vite burg për tifozët që invadojnë fushën apo kryejnë akte dhune.
Në disa qytete franceze nisën të dielën
protesta masive kundër dhunës në familje, përpara se të prezantohen masat për
trajtuar këtë fenomen. Franca ka një nga nga nivelet më të larta të vrasjeve të
lidhura me dhunën në familje në Evropën Perëndimore, me të paktën 115 gra të
vrara vetëm nga partnerët ose ish-partnerët e tyre këtë vit, thonë mediat
lokale.
Rreth 30 marshime në rrugë u organizuan nga sindikatat
dhe shoqatat e grave në të gjithë Francën. Protestuesit mbanin në dorë
pankarata me mesazhe kundër dhunës në familje, ndërsa dominonte ngjyra e
purpurt në këto tubime. Në qytetin e Marsejës, demonstruesit mbanin pankrata me
emrat e disa prej viktimave të dhunës në familje.
Një femër vritet në Francë çdo tre ditë nga partneri apo ish-partneri, sipas AFP. Eurostat, agjensia e statistikave të Bashkimit Evropian, thotë se kishte 123 vrasje të grave të kryera nga një partner në Francë në vitin 2017.
Një
32-vjeçar përfundoi në pranga pasi dhunoi fizikisht një mjek në Spitalin e
Peqinit, në gjendje të dehur.
I riu, nën efektin e alkoolit, dhunoi mjekun me iniciale Y.T., për shkak të detyrës së tij. Pas ngjarjes 32-vjeçari me iniciale A.K. u arrestua nga policia.
Materialet
hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për
veprime të mëtejshme.
Dy roje, të cilët ruanin makineritë e firmës që do ndërtojnë hidrocentralet në zonën e Kaçinarit në Mat, janë dhunuar gjatë mbrëmjes së mërkurë, ndërsa u është vënë flaka dhe 4 makinerive. Dy të plagosurit kanë marrë fraktura të shumta në trup, por ndodhen jashtë rreziku për jetën.
Policia tha se fillimisht është ushtruar dhunë
ndaj dy rojeve të kantierit e më pas u është vënë flaka me benzinë mjeteve të
rënda, ndërsa nuk ka ende të kallëzuar për ngjarjen.
Situata në Kaçinar është e tensionuar pasi
banorët protestojnë për të mos lejuar ndërtimin e HEC-ve duke bllokuar punimet
e firmës ndërtuese. Hetimet e policisë janë përqendruar në pistën e përplasjeve
të banorëve me ndërtuesit e HEC-ve për identifikimin e autorëve të sulmit.
Banorët e Kaçinarit protestojnë kundër ndërtimit
të HEC-ve në këtë zonë dhe thonë se mendimi i tyre nuk është marrë në
konsideratë. Sipas tyre ndërtimi i hidrocentraleve do ndikonte negativisht në
zhvillimin e tyre, pasi pjesa më e madhe mbahet me bujqësi.
Ish trajneri i ekipit të Laçit U-17, Ndue Tarazhi
është shoqëruar në polici, pas publikimi në rrjetet sociale të një video ku shfaqet
duke dhunuar dhe ofenduar lojtarët e rinj për shkak se humbën ndeshjen. Përveç gjuajtjes
me shpulla, Ndue Tarazhi përdor dhe një fjalor ofendues ndaj ekipit që ai
drejton.
Tarazhi është shoqëruar në polici për sqarimin e ngjarjes pas akuzave të ngritura se ka dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht të rinjtë pse humbën ndeshjen.
Kjo është një ngjarje e ndodhur disa vite më parë, por video u bë publike mbrëmjen e të martës. Aktualisht Tarazhi nuk drejton asnjë skuadër.
5 adoleshentë po ndiqen në gjendje të lirë
pasi kanë ushtruar dhunë fizike ndaj një bashkëmoshatari të tyre. Ngjarja ka
ndodhur në Shalës të Cërrikut, në ambientet e një shkolle, ndërsa policia ka
nisur procedimin penal ndaj 5 adoleshentëve të moshës 15 vjeçare, pasi
ushtronin dhunë fizike ndaj bashkëmoshatarit të tyre pas një konfliktit për
motive të dobëta.
Ngjarja u bë publike pas publikimit të një
video ku dukej dhunimi i të riut nga shokët e tij. Menjëherë ka reaguar policia
duke pohuar ngjarjen, ndërsa po ndjek në gjendje të lirë 5 adoleshentët.
Tirana rrezikon dënim të rëndë, pas dhunës në
derbi dhe gropave të mbushura me lëndë plasëse. Ekipi bardheblu pritet të jetë
subjekt i Komisionit të Disiplinës sportive, që pritet të mblidhet në mesin e javës.
Po çfarë parashikon Kodi i Disiplinës Sportive në rastet kur në një ndeshje
futbolli ka dhunë, invadohet fusha nga tifozët, hidhen lëndë piroteknike apo
sende të forta në fushë, ka sjellje të gabuar të tifozëve apo përdoren kore
denigruese dhe raciste?
Sipas Nenit 56 të Kodit të Disiplinës, ku
sanksionohet ndëshkimi për Diskriminimin, individi apo individët që përdorin fjalë
denigruese në lidhje me racën, ngjyrën, gjuhën, besimin fetar ose orgjinën,
pezullohet me 5 ndeshje, dhe dënohet me gjobë 100.000 lekë. Ndërkohë, klubi i
Tiranës do të jetë subjekt i Nenit 64 të Kodit të Disiplinës, i cili sanksionon
ndëshkimet për dështimin e përmbushjeve të përgjegjësive. Në këtë nen thuhet: “Në
rastet e shkeljeve të rënda mund të ndërmerren dënime të tjera, si zhvillimi i
ndeshjes pa spektatorë, zhvillimi i ndeshjes në fushë asnjanëse, ndalimi i
zhvillimit të ndeshjes në stadiumin përkatës, anulimi i rezultatit të ndeshjes,
përjashtimi nga një garë ose kampionat, dhe/ose humbje e ndeshjes në tavolinë”.
Ndërkohë, në Nenin 65, “Përgjegjësia për
sjelljen e spektatorëve”, thuhet: “Personat juridikë, shoqatat dhe/ ose klubet
mikpritëse të ndeshjeve janë përgjegjëse për sjelljen e gabuar të spektatorëve,
pavarësisht se faji mund të kryhet me vetëdije apo pa vetëdije dhe si rrjedhim
dënohen me gjobë në çdo rast. Mund të vendosen edhe dënime të tjera në rastin e
verifikimit të ngjarjeve të rënda”.
“Personat juridikë, shoqatat dhe/ose klubet mike janë përgjegjëse për sjelljen e gabuar të grupit të tyre të spektatorëve, pavarësisht se faji mund të kryhet me vetëdije apo pa vetëdije dhe si rrjedhim dënohen me gjobë në çdo rast. Mund të vendosen edhe dënime të tjera në rastin e verifikimit të ngjarjeve të rënda. Nëse nuk provohet e kundërta, tifozët të cilët qëndrojnë në sektorin e miqve në stadium konsiderohen si tifozë ose mbështetës të ekipit mik (personat juridikë, shoqatat dhe/ose klubet mike)”, thuhet ndër të tjera, ndërsa kuptohet, që veç Tiranës subjekt i Kodit të Disiplinës do të jetë dhe Partizani.
Megjithatë, nëse Tirana mund të shpëtojë me
gjobë apo disa ndeshje pa tifozë, personat përgjegjës për aktet e dhunës në
stadium do të jenë subjekt i Kodit Penal. Konkretisht, këta persona do të jenë
subjekt i neneve të shtuara në Kodin Penal që parashikon masa të ashpra për
dhunën në stadium. Realstory.al, publikon ndëshkimet që mund të marrin personat
e përfshirë në dhunë, apo që hodhën lëndë piroteknike në ndeshjen derbi Tirana-Partizani.
Në datën 24 shtator u botuan në Fletoren
Zyrtare ndryshimet në Kodin Penal, që ashpërsojnë masat për të gjithë personat
që shkaktojnë akte dhune në stadime apo gara sportive. Sipas Nenit 274/a,
“Goditja ose vepra të tjera dhune ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit,
ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, dënohet me burgim nga
një deri në tre vjet. Po kjo vepër, kur
kryhet në mjediset sportive më shumë se një herë, apo është kryer nga drejtues
apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet”,
thuhet në nenin e ri të Kodit Penal, që do të përdoret për akte të shëmtuara në
tribunat e stadiumeve.
Në ndryshimet e Kodit Penal, është shtuar dhe
Neni 274/b, i cili parashikon masa ndëshkuese të ashpra edhe për tifozët që
hedhin mjete piroteknike, fishekzjarre, flakadanë gjatë zhvillimit të një ndeshje. Tifozët, që
kryejnë aktet e sipërpërmendura, do të dënohen deri në 3 vjet me burg.
“Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës
ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike,
fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv,
dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet. Hyrja në fushën e lojës,
gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv, nga persona të paautorizuar
ose pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me burgim nga
një deri në tre vjet. Po kjo vepër
penale, kur kryhet në aktivitetet sportive ndërkombëtare, dënohet me burgim nga
një deri në pesë vjet”, thuhet në nenin e shtuar në Kodin Penal./Realstory.al/
Klubi i Tiranës është distancuar nga dhuna që përfshiu fushën e blerët ku u zhvillua derbi kryeqytetas. Klubi i bardhebluve ka dënuar dhunën e ndodhur mes tifozerisë së dy skuadrave, si dhe është shprehur qartë se nuk mban përgjegjësi për 3 gropat e hapura gjatë natës, që ishin mbushur me një sasi lënde piroteknike me mekanizëm me ndezje elektrike. “Ne jemi klub futbolli dhe jo institucion policor” është shprehur klubi i bardhebluve, i cili ishte dhe ekipi mikpritës i ndeshjes.
Në një komunikatë për
mediat, Klubi i Tiranës shprehet se të gjitha pamjet filmike i janë vënë në dispozicion
policisë për të hetuar dhe arrestuar përgjegjësit. Gjithashtu Klubi i Tiranës i
ka bërë thirrje atij të Partizanit që të bashkëpunojë me policinë nëse ka prova,
ndërsa i ka dhënë një mesazh të qartë që të mos hiqet si hetues apo provokator.
“Klubi i Futbollit Tirana distancohet nga te
gjitha aktet e dhunës, shfaqjet e shëmtuara jo sportive dhe dënon ashpër te
gjitha problematikat e krijuara nga tifozët në ndeshjen Tirana – Partizani. KF
Tirana ka zbatuar me rigorozitet planin e masave të hartuar me Policinë e Tiranës
për mbarëvajtjen e takimit brenda dhe jashtë stadiumit “Selman Stermasi”. Në përfundim
të takimit, klubi ka venë në dispozicion të Policisë, serverat e sistemit të
kamerave të stadiumit, për të gjetur dhe dënuar më pas përgjegjësit e
incidenteve në stadium por edhe autoret e incidenteve të mbetura fatmirësisht në
tentativë.
Klubi i Futbollit Tirana është një klub futbolli dhe
jo një institucion policor. Si i tillë, konform të gjithë rregullave të Federatës
Shqiptare të Futbollit dhe ligjeve të Shtetit Shqiptar, kemi marre masa
organizative për ndeshjen, si dhe dokumentuar me pamje filmike incidentet dhe dorëzuar
ato me pas në institucionet përkatëse.
Ftojmë KF Partizanin të ruaj qetësinë, bashkëpunojë me
Policinë nëse disponon materiale filmike apo prova për të gjetur autorët dhe
fajtorët e incidenteve në stadium. Një klub futbolli mund dhe duhet të mos
kalojë kompetencat për të folur nxituar here si hetues dhe here te tjera si
prokuror” thuhet në
deklaratën e klubit të Tiranës.
Para fillimit të ndeshjes
Tirana-Partizani, në stadiumin ‘Selman Stermasi’, tifozët e të dy skuadrave u përfshinë
një dhunë e skena përgjakje. Për ndalimin e saj është dashur ndërhyrja e policisë
private, policisë së Tiranës dhe FNSH, për qetësimin e gjendjes.
Gjatë ditës së hënë
policia tha se janë proceduar 9 persona për aktet e dhunës, nga këta 1 është
arrestuar, 2 janë shpallur në kërkim dhe 6 persona të tjerë do hetohen në
gjendje të lirë. Dy persona që janë ende në kërkim dyshohet se janë edhe përgjegjësit
e hapjes së gropave gjatë natës, të cilat i kishin mbushur me një sasi lënde
piroteknike me mekanizëm me ndezje elektrike, përmes të cilave do të sulmonin kundërshtarët.
Fatmirësisht ky mekanizëm mbeti thjeshtë në tentativë.
“Akt terrorist i mbetur në tentativë”, e quan
Partizani lajmin se tifozët e Tiranës kishin hapur gropa dhe i kishin mbushur
me lëndë plasëse. Në një reagim zyrtar të klubit të kuq, Partizani fajëson organizatorët
e ndeshjes si bashkëpunëtor me tifozët për skenarin e sipërpërmendur.
“Një akt i vërtet terrorist i mbetur në
tentativë rezultoi të ishte parapërgatitur nga një pjesë e tifozerisë pritëse,
e cila do të ishte e pamundur të organizohej pa bashkëpunimin (në rastin më të
mirë pasiv) të administratorëve të stadiumit “Selman Stërmasi”. Instalimi i një
sasie të konsiderueshme eksplozivi pranë sektorit të mbështetësve të Partizanit
konsiderohet një vepër e mirëmenduar kriminale, e cila shënjestron
drejtpërsëdrejti jetën dhe shëndetin e të gjithë të pranishmëve dhe posaçërisht
të lojtarëve të skuadrës sonë”, shkruan Partizani.
Duke u shprehur se “këtë herë është tejkaluar
elementi i sigurisë së një aktiviteti sportiv”, Partizani e quan të papranueshëm
faktin, që klubi i Tiranës hesht pa thënë asnjë fjalë.
“Klubi e konsideron të papranueshëm faktin që
për këtë akt, i cili nëse do të ishte realizuar mund të shënonte një tragjedi
me përmasa të frikshme, nuk ka asnjë reagim apo distancim nga KF Tirana si klub
organizator i ndeshjes dhe si administratore e stadiumit “Selman Stërmasi”. I
bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese që të hetojnë plotësisht këtë vepër të
rëndë kriminale dhe të vënë përpara përgjegjësisë organizatorët dhe
bashkëpunëtorët e këtij akti të paprecedent”.
Ishte Policia e Shtetit që konfirmoi se ishin
gjetur tre gropa të mbushura me lëndë plasëse, të lidhura me mekanizëm ndezës. Policia
nisi hetimet për dhunën mes dy tifozerive, duke vënë në pranga një shtetas,
shpallur në kërkim 2 të tjerë, dhe nisur hetimet për 6 persona. Sipas njoftimit
zyrtar të Policisë, mësohet se shtetasi i arrestuar dhe ata të shpallur në kërkim,
janë autorët e hapjes së gropave dhe vendosjes së lëndëve plasëse në stadium.