Basha me akuza të vjetra për Ramën (refuzon zgjedhjet)

Lulzim Basha ka shpërndarë një video në rrjetet sociale mëngjesin e të martës, ku akuzon kryeministrin Edi Rama se udhëton jashtë vendit për interesa personale. Kreu i PD, në videon e publikuar në Facebook, tregon se sipas tij, udhëtimet e Kryeministrit Rama janë për interesa personale. Në video shfaqen disa foto të shefit të qeverisë, i cili në fakt i ka bërë vetë publike më herët, kur  ka marrë pjesë në hapjen e ekspozitave të tij artistike në disa vende të Europës dhe jo vetëm. Megjithatë, për Lulzim Bashën, udhëtimi i Kryeministrit Rama jashtë vendit për të prezantuar punimet e tij artistike, ‘janë udhëtime për punë personale’. Veç videos, Basha shkruan dhe një koment, ku shprehet se shefi i qeverisë është ‘artist i mashtrimit’.

“Edi Rama është artist i mashtrimit. Gjithçka që ka premtuar, gjithçka që ka thënë ka qenë mashtrim me qëllim për të vjedhur dhe grabitur bashkë me kriminelët dhe oligarkët. Çdo projekt, program dhe politikë është mashtrim për shqiptarët në shërbim të oligarkëve. Pasuri dhe Luks për vete, Papunësi, Varfëri dhe Pasiguri për njerëzit. Mashtrimeve dhe gënjeshtrave të Hajdutit psiqik ju ka dalë boja. Hajdut psiqik, Rama ik, Shqipëria si Europa”, shkruan Basha.

Megjithatë, kreu i opozitës vijon refrenin e akuzave ndaj mazhorancës, duke lënë të kuptohet se nuk ka bërë progres në aspektin e pranimit të dialogut. Edhe në këtë reagim të fundit, Basha vetëm sulmon kreun e qeverisë (për fotot që vetë Rama i ka publikuar në rrjetet sociale), ndërkohë që nuk thotë asnjë fjalë për ftesën zyrtare që mazhoranca i bëri të hënën nga sesioni i ri parlamentar, ku e ftoi opozitën të jetë pjesëmarrëse në hartimin e reformës zgjedhore.

Në fakt, si një nga kërkesat kryesore të opozitës, për ‘zgjedhje të lira e të ndershme’, reforma zgjedhore mund të jetë pikëtakimi kryesor i dialogut mes mazhorancës dhe opozitës, çka mund t`i jepte zgjidhje dhe krizës politike. Në fakt, reforma zgjedhore ashtu si dhe reforma në drejtësi, janë një proces i nxitur dhe mbështetur nga ndërkombëtarët dhe më konkretisht amerikanët. Por Basha as këtë herë, nuk flet për ftesën e mazhorancës, e cila pas 30 qershorit, ashtu si para 1 qershorit, ka treguar gatishmëri për dialog dhe për të bashkëpunuar në procese të rëndësishme demokratike të vendit, ku shtyllat kryesore janë reforma në drejtësi dhe ajo e zgjedhjeve.

BE për protestën: S`tolerojmë dhunën, urgjent në dialog…për reformat

Vetëm pak orë para mbajtjes së protestës së nëntë kombëtare të opozitës, Bashkimi Europian ka bërë një deklaratë zyrtare drejtuar organizatorëve të protestës, ku u kërkon dhe u bën thirrje njëkohësisht të mos skaktojnë dhunë, pasi do të jenë përgjegjës për të.

Ne e respektojmë dhe e mbështesim plotësisht të drejtën themelore të qytetarëve të Shqipërisë për të demonstruar. Në të njëjtën kohë, vazhdojmë të theksojmë rëndësinë e ushtrimit të kësaj të drejte në mënyrë të rregullt dhe paqësore. Ne jemi të shqetësuar nga episodet e fundit të dhunës që kanë ndodhur në disa rajone të vendit”, thuhet në deklaratë.

Dhuna nuk do të “tolerohet në asnjë rrethanë” shprehet BE, që u thotë drejtuesëve të opozitës se ata do të jenë përgjegjës kryesor për çdo incident, ndërkohë që mesazhi kryesor në deklaratë është thirrja për dialog.

Ashtu siç Luigi Soreca shkruante ditën e publikimit të konkluzioneve të raportit të Këshillit të Europës për hapjen e negociatave me Shqipërinë, se palët politike duhet të ulen urgjentisht në dialog  për zgjidhjen e situatës dhe konsolidimin e reformave, edhe në deklartën e së premtes, mesazhi mbetet i njëjtë, madje më i theksuar.

Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje të gjitha palëve për të treguar vullnet të fortë politik dhe për t’u angazhuar urgjentisht në një dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën politike aktuale, si dhe për të mbështetur dhe konsoliduar progresin e bërë nga Shqipëria në procesin e reformave”, shkruhet në deklaratën e Bashkimit Europian.

Në fakt, ky mesazh është në koherencë të plot me të gjitha mesazhet e dhëna dhe nga partnerë të tjerë ndërkombëtar, të cilët në mënyrë të vazhdueshme, edhe gjatë të premtes, i kanë këruar opozitës dhe palëve të tjerë të ulen për të dialoguar. Zëri mesaduket është dëgjuar, pasi palët politike në Shqipëri, përfshi kreun e shtetit, kryeministrin dhe liderin e opozitës, kanë dhënë shenja “paqtimi”.

Ultimatum Britanik: Dënojmë aktet e dhunës, uluni urgjent në dialog

Ambasada e Britanisë së Bashkuar në Tiranë ka zgjedhur ta japë mesazhin e saj për opozitën në dy gjuhë. Në anglisht dhe shqip, selia diplomatike në Britanisë në Tiranë, i drejtohet opozitës dhe kryetarit të saj Lulzim Basha, që të ushtrojë të drejtë për të protestuar në mënyrë të rregullt dhe paqësore.

Ndërkohë që respektojmë plotësisht të drejtën themelore të qytetarëve shqiptarë për të demonstruar, ritheksojmë rëndësinë e ushtrimit të kësaj të drejtë në mënyrë të rregullt dhe paqësore”, shkruan në nisje të deklaratës së saj ambasada e Britanisë.

Më tej, mesazhi bëhet dhe më i qartë, më domethënës për opozitën dhe drejtuesit të saj, pasi ambasada e Britanisë shprehet se “dënon të gjitha aktet e dhunës që kanë ndodhur në protestat e mpërashme të opozitës, dhe asnjë formë e dhunës nuk është e tolerueshme”, thuhet në deklaratën e ambasadës së Britanisë.

“Përdorimi i eksplozivëve ose i ndonjë sendi tjetër të projektuar për të shkaktuar lëndim është krejtësisht i papranueshëm. Është përgjegjësi  e drejtuesve të protestës të sigurojnë që demonstrimet të mbahen në mënyrë të sigurt si për pjesëmarrësit ashtu dhe për banorët e tjerë në Tiranë, si dhe për të shmangur çdo përshkallëzim gjatë protestave”, thuhet në deklaratën e ambasadës së vendit ishullor. Më tej, në deklaratë u bëhet thirrje autoriteteve të ligjit për përmbajtje, edhe nëse provokohen.

Në fund, ambasada e Britanisë dërgon dhe një tjetër mesazh, duke u kërkuar palëve angazhim urgjent për dialog. “Ne vazhdojm t`i bëjmë thirrje të gjitha palëve të angazhohen urgjentisht në një dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën politike”, mbyllet mesazhi i ambasadës britanike.

Përfaqësuesi special i OSBE: Turbulencat politike zgjidhen vetëm me dialog

“Turbulencat politike në Shqipëri mund të zgjidhen vetëm me dialog dhe në mënyrë paqësore, duke përjashtuar kategorikisht përdorimin e dhunës”. Kështu është shprehur Përfaqësuesi Special i OSBE, Ambasadori Andreas Nothelle gjatë një takimi që zhvilloi të mërkurën me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Në këtë takim Nothelle ishte i shoqëruar nga Ambasadori Bernd Borchardt, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Ambasadori Nothelle ka ardhur në Shqipëri për të ndihmuar shërbimet e Kuvendit dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme për kryerjen me sukses të misionit të Shqipërisë si Presidente e OSBE-së në vitin 2020. Ai tha se komuniteti ndërkombëtar ka besim të plotë te Shqipëria dhe se një vend i vogël mund të tregojë një lidership të madh.

“Komuniteti ndërkombëtar ka besim të plotë se Shqipëria do ta përmbushë me sukses të plotë këtë mision të rëndësishëm në nivel global. Asambleja Parlamentare dhe Sekretariati i OSBE-së janë krenarë për Presidencën shqiptare, angazhimin tuaj dhe pritshmëritë e mëdha që kemi nga kjo Presidencë. Shqipëria do të tregojë se si një vend i vogël mund të bëhet një lidership i madh”, theksoi ambasadori Nothelle.

Ndërsa kryetari i Kuvendit Ruçi tha se Shqipëria do ta marrë seriozisht rolin e sja si kryesuese e presidencës së OSBE-së në vitin 2020.

“Shqipëria po përgatitet seriozisht për të përmbushur me sukses të gjitha detyrat në kuadrin e Presidencës së OSBE-së, për të kontribuar për sigurinë dhe stabilitetin në të gjitha rajonet ku OSBE është prezente, por edhe në rajonin tonë. Presidenca e OSBE-së është një mundësi që Shqipëria të konfirmohet si një faktor kyç për garantimin e sigurisë dhe paqes në botë dhe si një kampion i vlerave evropiane e perëndimore. Kuvendi i Shqipërisë do të mbështesë maksimalisht Qeverinë dhe institucionet shqiptare të angazhuara në këtë lidership”,-tha Ruçi.

Ambasadori Andreas Nothelle gjate takimit me Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi

Rama i numëron ditët Bashës

Kryeministri i vendit Edi Rama i ka dërguar letrën e gjashtë publike kreut të PD Lulzim Basha, ku i bën thirrje sërish për dialog. Edi Rama i ka përsëritur dhe njëherë Lulzim Bashës qëndrimin e tij për të mos lëshuar pe, duke i thënë se kjo është tentativa e fundit për dialog. Gjithashtu në letrën publike, Kryeministri shprehet se zgjedhjet e 30 qershorit do të mbahen në datën e përcaktuar.

Kreu i qeverisë e fton në dialog kreun e opzoitës, duke i kujtuar se Shqipëria duhet të hap negociatat me BE këtë vit, ndërsa, sipas Ramës, opozita po bën çmos për t`i penguar ato.

LETER E GJASHTE PUBLIKE LULZIM BASHES

Zoti kryetar,

letrave të mia po i vjen fundi. E fundit për të tentuar Dialogun është edhe kjo javë, e cila mbyllet me çeljen zyrtarisht të fushatës së 30 qershorit.

S’ka mbetur nga ana ime ndonjë gjë e rëndësishme pa shkruar në këto letra dhe çka mbetet ende ndoshta, është detyrimi për të përmbledhur disa nga gjërat kryesore që janë thënë e shkruar.

1. Dy vjet më parë Ju bëtë fiks të njëjtën gjë dhe fiks për të njëjtat arsye: Paniku nga zgjedhjet dhe frika nga drejtësia. Asokohe kishit ikur nga Kuvendi dhe ishit mbledhur në Çadrën e Republikës së Re, për të mbrojtur drejtësinë e vjetër duke refuzuar të votoni Vetingun. Dihet si shkuan gjërat, s’po zgjatem.

2. Sivjet Ju i jeni rikthyer po atij avazi, por nga një nivel i ri papërgjegjshmërie, me mandate të djegura, bojkot zgjedhjesh dhe kërcënime për të ndaluar forcërisht popullin të zgjedhë në 30 qershor. Përsëri frika nga zgjedhjet dhe paniku nga drejtësia, Ju kanë qorruar e shurdhuar dhe shtyrë në rrugën e një lufte imagjinare çlirimtare nga tirania! Të cilën duhet ta bëni me veten ne fakt, për të përmbysur tiraninë e frikës brenda Jush, sepse Shqipëria s’është në duart e asnjë tiranie, po në duart e një shumice të zgjedhur demokratikisht, për të qeverisur deri në vitin 2021.

3. Siç e shihni dhe vetë, mbështetja Juaj në aventurën pa rrugëdalje vjen duke rënë, e sado t’i tërhiqni e t’i shtriqni trupat e ndjekësve si çamçakiz në bulevard, për të krijuar efekte fotografike e televizive masiviteti, nuk bëni tjetër veçse gënjeni veten Tuaj dhe ata që duan të gënjehen me idenë, se disa mijëra punonjësit e bashkive blu dhe masa modeste e militantëve bashkëngjitur tyre, janë populli i Shqipërisë në protestë kundër qeverisë! Kjo gënjeshtër mund t’Ju mbajë me gajret edhe për ca kohë, Juve e lidershipin politik të grupimit Tuaj. Por besomëni që zgjimi nga ëndrra me sy hapur e largimit të qeverisë pa zgjedhje apo e moslejimit të zgjedhjeve, do të jetë shumë i dhimbshëm për atë grupim e për Ju si udhëheqësi i saj, nëse do të vijoni shurdhërisht në rrugën pa dalje, ku po marshoni verbërisht.

4. Unë Ju ftoj përsëri që sa pa u djegur çdo afat kohor, të nisim Dialogun pa kushte dhe të fillojmë të shkruajmë bashkarisht, një faqe të re bashkëpunimi politik duke mos humbur më tej kohë, energji, mundësi zgjidhjeje, me këtë avaz të padobishëm për vendin, për njerëzit e për opozitën po se po!

5. Jini i sigurtë zoti Lulzim se zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor. Kjo shumicë qeverisë do të vazhdojë të ushtrojë përgjegjësinë e saj edhe për të paktën dy vjet të tjera, kur i mbaron mandati i saj legjitim. Vetingu dhe Reforma në Drejtësi do të vijojnë pa asnjë lëkundje, asnjë ndalesë dhe asnjë rishikim, për sa kohë koha nuk do të sjellë nevojën për ndërhyrje të mundshme në korpusin ligjor të drejtësisë dhe vetëm me konsensusin e partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Kujtesë: Shqipëria duhet të hapë negociatat për anëtarësim patjetër këtë vit dhe fatkeqësisht, Ju po bëni çmos t’i pengoni ato. Por jini po ashtu të sigurtë se populli shqiptar, përfshirë edhe çdo demokrat të arsyeshëm, që kurrë s’ka votuar e mbase s’do votojë ndonjëherë për Partinë Socialiste, nuk ka për t’Jua falur një paudhësi të tillë.

Shqiptarët janë shumë më të mençur se sa për fat të keq, shumë gabimisht, politikanë e parti të ndryshme i kanë kujtuar në momente të ndryshme të historisë së zhvillimeve demokratike. Mos e nënvleftësoni forcën e gjykimit dhe fuqinë e ndëshkimit të tyre, sepse çfarë keni parë e provuar në zgjedhje të shkuara, do t’Ju duket lule në krahasim me mësimin që do merrni kur t’Ju kërkoni përsëri votën një ditë, nëse s’do të ktheni rrugë sot përpara se sa nesër të jetë shumë vonë.

Me shëndet,

Edi Rama

Apeli aleatëve të PD, Balla: Jo shtyrje zgjedhjesh, dialog vetëm për…

Gjatë ditët se sotme aleatët e Bashës propozuan një marrëveshje me 12 pika për të zgjidhur krizën politike në vend. Mazhoranca nuk ka qëndruar indiferent ndaj apelit të partive të vogla për një tryezë politike. Nga Pogradeci, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se data e zgjedhjeve nuk ndryshon, por janë të hapur për dialog për ndryshimet në Reformën Zgjedhore.

“Duhet të jetë shumë e qartë për këdo që data e zgjedhjeve nuk caktohet nga partitë politike, por caktohet nga Kushtetuta, nga Kodi Zgjedhor dhe data e zgjedhjeve në 30 qershor është një datë e fiksuar tashmë dhe në asnjë rast ajo nuk mund të ndryshojë. Në 30 qershor do të zhvillohen zgjedhjet, janë 42 parti të regjistruara, askush nuk mund të pengoje të mos marrë pjesë në zgjedhje. Dua t’u them shumë qartë që kushte PS nuk mund t’i vendosë askush sepse nuk mund t’i vendosen kushte shqiptarëve. Ne kemi qenë gjithmonë të gatshëm për të dialoguar në parlament dhe përmes një procesi dialogu rikthyem komisionin e reformës zgjedhore. Kjo është një instrument i rëndësishëm për të dialoguar lidhur me të gjitha domosdoshmëritë dhe nevojat që kanë të bëjnë me ndryshimet e Kodit Zgjedhor.” – tha Balla

Basha i hapur për dialog me Ramën, por e thotë indirekt

Pas thirrjeve për dorëheqjen e Ramës, apo rrëzimin e tij me protesta, kryedemokrati Lulzim Basha duket se ka ndryshuar qëndrim. Për herë të parë sot ai ka nënkuptuar se do të ulet në një tryezë bisedimi mes opozitës dhe maxhorancës, ashtu sikurse propozuan sot partitë aleate të PD-së.

Basha është pyetur nga gazetarët nëse është i gatshëm të ulet në një tryezë me Edi Ramën, ashtu siç propozuan sot krerët e partive aleate të PD-së. Ai u tha gazetarëve se nuk ka asnjë mospërputhje qëndrimesh mes PD dhe aleatëve duke nënkuptuar se është i hapur për dialog.

“Nuk ka asnjë mospërputhje qëndrimesh mes partive të gjithë koalicionit tonë. PD ka përfunduar javën e kaluar një dokument të detajuar sa i takon detyrave të qeverisë transitore në raport me zgjedhjet e lira dhe të ndershme. E kemi diskutuar dhe me aleatët tanë dhe një pjesë e pikave të shpalosura nga aleatët janë të përbashkëta. Të jeni të sigurtë se koalicioni vepron me bashkëpunim të plotë”, tha Basha.

Këto deklarata Basha i bëri pas një takimi që zhvilloi me përfaqësues të Institutit Ndërkombëtar Republikan. Ai tha se PD do të modernizohet dhe se kandidatët për deputetë, por edhe kryebashkiakë do të zgjidhen me një tjetër sistem, një anëtar, një votë.

“Po avancojmë në rrugën tonë për demokratizimin dhe modernizimin e PD-së. Takova drejtorin e Institutit Demokrat Amerikan, qëllimi është i njëjti, pavarësisht sistemit që do të ketë Shqipëria, do i zgjedhim deputetët me sistemin një anëtar një votë, nuk ka ndodhur asnjëherë në Ballkan. I shërben transparencës, e fillojmë brenda PD-së, që nesër të jetë modeli ynë i qeverisjes. Kandidatët për deputetë do i nënshtrohen një procesi vlerësimi për integritetin moral dhe shkallën e përgatitjes.

Do të bëjmë një transformim të thellë të klasës politike shqiptare. Hapjes së PD-së që të përfshihen të gjithë qytetarët për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza ku ndodhet. Fiks një vit pas Kuvendit Kombëtar të PD-së kur e vendosëm këtë rregull, hodhëm këtë hap me miqtë amerikanë dhe britanikë, për ta bërë PD-në partinë e parë me stil perëndimor. Jemi në një betejë për jetë a vdekje për demokracinë” deklaroi ai.

LIVE

LIVE – Komunikim me median pas takimit me përfaqësues të Institutit Ndërkombëtar Republikan.

Publiée par Lulzim Basha sur Lundi 29 avril 2019

BE kërkon dialog: Opozita të futet në zgjedhje

Bashkimi Europian është i qartë në kërkesën e tij drejtuar politikës shqiptare: “Është koha për dialog”.  Kështu u shpreh sot për mediat ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, teksa theksoi se palët duhet të ulen në bisedime dhe se opozita duhet të marrë pjesë në zgjedhjet lokale.

“Ne shpresojmë që opozita do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Ne kërkojmë që opozita të jetë prezente. Tani është koha për dialog. Opozita duhet të flasë mes vetes dhe me qeverinë në mënyrë që të kemi pjesëmarrje”, tha Soreca për mediat pasi doli nga një takim me komisionarin për mbrojtjen e të dhënave personale.

“Jam shumë i nderuar që kisha  të vizitojë zyrën këtu dhe të bisedoja me të gjithë personelin këtu. Kjo zyrë është shumë e rëndësishme si për vendin tuaj ashtu dhe për qytetarët. Ishte kënaqësi për mua që komisioneri më tha se ankesat që nga viti 2014 janë 10-fishuar. Kjo do të thotë se qytetarët e Shqipërisë tashmë janë të ndërgjegjësuar se në rast se e drejta e tyre për mbrojtjen e të dhënave personale shkelet ata kanë të drejtën të ankohen pranë institucioneve. Besoj që ju e dini se legjislacioni i BE për mbrojtjen e të dhënave personale është një ndër më të mirat. Shohim se Shqipëria po harmonizon legjislacionin e saj me atë të BE”, tha Soreca.

Skip to toolbar