Përfaqësuesi special i OSBE: Turbulencat politike zgjidhen vetëm me dialog

AKTUALITET


“Turbulencat politike në Shqipëri mund të zgjidhen vetëm me dialog dhe në mënyrë paqësore, duke përjashtuar kategorikisht përdorimin e dhunës”. Kështu është shprehur Përfaqësuesi Special i OSBE, Ambasadori Andreas Nothelle gjatë një takimi që zhvilloi të mërkurën me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Në këtë takim Nothelle ishte i shoqëruar nga Ambasadori Bernd Borchardt, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.


Ambasadori Nothelle ka ardhur në Shqipëri për të ndihmuar shërbimet e Kuvendit dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme për kryerjen me sukses të misionit të Shqipërisë si Presidente e OSBE-së në vitin 2020. Ai tha se komuniteti ndërkombëtar ka besim të plotë te Shqipëria dhe se një vend i vogël mund të tregojë një lidership të madh.

“Komuniteti ndërkombëtar ka besim të plotë se Shqipëria do ta përmbushë me sukses të plotë këtë mision të rëndësishëm në nivel global. Asambleja Parlamentare dhe Sekretariati i OSBE-së janë krenarë për Presidencën shqiptare, angazhimin tuaj dhe pritshmëritë e mëdha që kemi nga kjo Presidencë. Shqipëria do të tregojë se si një vend i vogël mund të bëhet një lidership i madh”, theksoi ambasadori Nothelle.

Ndërsa kryetari i Kuvendit Ruçi tha se Shqipëria do ta marrë seriozisht rolin e sja si kryesuese e presidencës së OSBE-së në vitin 2020.

“Shqipëria po përgatitet seriozisht për të përmbushur me sukses të gjitha detyrat në kuadrin e Presidencës së OSBE-së, për të kontribuar për sigurinë dhe stabilitetin në të gjitha rajonet ku OSBE është prezente, por edhe në rajonin tonë. Presidenca e OSBE-së është një mundësi që Shqipëria të konfirmohet si një faktor kyç për garantimin e sigurisë dhe paqes në botë dhe si një kampion i vlerave evropiane e perëndimore. Kuvendi i Shqipërisë do të mbështesë maksimalisht Qeverinë dhe institucionet shqiptare të angazhuara në këtë lidership”,-tha Ruçi.

Ambasadori Andreas Nothelle gjate takimit me Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi



Skip to toolbar