Basha me akuza të vjetra për Ramën (refuzon zgjedhjet)

AKTUALITET


Lulzim Basha ka shpërndarë një video në rrjetet sociale mëngjesin e të martës, ku akuzon kryeministrin Edi Rama se udhëton jashtë vendit për interesa personale. Kreu i PD, në videon e publikuar në Facebook, tregon se sipas tij, udhëtimet e Kryeministrit Rama janë për interesa personale. Në video shfaqen disa foto të shefit të qeverisë, i cili në fakt i ka bërë vetë publike më herët, kur  ka marrë pjesë në hapjen e ekspozitave të tij artistike në disa vende të Europës dhe jo vetëm. Megjithatë, për Lulzim Bashën, udhëtimi i Kryeministrit Rama jashtë vendit për të prezantuar punimet e tij artistike, ‘janë udhëtime për punë personale’. Veç videos, Basha shkruan dhe një koment, ku shprehet se shefi i qeverisë është ‘artist i mashtrimit’.

“Edi Rama është artist i mashtrimit. Gjithçka që ka premtuar, gjithçka që ka thënë ka qenë mashtrim me qëllim për të vjedhur dhe grabitur bashkë me kriminelët dhe oligarkët. Çdo projekt, program dhe politikë është mashtrim për shqiptarët në shërbim të oligarkëve. Pasuri dhe Luks për vete, Papunësi, Varfëri dhe Pasiguri për njerëzit. Mashtrimeve dhe gënjeshtrave të Hajdutit psiqik ju ka dalë boja. Hajdut psiqik, Rama ik, Shqipëria si Europa”, shkruan Basha.


Megjithatë, kreu i opozitës vijon refrenin e akuzave ndaj mazhorancës, duke lënë të kuptohet se nuk ka bërë progres në aspektin e pranimit të dialogut. Edhe në këtë reagim të fundit, Basha vetëm sulmon kreun e qeverisë (për fotot që vetë Rama i ka publikuar në rrjetet sociale), ndërkohë që nuk thotë asnjë fjalë për ftesën zyrtare që mazhoranca i bëri të hënën nga sesioni i ri parlamentar, ku e ftoi opozitën të jetë pjesëmarrëse në hartimin e reformës zgjedhore.

Në fakt, si një nga kërkesat kryesore të opozitës, për ‘zgjedhje të lira e të ndershme’, reforma zgjedhore mund të jetë pikëtakimi kryesor i dialogut mes mazhorancës dhe opozitës, çka mund t`i jepte zgjidhje dhe krizës politike. Në fakt, reforma zgjedhore ashtu si dhe reforma në drejtësi, janë një proces i nxitur dhe mbështetur nga ndërkombëtarët dhe më konkretisht amerikanët. Por Basha as këtë herë, nuk flet për ftesën e mazhorancës, e cila pas 30 qershorit, ashtu si para 1 qershorit, ka treguar gatishmëri për dialog dhe për të bashkëpunuar në procese të rëndësishme demokratike të vendit, ku shtyllat kryesore janë reforma në drejtësi dhe ajo e zgjedhjeve.




Skip to toolbar