Kryebashkiakja e zgjedhur e Durrësit, Valbona Sako ka arritur të marrë njohjen e mandatit nga Gjykata e Durësit, duke ndryshuar taktikë me një kërkesë të re, që ia ka drejtuar kësaj gjykate. Në kërkesën e parë, Sako kishte kërkuar “verifikim mandati”, ndryshe nga kryetarët e tjerë të zgjedhur nga 30 qershori, të cilët kanë kërkuar vetëm “vërtetim mandati”, veprim i cili u është njohur nga gjykata, ashtu siç iu njoh edhe kryebashkiakes Sako pas kërkesës së dytë të bërë në Gjykatën e Durrësit.
Në kërkesën e parë, Valbona Sako kishte kërkuar verifikim mandati dhe të mërkurën gjyqtarja Mimoza Margjeka rrëzoi kërkesën e saj, duke refuzuar njohjen si kryebashkiake e Durrësit dhe duke argumentuar se zgjedhjet e 30 qershorit janë nul për shkak se Bindja Demokratike është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor jashtë afateve të parashikuara në ligj.
Por Partia Socialiste vendosi t’i drejtohet sërish
Gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës për njohjen e mandatit të kryebashkiakes
socialiste, duke korrigjuar “gabimin” në kërkesën e parë. Të enjten, Sako iu
drejtua gjykatës së Durrësit me kërkesën “vërtetim mandati” dhe të premten gjyqtari
Shpëtim Reka ka njohur mandatin e Sakos, duke pranuar vërtetimin e mandatit të kryebashkiakes
fituese në zgjedhjet e 30 qershorit, Valbona Sako.
Megjithatë, kjo nuk e mbyll kapitullin e hapur nga gjyqtarja Margjeka, e cila ka dhënë një vendim kundër Sakos, për shkak të argumenteve të dhëna për regjistrimin e Bindjes Demokratike, të paktën për ato bashki, ku ka kandiduar kjo forcë politike. Për këtë arsye, Sako ka deklaruar se ka bërë gati të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të apeluar vendimin e gjykatës së shkallës së parë të dhënë nga gjyqtarja Mimoza Margjeka. “Nuk do të tërhiqem nga rruga ime, mandatin e kam fituar me mund”, u shpreh Sako.
Veprimi i ndërmarrë nga kryebashkiakët e zgjedhur
nga 30 qershori nuk është përdorur në zgjedhjet të mëparshme, por ky veprim
duket se është ndërmarrë nga mazhoranca për të blinduar rezultatin e 30
qershorit, duke marrë shkas nga deklaratat e bashiakëve të djathtë, të cilët
janë shprehur se nuk do të lirojnë zyrat. Me njohjen e zgjedhjeve nga gjykata,
kryebashkiakët e rinj që hasin pengesa në lirimin e zyrave të bashkive,
zgjidhin çështjen e përplasjeve politike, pasi lehtësisht ata mund të nxjerrin
një urdhër ekzekutimi për “lirim zyre” dhe vihet në veprim zyra përmbarimore për
të larguar punonjësit që refuzojnë të lëshojnë bashkitë.
Dy ditë më parë gjykata e Durrësit, refuzoi
t’i japë mandati Valbona Sakos si kryetare e re e Bashkisë së Durrësit.
Në vendim gjykata e Durrësit argumentoi se
procesi zgjedhor i 30 qershorit nuk është i ligjshëm, pasi partia “Bindja
Demokratike” është regjistruar jashtë afatit zyrtar, duke i bërë zgjedhjet nul.