Kryeministri Edi Rama ka publikuar një tjetër
reagim të artistëve që janë pro ndërtimit të një teatri të ri, në vend të atij
ekzistues. Rama sjell mendimin e aktores Suela Konjari, të cilin e shoqëron me
komentin e tij, se aktorja i përket gjeneratës së artistëve që doli në skenë në
vite të vështira, të ndryshimit të sistemeve. “Suela Konjari i përket
gjeneratës që doli në skenë në vitet e vështira të ndryshimit të sistemeve dhe
spikati me rolet e saj përpara publikut të Teatrit Kombëtar. Në çështjen e
shumëdebatuar të godinës së teatrit, ajo ndan të njëjtin opinion me shumicën dërrmuese
të komunitetit teatror”, shkruan Rama.
Ndërkohë, aktorja Suela Konjari jep mendimin
e saj, duke u shprehur se artistët duhet të tejkalojnë bindjet partiake, dhe të
gjendet një gjuhë e përbashkët për të zgjidhur problemet. “Kur mbaron një
shfaqje teatri, melodia e parë që vjen për aktorin në skenë janë duartrokitjet
e publikut. Me këtë dua të them, ju ftoj të gjithëve, veten time të parën, ju
dhe gjithë kolegët e mi, edhe specialistët, që t’i tejkalojnë bindjet partiake,
teatri është mbi partitë. Shpresoj shumë dhe do të dëshiroja që të arrihet një
gjuhë e përbashkët sepse çelësi sekret për t’i zgjidhur problemet në këtë botë
kaq të ndërlikuar ku jetojmë, është thjesht dashuria, ta dëgjojmë dhe besojmë
njëri-tjetrin. Teatri na jep mundësinë që ta duam njëri-tjetrin dhe ta besojmë.
Shpresoj që të arrijmë më të mirën e mundshme”, përfundon komenti i artistes
Suela Konjari.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në
rrjetin social Facebook, duke shprehur trishtim për ndarjen e parakohshme nga
jeta të regjisorit Gjergj Xhuvani. Në një postim në rrjetet sociale, Rama
shkruan se “u deshën minuta të tëra” për të besuar lajmin e humbjes së Gjergj
Xhuvanit.
“O Zot! U deshën minuta të tëra ta
besoja se ishte i vërtetë lajmi i humbjes së Gjergjit. Sa shumë gjëra për të
thënë e sa pak fjalë mblidhen bashkë në këtë moment… Miku
i shtrenjtë dhe i mirë qysh nga kohët më të vjetra, regjizori Gjergj Xhuvani,
nuk i çeli më sytë, pasi mbrëmë përfundoi në Romë, filmin e tij të ri. S’kam fjalë…”,
shkruan Kryeministri në reagimin e tij.
Gjergj Xhuvani u nda këtë të mërkurë nga
jeta në një spital në Romë, pas një ataku kardiak, raportojnë të afërm të tij. Në
moshën 56-vjeçare, Xhuvani largohet nga kjo botë fizikisht, duke lënë pas një
karrierë të gjatë kinematografike si regjisor i shumë filmave artistik, apo
skenarist dhe producent.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar pasditen e të mërkurës një opinion të
regjisorit dhe aktorit Pëllumb Kulla, i cili shprehet se “Shqipëria nuk ka
pasur një ndërtesë të përshtatshme për teatrin qendror”. “Për më shumë se 70 vjet ne nuk kemi patur një
ndërtesë të përshtatshme për teatrin qendror. Mjafton të them se ajo ishte
shumë larg me shoqet e saj të Europës, po se po, por ajo ishte edhe më e
papërshtatshme edhe se disa teatro të vendit”, shkruan ndër të tjera Pëllumb
Kulla, në opinionin e publikuar nga Kryeministri në faqen e tij zyrtare në
Facebook. Më tej, në mesazhin e
regjisorit të njohur, jepet dhe një propozim për mënyrën se si duhet të ndërtohet
teatri i ri. Pëllumb Kulla shprehet se brenda godinës së re, duhet të ndërtohet
një pavion ku të ekspozohet një maket i teatrit të vjetër, pjesë nga rekuizita artistike
ndërvite dhe një muze kushtuar aktorëve, regjisorëve dhe skenaristëve të Teatrit
Kombëtar.
“Në atë kompleks të ngritur nga italianët, u
bë jetëgjatë një dramaturgji, pjesa më e madhe e të cilës meriton të mos
kujtohet më. Mendoj dhe shpresoj se edhe kjo, në korpusin e ri do të realizohet
nëpërmjet veçimit të një pavijoni memorialistik, ku mund të ruhej edhe një
maket i madh i godinës së teatrit të deritanishëm, ku mund të ekspozoheshin
kostumet e paharruara, që nga ai i Hamletit të Shekspirit, Ezopit dhe Kleas të
Figuereidos dhe deri tek ato të Halilit dhe Hajries të Kol Jakovës. Në atë
ambient muzeal mund të gjenden shfaqje të filmuara apo radiofonike, këndi i
dramaturgëve, ai i regjisorëve dhe i skenografëve, makete dekoresh të qëlluara
dhe plot elementë që do të plotësonin nevojat shpirtërore të atyre artistëve,
që me ashk kërkuan muaj me radhë restaurimin e plotë të ndërtesës”, thuhet në
opinionin e Pëllumb Kullës për Teatrin e ri Kombëtar.
Në fund të mesazhit të tij, ai shprehet se
uron që të “nisin sa më shpejt” punimet për ndërtimin e godinës së re të
teatrit, ndërsa thekson se problemet e teatrit duhet të fokusohen jo te ndërtimi
i godinës, por ato të dramaturgjisë kombëtare. “Përshëndes atmosferën optimiste
që po krijohet dhe mezi pres ditën kur problemet e teatrit do të fokusohen, jo
më tek ndërtimi historik i korpusit teatror, që ndodh njëherë në mijëra vjet,
por tek problemet e vërteta dhe të përditshme të teatrit kombëtar, të
dramaturgjisë kombëtare. Uroj të jetë sa më i shpejtë fillimi i punimeve dhe
qoftë e afërt dita kur të sakrifikohen ngrehinat e dy teatrove “ndërkombëtarë”,
që t’i bëjnë vend ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Shqipërisë”, përfundon opinioni
i Pëllumb Kullës.
Valdrin Pjetri është leksion i fundit i
hidhur i gjithë atyre që nuk e kanë kuptuar se ligji i dekriminalizmit është bërë
për t`i mbajtur larg politikës, të gjithë ata që përpiqen të fshehin të shkuarën
e tyre. para tij e kanë pësuar disa kryetarë bashkish dhe deputetë të
Parlamentit, dhe për një njeri normal, kjo do të mjaftonte që për një gjë dhe
shumë të lehtë se kjo e Valdrinit, t`i qëndronte larg politikës.
Një njeri që është dënuar 20 vjet më parë, ka gjithë të drejtat të jetë qytetar i lire, por ligji ja ka ndaluar të jetë pjesë e politikës. Dhe në këtë pikë, Valdrin Pjetri ngre dyshime serioze, jo vetëm si njeri politik, por dhe për intelektin e tij si qytetar. Poshtërimi i tij publik sot, më shumë se sa një tore e opozitës, është një problem i tij personal, të cilin do ta kishte shmangur, sikur të shikonte punët e veta e të mos merrej me politikë. Është një ndëshkim dhe për inteligjencën e tij të pretenduar. Por meqë guxoi kaq shumë, duhet dhe ta pësojë kaq keq. Në një farë mënyre, fati i tij sot, është një leksion për të gjithë ata që ende besojnë se mund të mbijetojnë në këtë sitë të hollë që politika i ka vënë vetes me ligj.
Çështja Pjetri, a duhet të kandidojë më PS një emër nese zgjedhjet përsëriten?
Demonizimi i elementëve kriminalë në
politikë, është një tore e reformës në drejtësi, që po jep frytet e veta edhe
në shoqëri. Reagimi i menjëhershëm i Kryeministrit, është një lajm i mirë, që
tregon se ai është i pari që e ndjen peshën e përgjegjësisë, për infiltrimin e
elementëve të tillë, qoftë dhe ilegalisht në sistem. Por nga ana tjetër, është
një leksion për të, për të kuptuar se distanca me elementë të tillë, nuk duhet
të jetë vetëm nga letrat, por dhe nga mjedisi nga vijnë dhe nga nuhatja se kush
i mbështet.
Rezultati i Valdrin Pjetrit në Shkodër, i
identifikuar dhe nga vetë PS, si i mbështetuar nga aleatë “të fortë” të PS në
atë qark, rrëzoi në mënyrë drastike rezultatin e Partisë Socialiste në atë
qytet. Pjetri ka marrë rezultatin më të ulët historik të PS në qytetin e Shkodrës,
duke marrë më pak se gjysmat e votave të Keti Bazhdarit katër vjet më parë, që
garoi kundër vullnetit të “të fortëve” të shkodrës. Kjo tregon se shoqëria është
më e përgatitur se politikanët tanë, për të nuhatur kush është i sponsorizuar
nga të fortët dhe kush është përballë tyre. dhe pjesë e kësaj shoqërie është
dhe PS e Shkodrës, që duket se e ka pasur nuhatje këtë. Përveç Valdrinit.
Nga ana tjetër, reagimi i fortë i Edi Ramës,
që thotë se nuk do të falte as vëllain e tij, në raste të tilla, ka bërë
entuziast Sali Berishën, i cili e quan fundin e botës, që Rama mund të dorëzojë
dhe vëllain, nëse bën gjëra të tilla. Se ai me mendjen e tij e quan sukses që
nuk e dorëzoi djalin kur vrau në Gërdec, as vajzën kur u kap si seksere e tre
milionë eurove. Ai në vend të tyre vrau shtetin dhe tani çuditet se si shteti
ndahet nga krimi.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar me në Tëitter,
rreth akuzave të ngritura nga Partia Demokratike për dënimin e kryebashkiakut të
Shkodrës, Valdrin Pjetri. Rama shprehet se përgjegjësia për çdo akt individual
të padenjë, është individuale. Në këto kushte, Rama shprehet se përgjegjësia e
PS është se si reagon ndaj një akti individual.
“Jo Valdrini, po vëllai im të jetë, s’ka shans të hedhë asnjë hije dyshimi mbi PS dhe mbi mua, në raport me ligjin e me besnikërinë ndaj popullit! Përgjegjësia për çdo akt individual të padenjë është individuale. Përgjegjësia jonë është si reagojmë ndaj një akti të padenjë individual”, shkruan fillimisht Kryeministri.
Çështja Pjetri, a duhet të kandidojë më PS një emër nese zgjedhjet përsëriten?
Më tej, duke përmendur disa virtyte njerëzore
të Valdrin Pjetrit, Edi Rama shprehet se këto nuk mjaftojnë. Madje, ai shton se
“kurrë nuk kam menduar se Valdrini do të fshehë të vërtetën në raport me ligjin”,
duke treguar se derisa e vërteta ligjore të dalë, kryebashkiaku i ri i Shkodrës,
i ka rrugët të ndara me PS.
“I edukuar, i zoti, i respektuar familjarisht
në Shkodër e kudo ka punuar, po kjo s’mjafton më! Kurrë s’kam menduar se
Valdrini mund të fshehë të vërtetën në raport me ligjin, po deri kur e vërteta
ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara
plotësisht”.
Në fund, kreu i qeverisë dhe Partisë
Socialiste, duket i ndikuar edhe nga rastet e mëparshme kur përfaqësues të PS-së
janë përballur me probleme me drejtësinë, shprehet se tashmë nuk do të lejojë që
të marrë më kosto për veprime individuale të dyshuara si rasti i Valdrin
Pjetrit.
“E me këtë rast, të tërë ta fusin mirë në kokë: Unë s’kam ndërmend të toleroj askënd dhe as të marr përsipër raportin individual me ligjin të askujt! Shkoj në luftë për çdo ide, qëllim a shok armësh, po kosto veprimesh individuale të dyshuara si ky, as marr më, as lejoj më t’i marrë PS”, përfundon kryeministri Rama.
Nëpërmjet një njoftimi, ku përgëzon punën e
Policisë së Shtetit për goditjen e informalitetit, Kryeministri Edi Rama ka dhënë
lajmin se në shtator do të paraqitet në Kuvend një ligj, i cili do t`u heq të
drejtën e administrimit të vijës bregdetare, pushtetit lokal.
“Pushtimi i plazheve publike dhe rrumpalla në
administrimin e plazheve e të territorit bregdetar në tërësi nga njësitë
vendore, duhet të marrë fund. Beteja e Policisë së Shtetit dhe inspektoriateve
qendrore, qysh nga fillimkorriku, po ndikon në përmirësimin situatës, por nuk
mjafton. Në vjeshtë në Kuvend, ligj i ri pēr mbrojtjen dhe administrimin e
Vijës Bregdetare nga shteti”, shkruan ndër të tjera Rama.
Më tej, ai shprehet se vija bregdetare është
një pasuri që i takon qytetarëve, dhe jo abuzuesve të çdo kategorie. Zero
tolerancë ndaj abuzuesve nuk është moto fushate, por, sipas Ramës, linja e re e
qeverisjes.
“Kjo pasuri kombëtare i takon popullit dhe
pushimet u takojnë njerëzve, jo abuzuesve të çdo kategorie; nga tregtarët që
nuk lëshojnë kuponat, tek harbutët që zaptojnë plazhet dhe deri tek zyrtarucë
shtetërorë e pushtetarë vendorë, të cilët në vend të detyrës ndaj vendit dhe
pushuesve, u bëjnë qoka dëmtuesve e zhurmuesve. Zero tolerancë ndaj abuzuesve
nuk është moto fushate, po linja e re e qeverisjes. Derinë fund dhe në çdo
drejtim”, shkruan Rama.
Prej disa javësh ka nisur një aksion kundër informalitetit
në ekonomi, ndërsa ditët e fundit, këtija aksioni nuk i ka shpëtuar as vija
bregdetare. Në pak ditë, forcat e policisë dhe autoritete të tjera shtetërore,
kanë hequr mijëra shezlongë dhe kanë liruar po ashtu mijëra m2 sipërfaqe
bregdetare të zaptuara kundër ligjit nga
biznese private. Këto hapësira në plazhe të ndryshme të vendit, tashmë i janë kthyer
pushuesve, të cilët kanë mundësi t`i shfrytëzojnë pa pasur nevojë të paguajnë
çmime të kripura për një shezlong.
Kreyministri Edi Rama ka publikuar në Facebook një video ku shihet godina e rikonstrukuar e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Nga një ambient i degraduar, me një sallë aspak funksionale për koncerte, ulëse të shkatërruara dhe salla provash apo ambiente të tjera funksionale të dala jashtë përdorimit, kjo godinë po shndërrohet në një sallë moderne koncertesh. “Mirëmëngjes dhe s`po flas fare për çfarë do të shihni e gjykoni vetë, duke ju uruar një të dielë të bukur”, shkruan Rama në postimin e tij në Facebook në komentin e videos.
Ky është një mesazh edhe për të gjithë ata që kundërshtojnë shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të një të riu, me ambiente më funksionale dhe kushte bashkëkohore për dhënien e shfaqjeve.
Një ditë më parë, duke shpërndarë foto nga rikonstruksioni i godinës së TKOB, Rama shkruante: “Së shpejti Shqipëria do të ketë një Teatër të ri kombëtar të Operas dhe Baletit në vend të karakatinës skandaloze, e cila edhe pse ishte ku e ku më e mirë se sa karakatina e turpshme prej tallashi e Teatrit Kombëtar, nuk krahasohej dot as me teatrot e qytezave të Europës. Ja kështu, njësoj, do të shkëlqejë nesër edhe Teatri i ri Kombëtar i Fjalës, i cili përveçse do të jetë një gëzim nga brenda për çdo artist e artdashës, do të rrezatojë edhe nga jashtë, si një kryevepër e arkitekturës bashkëkohore, falë talentit të arkitektit të famshëm danez Bjarke Ingels e të studios së tij prestigjioze”.
Avioni “Migjeni’ i bashkohet kompanisë ‘Air Albania’ dhe që
do të mbulojë fluturimet nga Rinasi për në aeroportet e Italisë, së bashku me
atë “Lasgushi” që mbulon Stambollin. Përtej
lajmit të bukur për shqiptarët, kjo është kthyer edhe në një burim të qeshurash
mes komentuesve dhe vetë Kryeministrit Rama.
Këtë ditë të shtunë pushimi, Rama ka vendosur t’ia dedikojë ndjekësve
të tij në rrjetet sociale, të cilat kanë komentuar nëse do të ketë avion me emrin
e politikanëve dhe konkterisht emrin e Lulzim Bashës, Sali Berishës apo Monika Kryemadhit,
ndërsa kryeminsitri u përgjigjet me batuta.
“Vendosi dhe një avioni emrin Lulëzim. Po lere matanë
oqeanit mos e kthe me” shkruan një komentues.
“Jo se atë emër e kemi ruajtur për kompaninë e makinave
llogaritëse: “Luli Arithmetics 7742shpk”” i përgjigjet Rama,
duke ironizuar aftësitë matematikore të Lulzim Bashës, i cili disa herë në media
ka treguar se nuk është aspak i aftë me to duke gabuar në llogaritje.
“Emrin e doktoreshës do t’ia vendosim Fakultetit të
Shkencave të Filxhanit dhe Tepsive, se e ka merituar me djersën e ballit e na
ka bindur të gjithëve që i del llafi.” shkruan Rama më pas, të cilës i
referohet shpesh si ‘fallxhorja’ epitet që ja ka vënë dhe përsëritur gjatë
gjithë fushatës elektorale të 30 qershorit.
“Po ndonjë Aero me emrin e Sali do futet në këtë flotë” shkruan një komentues tjetër. “Jo se atë emër e kemi për kompaninë e komerdareve të detit” i përgjigjet kryeministri komentuesit, duke pasur parasysh rekordet me not që Berisha i thyen vetes çdo verë.
Lulzim Basha beson se lufta kundër informalitetit e nisur nga qeveria,
bëhet për të grabitur paratë e tyre dhe
për të financuar, sipas Bashës, “lluksin e Edi Ramës dhe klientëve të tij”. Kryedemokrati
shprehet se kryeministri Edi Rama është ‘përfitues ndaj informalitetit’, duke e
akuzuar atë se “po vjedh gjithë buxhetin e shtetit”. Me një reagim në rrjetet
sociale, kreu i opozitës, ka sulmuar qeverinë dhe aksionin ‘anti-informalitet’
ndaj biznesit në vend.
“Dhuna e gjobave dhe sekuestrimeve ndaj sipërmarrjeve të vogla që
sigurojnë mbijetesën e shumicës së familjeve shqiptare, bëhet për të grabitur
paratë e tyre për të financuar grykësine dhe lluksin e Edi Ramës dhe klientëve
të tij milionerë. Si hajdut psiqik që është, vodhi të gjithë buxhetin e shtetit
me kontrata dhe koncesione kriminale, por nuk do ndalet deri sa të vjedhë edhe
pikën e fundit të mundit dhe gjakut të shqiptarëve. Edi Rama është kërcënim dhe
rrezik për jetën dhe sigurinë e çdo familje shqiptare”, shprehet Basha.
Ndonëse aksioni kundër informalitetit në ekonomi ka pasur rezultate
konkrete deri më tani, ku ndëshkimet nuk kanë qenë selektive ndaj biznesit, siç
shpesh ka ndodhur në qeverisjet e shkuara, për kryedemokratin Basha, qeveria
favorizon ‘oligarkët’ e vetë. “Rama është sponsorizuesi dhe përfituesi kryesor
i informalitetit. Ai kaloi ligjet që favorizojnë klientët dhe oligarkët e tij,
ndërkohë që rëndon me taksa dhe tarifa sipërmarrjet e vogla dhe të mesme”,
shprehet Basha.
Duke akuzuar qeverinë për PPP-të, Basha shprehet se kur Partia
Demokratike të vij në pushtet, këto marrëveshje do të anulohen. Ndërkohë,
premton se biznesit do t`i anullohen të gjitha politikat fiskale, duke ndëshkuar
abuzuesit. “Do të anullojmë të gjitha politikat fiskale që janë me emër
biznesi, do të lehtësojmë barrën fiskale për gjithë sipërmarrjen. Mbi të gjitha
do të marrim masa për të ndëshkuar mafian që fshihet pas oligarkisë. Me parimin
“ndiq paranë” do të bëjmë të mundur që biznesi i ndershëm të punojë
dhe të ndëshkohen abuzuesit”, përfundon Basha
Pasi lajmëroi se në shtator do të nisin fluturimet e “Air Albania” drejt tre aerporoteve italiane, Kryeministri Edi Rama ka publikuar fotot e avionit, që do të transportojë shqiptarët drejtë Italistë dhe anasjelltas. Avioni Boeing 737, prodhim i vitit 2016, është pagëzuar me emrin e “Migjenit”, dhe është duke u bërë gati për t`ju bashkuar flotës kompanisë shqiptare të aviacionit civil. Rama shkruan se ky avion do të jetë i standardeve të larta nga “trupa shqiptare e stjuartëve, që nga ushqimi në bord që ishte harruar prej shumë vitesh për udhëtarët e Rinasit dhe me televizor për ço pasagjer, si asnjëherë më parë”, shkruan kreu i qeverisë.
Në fotot e “Migjenit”, shihet se një pjesë e bordit të kabinës së udhëtarëve është e destinuar për udhëtimet e “Business Class”. Ndërkohë, Kryeministri Rama, në postimin e tij në Facebook, shkruan se në fund të këtij viti do të shtohet dhe avioni i tretë i flotës së “Air Albania”, që do të ketë emrin “Naimi”, (një tjetër Rilindasi të shquar), që do të kryejë destinacione të tjera evropiane. Ndërsa më pas, radha do të jetë e “Nolit”, që sipas kryeministrit, do të kryejë linjën direkte Shqipëri-Amerikë.
Në fund, kreu i qeverisë shprehet se flota e “Air Albania” do të zgjerohet me të tjerë avionë në të ardhmen, ndërsa kritikëve u përgjigjet me një shprehje të urtë popullore shqiptare. “Gur gur bëhet mur”. “Më tutje do të vazhdojë zgjerimi i flotës me të tjerë, bazuar mbi suksesin e fazës së parë, po më mirë i’a lemë kohës të na tregojë e të flasë Se gur gur bëhet muri dhe mur pas muri bëhet kalaja thotë Populli; po normal që çdo popull ka të paduruarit e të pagdhendurit e vet, kështu që rroftë puna se ajo mbetet, ndërsa llafet lum kush i duron deri kur t’i marrë era”.