“Zaptimet dhe qokat në plazhe publike”, Rama: Ligj të ri në shtator, bregdeti u hiqet bashkive

AKTUALITET


Nëpërmjet një njoftimi, ku përgëzon punën e Policisë së Shtetit për goditjen e informalitetit, Kryeministri Edi Rama ka dhënë lajmin se në shtator do të paraqitet në Kuvend një ligj, i cili do t`u heq të drejtën e administrimit të vijës bregdetare, pushtetit lokal.

“Pushtimi i plazheve publike dhe rrumpalla në administrimin e plazheve e të territorit bregdetar në tërësi nga njësitë vendore, duhet të marrë fund. Beteja e Policisë së Shtetit dhe inspektoriateve qendrore, qysh nga fillimkorriku, po ndikon në përmirësimin situatës, por nuk mjafton. Në vjeshtë në Kuvend, ligj i ri pēr mbrojtjen dhe administrimin e Vijës Bregdetare nga shteti”, shkruan ndër të tjera Rama.


Më tej, ai shprehet se vija bregdetare është një pasuri që i takon qytetarëve, dhe jo abuzuesve të çdo kategorie. Zero tolerancë ndaj abuzuesve nuk është moto fushate, por, sipas Ramës, linja e re e qeverisjes.

“Kjo pasuri kombëtare i takon popullit dhe pushimet u takojnë njerëzve, jo abuzuesve të çdo kategorie; nga tregtarët që nuk lëshojnë kuponat, tek harbutët që zaptojnë plazhet dhe deri tek zyrtarucë shtetërorë e pushtetarë vendorë, të cilët në vend të detyrës ndaj vendit dhe pushuesve, u bëjnë qoka dëmtuesve e zhurmuesve. Zero tolerancë ndaj abuzuesve nuk është moto fushate, po linja e re e qeverisjes. Derinë fund dhe në çdo drejtim”, shkruan Rama.

Prej disa javësh ka nisur një aksion kundër informalitetit në ekonomi, ndërsa ditët e fundit, këtija aksioni nuk i ka shpëtuar as vija bregdetare. Në pak ditë, forcat e policisë dhe autoritete të tjera shtetërore, kanë hequr mijëra shezlongë dhe kanë liruar po ashtu mijëra m2 sipërfaqe bregdetare të zaptuara kundër ligjit  nga biznese private. Këto hapësira në plazhe të ndryshme të vendit, tashmë i janë kthyer pushuesve, të cilët kanë mundësi t`i shfrytëzojnë pa pasur nevojë të paguajnë çmime të kripura për një shezlong.




Skip to toolbar