Kryetari i Partisë Demokratike ka publikuar pasditen e të mërkurës një video, ku tregon sipas Lulzim Bashës, pesë arsyet “pse Edi Rama ka frikë vetingun e politikanëve”. Paraprakisht, vetingu në politikë është një propozim i hershëm i Partisë Demokratike, i ngjashëm me modelin e vetingut në sistemin gjyqësor, ndërsa një vit më parë rreth propozimeve të PD ka dhënë opinion dhe Komisioni i Venecias. Megjithatë, Realstory.al bën një ‘fact checking’ për videon me pesë arsyet, që sipas Bashës, vettingu i politikanëve tremb Ramën.
“Vetingu i politikanëve kërkon një shumicë prej 93 votash në Parlament. Edi Rama ka mbushur parlamentin me kriminelë që nuk votojnë fundin e tyre”, shkruan Basha në video mesazhin e shpërndarë në rrjetet sociale.
Gabohet! Parlamenti ka mbi 120 deputetë aktualisht, kuorum i nevojshëm për të miratuar draft-ligjin, që sipas Bashës, mazhorancës i mungojnë votat. Madje, në kushtet aktuale, nëse ky draft do të shkonte në Kuvend për votim, ekziston mundësia që drafti të votohet me më shumë se 93 vota, pasi deputetët e opozitës në Parlament, kanë shprehur vullnet të mbështesin çdo ligj që i shërben pastrimit të sistemit politik. Fakti është, se vetëm një muaj më parë, ishin votat e deputetëve të opozitës së re në Kuvend, që miratuan dy ligjet e fundit të Reformës në Drejtësi, që mbaheshin peng prej (lexo këtu) gati tre vjetësh nga PD dhe LSI. Pra votat në Kuvend janë. Sa i përket fjalisë se “Edi Rama ka mbushur Parlamentin me kriminelë që nuk votojnë fundin e tyre”, përsëri Basha gabohet, pasi për këtë mjafton të kujtojë vetëm miratimin e ligjit të dekriminalizmit, që u votua nga shumë deputetë, që më pas ishin subjekt i tij dhe humbën mandatin.
“Vetingu i politikanëve heton të gjithë zyrtarët e lartë, deputetët, ministrat dhe kandidatët e pushtetit vendor. Edi rama vodhi zgjedhjet për të mbushur bashkitë me të dënuar për trafik droge dhe qeniesh njerëzore”.
Gabohet! Në fakt, lidhur me këtë pikë, merr vlerë opinioni i Komisionit të Venecias i 30 nëntorit të vitit 2018, ku shprehej ndër të tjera: “Siç është aktualisht, propozimi i verifikimit nuk ka qartësi ligjore dhe siguri juridike, si për sa i përket qëllimit të synuar, arsyet për moszgjidhje dhe humbje të mandatit dhe mekanizmin e zbatimit të tij. Në shumë aspekte, ajo gjithashtu ngre çështje të proporcionalitetit. Nuk është e qartë se kush do të kryejë verifikimin e zyrtarëve publikë dhe kandidatëve zgjedhorë dhe nëse kjo do të bëhet nga një organ gjyqësor ose një organ tjetër i pavarur. Përveç kësaj, nuk janë propozuar masa mbrojtëse për të shmangur rrezikun që mund të përdoret në një mënyrë të politizuar ose në mënyrë arbitrare”, thuhej ndër të tjera në opinionin e Komisionit të Venecias.
Megjithatë, lidhur me këtë pikë që Basha e cilëson si “arsye frike për Ramën nga Vettingu i politikanëve”, kryedemokrati duhet të ketë parsysh se gjithë çfarë thotë, do të jetë objekt i punës së Prokurorisë Speciale, që do të hetojë korrupsionin në nivele të larata. Pra Vettingu s`mund të kryejë detyrën që do të ketë SPAK, që nis në shtator.
“Vetingu i politikanëve largon përgjithmonë nga jeta publike kriminelët në politikë dhe zbulon rrjetet e tyre mafioze. Edi Rama e mban pushtetin me kriminelë dhe politikanë të lidhur me krimin”, shkruan Basha.
Gabim! Në fakt, për këtë pikë, Lulzim Bashës nuk i nevojitet një Vetting politikanësh, pasi vetë PD e tij propozoi dhe gjeti mbështetjen e mazhorancës për ligjin e dekriminalizmit. Mjafton të kujtosh rezultatin e fundit me Valdrin Pjetrit, një denoncim bërë nga PD, për të kuptuar se në këtë rast nuk nevojitet një Vetting për politikanët, për t`i mbajtur ata larg funksioneve publike, por mjafton një funksionim normal i strukturave që ngarkon ligji i dekriminalizmit, për të verifikuar pastërtinë e figurës për personat që synojnë të bëhen pjesë e politikës apo funksioneve publike në vend.
“Vetingu i politikanëve heton dhe largon të gjithë politikanët që nuk justifikojnë pasurinë e tyre. Edi Rama grabit shqiptarët dhe pasurohet bashkë me bandën e tij në politikë”.
Gabohet! Edhe në këtë pikë ka institucione përgjegjëse të cilat kanë detyrë për të hetuar pasuritë e politikanëve dhe zyrtarëve publikë. Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë, është institucioni përgjegjës që heton pasuritë e politikanëve, dhe në rast dyshimesh apo përfitimesh të paligjshme, ky institucion ia adreson çështjen organeve hetimore në vend. Me ngritjen e SPAK, gjërat do të jenë dhe më funksionale.
“Vetingu i politikanëve e përfshin kryeministrin e Shqipërisë. Edi Rama ka frikë vetingun. Ai është në krye të kupolësë së krimit, që po mban peng Shqipërinë”.
Gabohet! Në fakt, detyrën për të hetuar zyrarët më të lartë të kupolës politike në vend dhe jo vetëm, do ta ketë SPAK. Prokuroria Speciale e Anti Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të fillojë punë në shtator. Ashtu si pak ditë më parë lajmëronte ambasada e SHBA me një video në rrjetet sociale, SPAK do të hetojë, jo vetëm kryeministra e ministra, por edhe presidentin. Pra është SPAK institucioni që do të hetojë gjithë shkelësit e ligjit dhe politikanët e korruptuar pa pasur nevojë për organe të tjera shtesë, që veç të tjerash do të ishin barrë për buxhetin e shtetit, dhe njëkohësisht do të ishte një institucion paralel me institucionet e drejtësisë./Realstory.al/