Erdhi Reya, por retë e zeza nuk ikin, ankohet për mbrojtjen (si Pannuci)

Trajneri i kombëtares shqiptare Edy Reja ka folur pas ndeshjes për RTSH, duke komentuar humbjen e ekipit tonë kundër Islandës, në takimin e tretë kualifikues për Euro 2020.  Trajneri kuqezi ka shprehur keqardhje për pësimin e golit, teksa pesë lojtarë dështuan të ndalin kundërshtarin në mbrojtje.

Ndeshja e humbur? “Më vjen keq, nuk luajtëm keq, sidomos në fillim. Ata nuk bënë ndonjë gjë të madhe, përveç lojës ajrore. Luajtëm më mirë, e kërkuam golin deri në fund, kur ranë fuqitë. Mëkat, sepse patëm dy raste për gol në fillim, patëm raste edhe në pjesën e dytë. Mbetet fakti që luajtëm mirë, luftuam shumë dhe krijuam raste. Për rezultatin më vjen shumë keq, jam i tërbuar, sepse ishte edhe një penallti në favorin tonë. Mëkat, fati nuk qenka me ne”, u shpreh Reja.

Pësimi i golit në atë mënyrë, ju vjen keq? “Goli erdhi në qendër, me 3 mbrojtës. Kur dikush niset në sulm, nuk mund të driblojë 3 lojtarë. Ndoshta mund të bëhet një faull taktik, nuk mund të bëhet ai gabim aty, edhe pse lojtari depërtoi bukur dhe u tregua i zoti. Patëm 3 mundësi ta ndalnim, ishte një gabim fëminor, i pafalshëm”.

Çfarë kuptuat nga ndryshimet? “Ishte e vështirë, u mundova të ndryshoj pak ritmin me Kaçen, për të bërë diçka për faullet, goditjet nga këndi, sepse ai është i zoti teknikisht. Patëm disa raste në fund, duhej më shumë cinizëm e vendosmëri. I vendosëm në vështirësi, por nuk ditëm të shënojmë”.

Humbje mes akullnajave, Islanda na mund dhe merr vendin e tretë

Lojën e bëjmë ne, pikët i merr Islanda! Kështu ndodhi dhe këtë 8 qershor në Rejkjavik, ku sapo ka nisur pranvera, por sigurisht për vendasit, pasi Shqipëria vijon të dimërojë edhe pas “rifreskimit” me një trajner ekspert, në përvojë dhe moshë… “Shqiponjat”, ndonëse dhanë shenja jete, duket se ende janë larg asaj që kanë premtuar me fjalë gjatë këtyre ditëve, pasi një gol i Gudmundsson, i kthehu me këmbë në tokë lojtarët tanë, të cilët përsëri pësuan disfatë, humbën tre pikë, ndoshta përfundimisht vulosën mbylljen e ëndrrës për kualifikim në Euro 2020.

Në minutën e 22`, Gudmundsson thyen mbrojtjen shqiptare, jo pak por pesë lojtarë i kalon, dhe sheh Etrit Berishën të pafuqishëm për të bërë diçka. Kështu Islandezi shënon dhe kaq mjafton për të marrë tre pikë të arta, që e mbajnë Islandën në kuota të larata për kualifikimin në Europianin e 12  shteteve, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm.

Ndeshja!

Edy Reja ndryshon mendje në minutë të fundit, nuk bën atë që kishte thënë, ndryshon skemën dhe vendos të luajë 4-3-3, nga 3-5-2, me këtë të fundit që i “hëngri kokën” Eros Grezdës, pasi lojtarit iu tha se s`mund të gjente hapësira. Megjithatë, kjo skemë ishte në një farë mënyrë identitare dhe e njohur për kombëtaren tonë, pasi në rikthen pas në kohën e De Biasit.

Skuadra përgjigjet mirë në dhjetë minutat e para, me një kthim spektakolar të Sokol Cikalleshit në minutën e katërt të takimit, por portieri vendas është i vëmendshëm dhe ndalon rrezikun. Vendasit fillojnë të reagojnë në dhjetë minutshin e dytë, dhe shpërblehen në të tretin, pasi në të 22` Gudmundsson i bën pesë lojtarë kuqezi të shijojnë “spektaklin” e tij.

Pas këtij momenti, skuadra jonë reagon përsëri, por pa mundur të shkojë më shumë se sa gjuajtjet jashtë porte dhe sipër saj. Pjesa e parë mbyllet pa ndryshim në rezultat, por me shpresën se gjërat do të ndryshojnë në të dytën. Por as pas pushimit, gjërat nuk ndryshojnë. Kuqezinjtë vrapojnë pafund në fushë, ndërsa vendasit tregohen më të saktë në lojën në ajër. Madje në disa raste bëhen të rrezikshëm, çka detyron Edy Rejën të kryejë ndërrimet.

Kaçe, Ndoj e Sadiku i marrin vendit Bashës, Xhakës dhe Balajt. Kuotat rriten, skuadra nuk dorëzohet, por afrimi i fundit shton nervozizmin dhe asgjë tjetër. Kështu, ekipi kuqezi nuk merr atë që do, ndonëse jep gjithçka deri në përfundim të katër minutave shtesë. Kështu ndeshja mbyllet me fitoren e Islandës, që merr vendin e tretë në renditje me gjashtë pikë, ndërsa kuqezinjtë mbeten në vendin e katërt me tre pikë, teksa të martën e javës së ardhshme Shqipëria do të përballet me Moldavinë.

Çështja Grezda dhe Islanda, Edy Reja: Shqipëria e para, të shtunën sulmojmë

Trajneri i ekipit tonë kombëtar Edy Reja ka folur këtë të premte në konferencë për shtyp, 24 orë para ndeshjes zyrtare me Islandën, që do të luhet të shtunën në Rejkjavik. Trajneri u shpreh se gjatë këtyre dy javëve fazë përgatitore, ai ka mundur të njihet me ekipin, duke i transmetuar filozofinë e tij.

Unë në fushë gjatë stërvitjes i kam shprehur lojtarëve filozofinë time të cilën e kanë kuptuar. 15 ditë nuk kanë mjaftuar, në fushë shpresoj të marrim një rezultat të mirë dhe do i jepte besim lojtarëve që filozofia funksionon dhe puna e tyre nuk ka shkuar dëm”, u shpreh Edy Reja.

Më tej, gjatë fjalës së tij, tekniku italian u shpreh se nga skuadra kërkon të sulmojë, jo vetëm duke u mbrojtur.

“Unë pres nga ekipi të jetë i ekulibruar në fushë, të ketë ndjenjën e pjesëmarrjes në të gjitha repartet. Duam të jemi mirë dhe në sulm, dhe jo vetëm të mbrojmë. Të shkojmë në fushë dhe të shohim nëse do jetë filozofia ime rezultative apo jo”, u shpreh trajneri.

Edy Reja është shprehur se kudërshtarin e njeh mirë, dhe sipas tij, Shqipëria nuk duhet të presë lojën e tyre, por të bëjë lojën e saj..

“Të gjithë grupin e njoh mirë. Kanë një organizim të mirë në të gjithë fushën. Ata kanë Sigurdson që është një lojtar shumë i mirë dhe kyç si në teknike dhe në fizik. Ne do të shkojmë në fushë për të bërë ne lojën tonë, nëse do presim lojën e tyre do të bëhen shumë të rrezikshëm”, tha Reja.

Trajneri i kuqezinjve ka sqaruar dhe çështjen Grezda, duke u shprehur se nuk ka një problem të tillë. Ai sqaroi se lojtari ka zgjedhur të largohet, por mbetet në planet e ekipit për të ardhmen.

“Nuk ka një çështje Grezda. Ai ka marrë një vendim të tillë dhe është një përgjegjësi e tij. Kemi pasur pikëpamje të ndryshme. Është në planet tona dhe do të diskutojmë për të ardhmen. Mbi të gjitha ai është shprehur dhe nuk besoj se mund te jem unë pjesë e këtij diskutimi dhe as Federata”, tha Reja, por shtoi se askush nuk është i pazëvendësueshëm.

Më mirë të mendojmë ndeshjen, pasi është më e rëndësishme. Unë pres të bëjmë një lojë të mirë dhe kjo është më e rëndësishmja. Diskutimi duhet të shtrihet në rang grupi. Janë të gjithë të vlefshëm dhe askush nuk është i pazëvendësueshëm”.

Trajneri Edy Reja nuk ka zbuluar asgjë rreth formacionit për nesër, por la të kuptohet se skuadra do të zbresë në fushë me skemën 3-5-2.

“Këtë nuk e dinë lojtarë, nuk ia kam thënë atyre, kështu që duhet të pritet e nesërmja. Mirë është të dinë ata të parën dhe pasta ju. Me dy sulmues, është një projekt por nesër do të duket çdo gjë’, tha ndër të tejra Reja.

Ergys Kaçe: Fitojmë nëse luajmë si skuadër, kur vjen trajner i ri lojtarët japin maksimumin

Mesfushori Ergys Kaçe ka qenë së bashku me Etrit Berishën në konferencën për shtyp gjatë kësaj të mërkure, ku kanë analizuar situatën në ekipin kombëtar. Kaçe tha gjatë fjalës së tij se Islanda është një ekip i fortë, por edhe Shqipëria nuk mbetet pas. Ai është beson te fitorja.

“Islanda është ekip i fortë dhe ka lojtarë të mire, por edhe ne kemi futbollistë të mirë. Po të japim maksimumin, besoj se do të fitojmë. Sigurisht po të luajmë si skuadër. Sa herë vjen një trajner i ri, lojtarët japin maksimumin se duan të luajnë”, tha Kaçe.

Mesfushori kuqezi është shprehur se skuadra është gati, ndërsa skemat e përdorura nga trajneri Reja nuk përbëjnë problem, pasi sipas tij, këto skema, lojtarët, i kanë përdour edhe në klubet ku aktivizohen.

“Jemi stërvitur mirë dhe jemi gati për ndeshjen. Për tri ditë besoj se do të jemi gati. Me klubet tona i kemi provuar të gjitha skemat, ndaj nuk do të jetë problem. Nuk e di nëse do të luajë titullar, po më aktivizoi trajneri, do jap më të mirën, që të marrim fitoren”, tha Ergys Kaçe.

Balaj-Veseli: Të japim më të mirën për kombëtaren, duam gjashtë pikë

Nga Frankfurti ku kombëtarja është duke vijuar pjesën e dytë të përgatitjeve për ndeshjen ndaj Islandës, këtë të hënë kanë folur në konferencë për shtyp dy lojtarë të ekipit tonë kuqezi. Sulmuesi Bekim Balaj dhe mbrojtësi Frederic Veseli kanë komentuar dy përballjet e radhës për kualifikueset e Euro 2020.

 “Çdo gjë po shkon mirë dhe po përgatitemi maksimalisht. Jemi të fokusuar dhe duam rezultate të mira në dy ndeshjet e ardhshme. Gjërat kanë ndryshuar, kemi një trajner i ri dhe metodë të re pune. Është e kuptueshme se në çdo ekip ndodh diçka e tillë kur ndërrohen trajneri. Jemi të gatshëm dhe duhet të bëjmë mirë”, ka thënë Bekim Balaj.

Frederic Veseli ka folur për objektivat e ekipit në këto dy ndeshje, duke u shprehur se me gjashtë pikë do të kënaqeshin, por kjo mbetet vetëm një dëshirë.

“Më 6 pikë në dy ndeshje do të ishim të kënaqur, kjo është e sigurt, por në futboll është e vështirë të fitosh në çdo ndeshje. Qëllimi ynë është të jemi të përqendruar në ndeshjen e parë, të bëjmë një paraqitje pozitive në ndeshjen e parë të trajnerit të ri, më pas të shohim. Sigurisht qëllimi është që të fitojmë”, tha Veseli.

Sekma e re që do të përdor trajneri Reja, është ajo me tre mbrojtës, pesë mesfushor dhe dy sulmues, për këtë Bekim Balaj shprehet se e rëndësishme është që skuadra të japë më të mirën.

“Reja e ka hedhur si opsion skemën 3-5-2. Nuk kemi menduar vetëm këtë modul. Po shohim opsione dhe lojtarë të ndryshëm. E rëndësishme për ne është të japim më të mirën. Kemi luajtur me 1 sulmues, por misteri ka hedhur opsionin të luajmë me dy. Bashkëpunimi dhe mundësia për të shënuar do të jetë më e madhe. Ne jemi për interes të përbashkët, që të arrijmë maksimumin. Ardhja e Cikalleshit i bën mirë ekipit dhe na ndihmon për arritjen e objektivave”, ka thënë Balaj.

Edy Reja: Më bindi Edi Rama, më telefonoi dhe erdhi në hotel!

Edy Reja u bë trajner i kombëtares shqiptare pas largimit të Christian Panuccit. Trajneri 74-vjeçar italian nuk e pranoi që në fillim stolin kuqezi, pasi u deshën negociata të vazhdueshme për të bindur atë. Por, këtë të premte, në një intervistë për “Corriere dello Sport”, Reja ka zbuluar për herë të parë se nuk ishte vetëm Presidenti i FSHF Armand Duka që e bindi. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, sipas Edy Reja, ka qenë një tjetër njeri që e ka bindur të vinte në Shqipëri, për të vijuar punën e lënë përgjysmë nga Christian Panucci.

Presidenti Duka më telefonoi dhe më pyeti për plane duke më thënë se isha i nevojshëm nëse do të isha i lirë. Biseduam për këtë, dhe pashë ndeshjen me Turqinë. Unë shkova rastësisht, më duhej të shkruaja disa raporte në lidhje me futbollistët që po ndiqeshin nga Napoli dhe Atalanta. Më telefonoi gjithashtu edhe kryeministri Edi Rama. E takova atë në hotelin tim pranë “Ponte Milvio”-s, ai erdhi për të parë Lacion, është tifoz i madh i Juventusit. Më kishte thirrur që të më bindte”, ka thënë ndër të tjera Edy Reja.

Më tej ai ka folur edhe për avneturën me kombëtaren tonë, duke deklaruar se “këtu në Shqipëri ka një pasion të jashtëzakonshëm për futbollin”, ndërsa ka shtuar “Njerëzin e duan ekipin kombëtar dhe lojtarët. Kjo afërsi më jep energji. Ishte ajo që kisha nevojë. Mendoj se gjithçka po shkon mirë. Vështirësia kryesore e trajnerit, përveç njohjes së karakteristikave të lojtarëve është krijimi identitetit unik”, ka thënë Reja.

Kombëtarja, Sadiku: Reja na kthehu lirinë, me Panuccin s`kishim raport

Armando Sadiku ka folur sot në konferencë për shtyp nga Durrësi, ku prej ditësh është grumbulluar ekipi ynë kombëtar. Sadiku është shprehur se trajneri Edy Reja i ka dhënë frymëmarrje dhe liri lojtarëve, duke krijuar një klimë pozitive. “Ndihem më mirë kur jam i lirë. Kjo ka qenë forca jonë, të flisnim me njëri-tjetrin dhe të krijojmë grupin. Ambjeti që ka krijuar trajneri është pozitiv”.

“Gjëja që  më pëlqeu më shumë te trajneri ka të bëjë me komunikimim. Ai ka bërë që çdo futbollist të ndihet i rëndësishëm. Kur ai të vjen dhe të flet, duke të dhënë besim, të bën të mendosh se do të luash”, ka thënë Sadiku.

Më tej, gjatë fjalës së tij sulmuesi kuqezi ka folur edhe për ndeshjen e ardhshme ndaj Islandës, ndaj të cilës Shqipëria luan në transfertë. “Trajneri ka punuar në stërvitje skemën që duhet praktikuar ndaj Islandës, 3-5-2. Ishte stërvitje intensive”, thotë Sadiku, ndërsa beson te arritja e një rezultati pozitiv.

“Islanda është ekip që luan mirë në lojën në ajër. Vetë rezultatet flasin: ka shkuar në Europian dhe Botëror. Kanë eksperiencë tashmë”. Njëherë kam luajtur ndaj tyre. Duhet të harrojmë ato dy ndeshje që kemi luajtur ndaj tyre, duhet të fokusohemi te kjo. Atmosfera është ndryshe dhe e mirë, ndaj duhet të përgatitemi”, ka thënë sulmuesi elbasanas.

Ndryshimi i brezave dhe mungesa e minutave me klubet për lojtarët, janë dy nga arsyet pse kombëtarja ka pasur probleme në dy vitet e fundit.

Ndryshim brezi, nga Franca ka pasur prurje të reja. Të gjithë e dimë që shumica e lojtarëve kishte probleme në klubet përkatëse. Gjysma e skuadrës nuk ka luajtur, ndaj ndikon në ndeshje. Me Panuccin, ky ishte problemi. Me rregullat që kishte ai, në fillim nuk krijuam raport shumë të mirë”, ka thënë Sadiku.

Armando Sadiku ka treguar se karriera sezonin e ardhshëm do të vijojë me Levanten. “Kam dy vjet ende me Levanten në kontratë. Isha në huazim te Lugano sepse vija nga një dëmtim i rëndësishëm. Për fat e përfundova me sukses te Lugano, pasi shkuam në Europa League. Tani në korrik kthehem te Levante dhe do të nis grumbullimin atje”, është shprehur sulmuesi kuqezi.

Edy Reja e “nis mbarë” me Shqipërinë, rrëzohet pas konferencës për shtyp

Trajneri i kombëtares Edy Reja ka dalë sot në konferencë për shtyp, ku ka publikuar dhe folur për listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet zyrtare ndaj Islandës dhe Moldavisë.

Në fund të konferencës për shtyp trajnerit i kuqezinjve ka pasur një incident, pasi u ngrit për tu larguar nga podiumi.

Në një moment, Edy Reja pengohet dhe rrëzohet, por fatmirësisht nuk pëson asnjë lëndim. Stafi i kombëtares, që ndodhej pranë, i ka ardhur në ndihmë duke e ngritur teknikun kuqezi, ndërsa Reja e ka kaluar me humor këtë moment.

“E nisa mbarë”, ka thënë trajneri pasi është ngritur duke buzëqeshur dhe përshëndetur me gazetarët.

Edy Reja: Rrugë e gjatë deri në Europian. Gjimshiti? do të operohet

Trajneri i ekipit tonë kombëtar të futbollit Edy Reja ka publikuar paraditen e të martës listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet zyrtare të muajit qershor. Pak minuta pasi u bë publike lista, Edy Reja ka dalë në konferencë për shtyp për të qartësuar zgjedhjet e bëra me lojtarët e grumbulluar. Fillimisht ai u shpreh se ka thirrur në grumbullim lojtarë që më herët ishin grumbulluar nga Gianni de Biasi, por edhe nga Christian Panucci.

“Kam kthyer lojtarë të De Biasit, dhe kam lojtarë të tjerë Panuccit, por më duhet kohë t’i njoh. Kam parë të rinj dhe 4 lojtarë të Partizanit dhe janë lojtarë të tjerë që kam parë dhe më pas i kam kthyer. Kam listë me 35 lojtarë”, ka thënë Reja. 

Më pas i pyetur për objektivat, trajneri i kuqezinjve ka thënë se duhet të punojmë të gjithë për të shkuar në Europian. “Ne duhet të punojmë që të shkojmë në Europian. Ne duhet të punojmë më shumë me mbrojtjen dhe më pas të zgjidhim anën e sulmit. Kemi patur probleme me mbrojtjen. Lojtarët duhet të japin maksimumin kur vijnë dhe këtu. Shqiptarët që jetojnë jashtë e ndjekin shumë këtë skuadër“.

Edy Reja ka treguar se lojtarët janë në gjendje të mirë psikologjike, ndërsa është shprehur se nga sot nisj stërvitja e vërtet. “Kam folur me lojtarët dhe kam udhëtuar shpesh për të takuar lojtarët. Ka dëshirë, entuziazëm dhe dëshirë pozitive që unë e ndjej. Futbollistët duan të bëjnë më të mirën e mundshme. Lojtarët që kishin përfunduar kampionatin i afrova për t’i mbajtur në aspektin e duhur fizik. Stërvitja e vërtetë do të fillojë sot“, është shprehur trajeri.

Trajneri italian, që do të ketë debutimin për herë të parë si drejtues i një ekipi kombëtar në karrierën e tij, ëshë shprehur se skuadra më parë kishte mungesë ekuilibri, ndërsa ka zbuluar dhe mënyrën e lojës në ndeshjen e parë.

“Mendoj se mungonte ekuilibri i skuadrës me Panuccin. Lojtarët duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin”. “Do të luajë me dy sulmues me Islandën. Do të mundohemi të bëjmë presion që lart me dy sulmues. Nuk do të thotë që do të bëjmë një ndeshje shumë ofensive”.

Gazetarët e kanë pyetur trajnerin Edy Reja edhe për rikthimin e Lenjanit në kombëtare, ndësa Italiani ka zbuluar edhe arsyet pse mungon Berat Gjimshiti.

Kam folur me Lenjanin kam qenë në Zvicër. Kemi sqaruar gjithçka. Lenjani është lojtar ofensiv dhe ndoshta nuk ishte pjesë e skemave të trajnerit Christian Panuccit. Gjimshiti do të operohet sot, pasi ka një problem. Ai ka luajtur i dëmtuar, pasi Gasperini kishte mungesa. Më vjen keq, pasi Gjimshitin e kam marrë unë tek Atalanta dhe nuk do të jetë. Vrioni do të largohet që sot, pasi ka një dëmtim”, ka thënë ndër të tjera Edy Reja.

Kombëtarja, Lenjani ndërpret “agjërimin”. Gjimshiti mbetet në shtëpi

Ashtu siç ishte paralajmëruar më herët, në listën e trajnerit italian mungon portieri Thomas Strakosha, i cili ka pasur një problem javët e fundit, dhe nuk mund të jetë gati për të luajtur.

Kështu, Reja ka zgjedhur portierin e Laçit, Gentian Selmani, për të zëvendësuar Thomas Strakoshën.

Dy portierët e tjerë janë të përhershmit Etrit Berisha dhe Alban Hoxha. Në mbrojtje Edy Reja ka thirrur për herë të aprë mbrojtësin Marash Kumbulla, ndërsa lojtarët e tjerë janë: Naser Aliji, Elseid Hysaj, Arlind Ajeti, Ivan Balliu, Enea Mihaj, Egzon Binaku, Kastriot Dermaku dhe Mërgim Mavraj.

Surpriza e madhe e Edy Reja është pikërisht lënia jashtë e qendërmbrojtësit të Atalantës Berat Gjimshiti, që është duke kaluar një moment të shkëlqyer me klubin nga Bergamo.

 Në mesin e fushës Edy Reja ka thirrur Amir Abrashin, Migjen Bashën, Ledian Memushajn, Ergys Kaçen, Kristi Qosen, Emanuele Ndojin, Taulant Xhakën, Ylber Ramadanin dhe Ermir Lenjanin.

Ndërsa sulmi do të jetë i përbërë nga Myrto Uzuni, Eros Grezda, Odise Roshi, Bekim Balaj, Sokol Çikalleshi dhe Armando Sadiku.

Skip to toolbar