Flamurtari i uroi ditëlindjen, mbrojtësi largohet dhe firmos te Kukësi

Ish-mbrojtësi i Flamurtarit Blerim Kotobelli, duke nisur prej kësaj të enjte do të jetë pjesë e skuadrës së Kukësit. 27-vjeçari ka firmosur kontratën e re me klubin verilindor, për vetëm një sezon, duke u bashkuar me skuadrën vetëm tre ditë para finales së Superkupës së Shqipërisë. Kotobelli luajti sezonin e fundit te Flamurtari në Vlorë, teksa ai shihej ende si pjesë e klubit, i cili i uronte dhe ditëlindjen vetëm disa ditë më parë.

Por mesa duket, pasiguria financiare dhe largimi i trajnerit Gerd Haxhi, vetëm nëntë ditë pasi mori drejtimin e skuadrës, ka bërë që Kotobelli të zgjedhë një klub tjetër për të vijuar karrierën si futbollist. Më herët, Kotobelli ka luajtur edhe për ekipin e Tiranës, Teutës dhe Partizanit, duke grumbulluar një eksperiencë të rëndësishme e cila do t`i shërbejë për aventurën te Kukësi.

Afrimi i Kotobellit vjen vetëm dy ditë pasi nga skuadra verilindore u larguar pas 6 vjetësh qendërmbrojtësi Ylli Shameti. Me vakumin e krijuar në repartin e mbrojtes, Kukësi tashmë gjen një alternativë për Shpëtim Duron, ndërsa skuadra vijon negociatat për rinovimin e Ardian Cuculit.

Gerd Haxhiu jep dorëheqjen, qëndroi vetëm 9 ditë si trajner i Flamurtarit

Ka qëndruar vetëm 9 ditë në krye të skuadrës së Flamurtarit si trajner. Këtë të mërkurë, Gerd Haxhiu së bashku me drejtorin sportiv Artim Pollozhani kanë dhënë dorëheqjen nga drejtimi i klubit. As Flamurtari as vetë Haxhiu nuk kanë reaguar publikisht në lidhje me këtë situatë, por mësohet se ish-futbollisti i njohur i ekipit vlonjat, ka dhënë dorëheqjen pasi plani i tij nuk përputhej me atë të drejtuesve të skuadrës.

Ndonëse Flamurtari ka bërë disa afrime në merkato, skuadra nuk ka planifikuar të zhvillojë fazë përgatitore në pritje të nisjes së kampionatit. Gjithçka ka ardhur për shkak të financave dhe vështirësive që ka klubi, që ka trashëguar borxhe nga sezoni i kaluar.

 Ky shkak mësohet të ketë detyruar Haxhiun dhe ish-futbollistin e sezonit të shkuar, Artim Pollozhani, që të japin dorëheqjen dhe të largohen nga drejtimi i skuadrës, vetëm 9 ditë pasi morën detyrën. Pas largimit të Gerd Haxhiut mbetet për t`u parë se kush do të jetë trajneri i ri që do të marrë drejtimin e skuadrës vlonjate për sezonin e ri të Superligës.

Flamurtari rikthen në shtëpi sulmuesin Ardit Hoxhaj

Flamurtari ka rikthyer në shtëpi sulmuesin Ardit Hoxhaj. 25-vjeçari ka firmosur me klubin vlonjat duke u bërë kështu futbollisti i radhës që bashkohet me ‘kuqezinjtë’, në pritje të nisjes së sezonit të ri sportiv. Hoxhaj vjen si një përforcim i rëndësishëm për klubin e Flamurtarit, që këtë sezon vjen me jo pak vështirësi, pasi i ka nisur përgatitjet më vonë se çdo klub tjetër i Superligës.

Sulmuesi i krahut të majtë lë kështu Luftëtarin dhe kthehet aty ku ka hedhur hapat e para të karrierës së tij si futbollist. Më herët ai është aktivizuar me klube si Bylis, Korabi, Skënderbeu dhe Ferizaj në Kosovë. Sezonin e fundit në Superligë ai ka luajtur vetëm 8 ndeshje duke shënuar një gol, ndërsa një tjetër e ka shënuar në Kupën e Shqipërisë. Ardit Hoxhaj është prezantuar të martën te klubi i Flamurtarit, por vlonjatët nuk bëjnë të ditur detaje nga kontrata me sulmuesin.  

Megjithatë, Flamurtaritashmë është duke formuar grupin e lojtarëve që do të jenë pjesë e skuadrës për sezonin e ardhshëm në Superligë. Klubi ka arritur të marrë licensën nga FSHF për të luajtur në kampionat, pasi ka arritur një marrëveshje me organet tatimore për çështjen e borxheve.

Verdikti i Superligës, Tirana shpëton dhe shpreson, Partizani, Kukësi e Teuta luajnë në Europë…

Dy gola të Albi Dokës dhe Hasanit shpëtojnë Tiranën nga rënia nga Kategoria Superiore. Ky ishte verdikti përfundimtar që solli java e fundit e kampionatit për këtë sezon, me ekipin bardheblu që arriti të mbijetonte pasi mundi Flamurtarin në “Selman Stërmasi” me rezultatin 3-0.

Ishte Albi Doka që zhbllokoi takimin në minutën e 65″, ndërsa mbrojtësi dyfishoi dy minuta më pas për ekipin bardheblu. Hasani të 79′ shënoi golin e tretë dhe të fundit për Tiranën, duke marrë tre pikët e fundit në kampionat për këtë sezon, pasi i japin mundësi të qëndrojë në Superligë.

Në krahun tjetër ishte Kastrioti ekipi që u rikthye në Kategorinë e Parë, nga e cila erdhi një sezon më parë. Ekipi i drejtuar nga Bledar Devolli u mund nga Kukësi në ndeshjen e fundit të kampionatit me rezultatin 3-1. Ndonëse Kastrioti kaloi në avantazh me Ymeraj në minutën e 29′, Kukësi përmbysi gjithçka me dy gola të Reginaldo (80′ dhe 90+1′) dhe Shkurtaj më (85′), duke mbajtur vendin e dytë në kampionat.

Në Gjirokastër u mbyll 1-1 sfida mes vendasve dhe ekipit kampion, Partizanit. Luftëtari kaloi i pari në avantazh në minutën e 9′, por kur dukej se gjithçka do të mbyllej me vetëm këtë gola, Çinari shënoi në minutën e tretë shtesë duke i dhënë barazimin në ndeshjen e fundit të kampionatit Partizanit.

Dy gola të shënuar në minutat shtesë nga Kallaku dhe Kamara i dhanë fitoren Teutës përballë Laçit, me durrsakët që renditen përfundimisht në vendin e tretë dhe do të marrin pjesë në turet kualifikuese të Europa League sezonin e ardhshëm. Partizani do të luajë në turet kualifikuese të Champions League, ndërsa Kukësi në Europa League.

Megjithatë, nëse Kukësi fiton Kupën e Shqipërisë të dielën, do të jetë dhe Skënderbeu ekipi tjetër që do i bashkohet skuadrave që do të luajnë në Europë, ndërsa nëse fitorja e Kupës i shkon Tiranës, do të jenë bardheblutë që do kenë një biletë për në Europa League.

Batha: Nëse fitojmë me Laçin shkojmë në Europë!

Një nga ndeshjet më të rëndësishme të kësaj jave në kampionat është ajo mes Flamurtarit dhe Laçit. Të dyja ekipet mbeten në luftë për të arritur një vend në kupat e Europës, teksa përballja mes dy ekipeve është vendimtare. Idi Batha ka folur në konferencë për shtyp një ditë para përballjes me kurbinasit. Futbollisti i skuadrës vlonjate e ka cilësuar si shumë të vështirë dhe që vendos fatet e Europës.

Laçi – “Normalisht është ndeshje e vështirë. Laçi gjithë këto vitet e fundit ka treguar që është një ekip me vlera dhe që ka ditur ta kapë zonën e Europës. Edhe ne e kemi treguar këtë sezon që dimë të fitojmë dhe të zhvillojmë ndeshje të mira. Normalisht është e vështirë, e kam shprehur edhe më parë që nuk ka ekipe të lehta këtë sezon. Me pak përqendrim mund ta kalojmë me sukses këtë ndeshje” u shpreh Batha.

Europa – “Në rast të një fitoreje me Laçin jemi ne më të favorizuar të shkojmë më tej. Kemi edhe një trepikësh në tavolinë me Kamzën. Na e bëhet edhe më e lehtë për ta kaluar Laçin”.

Tirana – “Nuk është se kam pasur ofertë nga Tirana. Ç’është e vërteta më kanë ardhur fjalë nga shumë ekipe të Superiores, por që asgjë konkrete. Për momentin jam i përqendruar të mbyll kampionatin në mënyrën më të mirë të mundshme”, u shpreh Batha.

Kastrioti shpreson ende, zhytet Flamurtari!

Me humbjen e Tiranës në derbi, dhe fitoren ndaj Flamurtarit në “Redi Maloku”, Kastrioti ka rritur shanset për të mbijetuar në Superligë, pasi tani është vetëm dy pikë larg kryeqytetasve, me të cilët kanë përballje direkte javën e ardhshme.

Sfida në Fushë Krujë është mbyllur me tezultatin 2-0, për Kastriotin, që ka shënuar nga një gol për çdo pjesë. Në të parën shënoi Shehu në minutën e 30′, ndërsa Roger vulosi shifrat në në 2-0 në minutën e 55′.

Pas disfatës së sotme, Flamurtari ka zbritur në vendin e pestë të renditjes me 48 pikë, ndërsa Kastrioti ka 38 pikë, dy më pak se Tirana, me të cilën do të përballet javën e ardhshme në kampionat.

Vlerësohet Enea Koliçi, merr çmimin e rëndësishëm personal!

Enea Kolici është shpallur futbollisti i Muajit Prill në kategorinë Superiore për sezonin futbollistik 2018 – 2019, duke e merituar plotësisht atë pas paraqitjeve të mira që ka bërë me Flamurtarin muajin e kaluar.

Ky çmim i është akorduar gardianit kuqezi nga Shoqata “Sporti na bashkon”, e cila në bashkëpunim edhe me gazetarët sportiv zhvillon këtë anketë të përmuajshme.

Enea Kolici bëhet futbollisti i parë kuqezi që merr këtë çmim në këtë sezon .

Trofeu i është i dorëzuar perpara nisjes së ekipit për ndeshjen KS Kastrioti vs Flamurtari F.C, që do te zhvillohet ditën e diel në stadiumin “ Redi Maloku “ Fushë Krujë , ndeshje e vlerëshme për javën e 33 të Kategorisë Superiore

Partizani pret derbin për të festuar, Flamurtari pa karburant!

Partizani ka fituar pastër 0-3 në transfertë ndaj Flamurtarit, duke hedhur një tjetër hap drejt titullit kampion për këtë sezon në Superligë.

Amullia me pagat dhe mungesat në skuadër, treguan se Flamurtari nuk ka fuqi për të shkuar më tej këtë sezon, duke rrezikuar dhe pozitat në renditje.

Nga krahu tjetër Partizani e zgjidhi gjithçka mirë duke shfrytëzuar hapësirat e krijuara nga rivalët, me Asanin që shënoi golin e parë në të 27′ minutë, ndërsa Mensah dhe Çinari realizuan në fillim dhe fund të pjesës së dytë.

Me fitoren e së shtunës, Partizani mbetet kryesues me +10 pikë diferenecë me Kukësin e vendit të dytë. Nëse ekipi i drejtuar nga Skënder Gega fiton në derbi, të kuqtë sigurojnë matematikisht titullin kampion.

Partizani drejt titullit, Guerrils: Është koha për mobilizim!

Partizani udhëton drejt Vlorës për ndeshjen e radhës në kampionat. Kryesuesit aktual të Superligës presin me padurim të konfirmojnë matematikisht titullin kampion për këtë sezon, që so i jepte fund “thatësirës” mbi 25 vjeçare të “demave” pa trofeun e titullit.

Veç lojës në fushë, Partizani këtë sezon ka shkëlqyer dhe në tribuna, me tifozët “Ultras Guerril”, që i kanë mbështetur në çdo ndeshje futbollistët e “të kuqve”. Edhe udhëtimi drejt Vlorës do të ketë një prani të madhe tifozësh, gjë të cilën e kanë lajmëruar vetë “Guerrils”.

“Java e ardhshme luhet në transferte, ndeshje pas ndeshje numri i tifozeve po rritet, dhe të gjithëve bashkë na pret një organizim dhe një angazhim më i madh, na mungojnë edhe 8 pikë në 5 ndeshje. Nuk ka kohë për fjalë por është koha për organizim dhe mobilizim të fuqishëm”.

“Vazhdojmë që tani thirrjet për një nga 3 transfertat e fundit, që sigurisht do jenë më të bukurat e sezonit. Emocionet vetëm po shtohen, adrenalina gjithashtu, zëri kënga dhe mbështetja jonë duhet të marrë trajta të tjera, jashtë të zakonshmes”

“Ndaj bëhuni gati, tifozë të rinj e të vjetër, ky është momenti i gjithsecilit nga ne për të dhënë më shumë se çdo herë, ky është momenti për të sakrifikuar gjithçka dhe për t’i dedikuar gjithë vëmendjen dhe përkushtimin”.

“Së bashku ta marrim titullin dhe së bashku ta festojmë rikthimin e Partizanit atje ku i takon, në majën e futbollit shqiptar… Forca Partizan! Forca tifozë!”, – përfundon njoftimi në Facebook.

Skënderbeu rikthehet te fitorja, ndal Flamurtarin

Skënderbeu ka lënë pas disfatën me Laçin, duke mundur në javën e 31-të të Superligës Flamurtarin në Korçë.

Skuadra vendase ka dominuar nga fillimi deri në fund takimin e së dielës në mbrëmje, duke e merituar fitoren 2-0 në fund.

Vendasit kanë zhbllokuar rezultatin pas 27 minutash lojë me Blerim Krasniqin, me kavajasint që realizoi pas një asisti të dhënë nga Oto John.

Dejvi Bregun e ndali shtylla në një moment, ndërsa Barha dhe Radas u ndëshkuan me kartonë të verdhë pas një tensioni mes tyre.

Protagonist në golin e dytë do të bëhej përsëri Blerim Krasniqi, i cili fiton një penallti pas një ndërhyrje të gabuar të Kotobellit. Gjergji Muzaka ka realizuar nga 11-të metërshi duke vulosur fitoren e Skënderbeut.

Me këtë fitore, korçarët ngjiten në kuotën e 46 pikëve, 3 më pak se sa vendi i tretë, që do të thotë Europa League. Sakaq, Flamurtari ndalon dhe mbetet 48 pikë, duke mos përfituar nga hapi fals i Kukësit me Teutën.

Skip to toolbar