Hamilton “fluturon” në Francë, Ferrari në rënie të lirë

Tetë gara të botërorit të Formula 1, gjashtë fitore për Hamilton këtë sezon. Ky është bilanci i deritanshëm në botën e F1, ku piloti britanik i Merecedes, Lewis Hamilton arriti të triumfonte edhe në garën e Çmimit të Madh të Francës. Hamilton e mbylli garën i pari duke mos e diskutuar asnjëherë fitoren, pavarësisht disa episodeve gjatë garës.

Pas tij u rendit shoku i skuadrës Valtteri Bottas, i cili arriti ti rezistonte sulmeve të vazhdueshme nga piloti i Ferrarit Charles Leclerc, që e mbylli garën në vendin e tretë. Ndërkohë, Max Verstappen dhe Sebastian Vettel e mbyllën përkatësisht në vendin e katërt dhe të pestë. Fillimisht Hamilton arrin të mbajë vendin e parë pas nisjes, megjithëse pati jo pak vështirësi për shkak të gomave që përdori.

Megjithatë me kalimin e kohës ai ruan pozicionin dhe me pistën e boshatisur thellon diferencën në kohë mes ndjekësit të tij, shokut të skuadrës, Valtteri Bottas. Ferrari ka zhgënjyer sërish, duke mos rivalizuar dot me rivalët e Mercedes, që tashmë duket se kanë marrë nën kontroll gjithçka dhe po shkojnë drejt mbrojtjes së titullit.

Hamilton kryeson renditjen e pilotëve me 187 pikë, i ndjekur nga shoku i tij i skuadrës, Bottas, me 151 pikë dhe Sebastian Vettel me 111 pikë. Gara e ardhshme do të jetë ajo për Çmimin e Madh të Austrisë, ku Ferrari, nisur nga pista e “Red Bull Ring”, mund të ketë disi avantazh ndaj Mercedes.

Hamilton me marsh të fundit, Pole edhe në Francë

Lewis Hamilton ka siguruar Pole Position në provat zyrtare për Çmimin e Madh të Francës, që u zhvilluan të shtunën. Piloti britanik i Merecedes la pas shokun e tij të skuadrës, Valtteri Bottas, ndërsa nga vendi i tretë do të niset piloti i Ferrarit, Charles Leclerc.

Ndonëse kokëkuqja ka ushtruar presion gjatë gjithë kësaj fundjave, Mercedes arriti të triumfonte në provat zyrtare, me Hamilton që regjistroi kohën më të mirë në xhiron e fundit të provave të treta, me 1’28”319, duke lënë pas Leclerc.

Hamilton regjistroi kohën më të mirë në garën e tij të parë dhe më pas e përmirësoi atë në sesionin e dytë të provave me një rekord të ri. Charles Leclerc arriti të jepte gjithashtu kohë të mirë gjatë xhiros së fundit në sesionin e tretë të provave, duke u renditur në vendin e tretë.

Ka zhgënjyer Sebastian Vettel, që pavarësisht sforcos në pistë, nuk mund të shkonte më shumë se vendi i shtatë në provat zyrtare, çka do tia vështirësoi shumë garën të dielën. McLaren bëri performancë të mirë gjithashtu me dy pilotët e saj, Lando Norris dhe Carlos Sainz, të cilët do të nisen të dielën përkatësisht nga vendi i pestë dhe i gjashtë.

Vendi i katër u sigurua nga piloti i Red Bull Max Verstappen, ndërsa Daniel Ricciardo me Renault, Pierre Gasly i Red Bullit dhe Antonio Giovinazzi i Alfa Romeo mbyllin top 10.

Kanada, Vettel i pari në pistë, Hamilton fiton në “tavolinë”

Spektakli që pritej të dhurohej në 70-të xhirot e garës së Çmimit të Madh të Kandasë, u dhurua në fund të saj, pasi gara përfundoi. Sebastian Vettel e mbylli garën i pari, ndërsa pas tij u rendit Leësi Hamilton me Mercedes, ndërsa i treti u rendit piloti tjetër i Ferrarit, Charles Leclerc. Megjithatë, ky ishte rezultati në pistë, pasi jashtë saj ai që u ngjit në podium ishte Leëis Hamilton, pasi përfioi nga një penalitet i  pilotit të Ferrarit Sebastian Vettel.

Ky i fundit u dënua me 5 sekonda nga komisarët e garës, pasi pak xhiro para përfundimit të garës bëri një lëvizje të gabuar në pistë, duke rrezikuar një përplasje me Leëis Hamilton.

Ky i fundit u ankua për këtë incident, ndërsa pas hetimit, piloti i Ferrarit u dënua me 5 sekonda në përfundim të garës, të cilat ishin të mjaftueshme për ti dhënë fitoren në “tavolinë” Hamilton, që ishte vetëm 1.5 sekonda më pak se piloti i Ferrarit në momentin që përfundoi gara.

Kështu, Hamilton u ngjit në krye të podiumit, ndërsa Vettel u largua për një moment, duke mos pranuar as të parkonte makinën në tre vendet e makinave fituese. Më pas, Vettel u kthye përsëri, duke i hequr makinës së Hamilton nr.1 dhe e vendosi atë tek vendi bosh, ku duhet të ishte makina e Ferrarit.

Ndërkohë, gara ishte e qetë, aq sa makina e sigurisë nuk u fut asnjëherë në pistë, ndërsa momenti i vetëm që u evidentua dhe që vendosi garën, ishte pikërisht ky incident, që u quajt i till nga komisarët e pistës, mes Vettel dhe Hamilton. “Ata po vjedhin garën prej nesh”, tha Vettel në radio për ekipin, të cilit iu mohua fitorja e tij e parë me Ferrarin, makinë me të cilën Vettel nuk triumfon prej gushtit të vitit 2018.

Pavarësisht fitores, Hamilton nuk u shpreh i lumtur që fitorja për të erdhi në “tavolinë” dhe jo në pistë. “Kjo natyrisht nuk është mënyra se si kam dashur të fitoj”, tha Hamilton.

Hamilton fiton në Montekarlo, Vettel i dyti, Bottas plotëson podiumin

Dominimin e nisur pak ditë më parë, vijuar me provat zyrtare, e ka përfunduar sot duke fituar garën e Çmimit të Madh të Montekarlos. Piloti anglez i Mercedes, Lewis Hamilton ka fituar në pistën qytetase, duke bërë një tjetër hap të rëndësishëm për të mbrojtur titullin kampion në Formula 1 edhe këtë sezon.

I dyti në podium u ngjit piloti i Ferrarit, Sebastian Vettel, që përfitoi pas ndëshkimit të Max Verstappen, i cili tentoi të parakalonte në xhiron e fundit Hamilton, por pati një kontakt me makinën e pilotit të Mercedes. Kështu, Verstappen u dënua me 5 sekonda nga komisarët e garës, çka bëri që Vettel që ndodhej pas tij të zinte vendin e dytë. Në vendin e tretë në garën e sotme u rendit piloti tjetër i Mercedes, Valtteri Bottas.

Hamilton u nis i pari në garën e sotme duke e ruajtur kryesimin e saj deri në fund, ndonëse në në xhirot e fundit piloti britanik pati jo pak vështirësi, pasi gomat e tij u konsumuan shumë, por teknikët e skuadrës vendosën që ai ta përfundonte garën pa i ndërruar ato.

Megjithatë, Hamilton ia doli të mbante vendin e parë deri në xhiron e fundit. Pas përfundimitë të garës, Lewis Hamilton u shpreh se fitoren e sotme ia dedikonte Niki Laudas, ish-kampionit të botës në Formula 1 që u nda nga jeta pak ditë më parë. “Kjo ishte ndoshta gara më e vështirë që unë kam pasur”, tha Hamilton.

E ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme garën piloti tjetër i Ferrarit, Charles Leclerc, por piloti nuk arriti ta përfundonte garën e shtëpisë së tij. Leclerc e mbylli garën shumë shpejt pasi strategjia e ekipit por dhe gabimet e tij në pistë, bën që gjithçka të shkonte keq, çka bëri që piloti i kokëkuqes të tërhiqej nga gara.

Hamilton dhe Mercedes vendosin diktatin në Montecarlo

Mercedes dhe Lewis Hamilton vijojnë të dominojnë botërorin e Formula 1, duke korrur një tjetër sukses këtë të shtunë në Çmimin e Madh të Montecarlos. Hamilton ka fituar “pole positions” duke lënë pas shokun e tij të skuadrës Valtteri Bottas.

Kampioni i botës në fuqi, ka vendosur rekord në provat e treta me kohën 1`10“166 duke lënë pas Bottas që vendosi kohën 1`10“252, ndërsa i treti në garën e ditës së nesërme do të niset Max Verstappen me Red Bull, që vendosi kohën 1`10“641.

Ferrari ka vijuar të zhgënjejë sërish në provat e sotme zyrtare të Çmimit të Madh të Montercarlos, duke mos kapur asnjë nga tre vendet e para. Sebastian Vettel do të niset nga vendi i katërt, ndërsa shoku i tij i skuadrës Charles Leclerc do të niset nga vendi i 16-të pasi u përplas me muret anësore të pistës.

Por nëse për Ferrarin ishte një ditë e keqe, fati i buzëqeshi Red Bull. Veç Verstappen që do të niset nga rreshti i dytë, Pierre Gasly do të niset pas Ferrarit të Vettel në nga vendi i tretë.

Magnussen gjithashtu bëri mirë në Haas, i gjashti, pasuar nga Renault i Ricciardo dhe Toro Rosso i Kvyat. Në krye të top 10, Sainz ka shkëlqyer në McLaren dhe Toro Rosso tjetër, me Albion.

Ndahet nga jeta ish-kampioni i botës në F1, Niki Lauda!

Tre herë kampioni i botës F1 Niki Lauda ka vdekur në moshën 70 vjeçare. Lajmin për ndarjen nga jeta të ish-pilotit të Formula 1! “Sukseset e tij unike si në sport ashtu dhe si sipërmarrës janë dhe mbeten të paharrueshme. Drejtimi i tij i palodhshëm, korrektësia dhe guximi mbeten një shembull dhe standard për të gjithë ne. Jashtë vëmendjes së publikut, ai ishte një burrë, baba dhe gjysh i dashur”, citohet ndër të tjera në deklaratën e familjes së tij.

Pas lajmit të ndarjes nga jeta të tre herë ish-kampionit të botës, kanë ardhur dhe mesazhet e para ngushëlluese për familjen e Niki Laudas. “Një legjendë na ka lënë. Pusho në paqe Niki”, ka shkruar në Twitter piloti Jenson Button. Po në Twitter skuteria McLaren ka shkruar: “Të gjithë në McLaren janë thellësisht të pikëlluar pasi mësuam se miku dhe kolegu ynë, gjithashtu Kampioni Botës i Formula 1, Niki Lauda, ka ndërruar jetë. Niki do të jetë përgjithmonë në zemrat tona dhe të ruhet në historinë tonë”.

Niki Lauda i shpëtoi njëherë vdekjes në vitin 1976, kur Ferrari j tjj u përplas në Nurburging në Gjermani. Megjithatë, Lauda u rikuperua shpejt atë sezon duke e mbyllur në vendin e dytë kampionatin e Formula 1. Më pas Lauda fitoi dy nga tre kampionatet e Formula 1, ndërsa në vitin 1979 ai e la sportin të përqendrohej në ngritjen e linjës ajrore të tij Lauda Air.

Ai u kthye shkurtimisht në gara pas një oferte nga McLaren, duke fituar kampionatin e shoferëve të F1 për herë të tretë më 1984, para se të tërhiqej vitin e ardhshëm. Lauda themeloi një linjë ajrore në vitin 2003, ndërsa më pas ai shërbeu si kryetar joekzekutiv i ekipit Mercedes dhe krijoi një lidhje të ngushtë me shoferin Lewis Hamilton, i cili u bashkua me ekipin në vitin 2013.

Gjatë dekadave të fundit, Lauda iu nënshtrua dy herë transplantimit të veshkave, duke marrë një organ të dhuruar nga vëllai i tij në vitin 1997 dhe një tjetër dhuruar nga e dashura e tij në vitin 2005. Në gusht të vitit të kaluar ai iu nënshtrua një transplantimi të mushkërive në Spitalin e Përgjithshëm të Vjenës, pasi u pa e nevojshme për shkak të një sëmundje misterioze.

25 vjet pa Aryton Sennën, Hamilton: Do të mbetesh në përjetësi!

Dje ishte 25 vjetori i aksidentit tragjik, që i mori jetën tre herë kampionit të botës në Formula 1, Aryton Senna. Ky i fundit u përplas më 1 maj 1994 në pistën e Imola në Brazil, duke humbur jetën.

Ndonëse ndihma mjekësore iu dha në kohë, Senna humbi jetën në vend, duke krijuar dhimbje të madhe në të gjithë botën, teksa më shumë se kushdo këtë dhimbje e kanë ndjerë brazilianët.

Ende tani nuk është zbuluar arsyeja e aksidentit të tmerrshëm në Imola. Ndoshta timoni pësoi difekt, ndoshta gomat ishin tepër të ftohta pas një periudhe ku në pistë ishte Safety-Car, këto janë dy teoritë më të përhapura. Senna kishte regjistruar 41 fitore dhe 3 tituj kampionë në Formula 1.

Bota e Formula 1 dhe motorëve e ka kujtuar me nderime ndarjen nga jeta të Aryton Sennës, mes të cilëve ka qenë dhe Lewis Hamilton, kampioni i botës në fuqi me Mercedes.

“Më kujtohet kur rrija ulur pranë babait tim dhe shihja TV në moshën 4-5 vjeç. Aryton, mënyra se si ti garoje më ka mahnitur që në fillim dhe më ka tërhequr më shumë me këtë sport. Ju ishit një garues i vërtet, një mjeshtër, një hero. Ju do të jetoni në përjetësi”, ka shkruar Hamilton në Twitter.

Bottas triumfon në Baku, kryeson kampionatin e Formula 1!

Nuk ka rezervuar surpriza gara e ditës së sotme në Formula 1 për Çmimin e madh të Azerbajxhanit, pasi në podium janë ngjitur tre makinat që u renditën të parat në provat zyrtare një ditë më parë.

Piloti finlandez i Mercedes, Valtteri Bottas, ka triumfuar në Baku, duke lënë pas shokun e tij të skuadrës Lewis Hamilton. Podiumi u plotësua me pilotin e Ferrarit, Sebastian Vettel.

Për Bottas ky ishte suksesi i dytë personal në Formula 1 për këtë sezon, ndërsa Mercedes regjistroi triumfin e katërt të dyfishtë, duke dominuar tërësisht deri më tani Botërorin e F1.

Piloti tjetër i Ferrarit, Carles Leclerc, ishte ai që i dhuroi emocionet garës së sotme. Talenti i “kokëkuqes” e nisi garën nga vendi i tetë, por shumë shpejt ai mori kreun, pasi në start përdori gomat e mesme, ndryshe nga tre makinat e para që e nisën me gomat e buta.

Megjithatë, Leclerc dorëzohet në xhiron e 35′, pasi gomat konsumohen dhe ai futet ne bokse për ndërrimin e tyre. Kryesimin e garës e merr Bottas që i shkon deri në fund në këtë pozicion.

Pas këtij triumfi në pistën e Baku, piloti finlandez Valtteri Bottas ngjitet në krye të renditjes provizore në Formula 1, me 87 pikë, një më shumë se Hamilton (86). Ndërsa Vettel ndodhet i treti, me 52 pikë, një më shumë se Verstappen.

Vetëm i pesti Leclerc, me 46 pikë, që sot realizoi xhiron më të shpejtë dhe u shpall “piloti më i mirë i garës”.

Formula 1, Bottas në “pole”, Ferrari përsëri zhgënjyes!

Mercedez ka vendosur diktatin edhe në Baku, aty ku sot piloti Valtteri Bottas ka siguruar “pole position”. Piloti i Mercedes ishte më i shpejti në provat zyrtare, që u mbajtën pasditen e sotme për Çmimin e Madh të Azerbajxhanit. Finlandezi arriti të vendoste kohën më të mirën me 1`40“495.

Me vetëm 59 të mijëtat më i ngadaltë ishte shoku i tij i skuadrës, Lewis Hamilton, që nesër do të niset nga vendi i dytë në pistën qytetase të Bakusë. I treti, me 3 të dhjetat më shumë u klasifikua Sebastian Vettel me Ferrari.

Makina tjetër Ferrari, ajo e Charles Leclerc, do ta nisë garën nga vendi i 10-të, pasi piloti nuk mori pjesë fare në sesionin e tretë të provave zyrtare. Ai aksidentoi makinën “kokëkuqe” në sesionin e dytë.

Në vendin e katërt sot, në mbyllje të provave zyrtare u rendit Max Verstappen me Red Bull. Në sesionin e pare të provave zyrtare, në kthesën nr.8 është përplasur makina Williams e Robert Kubica, që u rendit i fundit. Po në këtë kthesë, në sesionin e dytë të provave zyrtare, u përplas makina Ferrari e Charles Leclerc.

Këto prova zgjatën dy orë për shkak të aksidenteve të shumta. Gara e nesërme do të nisë në orën 14:10 të pasdites.

Skip to toolbar