Shkëmbimi i territoreve, Gjermania kundër

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë foli gjatë intervistës për Deutsche Welle, edhe për çështje të tjera në rajon, si krijimi i mini-Shengenit ballkanik apo dialogu Kosovë-Serbi. Së pari, Heiko Maas, shprehet se për vendet e Ballkanit integrimi në BE-së është i vetmi proces, ndërsa sipas tij, bashkëpunimi rajonal mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, i shërben këtij procesi.

“Ne nuk shohim të ketë alternativa të tjera përveç procesit të pranimit në BE, nëse duam që të ruajmë interesin për reforma serioze dhe të qëndrueshme, si për shembull në fushën e shtetit ligjor. A mund të përmirësohet procesi ekzistues? Kjo është një çështje tjetër. Përmirësimi i bashkëpunimit rajonal plotëson procesin e pranimit në BE. Forcimi i marrëdhënieve të fqinjësisë dhe bashkëpunimi ekonomik janë në favor të secilit prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ato e bëjnë Ballkanin Perëndimor në përgjithësi më interesant. Me procesin e Berlinit ne mbështesim prej vitesh këto përpjekje dhe kemi arritur shumë, si për shembull kemi krijuar organizatën rajonale të të rinjve RYCO, dhe praktikisht, kemi ulur tarifat për roaming”, u shpreh ai.

Ndërkohë, lidhur me dialogun Serbi-Kosovë, ministri gjerman është shprehur se shkëmbimi i territoreve nuk i shërben stabilitetit të Ballkanit. “Sa i përket idesë së këmbimit të territoreve ose ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, ne nuk mendojmë se kjo kontribuon për stabilitetin në rajon. Ajo që mbështesim ne është rifiilimi i shpejtë i dialogut të ndërmjetësuar nga BE, duke pasur si synim një marrëveshje të gjithanshme që t’i mundësojë të dy vendeve afrimin me BE. Ne dëshirojmë një bashkëpunim konstruktiv me Rusinë, edhe nëse kemi ndryshime pikëpamjesh. Ne e kuptojmë po ashtu se është e rëndësishme që të ruhen marrëdhëniet e mira dhe lidhjet kulturore. Kjo nuk është në kundërshtim me antarësimin në BE”, tha ministri gjerman.

Gjermania rrëzon Metën: Kushtetuesja, kushti i Bundestagut

Emërimi i dy anëtareve të reja nga Kuvendi për Gjykatën Kushtetuese, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji, është përshëndetur edhe Ambasada Gjermane. Ambasadori Zingraf tha se krijimi i Gjykatës Kushtetuese është kusht i Bundestagut pasi funksionimi i saj është mjaft i rëndësishëm për sundimin e ligjit dhe drejtësisë. Ambasadori bëri thirrje që të gjithë aktorët politik të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të mos humbasin fokusin, që është ngritja e Gjykatës Kushtetuese.

Në rrugën drejt një Gjykate Kushtetuese funksionale është e rëndësishme, që të gjithë aktorët të marrin përgjegjësitë e tyre në emërimin e gjykatësve kushtetues dhe të mos humbin fokusin. Ne përshëndesim vendimin e sotëm të parlamentit shqiptar. Bundestag-u Gjerman e ka theksuar në vendimin e tij të datës 26 shtator 2019 se sa e rëndësishme është rivendosja në funksionalitet e Gjykatës Kushtetuese edhe për procesin e përafrimit të Shqipërisë me BE-në. Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në përforcimin e drejtësisë dhe shtetit ligjor”, shkruan ambasadori Zingraf.

Thirrja e Zingraf duket se bie për Presidentin Meta, i cili tentoi të bllokonte Gjykatën Kushtetuese ku kërkoi pezullim të procesit me arsyetimin se ai duhet të zgjidhte një anëtar e më pas Kuvendi e Gjykata e Lartë, dhe nuk mund të zgjidhte dy anëtarë njëherësh. Megjithatë drejtësia e re e ka zgjidhur këtë situatë për të shmangur bllokimet duke lënë një afat kohor prej 30 ditësh dhe se nëse organi kompetent nuk vendos zgjidhet automatikisht i pari në listë, si në rastin e Arta Vorpsit.

SHBA paralajmërojnë Gjermaninë: Kujdes nga kërcënimi rus

Shtetet e Bashkuara paralajmëruan aleaten e rëndësishme evropiane, Gjermaninë, mbi kërcënimet në rritje që vijnë nga Rusia, ndërkohë që Berlini përgatitet të shënojë 30 vjetorin e rënies së Murit. Sekretari i Shtetit Mike Pompeo u nis të mërkurën për në Gjermani, një vizitë për të shënuar tre dekadat nga rrëzimi i murit dhe për të nënvizuar atë që zyrtarët e SHBA e quajnë nevojë për vazhdimin e një partneriteti të fortë ndëratlantik.

Takimet e diplomatit të lartë amerikan me udhëheqësit në Gjermani vijnë gjithashtu pak ditë pasi Danimarka hoqi një nga pengesat e fundit ligjore për një tubacion të propozuar të gazit natyror që lidh Rusinë dhe Gjermaninë, i njohur si Rrjedha Veriore 2.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se SHBA janë të shqetësuara për “sigurinë e energjisë” për partnerët evropianë, duke e quajtur tubacionin e propozuar “kryesisht një mjet politik” të Rusisë dhe “jo një projekt thjesht komercial”.

Zyrtari tha se tubacioni në fjalë “rrezikon” përparësitë e sigurisë energjitike, duke i “bërë vendet evropiane dhe aleatët më të varur nga burimet e energjisë të një vendi të vetëm”. Gjermania është konsumatori më i madh i gazit natyror në Evropë dhe varet shumë nga importet. Zyrtarët e atjeshëm nuk u kanë kushtuar rëndësi shqetësimeve amerikane për sigurinë dhe gjeopolitikën.

Në një lëvizje tjetër që shihet si sfidë ndaj paralajmërimeve të SHBA, Berlini nuk po e përjashton firmën Huawei Technologies, shitëse kryesore e pajisjeve të telekomit me qendër në Shenzhen të Kinës, nga pjesëmarrja në rrjetin 5G të Gjermanisë.

“Ne u kemi bërë thirrje të gjitha vendeve, veçanërisht partnerëve dhe aleatëve, të vlerësojnë me kujdes ndikimin afatgjatë nëse lejojnë kompani të cilave nuk mund t’u besohet, të kenë qasje në infrastrukturën e rëndësishme të rrjetit 5G,” i tha Zërit të Amerikës zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit.

Bruno Kahl, kreu i shërbimit gjerman të inteligjencës, kohët e fundit u tha ligjvënësve se firmës Huawei “nuk mund t’i besohet plotësisht”. Për të zbutur shqetësimet, Kancelarja gjermane Angela Merkel ka ngulur këmbë në nënshkrimin e një pakti me firmën Huawei, ku të sanksionohet se ajo nuk do të merret me aktivitete përgjimi, ndërkohë që kancelarja ka vendosur ta lejojë kompaninë kineze të marrë pjesë në instalimin e teknologjisë 5G.

Drejtori i Përgjithshëm i firmës Huawei Ren Zhengfei ka thënë se kompania e tij nuk ndan informacione konfidenciale të përdoruesve, duke mohuar se ajo kontrollohet nga qeveria. Nëntori shënon 30 vjet nga rënia e Murit të Berlinit. Prishja e murit i dha fund Berlini të ndarë, dhe simbolizoi çlirimin e Gjermanisë Lindore, e më vonë të pjesës tjetër të Evropës Lindore, nga sundimi komunist sovjetik.

Zoti Pompeo, i cili dikur shërbente në Gjermani si oficer i ri, do të vizitojë qytetet Grafenwohr, Vilseck, Modlareuth, Leipzig dhe Berlin për të marrë pjesë në përkujtimet e fundit të Luftës së Ftohtë. Në Leipzig, shefi i diplomacisë amerikane do të takohet me Ministrin e Jashtëm gjerman Heiko Maas, për të diskutuar mbi partneritetin ndëratlantik përballë kërcënimeve në rritje nga Rusia, Kina dhe Irani, sipas Departamentit të Shtetit.

Në Berlin, ai do të takohet me Kancelaren Merkel dhe zyrtarë të tjerë të lartë për të folur mbi fushat e bashkëpunimit dhe shqetësimet e ndërsjella. Zoti Pompeo do të mbajë një fjalim pranë Portës së Brandenburgut “mbi domosdoshmërinë e vazhdueshme për të mbrojtur vendet e lira dhe popujt e lirë”, tha Departamenti i Shtetit./VOA/

Gjermania: Përdoreni “JO”-në si nxitje për zhvillimin e reformave

Gjermania e do Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pjesë të BE-së, ndërsa thekson se “jo” e marrë më 18 tetor ta shohin si një nxitje për të ecur përpara me reformat e mbetura.  Grupi parlamentar CDU/CSU thekson se të dy vendet shumë shpejt do jenë pjesë e BE, ndërsa shtojnë se miratimi i kushteve të vendosura nga Bundestagu në shtator do të largojë çdo shqetësim francez, holandez apo danez të mbetur.

Rruga për në Bashkimin Europian mbetet e hapur për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Të dy vendet duhet të vazhdojnë përpjekjet e tyre për reforma. Nëse të dy vendet vijojnë kursin e reformave, Parisi nuk mund të bllokojë dot negociatat për herë të dytë” shkruhet në reagimin e nënkryetarit të grupit parlamentar të CDU / CSU Johann Wadephul dhe relatori përgjegjës Christian Schmidt .

Wadephul shprehet se vendet ta shfrytëzojnë vendimin negativ për nxitje të mëtejshme të punës për zhvillimin e demokracinë ne vend. “Unë u bëj thirrje të dy vendeve të kapin votën negative të Këshillit Evropian, si një nxitje për të vazhduar të gjitha përpjekjet e reformës. Nëse këto do të ndiqeshin, dyshuesit do të forcoheshin. Nëse të dy vendet mbeten në kurs, Paris nuk do të jetë në gjendje të ndalojë negociatat e pranimit për herë të dytë. Bundestag është në ndjekje të axhendës së reformës për vendimin e saj. Gjermania qëndron për një perspektivë evropiane të Ballkanit Perëndimor .”

Ndërsa Christian Schmidt shprehet se vendimi negativ të rishikohet sa më shpejtë nga BE, pasi të dy shtetet e kanë vendin në familjen europaine dhe arritjet e tyre duhen vlerësuar. “Vendimi negativ i Këshillit Evropian duhet të rishikohet menjëherë. Lidhja e Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian nuk duhet të bllokohet. Ne mbajmë bindjen se për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ka një vend në Bashkimin Evropian nëse ato i plotësojnë kriteret. Kjo përfundimisht përfshin fillimin e procesit të regjistrimit. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë të drejtë të shohin veten dhe arritjet e tyre – deri në një ndryshim në emrin e shtetit ose një reformë gjithëpërfshirëse të gjyqësorit – dhe të punojnë së bashku në deficitet e mbetura. Vendimi i kushtëzuar i Bundestagut të Shtatorit, i cili përcakton kushte të qarta për hapjen e negociatave të pranimit, duhet të tregojë gjithashtu rrugën e miratimit për shqetësimet franceze, holandeze dhe daneze. Nëse BE nuk kujdeset për Ballkanin Perëndimor, fuqitë e tjera do ta bëjnë atë sferën e tyre të ndikimit. Askush nuk e dëshiron atë”

Reagimi i grupit të CDU/CSU u bë i njohur përmes një twitter-i të kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.

Menaxhimi i mbetjeve, Klosi: E domosdoshme për një mjedis të pastër

Shqipëria dhe Gjermania arritën një marrëveshje bashkëpunimi për menaxhimin e mbetjeve urbane. Marrëveshja gjen zbatim në 6 bashkitë e vendit Himarë, Peqin, Rrogozhinë, Sarandë, Roskovec, Cërrik, ku Gjermania investon 4.5 milionë euro.

Ambasadori gjerman Peter Zingraf vlerësoi përpjekjet e qeverisë në sektorin e mjedisit, ndërsa theksoi se suksesi i saj do të jetë edhe më i madh nëse angazhohen edhe qytetarët. “Me marrëveshjen që po nënshkruajmë bashkërisht Gjermania vlerëson përpjekjet e vendosura të qeverisë shqiptare për një menaxhim më të mirë të mbetjeve dhe për një Shqipëri më të pastër” tha ambasadori Zingraf

Ministri Klosi tha se trajtimi i mbetjeve urbane dhe një mjedis më i pastër është pjesë e kapitullit të 27 për hapjen e negociatave. Klosi shtoi se fal mbështetjes së Gjermanisë do mësohet mënyra e trajtimit dhe menaxhimit të mbetjeve urbane, një nga problemet madhore në kohët e sotme. “Kemi nevojë që të mbyllim vend-depozitimet ilegale dhe t’i shndërrojmë ato në parqe publike për qytetet, kemi shumë nevojë që të marrim asistencë teknike sesi do të trajtohen kostot dhe tarifat e menaxhimit të këtij fenomeni dhe bashkitë të jenë suficente në trajtimin e këtij problemi të sotëm”- tha Klosi

Gjermania mban hapin e Holandës. Ndalet Kroacia

Gjermania fitoi kundër Estonisë 3-0 në transfertë, duke rimarrë kreun e Grupit C për kualifikueset e Euro 2020. Skuadra gjermane luajti për 76 minuta me dhjetë lojtarë, pasi Emre Can doli me të kuq. Megjithatë, ndonëse me një futbollist më pak, skuadra e Low arriti të shënonte tre herë në portën kundërshtare.

Me nisjen e pjesës së dytë, Gundogan realizoi nga jashtë zone me një të djathtë të ffortë, ndërsa në të 58`, futbollisti me orgjinë turke, pothuajse si në olin e parë, shënoi dhe të dyti nga brenda zonës.

Për golin e tretë mendojë Werner në të 71`, pasi kaloi një mbrojtës kundërshtar, gjeti rrjetën duke vulosur shifrat në 3-0 për Gjermaninë. Tre pikët e mbajnë skuadrën gjermane në krye të Grupit C me 15 pikë, po aq sa Holanda që gjithashtu fitoi kundër Bjellorusisë të dielën pasdite.

Austria fitoi ndaj Sllovenisë me rezultatin 1-0 në transfertë, duke hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit. Goli për austriakët u shënua në minutën e 21` nga Posch, ndërsa sllovenët tentuan gjatë gjithë lojës të gjejnë barazimin, por pa ndryshuar asgjë.

Me tre pikët e mara të dielën, Austria mban vendin e dytë në grupin G me 16 pikë, ndërsa Polonia kryeson grupin pasi mundin 2-0 Maqedoninë e Veriut, duke u afruar me kualifikimin.

Ndërkohë, në Grupin E, Kroacia barazoi 1-1 me Wales në fushën e këtyre të fundit. Goli për skuadrën kroate u shënua nga Vlasic në të 9`, ndërsa Bale barazoi takimin në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë për Wales. Skuadra kroate kryeson Grupin E me 14 pikë, ndërsa pas tyre është Hungaria me 12 pikë.

Gjermania lobon për Shqipërinë, te skeptikët e BE

Gjermania kërkon një “PO” edhe nga skeptikët e BE-së, Franca dhe Holanda për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ministri i Jashtëm gjerman, social demokrati Heiko Maas, ka bërë thirrje që këto dy shtete t’i bashkohen vendimit “pro” të Gjermanisë me shpresën e se 9 kushtet e vëna për kapitujt dhe forcimin e reformave në vend, të shërbej si një garanci për to.  

Kam besim se qasja e kushtëzuar e propozuar nga Bundestag-u gjerman mund të bindë edhe të tjerët në BE të vendosin të fillojnë negociatat e pranimit. Miratimi i Bundestagut gjerman për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është një sinjal i rëndësishëm.

Vendimi nënvizon rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për BE-në . Në të njëjtën kohë, është e qartë se reformat do të shpërblehen. Të dy vendet duhet të vazhdojnë përpjekjet e tyre të reformës në mënyrë që të ecin përpara në rrugën drejt BE-së .” thuhet në deklaratën e Maas, i cili ka nisur një fushatë lobuese në favor të Shqipërisë për marrjen një drite jeshile më 18 tetor nga BE për hapjen e negociatave.

Dy vendet skeptike ende nuk kanë shprehur një qëndrim në lidhje me Shqipërinë apo Maqedoninë e Veriut. Presidenti Macron ka bërë të qartë gjithnjë qëndrimin tij se është kundër një politike zgjerimi të BE për momentin, deri sa të vendosen rregulla të reja. Holanda, nga ana tjetër, ka miratuar më herët një rezolutë ku kërkon heqjen e Shqipërisë nga lëvizja Shengen, pasi i konsideron shqiptarët si trafikantët e drogës dhe kriminel që po shkatërrojnë vendin e tyre.

Mbrëmjen e 26 shtatorit, Bundestagu, me 395 vota pro, miratoi rezolutën që është në favor të hapjes së negociatave me Shqipërinë. Megjithatë hapja e tyre do të varet nga vota e të gjithë anëtarëve të BE që do të jepet më 18 tetor.

Si ndikoi takimi me Merkel në vendimin e Gjermanisë

Deputetët e koalicionit CDU/CSU votuan Rezolutën Pro hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian nën ankthin e dy personave: Angela Merkel dhe Edi Rama. Deputetët e grupit parlamentar CDU/CSU thanë “po” për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, por me kusht, që të zgjidhet sa më parë kriza politike në vend. Gjithçka dukej e organizuar. Pak orë më herët, hapi i parë kishte ndodhur. Monika Kryemadhi tha pas takimit me Bashën se opozita do të merrte pjesë në takimin e OSBE të mërkurën për reformën zgjedhore.

“Shqipëria është në një krizë të rëndë politike. Bundestagu gjerman u bën thirrje me ngulm të gjitha forcave demokratike në Shqipëri që të ndërmarrin menjëherë të gjitha hapat për të kapërcyer këtë krizë sa më shpejt përmes dialogut politik, përndryshe rruga për negociatat e anëtarësimit do të vështirësohet në mënyrë të konsiderueshme”, – thuhet ndër të tjera në vendimin e koalicionit qeverisës të Gjermanisë, që udhëhiqet nga Kancelarja Angela Merkel.

Lulzim Basha këtë e quajti një kusht. Por pas votimit të Rezolutës nga CDU/CSU, Kryeministri Edi Rama, falënderoi Kancelaren Merkel: “Faleminderit të gjithë deputetëve të CDU/CSU që më në fund votuan Pro hapjes së negociatave. Ata që votuan kundër do t`i bindim në çdo hap me fakte se Shqipëria e meriton hapjen negociatave. Faleminderit Angela për mbështetjen e pakursyer për Shqipërinë”, shprehet Kryeministri Edi Rama.

Pak ditë më parë, u publikuan dhe 9 kushtet e Gjermanisë për hapjen e negociatave me Shqipërinë, ku përfshihej dënimi i personave që janë përfshirë në blerjen e votës, ngritja e Gjykatës Kushtetuese, e cila do të gjykojë dhe ligjshmërinë ose jo të zgjedhjeve të 30 qershorit, ngritja e SPAK, Gjykatës së Lartë, Reforma Zgjedhore, dënimi i zyrtarëve dhe politikanëve të lartë dhe lufta kundër krimit të organizuar.

Nëntë kushtet u publikuan pak ditë pas një takimi thuajse fare larg vëmendjes së zakonshme që stafi i Ramës i kushton takimeve të tij me Angela Merkel. Arsyeja ishte e thjeshtë: nëntë kushtet u negociuan pikërisht në tavolinën e ngushtë të dy kryeministrave.

Kushtet nuk ishin të lehta, bile kërkesa për arrestim të atyre që kishin futur duart në kutitë e votimit ishte e rëndë, sa kohë dy emra ish funksionarësh publikë socialistë janë në duart e prokurorëve. Vangjush Dako pak ditë pasi u bë ish kryetar i bashkisë Durrës u shpall non grata nga Departamenti i Shtetit dhe javën e shkuar, Damian Gjiknuri ofroi dorëheqjen nga kreu i Komisionit të Reformës Zgjedhore, nëse Opozita e njihte komisionin dhe merrte pjesë në të. Të dy emrat janë në dosjen 184 dhe 339, ku tashmë po hetohet edhe krimi i vjedhjes se votave.

Por kjo nuk ndaloi Edi Ramën që të negocionte me Merkel, gjënë më të rëndësishme të 9 pikave: ato nuk janë kushte për hapjen e negociatave. Ato janë kushte PAS hapjes së tyre. Burime qeveritare pohuan për Realstory.al pak ditë më parë, se kushtet e vendosura nga Gjermania, nuk ishin për hapjen e negociatave, por për kapitujt që pasojnë.

E thënë më thjeshtë: pas hapjes së negociatave në një datë diku mes janarit dhe shkurtit të ardhshëm siç do të votohet në 18 tetor, mbledhja e parë ndërministeriale mes Komisionit dhe Qeverisë Rama, do të fillojë të parashtrojë agjendën. Ajo do të përcaktohet nga nëntë kushtet, me të cilat thuhet se tashmë janë dakort edhe Franca me Holandën. Por lajmi i mirë sipas burimit është se “në këtë moment procesi bëhet nga politik, në thjesht teknik. Nëntë kushtet janë mes Tiranës dhe Brukselit dhe jo 28 kryeqyteteve europiane”.

Dhe për të gjithë ata që deshën “vdekjen” europiane të Edi Ramës, ky do të jetë një moment zie.

Të enjten në 26 shtator, Bundestagu gjerman do të votojë për hapjen e negociatave me Shqipërinë. CDU dhe CSU që e kontrollojnë atë, hodhën hapin e parë drejt një hapi historik të Shqipërisë drejt integrimit europian. Dhe drejt një fitoreje private politike të Kryeministrit. /Realstory.al./

Negociatat, nëntë kushtet e Berlinit

Media gjermane, Deutsche Welle, ka publikuar pasditen e të mërkurës një lajm, ku thotë se Bundestagu pritet të vendosë ndaj Shqipërisë nëntë kushte për hapjen e negociatave. Sipas DW, referuar burimeve në parlamentin gjerman, mësohet se në datën 26 shtator ku do të votohet në Bundestag për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë, do të paraqitet një dokument që do të hidhet në votim me kërkesë të dy grupeve parlamentare të mazhorancës qeveritare, Unionit Kristdemokrat dhe Unioni Kristsocial (CDU/CSU) si dhe Partia Socialdemokrate. Në këtë dokument parashikohet hapja pa kushte e negociatave me Maqedoninë e Veriut, ndërsa me Shqipërinë pasi të plotësohen disa kushte.

Ato janë: – funksionimi i Gjyktës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese; – miratimi i reformës zgjedhore; – implementimi i reformës zgjedhore; – ndjekja penale e gjykatësve dhe e prokurorëve që nuk e kanë kaluar provimin e Vettingut; – ndjekja penale e akuzave për shitblerjen e votave; – vënia në punë e prokurorisë speciale për luftimin e korrupsionit, SPAK;  – rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapja dhe ndjekja penale e personave kyç të krimit, të të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj”; – përparime në reformën e administratës publike; – sqarimi përfundimtar me vendim të Gjykatës Kushtetuese i ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019”.

Këto kushte do të hidhen në votë nga deputetët e grupit parlamentar në 24 shtator. Në 25 shtator ato pritet të trajtohen në Komisionet përkatëse në Bundestag, dhe më 26 shtator, në mbrëmje vonë, është parashikuar një seancë plenare 45 minutëshe, në fund të së cilës do të merret vendimi me votë.

Gjermania: Integrimi i Shqipërisë sa më shpejtë, të parandalojmë influencat e tjera në rajon

Gjermania është shprehur gjithmonë pro zgjerimit dhe përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane. Qëndrimi i Merkelit, është theksuar edhe njëherë nga ministri i jashtëm gjerman, Heiko Maas, i cili u shpreh me nota pozitive për integrimin e Shqipërisë dhe domosdoshmërisë për ta bërë sa më shpejt të jetë e mundur.

 “Mendoj se BE ka interes në këtë rajon. Kjo është e rëndësishme për të parandaluar të tjerët, të cilët jo domosdoshmërish bien dakord me vlerat tona, nga zgjerimi i influencës së tyre në rajon.” tha Maas duke iu referuar kështu ndikimit rus në Ballkan.

Ministri gjerman madje hodhi poshtë idenë se përpjekjet dhe rezultatet e dy vendeve, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, të vlerësoheshin veçmas siç ishte sugjeruar. Përkundrazi ai tha se të dy vendet kanë punuar shumë dhe gjithmonë janë trajtuar si një “paketë”. Këto deklarata Maas i bëri në Helsinki të Finlandës në takimin joformal të ministrave të jashtëm të BE, ku ndodhet dhe ministri Cakaj.

Skip to toolbar