“Daja” nga Kosova: Nuk jam ai që kërkoni

“Daja” nga Kosova ose shtetasi Ragip Hajdini, i arrestuari i 6-të për grabitjen e parave në Rinas, ka dalë sot para drejtësisë. Gjykata e Krimeve të Rënda dha masën e sigurisë “Arrest me burg”, ashtu si 5 të arrestuarit më herët.

Hajdini u zbulua nga dëshmitë e Alkond Bengasit, i cili ka pranuar të bashkëpunojë me policinë. Hajdini ka deklaruar para trupit gjykues se nuk është “daja” që ato kërkojnë dhe ka kërkuar ballafaqim me Bengasin që e ka identifikuar. Madje ai ka thënë se ekzistojnë filmime që tregojnë se ku ndodhej në momentin e grabitjes.

Hajdini u arrestua më 26 prill në zonën e Shkëmbit të Kavajës, si një nga të dyshuarit për grabitjen e 9 Prillit në Rinas.

Grabitja në Rinas, arrestohet “Daja” nga Kosova

Policia e Shtetit ka vijuar arrestimet lidhur me grabitjen e parave në Rinas më 9 prill 2019. Ditët e sotme është bërë i mundur arrestimi i shtetasit kosovar Ragip Hajdini, 50 vjeç, i cili njihet me nofkën “Daja”.

“Daja” nga Kosova u arrestua pas dëshmisë së Alkond Bengasit, i cili është arrestuar gjithashtu si i dyshuar për modifikimin e fugonit me mbishkrimin hetimi tatimor. Bengasi ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë duke ndihmuar policinë të zbulojë të gjithë bashkëpunëtorët.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Renda Tiranë, për veprën penale te “Vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, “Mbajtjes pa leje të municioneve luftarake”, “Vrasje e punonjësve të policisë, e kryer ne bashkëpunim e mbetur në tentativë”, parashikuar nga nenet 140 e 25 dhe 333/a,” 279, 79 b dhe 278 C, të Kodit Penal.

Policia e ShtetitNë vijim të veprimeve të kryera nga një grup i posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjes së datës…

Publiée par Policia e Shtetit sur Vendredi 26 avril 2019

Imami kërkon lirinë, ankimon vendimin e gjykatës

Një nga të arrestuarit për grabitjen në Rinas, ka ankimuar masën e sigurisë “arrest me burg”. Kjo masë ishte caktuar më herët nga Gjykata e Krimeve të Rënda, por duket se i arrestuari Oltion Veseli nuk e pranon duke thënë se arrestimi i tij është bërë në mungesë të provave dhe fakteve.

Veseli dyshohet se është grabitësi i veshur si komando në pistën e Rinasit që ndodhet pranë Admir Murataj, i cili mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë.

Veseli ishte vetëshpallur imam i xhamisë në Krujë, ndërsa në 2005 është arrestuar nga trupat amerikane për terrorizëm gjatë luftimit të tij përkrah talebanëve në Afganistan.

Grabitja në Rinas, burg edhe për të arrestuarin e pestë

I arrestuari i pestë për grabitjen në Rinas, Elton Pikli, 32 vjeç, do të vijojë të qëndrojë në burg. Gjykata e Krimeve të Rënda , gjatë seancës së sotme, dha masën arrest me burg edhe për Piklin, njësoj si me katër të arrestuarit e tjerë më herët.

32 vjeçari njihet si një besimtar i devotshëm dhe në 2011 kishte qenë kandidat për këshilltar bashkiak në Krujë.

Pikli është lënë në burg me akuzat për veprat penale ‘Vjedhje me armë të kryer në bashkëpunim’ në kuadër të ‘Grupit të Strukturuar Kriminal’, ‘Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake’; ‘Vrasje e Punonjësve të Policisë’ e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë”.

Në burg qëndrojnë edhe 4 të arrestuarit e tjerë, Oltion Veseli, Alkond Bengasi, Renaldo Sula dhe Saimir Cela.

Arrestimet për grabitjen në Rinas, Rama: Policia po tregon veten

Pas lajmërimit nga policia për arrestimin e një personi të 5-të si bashkëpunëtor i ngjarjes së grabitjes së parave në Rinas, ka reaguar edhe kryeministri Rama me një status në Twitter. Rama tha se policia çdo ditë po tregon forcën e saj duke e ngushtuar gjithmonë e më shumë rrethin e keqbërësve.

“Arrestohet edhe një autor tjetër i grabitjes së Rinasit, duke e ngushtuar më tej rrethin e keqbërësve falë punës intensive dhe profesionale të Policisë së Shtetit. E cila po provon se ka kaluar në një nivel të ri fuqie goditëse ndaj krimit, duke folur përditë me rezultate konkrete.”

Grabitja në Rinas, arrestohet bashkëpunëtori i 5-të

Policia ka arrestuar edhe një person të 5-të si bashkëpunëtor të grabitjes së parave në Rinas. Ditën e djeshme policia arrestoi 4 bashkëpunëtorët e tjerë Oltion Veseli, Alkond Bengasi, Renaldo Sula dhe Saimir Cela, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të personave të përfshirë në vjedhjen e 9 prillit në Rinas.

I arrestuar është shtetasi me iniciale E.P. nga Kruja, ndërsa nuk jepen informacione të tjera.

Në njoftimin e saj policia sqaron:

“Në vijim të veprimeve të kryera nga një grup i posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjen së datës 09 prill në aeroportin e Rinasit, ju informojmë se mbrëmë në mesnatë është kapur dhe ndalur shtetasi E.P banues në Krujë, i dyshuar si një prej autorëve të kësaj ngjarje.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë për veprën penale të “Vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim” në kuadër të “Grupit të Strukturuar Kriminal”, ”Mbajtjes pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” “Vrasje e Punonjësve të Policisë “ e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë”

Policia e ShtetitNë vijim të veprimeve të kryera nga një grup i posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjen së datës…

Publiée par Policia e Shtetit sur Mardi 23 avril 2019

Grabitja, Lleshaj: TIA njoftoi ngjarjen 30 minuta me vonesë

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i është përgjigjur pyetjeve të deputetëve të rinj të opozitës në lidhje me grabitjen në Rinas, ndërsa ka akuzuar aeroportin, duke thënë se ata e kanë njoftuar ngjarjen 30 minuta pasi ka ndodhur.

“Më keni bërë aq shumë pyetje, sa vetëm po t’i lexojë do më merrni 20 min. Është një ngjarje e rëndë, sepse është episod i përsëritur. Ka marrë të gjithë vëmendjen e duhur të Policisë, pavarësisht dhe ngarkesave të shumta të policisë, për të menaxhuar atë që ka rol kryesor. Ngjarja ka tentuar që të marrë ngjyrim politk, madje duke e drejtuar drejt absurdit. Ka pasur një gatishmëri të madhe për të ndërtuar skenar se çfarë mund të kishte ndodhur përveç asaj që kishte ndodhur. Si mund të nxihet më shumë se realiteti, kjo ka qenë qëllimi. Nuk është një cenim i sigurisë së vendit, nuk cenohet siguria nga 5 persona. Ngjarja ka ndodhur në orën 9 prill 14:45, 5 persona të armatosur kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme parash dhe janë larguar drejt Tapizës. Ngjarja është shumë e njohur, por është një seri dështimesh të disa hallkave. Me një ligj të miratuar në këtë vend, përgjegjësia i është transferuar një kontraktori privat, unë s’kam qenë kurrë dakord, por ky vendimi është marrë në këtë Kuvend dhe është pranuar 15 vite me radhë dhe askush nuk e ka atakuar asnjëherë faktin bazë që kjo çështje e sigurisë është transferuar në duar private. Operatori privat ka njoftuat 5 min dhe 21 sekonda me vonesë, policinë e cila e kishte marrë informacionin në rrugë të treta, TIA ka njoftuat ngjarjen 30 minuta pasi ka ndodhur. Kontraktori privat nuk ka lejuar të futen brenda policinë, se porta përkatëse nuk është hapur nga kompania e sigurisë së aeroportit”, tha Lleshaj.

Autopsia nuk përcakton se kush e vrau Muratajn

Ekspertët kanë përfunduar autopsinë e Admir Murataj duke ia dorëzuara atë organeve hetuese që po merren me ngjarjen e grabitjes së parave në Rinas.

Sipas Report Tv në autopsinë thuhet se Murataj u vra me një plumb në ballë që ka kaluar tej për tej duke i shkaktuar vdekje të menjëhershme. Kjo ka bërë që të ketë mungesë predhe në kokën e tij, duke e bërë të pamundur për ekspertinëz të përcaktojë llojin e armës që është përdorur.

Pra autopsia nuk ka mundur të zbardhë se kujt i përkiste arma që ka qëlluar mbi Admir Murataj.

Prova që do fundosi grabitësit në Rinas

Policia ka gjetur një provë të re në vendin ku u bë edhe shkëmbimi i zjarrit me grabitësit, ku mbeti i vdekur Admir Murataj.

Sipas BalkanWeb hetuesit kanë gjetur një telefon celular pranë vendit ku ndodhet dhe trupi i viktimës dhe mendihet se është përdorur nga vetë Murataj.

Pritet që organet përkatëse të bëjnë ekspertizën e telefonit për të zbardhur komunikimet që janë realizuar me të.

Policia e konsideron këtë si provën më të fortë për zbulimin e grabitësve të tjerë.

“Avokati i Ramës gënjeu, ja provat”

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka tha se me vjedhjen e parave në Rinas nuk u cënua vetëm siguria por u dokumentua edhe përfshirja e qeverisë në të.

Paloka tha se avokati i Ramës, Eno Bushi është aksioner në kompaninë që duhet të siguronte mbrojtjen e aeroportit duke renditur disa prova gjatë fjalës së tij.

Lexoni deklaratën e plotë të nënkryetarit të PD, Edi Palokës.

“Grabitja e armatosur dhe e përsëritur në Rinas është dëshmia se qeveria jo vetëm ka dështuar për të garantuar siguri, por është përfshirë këto ditë në mbrojtjen e kompanisë, përgjegjëse për sigurinë në Rinas.

Me këtë kompani, qeverinë e Edi Ramës, e lidhin disa fije, duke nisur me avokatin e tij, Eno Bushi, i cili ka zotëruar aksione me të njëjtën kompani që paguhet për të garantuar sigurinë në aeroport.

Avokati i Edi Ramës, Eno Bushi, gënjeu dje, kur deklaroi se nuk ka asnjë lidhje me kompaninë ICTS ALBANIA, përgjegjëse për sigurinë brenda aeroportit të Rinasit. Ai tha se kishte pasur aksione në një kompani me emër të ngjashëm, ICTS ALBANIA- INTEGRATED SERVICES dhe se ngatërresa ndaj tij është e qëllimshme, e motivuar politikisht.

Të gjithë e dimë se gjysmë të vërtetat janë gënjeshtra dhe synojnë të mbulojnë të vërtetën.

E vërteta numër 1 është se kompania ICTS ALBANIA, përgjegjëse për sigurinë në Rinas dhe kompania ku avokati i Edi Ramës kishte 25% të aksioneve, janë e njëjta kompani, me dy nipte dhe emra të ndryshëm.

  1. Të dyja kompanitë kanë një pronar ICTS EUROPE.
  2. Të dyja kompanitë, njëra e themeluar në shkurt 2005, tjetra në Mars 2009, janë regjistruar nga i njëjti person. Panagiotis Kambouroglou. Në 2009, shtetasi grek autorizon si një nga përfaqësuesit ligjorë të shoqërisë, Eno Bushin.
  3. Të dyja kompanitë kanë të njëjtin person që firmos për pagesa mbi 50 mijë apo luan rolin e Administratorit, Aldi Meloholli.
  4. Të dyja kompanitë kanë të njëjtin drejtor teknik për sigurinë
  5. Të dyja, kompanitë kanë ndryshuar adresë në të njëjtën kohë, në 2011-ën: Bulevardi “Gjergj Fishta”, pallati Edil-al, shkalla 1, ap 9.3.
  6. Të dyja kompanitë kanë ndryshuar pronar në shkurt 2013, duke kaluar nga hollandezët tek francezët. Në këtë kohë, avokati i Edi Ramës bëhet pronar me 25 përqind të aksioneve, në kompaninë me pronare vendimmarrëse përgjegjësen për sigurinë e Rinasit.
  7. Të dyja kompanitë, në Korrik 2014, kanë një adresë të re, të njëjtën adresë: Qendra Alpas, godina 146, hyrja 2.

Të gjitha këto janë fakte që e lidhin avokatin e Edi Ramës me kompaninë që merr rreth 2 milionë euro çdo vit për sigurinë e aeroportit të Rinasit.

E vërteta numër 2 është se qeveria hesht prej tre ditësh dhe nuk përmend si bashkë përgjegjëse për grabitjen në Rinas kompaninë, që lidhet direkt me avokatin e Edi Ramës.

E vërteta numër 3 është se kompania që duhet të siguronte Rinasin është në biznes me qeverinë e Edi Ramës dhe ka marrë tenderat e sigurisë në çdo pikë strategjike të vendit.

E vërteta numër 4 është se kompania ICTS Albania operon në Shqipëri që prej 2005-ës, por siguria kombëtare u cenua 2 herë brenda aeroportit të Rinasit gjatë qeverisjes së Edi Ramës. Një herë në 2016-ën, kur Sandër Lleshi drejtonte Bordin e Aviacionit Civil që duhet të mbikëqyrte përmbushjen e kushteve nga kompania dhe, tani, kur Sandër Lleshi është Ministër i Brendshëm.

E vërteta numër 5 është se qeveria e Edi Ramës nuk e lufton dot krimin, sepse pushteti i saj buron nga blerja e votave nëpërmjet krimit. Largimi i tij është emergjencë kombëtare!”

Skip to toolbar