TIA përplaset me Lleshaj: Keqinformim në shpatullat e koncesionarit

Tirana International Airport ka reaguar në lidhje me grabitjen që ndodhi në Rinas, duke ju referuar deklaratës që bëri më herët ministri i Brendshëm, Lleshja. Në deklaratën e saj të shpërndarë për mediat, TIA i cilësoi deklaratat e ministrit si keqinformuese duke fajësuar me të padrejtë koncesionarin. “Aeroporti nuk është i kinezëve, është i gjithë shqiptarëve.” dhe si i tillë duhet të mbrohet nga Policia e Shtetit citon TIA.

Njoftimi i plotë nga Tirana International Airport:

Tirana International Airport (TIA) shpreh keqardhjen e thellë për ngjarjen e djeshme të 9 Prillit 2019, me pasojë vjedhjen e një sasie të vlerave monetare në pistën e aeroportit.

TIA kishte vendosur të respektonte hetimet nga autoritetet përkatëse dhe në respekt të këtyre hetimeve, nuk u prononcua deri më tani, duke patur parasysh ndjeshmërinë e ngjarjes dhe çështjen e sigurisë së jetës të pasagjerëve, stafit dhe të gjithë punonjësve të shtetit shqiptar që operojnë në aeroport.

Por, pasi ndoqëm me shqetësim deklaratën zyrtare të Ministrisë së Brendshme, duket se etika e TIA-s ka shërbyer për herë të dytë për një keqinformim të publikut dhe fajësimin – si skenar i përsëritur – për një akuzë të rëndë që nuk qëndron në shpatullat e një koncesionari të huaj, pa mënjanuar kërkesat e Kontratës së Koncesionit që TIA përmbush çdo ditë në lidhje me sigurinë aeroportuale.

Tirana International Airport duke vlerësuar transparencën e informacionit për publikun dëshiron të informojë se ka vënë në dispozicion të organeve kompetente, të gjitha materialet dhe regjistrimet e kamerave të sigurisë që hedhin dritë mbi ngjarjen e 9 Prillit 2019.

TIA ka qenë korrekte në përmbushjen e detyrave të saj në lidhje me ngjarjen sipas të gjitha rregullave dhe procedurave. Autoriteteve të hetimit u janë dorëzuar të gjitha dokumentet që provojnë, se ky njoftim është kryer në kohë kundrejt sallës operative të policisë në Rinas.

TIA në bashkëpunim me Autoritetin e Aviacionit Civil Shqiptar, gjatë këtyre tre viteve nga ngjarja e ngjashme në aeroport në 2016, ka marrë masa shtesë dhe ka ngritur në një nivel më lart sistemin e kamerave dhe gardhin rrethues.

TIA është pjesë e auditimeve periodike qoftë nga Autoriteti i Aviacionit Civil, qoftë nga palët e treta. Bëjmë thirrje dhe lutemi për vëmendje të kuptojmë të gjithë, se forcat e policisë janë të pranishme në çdo cep të aeroportit si objekt i rëndësisë së veçantë, si zonë kufitare dhe policia e ka detyrë ligjore, për të ruajtur rendin dhe jetën e qytetarëve në rast incidenti të armatosur.

Bashkohemi tërësisht me meritat që kanë forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në operacionin e djeshëm, zanafilla e të cilit ishte njoftimi i TIA-s.

TIA bën thirrje për trajtimin e kujdesshëm të informacioneve që jepen për publikim kur lidhen me çështje të sigurisë, sepse do përbëhej një rrezik shtesë për çdo rrethanë.

TIA vlerëson me respekt hetimet, çdo qytetar, çdo punonjës policie dhe dëshiron të theksojë, se kur cënohet siguria dhe jeta e një qytetari, jemi të gjithë në të njëjtin krah.

Aeroporti nuk është i kinezëve, është i gjithë shqiptarëve. Eshtë pjesë e territorit të Shqipërisë dhe mbrohet me ligj nga Policia e Shtetit si çdo metër i këtij vendi. Ndaj deklaratën zyrtare të Ministrisë së Brendshme e vlerësojmë si të pasaktë.

Rikthesojmë se në zbatim të përgjegjësive dhe detyrimeve të Kontratës së Koncesionit, dhe në bazë të Programit Kombëtar të Sigurisë të Aviacionit Civil, TIA ka zbatuar me korrektësi të plotë procedurën e njoftimit në kohë të policisë.

Tirana International Airport mbetet në dispozicion të pasagjerëve dhe opinionit publik për informacione të mëtejshme.

Rama: Asnjë justifikim nga koncesionari

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në Twitter pas grabitjes që ndodhi në aeroportin e Rinasit duke bërë fajtor koncesionarin dhe se nuk do të pranojë më asnjë justifikim nga ai. Rama njoftoi gjithashtu se siguria e TIA-s do të merret nga shteti.

“Kompania kineze që bleu aeroportin nga e mëparshmja, dështoi po njësoj në garantimin e sigurisë. Shteti shqiptar s’do pranojë asnjë justifikim nga kompania, po do marrë kontrollin e perimetrit të jashtëm e të sigurisë së brendshme. Respekt për policinë që sulmohet veshëgjatësisht.” -shkruan Rama

Vjen reagimi i parë i shtetit për grabitjen

Që nga dita e djeshme kur ndodhi super-grabitja në Rinas, nuk ka pasur asnjë deklaratë nga policia apo autoritetet e shtetit deri pak më parë. Në një deklaratë për mediat, ka reaguar Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj duke thënë se kompania koncesionare është fajtore për mungesën e përgjegjësisë dhe sigurisë që çoi në zhvillimin e kësaj ngjarje të rëndë.

“Nga analizat e deritanishme, rezulton se nuk kanë funksionuar aspak mekanizmat e sigurisë që janë nën përgjegjësinë e kompanisë koncensionare të aeroportit. Kompania kineze që ka koncesionin e aeroportit të Rinasit ka dështuar të përmbushë përgjegjësitë e saj për garantimin e parametrave të sigurisë fizike. Koncesionari dhe kontraktori i zgjedhur prej tij, që përgjigjet për sigurinë fizike të Aeroportit, nuk kanë arritur të zbatojnë standardet e detyrueshme të sigurisë, që përcaktohen nga legjislacioni vendas dhe nga Organizata Botërore e Aviacionit Civil (ICAO), megjithëse vetëm për llogari të sigurisë kanë arkëtuar rregullisht dhe pa ndërprerje 3 euro për çdo pasagjer që ka dalë nga ky aeroport. Do të kishte mjaftuar edhe vetëm një pjesë e këtyre parave të përvitshme, që pasagjerët paguajnë ekskluzivisht për sigurinë, për ta garantuar në mënyrë të shumëfishtë perimetrin e jashtëm të Aeroportit, i cili dje jo vetëm që është hapur për disa sekonda, por, për më keq, Koncesionari dhe Kontraktori i tij për sigurinë nuk kanë arritur madje as të sinjalizojnë policinë për këtë thyerje të patolerueshme të sigurisë. Koncesionari jo vetëm që ka refuzuar zbatimin e kërkesave të shumta dhe të herëpashershme të Policisë së Shtetit për marrjen e masave në drejtim të sigurisë fizike, por në shumë raste as nuk ka denjuar të kthejë qoftë edhe përgjigjet formale për korrespondencën përsëritur zyrtare.” – ka thënë Lleshaj

Gjithashtu Lleshja tha se autorët kanë lënë pas shumë prova materiale dhe se kapja e tyre do të jetë shumë afër.

“Sa i përket dinamikës së ngjarjes më duhet të them se reagimi i shpejtë, profesional, i përpjesshëm dhe i vendosur i Policisë së Shtetit ka sjellë si rezultat që autorët e këtij sulmi të rëndë të lënë në dorë të ekipeve të hetimit prova të shumta materiale, të cilat po i nënshtrohen procedurave përkatëse.”

Grabitja që bëri jehon në gjithë mediat ndërkombëtare

Grabitja e parave që ndodhi ditën e djeshme në Aeroportin “Nënë Tereza” ka bërë një jehonë të madhe edhe në mediat ndërkombëtare. Ngjarja është përshkruar me detaje dhe në disa nga mediat më prestigjioze botërore si Euronews, Balkan Insight, The Guardian, Express, BBC, Mirror, Dailymail e shumë të tjera.

Grabitja ndodhi brenda pistës së avionëve në Rinas, ndërsa gjatë largimit të grabitësive pati edhe një shkëmbim zjarri me armë me policinë. Si rezultat mbeti i vdekur njëri prej grabitësve Admir Murataj, i cili ishte i shpallur në kërkim nga policia. Të gjitha forcat e Policia e Shtetit janë vënë në kërkim të kapjes së grabitësve të tjerë.

Kjo është një ngjarje e rëndë dhe fatkeqësisht e përsëritur në Rinas.

Paratë e grabitura, ja si ndodhi ngjarja në Rinas

Kanë qenë 5 persona në një mjet ku shkruhej”Hetimi Tatimor” që kanë kryer supergrabitjen pasditen e sotme në Rinas. Nga kjo ngjarje njëri nga grabitësit mbeti i vdekur, ku policia po punon për zbardhjen e identifikimin e tij.

Sipas burimeve policore të konfirmuara për News 24 autorët kanë grabitur 10 milionë euro, që i përkisnin disa kompanive të sigurimit, dhe ishin të veshur me jelek antiplumb dhe veshje të komandove.

Grabitësit kanë ndaluar avionin që sapo do nisej dhe nën kërcënimin e armëve i kanë detyruar punonjësit të zbrisnin poshtë çantat me para duke i futur në mjetin e tyre.

Historia ka ndodhur brenda një avionin me destinacion Vjenën, me 160 pasagjerë në bord, të cilët mbetën të shtangur duke mos ditur se çfarë të mendonin.

Tre nga grabitësit kanë hyrë brenda pistës dhe kanë marrë paratë, ndërsa dy të tjerë kanë qëndruar në makinë. Sapo kanë marrë paratë janë larguar duke u përballur në dalje me një patrullë të FNSH, ku ka pasur edhe një shkëmbim zjarri. Nga kjo përplasje me armë ka mbetur i vdekur njëri nga grabitësit. Trupi i tij u gjet nga policia në urën e Tapizës pa mjet identifikimi.

Policia ka gjetur mjetin me të cilin u bë grabitja, ndërsa raportohet se ka gjetur edhe një mjet tjetër të djegur mes Tapizës dhe Bathores, që dyshohet se është përdorur nga grabitësit.

Aktualisht policia ka shoqëruar në komisariat 40 persona, ndërsa forca speciale policore RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një helikopter janë ende në ndjekje të autorëve.

Të angazhuara në operacionin e gjerë janë edhe forca nga Policia e Tiranës, Lezhës, Dibrës e Durrësit.

Grabitja, Lleshaj: Kjo luftë nuk mund të ndalet nga askush

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar për herë të parë për grabitjen në Rinas si dhe njëkohësisht i ka kthyer përgjigje akuzave të bëra nga Partia Demokratike në lidhje me ngjarjen.

Përmes një statusi në Twitter, Lleshaj ka thënë se lufta ndaj krimit nuk mund të ndalet nga askush.

“Edhe në momentin e një përplasjeje me armë të Policisë së Shtetit me një grup të armatosur kriminal, zëdhënësi/sekretari i një partie antiparlamentare sulmon ….. Policinë!!! Megjithatë të gjithë shqiptarët janë në krah të Policisë së Shtetit në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar. Kjo luftë nuk mund të ndalet nga askush.” – shkruan Lleshaj

Grabitja në Rinas, déjà vu

Grabitja në Rinas ka ngjallur reagimin e shumë personave publik, mes të cilëve edhe ish deputeti, Edi Paloka, që në fakt e cilësoi si një dukuri déjà vu.

“De-ja vu
Grabitën miliona euro. Në të njëjtin vend ( brenda aeroportit, Rinas) Me të njëjtën mënyrë ( grabitje me armë furgonit të blinduar nga grabitës me uniforma ushtarake dhe makinë shtetërore). Grabitësit u larguan në të njëjtin drejtim. Grabitja ndodh në të njëjtin kontekst kohor dhe politik; pak muaj përpara zgjedhjeve. Policia edhe këtë herë është e zënë duke dhunuar qytetarët e thjeshtë
A mund të jenë të gjitha rastësi ?!
P.S Harrova një “detaj”; këtë herë ka dhe të vrarë…

Prova e fortë në duart e policisë për grabitjen në Rinas

Vetëm pak ditë më parë në emisionin Real Story, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj tha se policia është shumë pranë arrestimit të grabitësve në Rinas dhe se disponon prova të forta për identifikimin e tyre.

Por cila është kjo provë e fortë? Mediat televizive bëjnë të ditur se policia ka në duar një telefon celular që është gjetur në furgonin me mbishkrimin “hetimi tatimor”, që u përdor nga banda kriminale për të realizuar grabitjen mesditën e 9 prillit në Rinas.

Celulari mendohet të jetë përdorur nga Admir Murataj, i konsideruar si “truri” i grabitjes, i cili mbeti i vrarë.

Telefoni është dërguar për ekspertizë me qëllim zbardhjen e çdo komunikimi të realizuar me të, e në këtë mënyrë identifikimin e bashkëpunëtorëve të Muratajt, të cilët janë në arrati.

Zyrtare: Në Rinas u vodhën 5 milionë euro. Së shpejti, arrestime

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka qenë mbrëmë i ftuar në emisionin “Real Story” në Vizion Plus, ku përballë gazetarit Sokol Balla ka thënë edhe shifrën e saktë të parave që janë grabitur në Rimas. Lleshaj tha se janë vjedhur 5 milionë euro dhe jo 10 milionë sa ç’është thënë deri më tani në media të ndryshme. 

“Nga informacionet që kam unë, shifra që është grabitur është rreth 5 milion euro”, është shprehur ministri.

Ai gjithashtu ngarkoi me përgjegjësi konçensionarin e Rinasit për mungesën e sigurisë.

“Ne kemi identifikuar përgjegjësin kryesor te kësaj ngjarje, qe është koncesionari pasi ky është rast i përsëritur dhe per me tepër ka disa letra dërguar kompanisë qe duhet te rriste sigurine dhe jane injoruar ne mënyre sistematike çuditerisht. Fakti qe kontraktori ka ceduar ne ndërtimin e nje barriere sado te vogël qe te na jepte ne mundësi te reagonim, tregon dobësinë e tyre. Jo vetëm që koncesionari nuk I ka dhënë qoftë edhe 1 minutë më shumë kohë policisë për ndërhyrje, por as nuk ka njoftuar e konfirmon këtë gjë”, është shprehur ministri.

Ndërkaq Lleshaj garantoi se policia është në gjurmët e grabitësve dhe shumë shpejt do të kemi arrestime.

“Hetimet për grabitjen kanë ecur mirë. Janë mbledhur prova të shumta dhe të rëndësishme që do ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes. Reagimi i fortë dhe i shpejte I policisë ka bërë që grupi kriminal të lërë pas disa prova mjaft të vlefshme. Ka prova te tilla qe garantojnë sukses te mirefillte per te zbardhur ngjarjen por nuk mund te them se kur do te behen arrestime”, u shpreh ministri i Brendshëm.

Gruaja identifikon viktimën. Ja kush është organizatori i grabitjes në Rinas

Personi i vrarë dje në Rinas gjatë grabitjes së 10 milionë eurove është Admir Murataj. Trupi i tij është identifikuar nga bashkëshortja e cila u mor në pyetje nga policia, gjatë paradites së sotme.

Nga pamjet e bëra publike dje në mediat televizive, Admir Murataj mban në fytyrë një maskë silikoni, dhe duket tullac, me mjekër dhe me syze të errëta.

Ai u qëllua dje për vdekje pasi grupi i tij arriti të vidhte në Rinas, jo pak por 10 milionë euro, ndërkohë që u përballën me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Policisë.

Admir Muarataj akuzohet edhe për 3 grabitje të tjera, dy në 2015 dhe një në 2017. Ndërkohë që është arratisur nga burgu i Trikallas në Greqi. Sipas medieve greke, Murataj ka përdorur 15 emra të ndryshëm.

Admir Murataj
Skip to toolbar