Çmimi Nobel për Handke, zyrtarë të lartë bojkotojnë ceremoninë

Shkrimtari austriak pro-serb, Peter Handke, merr të shtunën çmimin e tij Nobel në Stockholm për letërsi, një çmim që ngjalli shumë polemika. Ish-zyrtarë të lartë të Akademisë Suedeze kanë vendosur që të bojkotojnë ceremoninë e ndarjes së këtij çmimin për Handken. Ish-sekretari i përhershëm i Akademisë suedeze, i cili vazhdon të jetë anëtar, Peter England, ka konfirmuar se nuk do të jetë i pranishëm në eventin e ndarjes së çmimit për shkrimtarin austriak, përkrahës i Slobodan Milloshevic.

 “Të festoj çmimin Nobel për Peter Handken do të ishte një hipokrizi e madhe nga ana ime”, ka thënë England, shkruan The Guardian.

Kjo ceremoni është bojkotuar dhe nga Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, i cili ka bërë me dije se Kosova nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e Çmimit Nobel në Stokholm. Përmes një postimi në Facebook, Pacolli është shprehur se pret që edhe Shqipëria të veprojë në këtë mënyrë.

“Kosova nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e Nobelit në Stokholm këtë vit. Unë konfirmoj se ambasadorja ynë Znj. Shkendije-Geci-Sherifi do të bojkotojë këtë event, shkaku i fituesit kontravers të Çmimit Nobel, Peter Handke, mik dhe mbështetës i politikës së Millosheviqit. Unë gjithashtu pres që edhe Ambasadori i Shqipërisë të veprojë në mënyrë të ngjashme”, tha Pacolli.

Handke të premten mbërriti në kryeqytetin suedez, ku dhe mbajti një konferencë për shtyp, në të cilën nuk munguan debatet. Shkrimtari austriak sulmoi gazetarët e pranishëm në konferencë të cilët e pyetën lidhur me përkrahjen që i ka dhënë Sllobodan Milloshevic dhe rreth faktit se pse në librat e tij nuk shkruan asnjëherë për genocidin serb në Bosnje. Handke pyetje të tilla i ka cilësuar si “injorante”, duke thënë se nuk dëshiron që të merret me këtë pjesë.

Nobeli për Handke, Cakaj: Idetë e tij janë si të Millosheviçit

Ministri i Jashtëm në Detyrë Gent Cakaj foli në “Real Story” për Çmimin Nobel dhënë shkrimtarit austriak Peter Handke, i njohur për mbështetjen ndaj regjimit Sllobodan Milloshevic. Cakaj u shpreh se Handke është një shkrimtar politik, duke u shprehur se edhe në librat e tij mban qëndrime politike duke fajësuar shqiptarët.

“Unë mendoj se qëndrimet e Handke janë të qëllimshme për të hapur debate. Handke është një shkrimtar mirëfilli politik. Unë e kam lexuar një libër të Handke. Personazhi kryesor flet vetëm për pafajësinë e serbëve dhe thotë se fajësia e serbëve nuk është e vërtetë, duke u shprehur se mediat perëndimore janë gënjeshtare. Idetë e tij janë si të Millosheviçit, edhe te personazhi. Ideja e Milloshviçit kas qenë e viktimizimit të serbëve dhe kemi ideologji të qartë të Millosheviçi. Në roman shkruhet vetëm për serb të pafajshëm dhe jo ata që kanë kryer krime. Në këtë kuptim, letërsia e tij është apologji e regjimit të Milloshviçit”, tha Cakaj. /Realstory.al/.

Skip to toolbar