Tirana i bashkohet vendeve më ambientaliste si
Holanda, Danimarka apo Suedia. Për herë të parë në vendin tonë, duke filluar
nga kryeqyteti, stacionet e autobusëve do të jenë me çati të gjelbëruar, të
cilët jo vetëm do të na mbrojnë nga vapa e këtyre ditëve, por njëkohësisht
ndihmojnë edhe në pastërtinë e Tiranës. Është vetë kryebashkiaku Erion Veliaj i
cili ka publikuar këtë nismë të veçantë e cila është e para e këtij lloji jo
vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon.
“”Por, ne nuk jemi si Hollanda” – është
justifikimi më i zakontë i atyre që ende nuk i pranojnë korsitë e biçikletave,
stacionet e gjelbra të autobusëve apo çdo risi tjetër urbane. Megjithatë, sapo
kemi vendosur stacionet e para me çati të gjelbër, të cilët jo vetëm na mbrojnë
nga vapa e këtyre ditëve, por ndihmojnë edhe në pastërtinë e Tiranës”, shkruan
Veliaj.
Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë gjatë këtyre katër viteve një sërë nismash për mjedisin, si mbjellja e 2 milionë pemëve deri në 2030, promovimi i biçikletave, autobusët elektrik etj.
“Rekomandimi i KE tregon se Shqipëria dhe Maqedonia e
Veriut kanë treguar vendosmërinë për të avancuar në rrugën e integrimit dhe se
ato kanë arritur rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme.” Kjo ka qenë
përgjigja e zëdhënëses së Shefes për Politikën e Jashtme , Maja Koçijançiç, kur
u pyet nga ABC News për argumentin e parlamentit holandez “se nuk ka rezultate
të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri.”
Koçijançiç
tha se KE është pro zgjerimit
gjeostrategjikë të Bashkimit Europian për stabilitetin, paqen, sigurinë
dhe zhvillimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor dhe se progres-raporti shpreh
qëndrimin objektiv të KE lidhur me ecurinë e reformave për integrimin. “Tani i takon Këshillit të Ministrave që të
konsiderojë këtë rekomandim dhe të vendosë për hapat që vijnë. Ju rikujtoj edhe
deklaratën e Presidentit të Komisionit Europian kur u takua me kryeministrin
shqiptar, e cila tregon qartë qëndrimin e tij dhe të Komisionit”. –thaKoçijançiç
Ndërsa skepticizmit të Holandës, Francës por edhe Gjermanisë, ku ka deputetë të Bundestagut që thonë se rezultatet e paraqitura nga Shqipëria nuk janë bindëse, Koçijançiç shtoi se:”Raportet janë përgatitur në një hark kohor disa muajsh dhe janë rezultati i një pune tërësore me analiza të detajuara. Nëse i lexoni, do ta shihni vetë; Askush nuk po thotë se të gjitha kriteret dhe të gjitha kushtet janë përmbushur. Ky është një proces. Por nëse i referohemi punës që duhej bërë për këtë stad, kjo është bërë. Kjo nuk do të thotë se puna mbaron aty. I takon këshillit të Bashkimit Europian të vendosë dhe nuk do të komentoj qëndrime, spekulime apo debate në gjirin e shteteve anëtare.”
Kërkesa e Komisionit Europian që rekomandon hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është diskutuar në Parlamentin holandez. Ashtu si vitin e kaluar qëndrimi i parlamentit të Holandës nuk është shprehur pozitiv për hapjen e negociatave për Shqipërinë, duke ritheksuar se vendi ka ende punë për të bërë. Gjatë argumentit të tyre, parlamenti i kushton rëndësi të veçantë reformës gjyqësore ku kërkon nga Shqipëria që të arrijë rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Deri në arritjen e tyre ajo kërkon që qeveria e Holandës të mos votojë pro propozimit të Komisionit Europian për hapjen e negociate me Shqipërinë për anëtarësim në BE. “Ne vlerësojmë hapat që Shqipëria ka bërë gjatë këtij viti, por ka ende shumë për të bërë në për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Shqipëria nuk ka pasur arritje të prekshme të mjaftueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Themelimi i Strukturës Speciale Anti-Korrupsion dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është i rëndësishëm në këtë kontekst. Derisa të plotësohen të gjitha kushtet, negociatat e pranimit me Shqipërinë nuk mund të fillojnë.”
Kritika i referohet ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe prokurorisë Speciale kundër Krimit SPAK, gjë që pritet të ndodhë deri në fund të muajit qershor. Duket se kjo do përdoret si argument për të shtyrë vendimin pozitiv, për në vjeshtë, çka është brenda pritshmërive edhe të Komisionit Europian, të Këshillit Europian të Ministrave, por edhe të qeverisë Shqiptare.
Ndërsa për Maqedoninë e Veriut, qeveria holandeze theksoi se pavarësisht arritjeve pozitive që ka kryer gjatë një viti, ka ende disa kërkesa që duhet të përmbush, përpara se të hapen negociatat për pranimin e saj. “Maqedonia e Veriut duhet të shfaq në mënyrë konkrete se reformat për sundimin e ligjit duhet të zbatohen para se të hapen negociatat e pranimit. Vendi duhet të arrijë rezultate të qëndrueshme dhe të prekshme në fushën e gjyqësisë, sigurisë dhe administratën publike. Një hap i rëndësishëm ende për t’u marrë është miratimi i shpejtë i legjislacionit për statusin e ardhshëm të Prokurorit Special.” Deri në plotësimin e këtyre kushteve nuk mund të hapen negociatat për pranimin e saj.
Mocioni është propozuar nga deputeti i CDA, Pieter Omzigt, i cili ka qenë konsistent në qëndrimet e tij kundër Shqipërisë. Pak kohë më parë ky deputet, i cili ka lidhje të forta personale me Lulzim Bashën, ka botuar një shkrim në një revistë holandeze, ku bashkë me Azerbajxhanin dhe Turqinë, radhit edhe vendin tonë, si vende islamike që po tentojnë të vendosin Sharian, ose Ligjin Islamik sipas K’uranit. (shih fotot). Dhe për të ilustruar argumentin e tij të pavërtetë, ai e shoqëron atë me një foto ku duket një xhami. Në fakt bëhet fjalë për pazarin e vjetër të Krujës, qytetit simbol të rezistencës shqiptare ndaj pushtimit otoman jo vetëm të tokave shqiptare, por edhe të gjithë Ballkanit. /realstory.al
Përfaqësuesi i Përhershëm i Mbretërisë së
Holandës në Bashkimin Europian, Robert de Groot, përmes një letre të gjatë dërguar
Komisionit Europian, kërkon rishikimin e regjimit të vizave për shqiptarët,
duke theksuar se është rritur ndjeshëm numri i kërkesave për azil, si dhe roli
që ata kanë në krimin e organizuar në Amsterdam dhe Roterdam.
“Gjatë viteve të fundit, çështjet me shtetasit
shqiptarë kanë marrë shumë vëmendje publike në Holandë. Shtetasit shqiptarë
luajnë një rol të rëndësishëm në krimin e organizuar në qytete të tilla si
Amsterdam dhe Roterdam.
Një shqetësim tjetër është numri në rritje i
emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria, kryesisht njerëz të rinj që dëshirojnë
të fillojnë një jetë të re në Mbretërinë e Bashkuar. Numri i aplikimeve për
azil nga shtetas shqiptarë është gjithashtu i lartë. Këto rrethana po minojnë
mbështetjen e publikut në Holandë për liberalizimin e vizave në përgjithësi dhe
liberalizimin e vizave për shtetasit shqiptarë në veçanti”, shkruhet në letër.
Më tej në letrën e gjatë bëhet e ditur se “që
nga viti 2015, Hollanda ka përjetuar një rritje të konsiderueshme të veprave
penale të lidhura me shtetasit shqiptarë dhe bandat e krimit shqiptar. Kriminelët
shqiptarë janë të përfshirë në trafikimin e drogës (kryesisht kokainë),
pastrimin e parave dhe
trafikimin e qenieve njerëzore”, sqaron përfaqësuesi
i Holandës, i cili thotë se pavarësisht përpjekje për të bashkëpunuar me
autoritet shqiptare, ende këto çështje mbeten problematike.
“Shqipëria dhe Hollanda po punojnë së bashku
për të luftuar krimin e organizuar nga shtetasit shqiptarë në Holandë. Më 23
maj 2018 Ministri i Drejtësisë dhe Ministri për Migracionin i Holandës
nënshkruan një marrëveshje me Ministrin e Brendshëm dhe Ministrin e Drejtësisë
së Shqipërisë. Më 13 dhe 14 shkurt 2019 u mbajt takimi i parë i ekspertëve për
krimin e migracionit në Holandë. Edhe pse bashkëpunimi ndërmjet policisë, gjyqësorit
dhe autoriteteve të imigracionit janë përmirësuar, ka ende vend për përmirësime
të mëtejshme dhe bashkëpunimi deri më tani nuk ka rezultuar me suksese konkrete
në terren”, shkruhet më tej në letër.
Robert de Groot në fund të letrës shkruan se “Hollanda i kërkon Komisionit që të shqyrtojë informacionin e dhënë dhe në konsultim me Shtetet Anëtare të BE, të vendosë për nevojën për të ndërmarrë veprime në bazë të nenit 8 (pra që lidhet me regjimin e vizave) në mënyrë që të luftohen në mënyrë efektive problemet që lidhen me shtetasit shqiptarë”.
Britania dhe Holanda janë shtetet e para që i drejtohen kutive zgjedhore në Parlamentin Europian. Zgjedhjet do të zgjasin 4 ditë, ku do të përcaktohen udhëhqësit e PE për 5 vitet e ardhshme.
Zgjedhjet filluan ditën e enjte dhe do të mbyllen të dielën, duke pasuar me votimin e 28 shteteve anëtare të BE, ndërsa në mbrëmje do të publikohen rezultatet e votimit.
Britani mori pjesë në këto zgjedhje europiane, ndërkohë që është në debate të ashpra brenda vendit lidhur me marrëveshjen e BREXIT.
Anketat paraprake flasin për rritje të forcave mbështetëse ndaj nacionalistëve dhe populistëve, të cilët dëshirojnë të frenojnë fuqitë e BE-së. Ndërsa fuqitë tradicionale si Franca dhe Gjermania këmbëngulin se uniteti është gjëja më e mirë për interesat ekonomikë dhe të sigurisë për BE.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar më herët se sfida është “të mos i nënshtrohemi një koalicioni shkatërrimi dhe shpërbërjeje”, që do të shkatërrojë unitetin e BE të ndërtuar prej 6 dekadave.
Holanda nuk do të zbatojë rezolutë për rikthimin e vizave për shqiptarët. Këtë garanci ka dhënë sot nga Holanda, kryetari i parlamentit, Gramoz Ruçi i cili po zhvillon takime me parlamentare atje. Ruçi bën të ditur se ka gjetur mirëkuptim nga deputetët holandezë për ecurinë e reformave të Shqipërisë, si dhe ka marrë garanci se nuk do të zbatohet rezoluta për rikthimin e vizave për shqiptarët.
“Kuvendi Shqipërisë në kuadër të objektivit strategjik për
hapjen e negociatave ka muaj qe ka nisur tur vizitash në vende të shumta e të rëndësishme të BE, në Gjermani, Itali
sot në Hollandë. Kemi pasur takime në France, vende të Ballkanit, anëtare të
BE. Do kemi takime në Çeki. Sot jemi në Hollandë, ku paraqitem në Parlamentin
Hollandez arritjet e Shqipëisë në kuadër
të pesë prioriteteve. Nga kontaktet ne fitojmë duke sqaruar mbi skepticizim apo
paqartesitë mbi arritjet tona. Pavarësisht nga jehona mediatike për
skepticizmin e Hollandës gjetëm mirëkuptim të plotë, deklaruan se po presin
përfundimin e zgjedhjeve europiane, rekomandimin e KE dhe ne fund do shprehen
lidhur me vendimin e Hollandës për negociatat.
Sa i takon rezolutës së parlamentit holandez për vizat, një
nga deputetët hollandez që votoi rezolutën, tha se nuk do zbatohet”, tha Ruçi.
Në këtë vizitë Ruçi shoqërohej edhe nga Rudina Hajdari e
cila përfaqëson opozitën e re në Kuvend. këtë e vuri në dukje edhe Ruçi i cili
tha se vendi e ka një opozitë parlamentare dhe se në asnjë takim nuk është
pyetur për opozitën jashtë parlamentit.
“Shqipëria ka një opozitë parlamentare. Zonja Hajdari, në
takimet këtu në Hollandë, deputetë dhe miq të Hollandës, paraqiti mendimet e
saj opozitare, objektive dhe realiste, dhe shprehu se hapja e negociatave është
interes kombëtar. Takimet kane qenë të
hapura dhe nuk jam pyetur asnjëherë për opozitën jashtëparlamentare, pasi
braktisja e institucioneve dhe parlamentit është e pakuptueshme. Shqipëria ka
një parlament dhe një mazhorancë dhe i vetmi mekanizëm për të lëvizur këtë
mazhorancë, janë mocionet e besimit, mosbesimit dhe zgjedhjet. Nuk jam ndjerë asnjëherë i rrezikuar nga
protestat e opozitës”, u shpreh kryetari i Kuvendit.
Kreu i Kuvendi, Gramoz Ruçi dhe kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla janë duke zhvilluar një takim zyrtar në Holandë pak para vendimin për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE. Holanda është një nga vendet që ka kritikuar më shumë shqiptarët duke i cilësuar si kriminelë dhe madje ka firmosur edhe një mocion për vendosjen e vizave të përkohshme për Shqipërinë.
Gjatë një dëgjese, Komisioni për Çështjet e BE-së në Parlamentin e Holandës ka kërkuar nga delegacioni shqiptar vlerësimin nëse Shqipëria është apo jo gati për hapjen e negociatave.
Ruçi gjatë fjalës së tij tha se Shqipëria është gati për negociatat pasi i ka kryer të gjitha detyrat e saj.
“Po, Shqipëria është gati për çeljen e negociatave në qershor sepse i ka bërë në mënyrë shembullore detyrat e saj të shtëpisë. Me reformën në drejtësi, si krye-reforma e integrimit, Shqipëria ka dhënë një shembull jo vetëm për vendet aspirante, por edhe për vendet e BE-së.” – tha Ruçi
Ndërsa Balla tha se kriminelët nuk kanë as ngjyrë dhe as atdhe dhe është e padrejtë që shqiptarët të demonizohen padrejtësisht në media.
“Ne politikanët dhe vendim-marrësit duhet të dallojmë perceptimin mediatik nga perceptimi real i njerëzve për kriminalitetin. Shqiptarët që punojnë e jetojnë në Holandë janë qytetarë normalë e dinjitozë, por demonizohen padrejtësisht nga media. Kriminelët nuk kanë as ngjyrë, as atdhe. Ata duhet t’i luftojmë bashkërisht.” – tha Balla
“Ju lutem, punoni për Shqipërinë, jo për veten tuaj” ka deklaruar ish-ambasadori i OSBE në Shqipëri, Robert Bosch.
Në një kërkesë drejtuar opozitës, por edhe politikanëve shqiptarë, Bosch ka kërkuar që të fokusohen më shumë në integrimin e vendit dhe interesat e popullit dhe jo për interesat e tyre personal.
“Ka diçka që dua t’ia them të gjithë politikanëve apo liderëve shqiptarë. Ju lutem, punoni për Shqipërinë, jo për veten tuaj. Mos punoni për partinë tuaj, por punoni për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Kujdesuni për vendin dhe jo për veten tuaj apo për interesat e partisë suaj. Vetëm nëse partia ka qëllim interesat e popullit ecni përpara në integrimin evropian. Kjo bëhet duke punuar së bashku dhe jo kundër njëri-tjetrit. – tha Bosch
Këto deklarata Bosch i bëri pas një takimi që zhvilloi me kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi dhe kreun e grupit parlamentar Taulant Balla.
Gjithashtu ai tha se Holanda duhet të njoh hapjen e negociatave për Shqipërinë, por protestat e dhunshme po sjellin sinjale negative.
Duncan Laurence me “Arcade” nga Holanda është fituese e edicionit të radhës të Festivalit Europian të Këngës. Këngëtari holandez pati mbështetjen e gjerë të publikut, votat e të cilit përmbysën dhe pikët e dhëna nga juritë profesioniste të 41 shteteve pjesëmarrëse në këtë edicion të Euro Song, që u mbajt në Izrael.
Holanda e fiton Festivalin Europian të Këngës pas 44 vitesh mungesë. Sakaq në vendin e dytë u rendit Italia me 465 pikë, ndërsa Rusia zuri vendin e tretë me 369 pikë, ndërsa me 9 pikë më pak ishte Zvicra që u rendit e katërta.
Sakaq këngëtarja shqiptare, Jonida Maliqi, që përfaqësonte vendin tonë në këtë edicion të Euro Song me këngën “Ktheju Tokës”, është renditur në vendin e 18-të. Ndonëse më herët ishte vlerësuar për performancën e saj në rrjetet sociale dhe nga sondazhe të ndryshme, juritë profesioniste të shteteve pjesëmarrëse i kanë dhënë shumë pak pikë, vetëm 43.
Nga votimi i publikut këngëtarja shqiptare ka marrë 50 pikë, duke e mbyllur aventurën në Euro Song në vendin e 18-të. Në finalen e madhe të Europianit të Këngës, e ftuara speciale që u ngjit në skenë, ishte këngëtarja Madona, e cila këndoi disa nga klipet e saj më të fundit. Gjatë performancës së saj, këngëtarja me famë botërore pati disa probleme me vokalin, por që nuk e zbehën ekzaltimin e publikut.
Holanda kërkoi rikthimin e vizave për Shqipërinë për shkak të rekordeve të larta kriminale dhe emigrantëve të shumtë që hynin ilegalisht në atë vend. Mirëpo sipas një investigimi të Top Story, në fakt në një raport të paraqitur nga vetë qeveria holandeze për kriminalitetin në vend gjatë 5 viteve të fundit, shqiptarët zënë më pak se 0.2 %, që është një shifër e papërfillshme dhe për më tepër bëhet fjalë kryesisht gjëra të vogla. Madje Shqipëria nuk hyn as në 10 kombësitë me kriminalitetin dhe arrestimet më të mëdha në Holandë.
Ish ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch ishte nga ata holandezë që u çudit me miratimin e mocionit për rikthimin e vizave. Bosch tha se mediat ia kanë nxirë emrin Shqipërisë të pabazuar në fakte, ose në fakte tërësisht të gabuara.
“Statistikat holandeze tregojnë që krimi nga shqiptarët është vetëm 0.2%. Edhe më pak se 0.2%. Pra, nuk është asgjë me rëndësi. Dhe nuk janë as vetëm krimet e rënda, por të gjitha, edhe të voglat. Nga këto 0.2%, krimet e rënda duhet të jenë edhe më pak. Sigurisht që është problem, por problem shumë i vogël. Po të shohësh kombësitë e para në listë, shqiptarët nuk dalin fare aty. Si mund të thuash që po destabilizojnë vendin, pa u bazuar në asgjë. Nëse je një deputet normal në Holandë, sigurisht që mund të trembesh. I besojnë më shumë gazetës sepse nuk duan të shihen si të dobët kundër krimit. Prandaj njerëzit që nuk ishin dhe aq të bindur për ta votuar, votuan gjithsesi. Por gazeta të tjera, sidomos Telegraf, ka bërë shumë propagandë kundër shqiptarëve, prej kohësh.” – tha Robert Bosch.