Baze: Nga ‘Rrëmbeni armët’, tek thirrjet për konsulta, janë të gjitha thirrje për luftë

Nga Mero Baze

Presidenti ynë ka nisur të hapë llogoret e luftës. Në fillim ka ftuar popullin shqiptar. Në një thirrje të pazakontë në historinë e ndonjë presidenti në botë, presidenti ynë bëri thirrje për rrëmbim armësh dhe ka prodhuar më shumë “meme” humori, se viktima.

Mallkimi më i madh që e ndjek atë vitin e fundit, është pikërisht fakti që nuk e marrin seriozisht, as kur flet për luftë, as kur flet për paqe, as kur dekreton, as kur çdekreton, as kur bën si president që mbron shtetin, as kur bën si Haxhi Qamili.

Thirrja e tij për të rrëmbyer armët, vlen të shënohet vetëm në raportin për shkarkimin e tij në Parlament, jo se nuk mjaftojnë argumentat deri më sot, por si një gjë që duhet dokumentuar.

A duhet ndërruar Kushtetuta për të kufizuar Presidentin?

Por pavarësisht injorimit që i bëjnë shqiptarët thirrjeve të tilla haluçinante, ato krijojnë klimë lufte dhe ndarje në llogore të shoqërisë shqiptare.

Roli kryesor kushtetues i presidentit të një vendi është të jetë faktor uniteti dhe të bashkojë sa më shumë shoqërinë rreth interesit kombëtar dhe paqes sociale, dhe jo të fusë sa më shumë shqiptarë në llogore lufte.

Në këtë aspekt, thirrja e Ilir Metës për luftë, është më e dëmshme për krijimin e një klime ndarje në shoqëri, se sa si një rrezik për formimin e “Çetës së Skraparit” kundër qeverisë kuislinge të Edi Ramës dhe pushtuesve aktualë të Shqipërisë, si SHBA, BE, Gjermani, Itali, Britani e Madhe etj..

Pas jehonës qesharake të thirrjes tragjike për luftë, Meta po ndërmer hapin e dytë, atë të futjes së ish- presidentëve dhe personaliteve të tjerë të shoqërisë në llogore.

E tillë është thirrja në një takim e gjithë ish- presidentëve të Shqipërisë. Në fakt, si rregull “pleqtë e urtë” thirren t’u merret mendje për paqe, jo për luftë.

Këtu nuk kemi as “pleq të urtë” dhe as përpjekje për paqe, por thjeshtë nevojë që Ilir Meta të mos duket vetëm në çmendurinë e tij, por të bëjë pis dhe të tjerët. Eshtë thirrje për t’i futur ish- presidentët e vendit në llogore.

Në fakt, disa prej tyre janë në llogore. Sali Berisha e përfaqëson më shumë se sa vetë Ilir Meta kauzën për luftë civile në vend dhe nuk ka nevojë të thirret si “plak i urtë” në bisedime, pasi është një plak i çmendur që po vdes nga dëshpërimi që s’po i fut dot prapë shqiptarët në luftë.

Ai është ish- presidenti që ka pasur sukses në vëllavrasjen mes shqiptarëve. Ndryshe nga Ilir Meta, ai në vitin 1997, nuk bëri thjesht thirrje “Rrëmbeni armët”, por i mobilizoi shqiptarët në Veri me armë në dorë kundër Jugut. Dhe vrau 3 mijë shqiptarë.

Ai nuk ishte qesharak si Ilir Meta në atë që bëri, por barbar. Dhe s’ka nevojë ta thërrasësh në bisedime për këtë çështje, se është babai i vëllavrasjes në vend.

Për Bujar Nishanin nuk besoj se ka njeri nevojë për mend në këtë vend, por Meta ka nevojë për një karrige të zënë nga një kapter, që është gati çfarë do komandanti.

Të tjerët janë presidentë normalë. Mund të shkojnë ose të refuzojnë, në varësi të integritetit të tyre apo inateve politike, por çfardo shkuarje atje është ikje nga neutraliteti dhe serioziteti që duhet të ketë një ish- president, dhe futja në llogoren e një çmendine

E njëjta gjë janë ftesat e tij për ish-ministra të Drejtësisë apo personalitete të tjera. Ai nuk po i thërret ata nga nevoja për konsesues, por si rekrutë të një lufte personale, e cila me gjithë dëshirën e tij që të kthehet në një luftë vëllavrasëse, nuk po i ndez.

Ashtu si thirrja “Rrëmbeni armët”, edhe ftesat për “ish”-ët apo personalite të tjera, janë thirrje për t’u futur në llogoren e Ilir Metës, ku ai e ndjen veten përditë e më shumë të braktisur, të injoruar dhe të përçmuar. Tani ka filluar ta besojë vërtet makthin e Allendes dhe mendon që kur “përmbaruesit” të shfaqen në oborr, të mos jetë vetëm.

Meta thërret për betim anëtaret që njeh, përjashton Vorpsin

Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji, janë thirrur për betim në presidencë nga Ilir Meta. Tre të zgjedhurat si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, Toska dhe Papajorgji nga Kuvendi dhe Xhaferllari nga Presidenti, janë thirrur të treja që të bëjnë betimin në presidencë të enjten në mbrëmjen.

Në njoftimin zyrtar të Presidentit, e para që thirret për betim është Elsa Toska e votuar nga Kuvendi në datën 11 nëntor. Ajo është thirrur të betohet në orën 19:00 të mbrëmjes. E dyta që duhet të paraqitet për betim, është Marsida Xhaferllari, të cilën Ilir Meta e dekretoi të mërkurën pasdite si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Ajo do të paraqitet në presidencë në orën 19:30.

Ndërsa e treta dhe e fundit për tu betuar para presidentit është Fiona Papajorgji e zgjedhur nga Kuvendi, e cila duhet të paraqitet në presidencë për betim në orën 20:00. Ilir Meta është kujdesur që të treja kandidatet të betohen në orare të ndryshme, duke respektuar “radhën” e përzgjedhjes së tyre.

Ky njoftim i Ilir Metës, erdhi pak orë pasi Arta Vorpsi e shpallur fituese nga KED për vakancën e Presidentit, bëri betimin para një noterje.  Tashmë Ilir Meta e shmang zyrtarisht Arta Vorpsin, kandidaten më të vlerësuar nga  Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Ndërkohë, parlamenti do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme të premten ku pritet të miratohet një projekt-rezolutë në lidhje me vendimin e Ilir Metës për dekretimin e Marsida Xhaferllarit.

Meta “luftë” KED: Diskriminoi Xhaferllarin për ta skualifikuar

Pasi foli për më shumë se një orë në konferencën për mediat mbrëmjen e të mërkurës, Ilir Meta publikoi dokumentin voluminoz, për të argumentuar dekretimin e Xhaferllarit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Meta rendit disa nga detyrat që Marsida Xhaferllari ka mbajtur gjatë karrierës së saj si juriste, duke përmendur poste publike në institucione të ndryshme. Ndër arsyet, Presidenti vlerëson faktin, që sipas tij, Marsida Xhaferllari “gëzon integritet të lartë moral, etik dhe cilësi të larta profesionale të cilat janë kërkesa të domosdoshme dhe në koherencë me besimin që kërkon publiku për të qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Përgjatë karrierës së saj ka reflektuar aftësi vendimmarrëse dhe bashkëpunimi”, shkruan Ilir Meta.

Vlerësimin për  Marsida Xhaferllarin, Ilir Meta kërkon ta përforcojë duke sulmuar Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Sipas Ilir Metës, KED ka vepruar në mënyrë jokorrekte në lidhje me kandidaturën e Marsida Xhaferllarit. Meta supozon se KED ka pasur qëllim për ta skualifikuara nga gara Xhaferllarin, duke e argumentuar këtë me faktin se dy nga anëtarët e KED kanë dhënë 0 pikë për kandidaten.

Nga përmbajtja e dokumentacionit, rezultoi në mënyrë të qartë, se veprimtaria e KED-së, lidhur me ketë kandidaturë, ishte ndjekur në mënyrë jokorrekte dhe në shumë raste edhe me shkelje ligjore që synonin qartazi, diskriminimin e kandidaturës në fjalë, me qëllimin fillestar për ta s’kualifikuar në mënyrë të padrejtë apo edhe atë fundor për ta vlerësuar dhe renditur me po kaq të padrejtë, sa më poshtë në listë, për ta eleminuar nga mundësia e përzgjedhjes. Ka rezultuar se për këtë kandidate, dy anëtare të KED-së, në mënyrë të paarsyeshme, e kanë vlerësuar kandidaten me 0 (zero) pikë. Për asnjë kandidat tjetër nuk ka ndodhur një vlerësim kaq ekstrem”, shkruan Meta.

Madje, sipas Ilir Metës, për shkak të vlerësimit diskriminues të KED-s, kandidatja Marsida Xhaferllari u rendit e katërta në listën fillestare. “Vetëm për arsye të këtij vlerësimi diskriminues nga dy anëtarë të KED-së, kandidatja në fjalë, u rendit e 4-ta në radhë në listën fillestare. Presidenti i Republikës, ka analizuar dokumentacionin edhe në prizmin për të kuptuar shkaqet e vërteta të kësaj sjellje të disa anëtarëve të KED. Ka rezultuar se ndaj kandidates në fjalë është ndjekur një proces i verifikimit të kushteve të kandidimit, i ndryshëm nga kandidatët e tjerë, me nota të forta diskriminimi. Përsëri KED ka vlerësuar përfundimisht se zonja Marsida Xhaferllari i plotësonte kushtet e kandidimit”, thotë Meta.

Por pyetja që ngrihet është nëse Meta ka të drejtën të gjykojë veprimtarinë e KED-s? Në fakt, përgjigja ka ardhur nga Reforma në Drejtësi. Këtë kompetencë e rregullon Kushtetuta, e cila nën Nenin 149/d shprehet: “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kryen verifikimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi shqyrton dhe rendit kandidatët sipas meritës profesionale. Renditja e kandidatëve nuk është e detyrueshme, me përjashtim të rastit kur nuk arrihet të emërohet kandidati”, pra Presidenti jo vetëm që ka paragjykuar një vendim të KED, por indirekt ai kërkon të futet në kompetencat që Kushtetuta ja njeh ekskluzivisht KED. /Realstory.al/

Kushtetuesja, Meta akuzon KED. Por a kishte parashikuar bllokimin?

Një ditë pasi Arta Vorpsi u emërua anëtare e Gjykatës Kushtetuese, vendim i botuar në Fletoren Zyrtare, reagoi Presidenti Ilir Meta. Ai publikoi letrën e plotë dërguar kryetarit të Kuvendit, kryetarit të KED dhe Avokatit të Popullit, në lidhje me pezullimin e procesit të emërimit të anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese, që i përket kreut të shtetit. Së pari, Meta i qëndron argumentit të tij, se pasi ai emëroi Besnik Muçin anëtar të Gjykatës Kushtetuese, ishte radha e Kuvendit për të bërë emërimin e anëtarit tjetër.

“Neni 179 pika 2 e Kushtetutës, përcakton: “Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.”, shprehet Meta. Më pas, ai gjen alibi duke sulmuar Këshillin e Emërimeve në Drejtësi se ka shkelur procedurën. Sipas Metës, KED dërgoi listat në Kuvend më vonë se sa duhej.

“Në aktet e dërguara pranë Institucionit të Presidentit të Republikës nuk paraqitet asnjë e dhënë që të shpjegojë arsyet e dërgimit të të dy listave njëherazi apo shkaqet e vonesës së dërgimit të dy listave njëherazi me një javë diferencë pranë Kuvendit. Ky veprim administrativ i KED-së nuk respekton as kohën e përpilimit të listave (listat janë miratuar brenda të njëjtës ditë), as radhën e miratimit të tyre (lista e parë e miratuar është e Presidentit, lista e dytë është e Kuvendit, lista e tretë është e Presidentit, dhe lista e katërt është e Kuvendit) dhe as rendin kronologjik të detyrueshëm, që ka caktuar Kushtetuta dhe ligji, për plotësimin e vendeve vakante”, shprehet Meta. Megjithatë, këto nuk janë argumentet e vetme të Ilir Metës.

Duket se “djalli fshihet në detaje” sa i përket bllokimit të Gjykatës Kushtetuese. Së pari lidhet me procedurën, atë që Ilir Meta e citon duke e theksuar: “Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji”. Pra, nisur nga ky pohim, edhe nëse do të ishte ndjekur radha e përcaktuar për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese sipas kronologjisë President, Kuvend, Gjykatë e Lartë, në hallkën e fundit mund të krijohej përsëri ngërç.

Kjo për faktin se Gjykata e Lartë ende nuk është funksionale, dhe në mos funksionim të saj, bie mundësia që të zbatohet radha kronologjike e plotësimit të vakancave në kushtetuese. Kështu, ndoshta në funksion të këtij fakti, KED vendosi që Arta Vorpsi të emërohet anëtare e dytë e Gjykatës Kushtetuese sipas vakancës së Presidentit të Republikës duke vepruar sipas sanksionit kushtetues: se nëse presidenti nuk përzgjedh një nga tre kandidatët në listë, i pari me më shumë pikë emërohet automatikisht. Por, duke u nisur nga veprimi i Presidentit, gjasat janë që edhe nëse ai do të kishte zgjedhur anëtarin e dytë të kushtetueses në këtë raund, mund të kishte bllokuar përsëri procesin pasi të kishte votuar dhe Kuvendi anëtarët e tij. Justifikimi do të ishte se Gjykata e Lartë nuk është funksionale dhe s`mund të zgjedhë kandidatët e saj. 

Një tjetër detaj për të tentuar bllokimin e Gjykatës Kushtetuese lidhet me një tjetër argument të Presidentit. Meta kapet me një tjetër detaj, me faktin se, qoftë në listat që KED i ka dërguar presidentit qoftë në ato që i ka dërguar Kuvendit, gjenden pothuajse të njëjtët emra. Kështu, duke përjashtuar listën e parë, pra atë nga tashmë është zgjedhur Besnik Muçi, në tre listat e tjera, ajo dërguar presidentit, dhe dy Kuvendit, janë në garë pothuajse të njëjtët emra. Kështu, në listën e datës 21 shtator që KED i dërgoi Kuvendit renditen tre emra: Arta Vorpsi, Elsa Toska dhe Besnik Muçi.

Praktikisht, kjo listë mund të cilësohet e djegur tashmë, pasi Arta Vorpsi u emërua një ditë më parë, ndërsa Besnik Muçi u dekretuar disa javë më parë nga Meta. Kështu, dy kandidatët që gjendeshin në të dyja listat, si në atë të Kuvendit dhe atë Presidentit, tashmë quhen të emëruar. Tani pritet të mësohet nëse Kuvendi do të veprojë duke përzgjedhur Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin, dy kandidatet e vetme të mbetura në dy listat për dy vakancat e kushtetueses që do të plotësohen nga Kuvendi?

Pavarësisht këtij fakti, Meta edhe në këtë pikë, me këtë argument duket se fsheh diçka tjetër. Më shumë sesa procedura e përzgjedhjes, interesi ka qenë për të mësuar lëvizjen e radhës të Kuvendit për emrin që do të zgjidhte. Fakti është se katër listat e kandidatëve kanë pothuajse të njëjtët emra. Kur Ilir Meta zgjodhi Besnik Muçin, që ishte i renditur i fundit në listën e pikëzimit, ai anashkaloi Arta Vorpsin, e cila qëndron e para në të katër listat e pikëzimit. Edhe pse zakonisht rekomandohet që kandidati i renditur më lartë me pikë zgjidhet i pari, Meta bëri krejt të kundërtën.

Ndoshta në këtë pikë mund të ketë dhe një tjetër shpjegim bllokimi i kushtetueses nga Meta. Emri i Arta Vorpsit ishte përsëri në krye të listës që Presidenti duhet të përzgjidhte anëtarin e dytë të kushtetueses. Nëse në rastin e listës së parë ndodhej një kandidat mashkull, siç ishte Besnik Muçi, në listën e dytë nuk ishte asnjë i tillë. Ndaj Meta refuzoi përsëri një kandidate që vlerësohet më lartë se gjithë kandidatët e tjerë, e cila tashmë është zyrtarisht në detyrë, pasi ligjvënësit kanë krijuar “çelësin zhbllokues” të ngërçit duke emëruar automatikisht më të mirin e listës.

Ndërkohë, për të gjithë ngërçin e krijuar Meta bën fajtore KED, pasi sipas tij, nëse listat e kandidatëve do të ishin miratuar sipas radhës së shpallur për vakancat, do të ishte shmangur përplasja. “Në zbatim të nenit 179 pika 2 të Kushtetutës, neneve 7 pika 2, dhe 86 pika 4 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, domosdoshmërish, në fazën përfundimtare të miratimit dhe dërgimit të listave përfundimtare, duhet të respektonte kërkesat e mësipërme të Kushtetutës dhe ligjit. Duke i miratuar dhe përcjellë listat tek secili organ emërtese sipas kësaj radhe dhe të diferencuara në kohë KED-ja do të shmangte situatën paradoksale procedurale të krijuar”.

“KED-ja me përcjelljen e njëkohshme të listave të kandidatëve për plotësimin e të dy vakancave që i përkasin Presidentit të Republikës, e ka vendosur Institucionin e Presidentit të Republikës në vështirësi, duke u përpjekur të krijojë një gjendje fakti ku Presidenti sipas KED-së do të duhet të shprehet brenda afatit ligjor 30-ditor edhe për emërimin e gjyqtarit tjetër për plotësimin e vakancës tjetër, eventualisht përpara se Kuvendi të shprehet për emërimin e gjyqtarit të dytë kushtetues. Nëse Presidenti i Republikës, do të ndjekë këtë logjikë siç ka vepruar administrativisht Kryetari i KED-së, kjo do të çonte domosdoshmërish në shkelje të parashikimeve të dispozitave të Kushtetutës  dhe të ligjit nr.8577/2000, për sa i takon respektimit të radhës së emërimit apo zgjedhjes së gjyqtarëve të rinj kushtetues”, shkruan ndër të tjera Meta. /Realstory.al/

Meta rihap garën për Kushtetuesen. 6 kandidatë i dërgohen KED

Pas dekretimit të Besnik Muçit si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, Presidenti Ilir Meta rihapi garën për “Vakancën e parakohshme” e krijuar nga përfundimi para kohe i mandatit, të ish-gjyqtari Besnik Imeraj. Në këto kushte, Ilir Meta rihap garën për plotësimin e një tjetër vendi vakant në Gjykatën Kushtetuese për një nga 3 vende që plotësohen nga propozimet e kreut të shtetit. Pas përfundimit të afatit të rishpalljes për aplikim për këtë vend vakant, sipas merave të publikuar nga Presidenti Ilir Meta, kanë shfaqur  interes 6 kandidatë.

Ata janë: Dedë Kasneci, Envi Hicka, Prelë Martini, Shaqir Hasanaj, Vasil Bendo dhe Vjosa Bodo Mujo. “Lista e aplikantëve të mësipërm, së bashku me dokumentacionin e dorëzuar prej tyre do t’i përcillet menjëherë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi me qëllim që ky organ të revokojë/shfuqizojë Vendimin nr.137, datë 21.09.2019 të pezullimit të procedurës së verifikimit, si dhe vijimin e procesit për verifikimin dhe vlerësimin e të gjitha kandidaturave për plotësimin e këtij vendi vakant, sipas ligjit”, shkruhet në njoftimin e Presidentit.

Ndërkohë, në mbledhjen e datës 21 shtator të këtij viti, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi pezullimin e procedurës së verifikimit të kandidaturave për “Vakancën e parakohshme” pas përfundimit të mandatit ish-gjyqtarit Besnik Imeraj. Shkak i pezullimit të procedurës së verifikimit të kandidatëve u bë skualifikimi nga gara i kandidates Zhaklina Peto, ndërsa në konkurrim mbetën vetëm dy kandidtë, nga tre që ishte minimumi i lejuar për garën.

Ndërkohë, sipas ligjit, pesë ditë nga publikimi i listës së kandidatëve të Presidentit, KED thërret mbledhjen për të shqyrtuar plotësimin e kushteve nga kandidatët. Më pas, 10 ditë pasi është zhvilluar mbledhja e parë, KED bën renditjen e kandidatëve në bazë të pikëve që ata kanë marrë.

Më pas lista i dërgohet Presidentit të Republikës, i cili brenda 30 ditëve duhet të zgjedhë një kandidat për plotësimin e vakancës së krijuar për shkak të përfundimit para kohe të mandatit të ish-gjyqtarit Besnik Imeraj.  Nëse Presidenti nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë konsiderohet i emëruar./Realstory.al/

Meta sulmon deputetin e opozitës: Lolo, hëngre plënca me Komisionin e Venecias

Presidenti Ilir Meta sulmoi ashpër deputetin e opozitës në Kuvend, Halit Valteri. Nëpërmjet zëdhënësit Tedi Blushi, Ilir Meta e cilëson “lolo” deputetin Valteri, që sipas Presidentit, “deputeti flet për Draftin e Komisionit të Venecias, pasi hëngri plënca me ta në Tiranë”. “Për lolon e opozitës së re, i cili mashtroi sot qëllimisht për Draft Opinionin e Komisionit të Venecias, ndoshta ngaqë hëngri plënca me ta në Tiranë (siç mund të provohet edhe me foto): I bëj thirrje Rilindjes t’i lidhë këta pupacë të opozitës së re, si puna e këtij lolos, që i duket vetja se është deputet. Në fakt është thjesht një numër dyshifror në fundin e fundit të listës për deputet. Një rrogëtar i paligjshëm i Rilindjes që ushqehet me përshesh për të provokuar figurën e Presidentit”, shkruan Meta.

Në fakt, deputeti Valteri është pjesë e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit, ngritur nga Kuvendi. Ai njihet si një nga zërat më të ashpër kundër Presidentit, duke u përplasur me të edhe ditën që Meta raportoi në Komisionin Hetimor. Megjithatë, Presidenti i drejton disa pyetje Halit Valterit, duke i kërkuar që të sqarojë të shkuarën e tij.

“I kujtoj këtij pupaci të Rilindjes, që para se të marrë guximin të flasë për Presidentin e Republikës të sqarojë të kaluarën e vet në raport me ligjin dhe t’u thotë shqiptarëve: Nëse ka qenë apo jo në survejim nga shërbimet e sigurisë? Për çfarë veprash të rënda është dyshuar dhe për cilën arsye është ndjekur nga shërbimet për një kohë të gjatë? Larg qoftë pupac këto raporte publikohen një ditë!! Ndaj lidh gojën se nuk e dimë a ta ble dot Rilindja edhe të kaluarën! Megjithatë, i kujtoj këtij pupaci që flet në emër të Komisionit të Venecias, ndoshta ngaqë hëngri plënca me ta në Tiranë, siç vërtetohet dhe me foto, se vlera e votës së tij të paligjshme është ZERO ME XHUFKË! Presidenti i Republikës është i vendosur për të mbrojtur Kushtetutën e vitit 1998 dhe nuk ka pupac, që mund t’a ndalojë!”, shprehet Presidenti.

Më tej, Ilir Meta shprehet se fjala “tejkalim” nuk ekziston në Kushtëtutë, duke u kujtuar deputetëve të opozitës, që sipas Presidentit, janë të “pa ligjshëm”. “Për të disatën herë, u sqaroj pupacëve dhe gjithë të tjerëve, se fjala tejkalim nuk ekziston në Kushtetutë, por vetëm në planet e votimeve moniste të Rilindjes, të mbështetura çuditërisht dhe nga opozita e re. Vlera e votës së çdo pupaci të Rilindjes që përfaqëson fundin e fundit të listave të gjithë partive opozitare, pas dorëheqjes së 182 deputetëve dhe kandidatëve të partive opozitare është vetëm një ZERO ME XHUFKË . Nuk është Presidenti që ka probleme me Kushtetutën por është Kuvendi në gjendje të rëndë antikushtetuese. Ndaj mazhoranca të reflektojë, t’i shërbejë zgjidhjes së krizës së rëndë që tani, t’i falenderojë pupacët e t’u thotë që shërbimet e tyre nuk vlejnë më! Tani është koha për të përmbushur kushtet e Bundestagut dhe për të ecur sa më pranë Maqedonisë Veriore”, përfundon Meta.

Ngjela: Ilir Meta si Enver Hoxha. Po gjen armiq të jashtëm

Avokati dhe analisti Spartak Ngjela, shkruan se “shkarkimi i Ilir Metës”, është “fillimi i procesit goditës anti-korrupsion në Shqipëri”. Duke komentuar fondet që BE do t`i japë Shqipërisë (42 milionë euro për Reformën në Drejtësi), Ngjela shprehet se amerikanët duan arrestimin e të korruptuarve të mëdhenj.  “Në të njëjtën kohë politika amerikane po kërkon me ngulm fillimin e reformës dhe arrestimin e të korruptuarve të mëdhenj. Të korruptuarit janë trembur dhe janë të bashkuar kundër reformës. Presidenti i korruptuar shqiptar po shkon drejt shkarkimit, dhe sigurisht që, nga ndërkombëtarët, shkarkimi i Ilir Metës konceptohet si fillimi i procesit goditës antikorrupsion në Shqipëri, kurse, vetë Meta deklaron se “ndërkombëtarët duan të shkatërrojnë Shqipërinë”. Po cilët janë këta ndërkombëtarë? Amerikanët dhe gjermanët janë, por Meta ka frikë t’i përmendë”, shkruan Ngjela.

Më tej, Ngjela shprehet se gjithçka që bëjnë amerikanët dhe gjermanët, është kundër korrupsionit të lartë shtetëror. “Por shqiptarët pyesin: amerikanët dhe gjermanët duan të shkatërrojnë Shqipërinë, apo duan të shkatërrojnë korrupsionin shtetëror shqiptar? Në fakt, tani, të gjithë e dinë se gjithçka është ngritur kundër korrupsionit të lartë shtetëror. Ja kjo është çështja. Por këtu na duhet të shtjellojmë edhe faktin se përse Meta shkatërrimin e korrupsionit shtetëror shqiptar e quan si shkatërrim të Shqipërisë? Në fakt, kështu ka ndodhur me të gjithë abuzuesit e shtetit shqiptar, kur këta janë ndodhur përballë ndëshkimit për abuzim me pushtetin. Të gjithë bëjnë sikur “merakosen” për fatin e Shqipërisë”, shkruan Ngjela.

Ngjela bën një paralelizëm të Ilir Metës dhe Enver Hoxhës, në lidhje me atë që ai e quan “merakosje” për fatin e Shqipërisë. “Pse, a nuk i u tha Enver Hoxha shqiptarëve se Hrushovi kërkon të shkatërrojë Shqipërinë, kur ky i tha Hoxhës se ” ti Enver Hoxha duhet të largohesh nga pushteti se ke bërë krime të karakterit stalinian”? Po pse, a nuk na tha Ramiz Alia në vitin 1990 se “amerikanët po duan të marrin pushtetin për të shpërbërë Shqipërinë”? Dhe, në fund: A nuk e kanë dërmuar tërësisht Shqipërinë këta vjedhës abuzues që tani, me lotë krokodili, po qajnë për varfërinë e shqiptarëve, autorë të së cilës janë pikërisht këta të korruptuar të lartë që kanë 30 vjet që abuzojnë me pushtetin politik në Shqipëri? E pra, kjo është esenca e kohës sonë në pragun e goditjes penale kundër korrupsionit të lartë, që realisht është abuzues barbar me pushtetin shtetëror në Shqipëri”, shkruan Ngjela.

Meta sulmon “Venecian”. Letër me akuza Presidentit Buquicchio

Ilir Meta publikoi të premten në mesditë letrën drejtuar Prsidentit të Komisionit të Venecias Gianni Buquicchio, ku mban qëndrimin e tij në lidhje me rezultatet paraprake të Draft-Opinionit të kërkuar nga Kuvendi në lidhje me hetimet ndaj Presidentit për shkeljen e Kushtetutës. Meta, duke shprehur pakënaqësi me raportin e Komisionit të Venecias, pasi e quan “kontradiktor”, shprehet se “paraqitja e fakteve dhe rrethanave është e paplotë”.

“Projekt-opinioni është shpeshherë kontradiktor, me vlerësime diametralisht të kundërta për të njëjtën çështje. Krijohet përshtypja se ekspertët e Komisionit të Venecias janë udhëhequr apriori nga disa ide fikse duke bërë që faktet dhe analiza të mos kenë përputhje racionale me konkluzionet e projekt-opinionit; Paraqitja e fakteve dhe rrethanave në projekt-opinion është e pabalancuar dhe e paplotë”, shkruan Meta.

Më tej, Meta i tregon kreut të këtij Komisioni, se si duhet të vepronin ekspertët e “Venecias”. Sipas Ilir Metës, ata duhet të ndërtonin një “opinion teorik” duke iu referuar vetëm bazës ligjore, ose një “opinion në themel”, duke u futur plotësisht në brendësi të çështjes. Ndaj, Presidenti arrin në konkluzionin, se “shmangia e një procesi të plotë”, sjell “vlerësim të gabuar”. “Shmangia dhe pamundësia e një procesi të plotë faktmbledhës që dëshmojnë përmasën e thellë dhe të gjerë të krizës politike në Shqipëri sjell vlerësim të gabuar edhe të situatës juridike”, shkruan Meta.

Më tej, Meta  rëndon akuzat ndaj Komisionit të Venecias, duke përdorur të njëjtën shprehje që “Venecia” përdori për Metën, “tejkalim kompetencash”. “Projekt-opinioni nxjerr disa konkluzione që tejkalojnë mandatin e Komisionit të Venecias si organ këshillimor, dhe për të cilat nuk është pyetur nga Kuvendi i Shqipërisë. Vlerësimi i shkallës së rrezikut në Shqipëri duke u kufizuar në ballafaqimin e cunguar të deklaratave të autoriteteve publike është joprofesional dhe janë jashtë objektit të punës së ekspertëve të Komisionit të Venecias. Gjithashtu ekspertët në disa raste kanë tejkaluar kompetencat e tyre këshillimore, duke i veshur vetes atributet e gjykatësit”, shkruan Meta.

Sipas Ilir Metës, Komisioni i Venecias ndërhyri në kompetencat e OSBE/ODIHR për zgjedhjet, duke cituar pjesë nga raporti i tyre. Meta ngre shumë pyetje drejtuar Komisionit të Venecias në lidhje me vendimmarrjen për përgatitjen e draft-opinionit të kërkuar nga Kuvendi. Presidenti fajëson direkt Komisionin e Venecias, se “ky draft-opinion rindezi polarizimin politik në vend, kur palët rivendosën urë dialogu”.

Pra, sipas Presidentit, publikimi i draft-opinionit të Venecias, largoi palët nga dialogu dhe i riktheu ato në pozicione fillestare. Pak ditë më parë, Komisioni i Venecias publikoi gjetjet paraprake të draft-opinionit, duke u shprehur se “Ilir Meta tejkaloi kompetencat kushtetuese” për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Një tjetër gjetje, ishte ajo se “nuk kishte asnjë problem mbajtja e zgjedhjeve pa partitë e opoziës”, duke legjitimuar në një mënyrë 30 qershorin. Gjithashtu, Venecia u shpreh se “ndonëse janë tejkaluar kompetecant e kushtetuese nga Ilir Meta, është Kuvendi që vendos për të shkarkimin e tij së bashku me Gjykatën Kushtetutese”. /Realstory.al/

Tit Vasili: Meta “engjëll”, Venecia “djall”

Petrit Vasili i quan “fitore” shkeljet që Ilir Meta i bëri Kushtetutës. Në një shkrim në Facebook, nënkryetari i LSI del në mbrojtje të ish-shefit të tij në parti, dhe sulmon Komisionin e Venecias (që vetë Meta para raportit e vlerësonte maksimalisht). Gjuha e përdorur nga Vasili është e rëndë. Ai i quan “trakte” përfundimet e Venecias, ndërsa juristët e këtij Komisioni (të cilëve u kërkon mendim çdo shtet i botës), për Tit Vasilin s`janë gjë tjetër veç se një “trupë policiore”.

“Në kontrast me këtë realitet shumë të qartë e të faktuar shfaqen qesharake edhe përpjekjet e ndonjë trakti Venecian që mori atributet e një trupe policore dhe që u përpoq mjerueshëm t`i krijonte alibi politikës kriminale të Edi Ramës, duke dalë hapur kundër Sigurisë Publike të Shqipërisë dhe shndërrimit të saj në një shesh civil lufte me pasoja shkatërrimtare”. Pra, në këtë kontekst, ashtu si Ilir Meta i mbetur pa mbështje ndërkombëtare, i sulmoi partnerët e huaj, edhe Vasili, (që SHBA s`i jep vizë), sulmon Komisionin e Venecias, por dhe këtë herë e bëri sipas rastit.

Pasi, në 5 dhjetor të një viti më parë, Petrit Vasili, “vlerësonte” këtë Komision, kur publikonte raportin për Vettingun e politikanëve. “Komisioni i Venecias konfirmon Vetingun e politikaneve dhe krimin qe ka pushtuar shtetin. Komisioni i Venecias konfirmon qartë e zeza mbi të bardhë që krimi ka pushtuar shtetin dhe ka bërë që qytetarët të humbasin besimin te institucionet dhe nevoja për veting të politikës është plotësisht legjitime”, shkruante Vasili gati një vit më parë, duke vlerësuar punën e Komisionit të Venecias.

Në fakt, gjuha e përdorur ndaj Komisionit të Venecias nga  Petrit Vasili, duket si ajo e Presidentit Ilir Meta ndaj ndërkombëtarëve. Por, në këtë rast, Meta është rezervuar për të “replikuar” me Venecian, pasi vetëm pak javë më parë, në 55 faqe raport për “mbrojtjen” e tij, Meta e vlerësonte këtë Komision me superlativa. Madje, kreu i shtetit e citoi vazhdimisht “Venecian” për rekomandimet që institucioni i njohur konstitucionalit ndërkombëtar, dha për hartimin e Reformës në Drejtësi. Por, pas publikimit të raportit, Meta duket se e ka të vështirë të sulmojë drejtpërdrejt këtë komision, ndaj me “penën” e Vasilit, veten e shpall “ëngjëll” e Venecian “djall”. /Realstory.al./

Ngjela: Pas shkarkimit, vjen dënimi i Metës

Avokat Spartak Ngjela beson se pas shkarkimit të Presidentit, do të vijë dhe dënimi ndaj Ilir Metës. Në një koment në rrjetet sociale, Ngjela shkruan se “shkarkimi i Presidentit” është rasti i parë në historinë e Shqipërisë, ndërsa sipas tij, mund të vijë dhe dënimi penal nga Gjykata Kushtetuese.

“Sot Shqipëria hyri në pragun e një epoke të re. Komisioni i Venecias dërgoi dje vendimin paraprak me gjykimin e shkeljes së kushtetutës nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Shqiptarët panë në këtë rast se historia e tyre po hyn në rrjedhën e ligjit dhe të ndëshkimit të figurave politike. Është shkarkimi i Presidentit të Republikës. Rasti i parë në historinë e Shqipërisë. Por mund të vijë edhe dënimi penal i këtij Presidenti nga Gjykata Kushtetuese”, shkruan Ngjela.

Më tej, Avokat Spartak Ngjela e cilëson “si rast historik”, raportin e Komisionit të Venecias: “Duhet të theksohet se, për shqiptarët, në 100 vjet, ky është rasti i parë historik i penalizimit të një presidenti në detyrë, i cili pati cilësim dhe analizë juridike nga një institucion juridik prestigjoz ndërkombëtar. Pikërisht për këtë fakt, na duhet të pranojmë se, në këto çaste historike, vetë historia e shtetit shqiptar hyri në pragun e një epoke të re: në kohën e ndëshkimit të keqbërësve të shtetit shqiptar dhe të vetë shqiptarëve”.

Ndërsa, në fund, Ngjela shprehet se tashmë ka nisur “çlirimi i shqiptarëve”. “Ky prag do të quhet: kalimi, nga ndëshkimi i Gjykatës së re Kushtetuese kundër Presidentit të Republikës, Ilir Meta, në hetimin dhe në akuzat që do të fillojnë të ngrihen kundër korrupsionit të lartë politik dhe të krimit të organizuar në Shqipëri. Sot duhet të themi që çlirimi i shqiptarëve ka filluar si proces që do të vijojë”, përfundon Ngjela.

Skip to toolbar