Meta rihap garën për Kushtetuesen. 6 kandidatë i dërgohen KED

#NËRADAR


Pas dekretimit të Besnik Muçit si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, Presidenti Ilir Meta rihapi garën për “Vakancën e parakohshme” e krijuar nga përfundimi para kohe i mandatit, të ish-gjyqtari Besnik Imeraj. Në këto kushte, Ilir Meta rihap garën për plotësimin e një tjetër vendi vakant në Gjykatën Kushtetuese për një nga 3 vende që plotësohen nga propozimet e kreut të shtetit. Pas përfundimit të afatit të rishpalljes për aplikim për këtë vend vakant, sipas merave të publikuar nga Presidenti Ilir Meta, kanë shfaqur  interes 6 kandidatë.

Ata janë: Dedë Kasneci, Envi Hicka, Prelë Martini, Shaqir Hasanaj, Vasil Bendo dhe Vjosa Bodo Mujo. “Lista e aplikantëve të mësipërm, së bashku me dokumentacionin e dorëzuar prej tyre do t’i përcillet menjëherë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi me qëllim që ky organ të revokojë/shfuqizojë Vendimin nr.137, datë 21.09.2019 të pezullimit të procedurës së verifikimit, si dhe vijimin e procesit për verifikimin dhe vlerësimin e të gjitha kandidaturave për plotësimin e këtij vendi vakant, sipas ligjit”, shkruhet në njoftimin e Presidentit.


Ndërkohë, në mbledhjen e datës 21 shtator të këtij viti, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi pezullimin e procedurës së verifikimit të kandidaturave për “Vakancën e parakohshme” pas përfundimit të mandatit ish-gjyqtarit Besnik Imeraj. Shkak i pezullimit të procedurës së verifikimit të kandidatëve u bë skualifikimi nga gara i kandidates Zhaklina Peto, ndërsa në konkurrim mbetën vetëm dy kandidtë, nga tre që ishte minimumi i lejuar për garën.

Ndërkohë, sipas ligjit, pesë ditë nga publikimi i listës së kandidatëve të Presidentit, KED thërret mbledhjen për të shqyrtuar plotësimin e kushteve nga kandidatët. Më pas, 10 ditë pasi është zhvilluar mbledhja e parë, KED bën renditjen e kandidatëve në bazë të pikëve që ata kanë marrë.

Më pas lista i dërgohet Presidentit të Republikës, i cili brenda 30 ditëve duhet të zgjedhë një kandidat për plotësimin e vakancës së krijuar për shkak të përfundimit para kohe të mandatit të ish-gjyqtarit Besnik Imeraj.  Nëse Presidenti nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë konsiderohet i emëruar./Realstory.al/




Skip to toolbar