Nuk është vetem Franca, por edhe Danimarka e Holanda. Takimi i Ministrave të Jashtëm të 28 vendeve anëtare të BE, përfundoi pa një marrëveshje për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në konferencën për shtyp, mbajtur pas takimit, Ministrja e Jashtme e Finlandës Tytti Tuppurainen, që drejtoi mbledhjen në Luksemburg, u shpreh se pati diskutime pozitive, por nuk u arrit një marrëveshje. Sipas saj, shumica e vendeve anëtare janë “pro” hapjes së negociatave me dy vendet e Ballkanit Perëndimor. Por tre vendet e mesiperme jo. Dy lëkunden akoma. Franca gjithnjë e më pak.
“Shumica e vendeve anëtare të Europës janë “pro”
hapjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Bëmë më të mirën
e mundshme për të arritur një marrëveshje. U përpoqëm të gjenim një mundësi,
por nuk arritëm dot një marrëveshje. Nëse këshilli merr vendim pozitiv për të
hapur negociatat, nuk do të thotë se ato do të hapen menjëherë”, tha
Tuppurainen.
Megjithatë, ajo konfirmoi se optimizmi për
hapjen e negociatave është i lartë, ndërsa shprehu qëndrimin se BE duhet t`i përmbahet
detyrimeve. “Jam optimiste që vendimi do të jetë pozitiv për të dy vendet.
Shumica dërrmuese e vendeve ishin pro hapjes së negociatave. Tani është koha që
ne t’i përmbahemi detyrimeve tona”, tha ministrja e Finlandës.
Ndërkohë, Komisioneri për Zgjerim, Johanes
Hahn, u shpreh se 25 vende anëtare janë pro hapjes së negociatave. “Shpresoj të
bindim vendet skeptike. 25 vende janë në favor të hapjes së negociatave të
Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE. Ajo që na duhet është një sinjal
pozitiv për të përgatitur hapjen e negociatave. Tani na duhet një sinjal
politik, vendet e kanë bërë punën e tyre. Të gjithë vendet anëtare kanë rënë
dakord me rregullat tona, në mënyrë unanime, për të vendosur një listë me kushte
që duhen përmbushur”.
Ai u shpreh se Shqipëria dhe Maqedonia e
Veriut i kanë përmbushur kushtet, ndërsa shtoi se gjatë vendimit final, disa
vende mund të shfaqin dhe kërkesa politike, që nuk janë pjesë e vlerësimit
teknik. “Ndonjëherë i shikojmë gjërat nga ana teknike. Sipas vlerësimit tonë
ata i përmbushën. Sigurisht, vlerësimi final nga vendet e anëtare përfshinë dhe
element politik, që nuk janë pjesë të këtij vlerësimi teknik. Situata politike
në Shqipëri nuk ishte e kënaqshme për të gjithë. Kam ende besim se liderët e
BE-së se do të reflektojnë për këtë vendim. Nëse vendimi do të jetë negativ për
momentin, unë dua t`i nxisë të gjithë që të mos dorëzohen”, tha ndër të tjera
Hahn.
Tashmë, vendimi përfundimtar për negociatat
mbetet në dorën e liderëve të 28 vendeve anëtare të BE-së, të cilët do të
takohen në datat 17 dhe 18 tetor. Franca është vendi që është shprehur kundër
negociatave, ndërsa Hollanda dhe Danimarka janë të lëkundura në qëndrimin e
tyre. Gjithësesi, Komisioneri në largim Johanes Hahn, u bëri thirrje këtyre
vendeve që të reflektojnë dhe të vlerësojnë reformat që janë ndërmarrë. /Realstory.al/