“Juli i Pashakos” mohon lidhjet me atentatin: Kam qenë në Turqi

Julian Sulo, i njohur si “Juli i Pashakos”, reagoi në lidhje me shpalljen në kërkim nga policia dhe kontrollet blic të kryera në banesën e tij. Policia është në kërkim të tij pasi dyshohet se është një nga autorët e atentatit ndaj prokurorit Ndoja, pasi gjurmë të tij u gjetën brenda mjetit të braktisur nga autorët. Në një lidhje të drejtpërdrejtë telefonike për Abc News, Julian Sulo tha se nuk ka lidhje me ngjarjen.

“Nuk e di se sot erdha kam qenë vizitë në Turqi se jam keq nga mushkëritë, flas me avokatin i thashë pse më kërkojnë dhe foli avokati me shefin e komisariatit dhe drejtorin dhe ata i thanë nga ne nuk ka gjë. I pyeti pse i keni vajtur kontroll”, – u shpreh Sulo.

I pyetur nëse kishte njohje me Redjan Rrajën, të arrestuarin e vetëm mbi ngjarjen, Sula e ka mohuar një gjë të tillë.

“Nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen, nuk i njoh ata persona. Në momentin që ka ndodhur ngjarja unë kam qenë në Turqi. Nuk e njoh Redjan Rrajën. Nuk e njoh prokurorin Ndoj. Hera e parë që e dëgjoj. Jo fare, as Pëllumb Muharremin”, – është shprehur ai, teksa deklaron se të nesërmen do të shkojë në polici për sqarimin e situatës.

“Unë do të shkojë në polici që nesër në mëngjes. Jam i gatshëm të paraqitem se po dëgjoj lloj-lloj gjërash.”- tha Sulo

“Juli i Pashakos”, i dyshuar për atentatin ndaj Ndojës. Si i shpëtoi policisë para 1 muaji

Policia ka identifikuar një të dyshuar tjetër në lidhje me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja. Ai është Julian Sulo i njohur si “Juli i Pashakos”. Gjurmët e tij u gjetën në makinën e braktisur nga autorët në një fshat të Ishmit gjë që ka bërë që policia ta shpallë në kërkim. Prej mbrëmjes së 7 nëntorit, policia është vënë në kërkim të “Julit të Pashakos”, ku u zhvilluan operacione blic ku më shumë se 500 forca të FNSH dhe RENEA rrethuan Niklën, Lushnjen, Peqinin dhe zonën e kënetës në Durrës, ku u kontrollua edhe një banesë që dyshohet se përdorej si bazë nga personat me rekorde kriminale.

Sipas Abcnews Julian Sulo i shpëtoi policisë një muaj më parë, ku ishte duke përgatitur një tjetër atentat të bujshëm në një qytet të vendit. Ai nuk vijoi me planin e tij pasi kuptoi se policia ishte vënë në ndjekje të tij duke u zhdukur në mënyrë të papritur.

Policia ka arrestuar për atentatin ndaj prokurorit Ndoja, vetëm Redjan Rrajën, i cili dyshohet si një nga autorët, pasi gjurmët e tij janë gjetur në makinën e braktisur. Më 1 nëntor te mbikalimi i Shkozetit, u bë një atentat mafioz ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoja, i cili u plagos. Nga atentati mbetën të plagosur edhe personat që udhëtonin me të, Pëllumb Muharremi i njohur si “Rrumi” dhe shoferi i tij Andi Maloku, i cili humbi jetën, 6 ditë pas atentatit si pasojë e plagëve të rënda.

Kush është “Juli i Pashakos”?

Julian Sulo, i cili njihet ndryshe si “Juli i Pashakos” është një emër i njohur për policinë e shtetit. “Juli i Pashakos” nga të gjithë njihet si një nga kundërshtarët e betuar të Aldo Bares, pjesëtarit të bandës së Lushnjes.

Ai është arrestuar dhe më parë si i përfshirë në atentatin ndaj nipit të Aldo Bares, por nuk u gjet asnjë provë dhe më pas ai u la i lirë. Sulo ishte ndër të dyshuarit për atentatin ndaj Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit, miq të nipit të Aldo Bares, por ai para hetuesve deklaroi se nuk kishte asnjë lidhje me këtë krim. Ndërsa më parë ndaj Sulos është bërë dhe një tentativë për ta vrarë duke pësuar dëmtime të shumta, por autorët e këtij krimi nuk u zbardhën kurrë.

Skip to toolbar