Veseli “mahnitet” nga lojtarët e rinj

Në prag të ndeshjes me Turqinë, mbrojtësi Frederic Veseli kërkon fitore, pasi sipas tij është një mundësi për të bërë një hap para. Në konferencën për shtyp të së mërkurës, mbrojtësi që aktivizohet me Empolin, beson se kombëtarja mund të përsërisë të njëjtën ndeshje si në Antalia, kur e mundi Turqinë me rezultatin 3-2.  

“Besoj se kemi lojtarë që përshtaten me skemën me 3 por mund të kalojmë edhe me 4 pa problem. Është diçka që varet nga kundërshtari dhe nuk është fiks. Mund të kalojmë edhe me 4 apo 5 mbrojtës. Ka shumë rëndësi kjo ndeshje sepse e dimë që ka mundësi të bëjmë një hap shumë para nëse fitojmë. Synojmë fitoren dhe pse jo të vazhdojmë në këtë edicion dhe të bëjmë diçka pozitive. Besoj e shpresoj të mundim Turqinë si në miqësoren në Antalia”, tha mbrojtësi.

Më tej, Frederic Veseli u shpreh se skuadra nuk duhet të ketë presion. Sipas tij, lojtarët e rinj të grumbulluar nga Edy Reja, janë me kualitet dhe do të shtojnë konkurrencën në skuadër.  “Nuk duhet të kemi presion por të bëjmë lojën tonë pasi kemi mundësi të fitojmë. Sigurisht që do të na ndihmojnë pasi kanë ardhur lojtarë me shumë kualitet dhe i kemi parë në stërvitje dhe kur kanë luajtur. Janë një shenjë me perspektivë për të ardhmen dhe kur ka lojtarë të rinj shtohet konkurrenca dhe kjo është pozitive për skuadrën. Konkurrenca është pozitive për mua sidomos në Kombëtare ku duhet dhënë maksimumi. Mund të sigurojnë vendin e tyre në Kombëtare pasi jemi gati të japim maksimumin”, tha Veseli.

Mbrojtësi i Empolit nuk i kursen elozhet për futbollistët e rinj, një prej të cilëve është Marash Kumbulla që luan në Serie A me Veronan. Sipas Veselit, ai është lojtar shumë i mirë dhe punëtor. “Kumbulla është shumë i mirë dhe shumë i ri. E ka treguar veten në Serinë A dhe si person është djalë i mirë e punëtor. Do të arrijë shumë lart nëse e mban këtë mentalitet. Është pozitive për Kombëtaren që një lojtar si ai, përparon aq shumë në një kampionat të atij niveli”, tha mbrojtësi.

Por, mungesa e Elseid Hysajt do të ndihet në skuadër. Sipas Veselit ai është  lider në ekipin kombëtar, por shprehet se pozicioni i Hysajt në lojë do të mbulohet nga lojtarë të tjerë.  “Hysaj mungon shumë sidomos pas ndeshjes me Islandën ku edhe shënoi. Mundem të them se është lider i ekipit dhe e vuajmë mungesën e një lideri në ekip por kemi lojtarë për të mbuluar atë pozicion. Edhe unë mundem ta bëj atë pozicion por në fund vendos trajneri”, përfundoi Frederic Veseli.

Trashi “i kërkon nder” Rejës: Më aktivizo, që të largohem

Mbrojtësi i Partizanit Lorenc Trashi doli të mërkurën në koferencë për shtyp. I grumbulluar nga trajneri Edy Reja për dy ndeshjet e radhës eleminatore, Trashi shprehet se është përshtatur me trajnerin.  “Është e vërtetë, është grumbullimi im i tretë me Kombëtaren. Jam përshtatur dhe njohur mirë me epokën e trajnerit që ndodhem tani. Panuccin nuk e njoh shumë dhe s’mund të flas më shumë për të. Trajneri Reja nuk është nevoja të them unë kush është”, u shpreh Trashi.

Më tej, mbrojtësi foli për atomsferën në skuadër, duke treguar se çdo gjë është mirë, ndërsa për aktivizimin e tij pret vendimin e trajnerit. “Atmosfera është pozitive. Nuk jam i mendimit që ka pasur shumë probleme krahu i majtë. Por, njëherë lojtari është në formën e duhur dhe njëherë jo. Unë jap maksimumin në ekipin tim, por vendos trajneri. E ndjej veten shumë mirë, ndaj trajneri më thirri. Shpresoj të kem minuta”, shprehet mbrojtësi.

Por, Trashi lë të kuptohet se do minuta, jo vetëm për të treguar veten në skuadër, por aktivizimin në kombëtare e sheh si një mundësi për të luajtur në ekipe jashtë vendit. “Normalisht çdo lojtar në kampionatin shqiptar kërkon të ketë një eksperiencë në një kampionat më të lartë. Mendoj që Kombëtarja më shërben më mirë për këtë pjesë. Por, disa minuta në këmbë do të më bënin të provoja veten, pse jo të provoj edhe veten në një ekip më të lartë në Europë. Unë personalisht s’kam pasur asnjëherë probleme me trajnerin. Ai ka qenë i pari që më ka mbështetur dhe më ka përqafuar”, përfundoi mbrojtësi.

Gjimshiti flet si lider: Për Elsin do japim maksimumin

Mbrojtësi Berat Gjimshiti është duke bërë një sezon të mirë te Atalanta në Serie A. Futbollisti  është, gjithashtu, një nga pikat kyçe të mbrojtjes së kombëtares. Në konferencën për shtyp të martën, Gjimshiti u shpreh se në dy ndeshjet radhës, duhet  të shmangen gabimet individuale.

 “I kemi dy ndeshje shumë të vështira, sidomos kundër Turqisë, por besoj se kemi shanse të vërteta. Në ndeshjen e kaluar kemi bërë gabime individuale. Do ta shikojmë si një shans të ri dhe do të japim maksimumin”, tha mbrojtësi. Mungesa e Hysajt është një problem më vete në kombëtare, por mbrojtësi i Atalantës, shprehet se këto dy ndeshje, lojtarët do të luajnë dhe për Elsin.

“Më vjen keq për Hysajn që u lëndua para Kombëtares, pasi ishte dhe kapiten kur nuk ishte Mërgimi. Besoj do na mungojë, por do luajmë edhe për Elsin. Kam më shumë se 5 vite që jam këtu dhe kam kaluar eksperienca të mira dhe të këqija. Do të marr përgjegjësi më të mëdha dhe do vazhdojmë të shikojmë përpara. U pa dhe në ndeshjen e fundit me Islandës që u ndryshua diçka, pasi luajmë më të sigurt”, tha Gjimshiti.

Në fund, mbrojtësi kuqezi tregon se me sistemin e trajnerit Reja, skuadra luan më mirë. “Ka pasur shumë ndryshime në skuadër dhe jemi mirë me sistemin e ri që luan trajneri Reja. Mund të kemi një shans të vërtetë. Mund të them që është një moment shumë i bukur. Gjërat që i kemi arritur me Atalantën, dua t’i bëj edhe me Kombëtaren. Vetëbesimin që e kam te Atalanta dua ta transmetoj edhe këtu në ekipin Kombëtar”, përfundoi Berat Gjimshiti.

Manuel Neuer drejt largimit nga kombëtarja e Gjermanisë

Portieri i Bayern Munich po mendon të deklarojë vendimin vitin e ardhshëm për largimin nga kombëtarja. Bild ka shkruar se Neuer mund të mendojë të dalë në pension pas përfundimit të Kampionatit Europian vitin e ardhshëm. Portieri i Bayern Munich luajti përpara Ter Stegen në kualifikueset e fundit të Gjermanisë për evropianin e verës së ardhshme, por tensioni mes të dyve ka qenë shpesh krye titull në media.

Pas përfundimit të botërorit të Rusisë, Neuer tha: “Nuk e di nëse do të jem akoma në 2022, sepse ka shumë gjëra për t`u marrë parasysh. Më duhet të shoh se si do të jetë forma ime fizike, sa energji do të kem në atë moshë”. Pas largimit të Neuer, Ter Stegen do të jetë trashëgimtar natyror i Neuer pas vitit 2020.

Neuer do të jetë në moshën 34-vjeçare kur të fillojë Euro 2020, ndërsa Ter Stegen do të jetë 28-vjeç në verën e vitit të ardhshëm. Duket se kjo do të jetë koha e duhur për të dhënë dorëheqjen nga kombëtarja, por joshja për të luajtur në Kupën e Botës është e fortë.

Shumë lojtarë, në një moshë të ngjashme, kanë dhënë rendiment të lartë në të kaluarën. Nëse arritja e 100 ndeshjeve me fanellën e kombëtares është objektiv i Neuer, kjo gjë përmbushet në fund të Euro 2020.

Foto/ Shqipëri-Islandë, shiten 6 mijë bileta. Policia, kontrolle të rrepta

Kombëtarja jonë e futbollit do të përballet me Islandën në orën 20:45 në ndeshjen e radhës kualifikuese në Elbasan. Trajneri Edy Reja ka premtuar se do të ketë ndryshime në formacion, ku padyshim qëllimi kryesor është fitorja e këtij takimi.

Ndërkohë, rezultatet e dobëta kanë bërë që tifozët të jenë të pakët në këtë sfidë. Deri rreth dy orë para nisjes së ndeshjes, mësohet se janë shitur diku te 6 mijë bileta, më pak se gjysma e vendeve të stadiumit “Elbasan Arena”.

Ndërkohë, skuadra kombëtare ka mbërritur në stadium rreth orës 19:20. Policia ka angazhuar 215 efektivë për këtë takim, ndërsa në rrugët e qytetit të Elbasanit janë ngritur postblloqe për të garantuar sigurinë si para, gjatë dhe pas ndeshjes në qytet.

Gafa mediokre, Austria ‘tallet’ me Shpresat e Shqipërisë

Pas humbjes në ndeshjen miqësore me Francën, ekipi Shpresa i drejtuar nga Alban Bushi është mundur me rezultatin e thellë 0-4 nga Austria, në ndeshjen kualifikuese. Në takimin kundër Austrisë, që 21-vjeçarët e luajtën në Durrës, skuadra jonë kombëtare ka treguar dhe njëherë dobësitë që ka ekipi. Pika më e dobët mbetet mbrojtja dhe gabimet amatore. Kështu është shkaktuar goli i parë në minutën e 6-të sfidës, kur Raguz përfiton nga një rrëmujë në zonë dhe shënon në portën e Selmanit.

Më pas është Lovriç, që vetëm tre minuta pas golit të parë, përfiton nga një tjetër gafë e kuqezinjve në repartin e prapavijës dhe dyfishon për skuadrën austriake. Skuadra e Bushit mundohet të reagojë në minutat në vijim, me Muçollin që kërkon të shkojë në portën kundërshtare, por pa shfaqur asnjëherë rrezik real. Me rezultatin 2-0 për Austrinë mbyllet pjesa e parë, ndërkohë që në të dytën janë përsëri miqtë ata që shënojnë. Në minutën e 72`, mbrojtësi i kombëtares, Bajramaj, i dhuron një top kundërshtarit, me Baumgartner që realizon golin e tretë për skuadrën austriake.

Nuk vonon më shumë se një minutë dhe vjen gafa e radhës. Një humbje topi në mesfushë nga lojtarët tanë, bën që Lovriç të niset drejt portës së Gentian Selmanit, dhe të realizojë golin e katërt, duke vulosur shifrat në 0-4 për Austrinë. Me fitoren e të hënës, skuadra e Austrisë U-21 ngjitet në vendin e parë me 6 pikë, po aq sa Kosova që mban vendin e dytë. Ndërkohë ekipi ynë U-21 ka vetëm 3 pikë në katër ndeshje të luajtura, duke mbajtur vendin e 5-të në renditje me 1 pikë më shumë se Andorra.

Berisha largohet nga kombëtarja, ja kush e zëvendëson

Etrit Berisha është larguar nga grumbullimi me ekipin tonë kombëtar një ditë para ndeshjes me Islandën, që do të luhet të martën në “Elbasan Arena”. Sipas një njoftimi zyrtar të Federatës Shqiptare të Futbollit, mësohet se Berisha ka lënë grumbullimin me kombëtaren pasi ka pasur një dëmtim.

Nuk ka informacion të detajuar rreth dëmtimit të Berishës, megjithatë, vendin e tij në kombëtare do ta narrë portieri i ekipit Shpresa, Gentian Selmani. 21-vjeçari do të vihet në dispozicion të skuadrës pas përfundimit të ndeshjes së U-21, që luhet të hënën në mbrëmje ndaj Austrisë në “Niko Dovana”.

Ndërkohë, Etrit Berisha nuk u aktivizua në ndeshjen ndaj Francës të shtunën. Gentian Selmani do të grumbullohet për të disatën herë në ekipin kombëtar, ndërkohë që në ndeshjen ndaj Islandës porta do t`i besohet përsëri Thomas Strakoshës. I gatshëm do të jetë dhe Alban Hoxha për atë ndeshje. Takimi kualifikues Shqipëri-Islandë, do të luhet në “Elbasan Arena” në orën 20:45, të martën më 10 shtator.

Franca na ‘zhyti’, Reja: Patëm gjëra pozitive, Bare e Giasula fantastik

Trajneri i kombëtares Edy Reja nuk e ka bërë dramë humbjen me Francën. Pas përfundimit të ndeshjes, për RTSH, trajneri u shpreh se skuadra bëri disa gabime personale, por sipas tij, tregoi shumë gjëra pozitive ndaj një ekipi të madh si Franca. “Është normale që patëm disa gabime personale, ishte një mungesë vëmendje në dy golat e parë. Në disa momente ne ishim të rrezikshëm përpara portës. Franca ka lojtarë shumë të shpejtë që na vunë në vështirësi. Gjithësesi unë besoj se treguam diçka pozitive kundër një ekipi shumë të fortë si Franca”, tha Reja.

Ndonëse pas kësaj humbje Shqipëria humb përfundimisht shanset për kualifikim, Edy Reja ka zbuluar lojtarët e së ardhmes. Trajneri ka vlerësuar me nota pozitive dy debutuesit e kombëtares, Bare dhe Giasula.  “Kishim elementë shumë të mirë në dyluftim me kundërshtarin. Përmend Abrashin që luftoi aq sa mundi. Bare ishte një surprizë shumë e bukur. Giasula ishte gjithashtu një surprizë e bukur. Kemi disa lojtarë që do të jenë vlerë e shtuar në ndeshjen e ardhshme”, tha Reja.

Ndërkohë, lidhur me ndryshimet e skemës dhe vendosjen e Roshit si mbrojtës i majtë, Reja u shpreh përsëri me nota pozitive. Sipas tij, ndonëse Roshi gaboi në dy golat e parë, Reja thotë se në krahun e tij pati disa herë aksione sulmuese ndaj kundërshtarit.  “Menduam që me Roshin në atë pozicion do t`i jepnin vështirësi Francës. Disa herë arritëm që në krahun e Roshit të dilnim në krah. Gjithësesi mendoja se mund të ishte më i përshtatshëm dhe në fazën e mbrojtjes. Jam i kënaqur se roli i tij ishte të sulmonte në atë krah”, tha Reja.

Video/ Coman çon Shqipërinë në ‘koma’, Cikalleshi shënon në fund

Francë 4-1 Shqipëria. Kombëtarja jonë e futbollit nuk ka arritur të përballojë më shumë se 8-të minuta kampionët e botës. Ndonëse nisi me 5 minuta vonesë, për shkak të gafës së rëndë me himnin, Franca ka vendosur diktatin në fushën e lojës menjëherë sapo ka nisur takimi. Në fakt, skuadra e “gjelave”, ka përfituar nga një rreshtim i gabuar i skuadrës tonë, pasi trajneri Reja kishte tërhequr sulmuesin Odise Roshi në mbrojtje, madje duke e kaluar në krahun e majtë. Kaq ka mjaftuar që francezët të lezojnë lojën dhe të kalojnë në avantazh që në minutën e 8-të me Coman.

Sulmuesi kaloi mjaftë mirë para Odise Roshit, duke shfrytëzuar në mënyrën e duhur asistin e Varanes nga mesi i fushës. Franca kalon në avantazh, Shqipëria bie shumë shpejtë. Megjithatë, Reja kupton gabimin me Roshin dhe e kalon atë në krahun e djathtë, por jo në sulm. Përsëri një gabim që kushton shtrenjtë. Mbrojtja vendase nis një top nga njëri krah i fushës në tjetrin, ku Roshi nuk arrinë ta ndalojë. Sfera përfundon në këmbët e Hernandez që futet në zonë dhe pason te Giroud që nuk e ka të vështirë të shënojë golin e dytë.

Në të 37`, Franca ka një tjetër mundësi të shkëlqyer për të shënuar, por Griezmann nuk dërgon topin në rrjetë nga pika e bardhë e penalltisë, pasi sfera përplaset me traversën. Megjithatë, Franca nuk ndalet me kaq. Në të 68`, Coman gjen përsëri rrjetën pas një asisti të shkëlqyer të Griezmann, duke mposhtur për herë të tretë Strakoshën. Ikone për ‘gjelat’ në minutën e 85`, kur shënoi një gol të bukur, pasi kaloi mbrojtjen tonë. Ndërkohë, një minutë para fundit të ndeshjes, Sokol Cikalleshi shënon nga pika e bardhë e penalltisë, por goli vlen sa për statistikë.

Francë 4-1 Shqipëria, gjithçka merr fund sa i përket ëndrrës për kualifikim. Franca rikthehet te fitorja pas humbjes me Turqinë në qershor, dhe ngjitet në krye të Grupit H me 12 pikë, po aq sa Islanda dhe Turqia. Pas humbjes të së shtunës, kombëtarja kuqezi duket se nuk do të ketë më asnjë shans për kualifikim për Euro 2020. Ndërkohë takimi i radhës për të besuarit e Edy Rejas është të martën më 10 shtator kundër Islandës në “Elbasan Arena”.

Dënohet Messi, përjashtohet nga kombëtarja dhe gjobitet me 50 mijë dollarë

Lionel Messi nuk do të jetë në gjendje të grumbullohet me kombëtaren e Argjentinës për tre muajt e ardhshëm, pasi është dënuar nga Konfederata e Futbollit në Amerikën e Jugut. Sulmuesi argjentinas është dënuar pasi akuzoi për “korrupsion” drejtuesit e Konfederatës së Futbollit në Amerikën e Jugut, gjatë zhvillimit të kompeticionit të “Copa America”.

Messi është lënë jashtë, së bashku me futbollistin e Kilit, Gary Medel, me të cilin pati një grindje gjatë ndeshjes Argjentinë-Kili, në play-offin për vendin  e tretë, ku Messi doli më karton të kuq. Pas përfundimit të kësaj ndeshje, Messi nuk doli në fushë për të marrë medaljen e vendit të tretë në  “Copa America”, duke krijuar habi.

Më pas, sulmuesi sqaroi edhe arsyet pse nuk ishte në ceremoni, duke treguar se nuk dëshironte të “ishte pjesë e këtij korrupsioni, kjo është mungesë respekti për të gjithë në Copa America”, tha Messi. Ai gjiashtu akuzoi gjyqtarët për anësi në ndeshjen gjysmëfinale midis Argjentinës dhe Brazilit, ku fitues doli Selecao duke shkuar në finale. Messi u shpreh se arbitrat e ndihmuan Brazilin të shkonte në finale.

Si ndëshkim për shpërthimet e tij, Messi do të vuajë një pezullim tre mujor nga njoftimi i së premtes, duke e përjashtuar atë nga ndeshjet e Argjentinës deri në nëntor. Kjo do të thotë se ai do të humbasë miqësore kundër Kilit, Meksikës dhe Gjermanisë, ndërsa Messi gjithashtu është gjobitur me 50,000 dollarë.

Skip to toolbar