Franca na ‘zhyti’, Reja: Patëm gjëra pozitive, Bare e Giasula fantastik

SPORT


Trajneri i kombëtares Edy Reja nuk e ka bërë dramë humbjen me Francën. Pas përfundimit të ndeshjes, për RTSH, trajneri u shpreh se skuadra bëri disa gabime personale, por sipas tij, tregoi shumë gjëra pozitive ndaj një ekipi të madh si Franca. “Është normale që patëm disa gabime personale, ishte një mungesë vëmendje në dy golat e parë. Në disa momente ne ishim të rrezikshëm përpara portës. Franca ka lojtarë shumë të shpejtë që na vunë në vështirësi. Gjithësesi unë besoj se treguam diçka pozitive kundër një ekipi shumë të fortë si Franca”, tha Reja.

Ndonëse pas kësaj humbje Shqipëria humb përfundimisht shanset për kualifikim, Edy Reja ka zbuluar lojtarët e së ardhmes. Trajneri ka vlerësuar me nota pozitive dy debutuesit e kombëtares, Bare dhe Giasula.  “Kishim elementë shumë të mirë në dyluftim me kundërshtarin. Përmend Abrashin që luftoi aq sa mundi. Bare ishte një surprizë shumë e bukur. Giasula ishte gjithashtu një surprizë e bukur. Kemi disa lojtarë që do të jenë vlerë e shtuar në ndeshjen e ardhshme”, tha Reja.


Ndërkohë, lidhur me ndryshimet e skemës dhe vendosjen e Roshit si mbrojtës i majtë, Reja u shpreh përsëri me nota pozitive. Sipas tij, ndonëse Roshi gaboi në dy golat e parë, Reja thotë se në krahun e tij pati disa herë aksione sulmuese ndaj kundërshtarit.  “Menduam që me Roshin në atë pozicion do t`i jepnin vështirësi Francës. Disa herë arritëm që në krahun e Roshit të dilnim në krah. Gjithësesi mendoja se mund të ishte më i përshtatshëm dhe në fazën e mbrojtjes. Jam i kënaqur se roli i tij ishte të sulmonte në atë krah”, tha Reja.




Skip to toolbar