Presidenti i Këshillit Europian vetëizolohet pas kontaktit me një roje sigurie të infektuar me COVID-19, shtyhet Samiti i BE

Një zëdhënës i Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel tha se samiti i udhëheqësve të Bashkimit Evropian i planifikuar për të enjten dhe të premten është shtyrë, pasi zoti Michel u detyrua të vetëizolohej pas kontaktit me një roje të sigurisë të infektuar me Covid-19.

Zëdhënësi i këshillit të Bashkimit Evropian, Barend Leyts shkroi në Twitter se Charles Michel mësoi të martën se një oficer sigurie me të cilin ishte në kontakt të ngushtë në fillim të javës së kaluar, rezultoi pozitiv për Covid-19.

Zëdhënësi Leyts tha se presidenti i këshillit të BE-së është testuar rregullisht, dhe të hënën ka rezultuar negativ për Covid-19. Por Charles Michel planifikon të respektojë rregulloret e Belgjikës për koronavirusin dhe është vetëizoluar. Selia e Bashkimit Evropian është në Bruksel.

Samiti, i planifikuar tani për 1-2 tetor, do të përqëndrohet në një larmi çështjesh duke filluar nga negociatat e Brexit-it, deri te ndryshimi i klimës dhe tensionet midis Greqisë dhe Turqisë për të drejtat e shfrytëzimit të burimeve energjitike në zonën e detit Mesdhe që ndodhet në lindje të Qipros. Miratimi përfundimtar i sanksioneve kundër Bjellorusisë në lidhje me shtypjen e protestave pas zgjedhjeve të kontestuara të muajit të kaluar pritet të jetë gjithashtu në fokus të samitit.

Charles Michel, ish-kryeministër belg, shpenzoi pjesën më të madhe të javës së kaluar në përpjekjet diplomatike mbi çështjen e Turqisë, duke përfshirë udhëtime në Qipro, ishullin grek të Lesbos dhe Athinë.

Covid-19 në institucionet e drejtësisë. Prokurorë e gjyqtarë rezultojnë pozitivë

Kreu i komanduar i gjykatës së Kurbinit Dedë Miri, rezulton të jetë prekur nga Covid-19. Burime për ‘Real story’ thanë se gjyqtari Miri ndodhet në gjendje të rëndë në një prej spitaleve Covid. Gjendja e tij shëndetësore rëndohet edhe për faktin se prej 15 vitesh gjyqtari Dedë Miri ka punuar në minierë.

Raste pozitive me Covid-19 janë shfaqur sakaq në disa institucione të drejtësisë. Mësohet se në SPAK janë konfirmuar 5 të infektuar me koronavirus, nga të cilët një gjyqtar, një prokuror, një financiare dhe një punonjës i zyrës së shtypit. Gjithashtu edhe në Prokurorinë e Tiranës, kanë rezultuar pozitiv me Covid-19, tre prokurorë.

Britania drejt një tjetër ‘lockdown’? Niveli i alarmit për shkak të Covid-19 kalon në 4

Niveli i alarmit të koronavirusit në Mbretërinë e Bashkuar po kalon nga 3 në 4, që do të thotë se transmetimi është “i lartë ose në rritje eksponenciale”, kanë thënë zyrtarët kryesorë të saj mjekësorë.

Kjo vjen pasi këshilltari shkencor i qeverisë paralajmëroi se mund të ketë 50,000 raste të reja me koronavirus në ditë nga mesi i tetorit pa veprime të mëtejshme.

Të hënën, 4,368 raste me koronavirus, ndwrsa pritet që kryeministri sot të dalë me një deklaratë. Redaktorja politike e BBC, Laura Kuenssberg tha se dukej “shumë e mundshme” që pub-et dhe vendet e tjera në Angli do të detyrohen të mbyllen nga ora 22:00, së bashku me masa të tjera.

Në një deklaratë që konfirmon rekomandimin e tyre për të kaluar në nivelin 4, zyrtarët kryesorë mjekësorë për Anglinë, Skocinë, Uellsin dhe Irlandën e Veriut thanë që rastet tani “po ngriheshin me shpejtësi dhe ndoshta në mënyrë eksponenciale në pjesë të rëndësishme të të katër kombeve”.

Shqipëria pjesë e COVAX, Manastirliu: Të angazhuar për të patur vaksinën e sigurtë anti-covid

Qeveria Shqiptare ka marrë vendimin për t’u angazhuar financiarisht nëpërmjet mekanizmit COVAX, për të patur vaksinën e sigurt anti-covid. Në një takim të organizuar me ekspertë të komitetit të imunizimit në Institutin e Shëndetit Publik, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se Shqipëria do të ketë të drejtën të zgjedhën vaksinën më të sigurt, duke u angazhuar financiarisht në një mekanizëm ndërkombëtar, ashtu si mbi 80 shtete të tjera në të gjithë Botën, përfshirë edhe vendet e Bashkimit Europian.

“Bzuar në rekomandimet tuaja të vlefshme, Këshilli Ministrave ka miratuar në mbledhjen e tij të fundit, nënshkrimin e marrëveshjes së angazhimit me aleancën Gavi, për sigurimin e vaksinës së sigurt kundër COVID19, nëpërmjet mekanizmit COVAX, ku aderojnë 80 shtete, mes të cilave edhe vendet e Bashkimit Europian”, tha Manastirliu.

Gjatë takimit me ekspertët, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se çdo hap drejt përzgjedhjes së vaksinës së sigurt do të hidhet me shumë kujdes.
“Sigurisht do të jemi shumë të kujdesshëm, gjithmonë në konsultim me ekspertët për vaksinën e sigurt, kur ajo të miratohet, për të qenë të sigurt për vaksinën efektive. Por qeveria është angazhuar për të siguruar aksesin, kurdo kur kjo vaksinë të dalë”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale la të hapur edhe kanale të tjera komunikimi dhe bashkëpunimi me vendet e Bashkimit Europian, për sigurimin e vaksinës në kohë.

“Është i rëndësishëm bashkëpunimi i nisur tashmë me instrumentin e COVAX, aleancën Gavi, por paralelisht dua të them se ne vazhdojmë të kemi komunikime me shtete të ndryshme të Bashkimit Europian, të cilët kanë shprehuar angazhimin që të munden të jenë edhe ata ndihmës për të mundësuar blerjen e shpejtë të vaksinës apo aksesin në vaksinë. Sigurisht të gjithë këto kanale komunikimi ne i kemi të hapura dhe do të shqyrtojmë mundësinë më të mirë nga pikëpamja e sigurisë dhe efikasitetit të vaksinës, për të garantuar shëndetin e popullatës kundër COVID19”, tha Manastirliu.
Eksperti I Komitetit të Imunizimit, prof. Eduart Kakarriqi u shpreh:

“Janë dy, marrëveshja e blerjes se përcaktuar dhe marrëveshja e blerjes opsionale, të cilën ne e përzgjodhëm si më të vlefshme për vendin tonë. Aktualisht janë ende në zhvillim e sipër një sërë vaksinash (rreth 200), por vetëm 20 prej të cilave janë në fazat e avancuara, pjesa më e madhe e tyre janë pjesë e mekanizmit COVAX. Ne jemi plotësisht të gatshëm, në pritje, në mirëpritje të vaksinës kundër COVID19 në kuadër të COVAX”, tha prof. Kakarriqi.

Duke shprehur domosdoshmërinë e procesit të vaksinimit, nisur nga kohëzgjatja e virusit, prekja e çdo moshe dhe imuniteti i ulët, sidomos I personave që e kanë kaluar sëmundjen me simptoma të lehta, anëtarja e Komitetit të Imuzinimit, prof. Gjerogjina Kuli tha se pjesëmarrja në COVAX, është një garanci për aksesin e Shqipërisë në vaksinën e sigurt, sikurse vendet e zhvilluara.

“E vlerësoj si shumë të rëndësishme pjesëmarrjen e Shqipërisë në COVAX pasi kjo na e garanton aksesin, na garanton barazinë qoftë edhe me një vend tjetër që është edhe më i zhvilluar ekonomikisht dhe që ka më shumë mundëis për të marrë një akses direct në sigurimin e vaksinës antiCOVID, por nga ana tjetër na jep edhe garancinë për sigurinë e vaksinës”, tha prof. Kuli.

Edhe shefja e shërbimit infektiv, pjesë e Komitetit të Imunizimit, prof. Najada Çomo vlerësoi këtë zhvillim.
“Ne kemi kohë që jemi mbledhur lidhur me atë cfarë diskutohet orë pas ore për prodhimin e vaksinës dhe kemi bërë hapin e parë në sajë të qeverisë shqiptare, për të marrë masat që të jemi gati nëse vaksina del zyrtarisht e prodhuar, ne të kemi mundësinë për ta marrë dhe për ta aplikuar këtë vaksinë”, tha prof. Çomo.

“COVAX Facility” është një mekanizëm ndërkombëtar (i përbërë nga Gavi, CEPI dhe OBSH) që koordinon resurset dhe kërkesën për vaksinë ndaj COVID-19 me kapacitetet prodhuese të kësaj vaksine. Fillimisht, do të furnizohen të gjitha vendet me mjaftueshëm doza për të mbuluar 20% të popullësisë. Më pas do të vijojë furnizimi i vendeve me pjesen e mbetur të dozave të kërkuara (nëse janë më shumë se sa 20%). Shqipëria është zyrtarisht pjesë e këtij mekanizmi, ku marrin pjesë 80 vende të Botës, ndërsa janë lënë të hapura disa kanale komunikimi me vendet e Bashkimit Europian.

Përditësimi nga Kosova, 79 raste të reja me COVID-19 në 24 orë, 2 të vdekur

79 raste të reja me koronavirus janë regjistruar në Kosovë. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar gjatë 24 orëve të fundit dy persona kanë ndërruar jetë.

Numri total i rasteve pozitive është 15.142 raste nga 62.607 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 615 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 104 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 12.674 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1.853.

Rastet pozitive janë nga: komuna Prishtinë 23 raste, komuna Vushtrri 9 raste, komuna Gjakovë 8 raste, komuna Gjilan 7 raste, komuna Lipjan 5 raste, komuna Deçan 3 raste, komuna Fushë Kosovë 3 raste, komuna Kaçanik 3 raste, komuna Mitrovicë 3 raste, komuna Prizren 3 raste, komuna Viti 3 raste, komuna Drenas 2 raste, komuna Pejë 2 raste dhe me nga një rast komunat Ferizaj, Malishevë, Podujevë, Skenderaj dhe Suharekë.

Pandemia e koronavirusit, jep dorëheqjen ministri i Shëndetësisë në Çeki

Ministri i Shëndetësisë në Republikën Çeke, Adam Vojtech, tha se ka dorëzuar dorëheqjen e tij te kryeministri Andrej Babis.

Dorëheqja vjen pas kritikave në rritje për trajtimin e pandemisë së koronavirusit në Çeki, ku numri i të infektuarve është rritur ndjeshëm.

Babis e falënderoi Vojtechun për punën e tij, duke thënë se ai do të mund të mbahej mend si ministri më i mirë i Shëndetësisë sikur të mos i duhej ta shfrytëzonte gjithë energjinë e tij për të luftuar pandeminë e koronavirusit.

Republika Çeke ka raportuar ditëve të fundit rritje të numrit të rasteve me koronavirus, me ritmin më të shpejtë në Evropë, pas Spanjës.

Kjo ka nodhdur pasi ky vend, pak para verës, i ka hequr pothuajse të gjitha masat e ndërmarra në mars, kur ka shpërthyer pandemia.

Sipas të dhënave nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, Republika Çeke, në 14 ditët e fundit, ka pasur 193 raste për 100,000 banorë.

Në total, Çekia ka regjistruar afro 50,000 të infektuar. Prej tyre, 503 pacientë kanë vdekur dhe rreth 24,000 raste mbeten aktive.

COVID-19, mbi 31 milionë të infektuar në Botë, India vendi me më shumë raste pas SHBA

Numri i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19) në mbarë botën ka tejkaluar shifrën 31 milionë.

Sipas faqes së internetit “Worldometer”, e cila përpilon të dhënat në lidhje me pandeminë, deri më tani në mbarë botën janë regjistruar gjithsej 31 002 707 raste me COVID-19.

Numri më i madh i të infektuarve është regjistruar në SHBA, me gjithsej 6 967 420 raste deri më tani.

Pas SHBA-së, 10 vendet e para me më shumë raste janë India (5 400 619), Brazili (4 528 347), Rusia (1 103 399), Peruja (768 865), Kolumbia (758 398), Meksika (694 121), Afrika e Jugut (659 656), Spanja (659 334), Argjentina (622 934) dhe Kili (444 674).

Pas shfaqjes për herë të parë në Wuhan të Kinës në dhjetor të vitit të kaluar, COVID-19 u përhap në mbarë botën.

Deri tani kanë vdekur 961 612 persona.

Ndërkohë, 22 610 909 milionë janë shëruar nga virusi, ndërsa ende vazhdojnë trajtimin 7 430 186 raste aktive.

Bilanci i 24 orëve të fundit: 57 të shëruar, 153 raste te reja dhe 5 humbje jete nga Covid-19 në Shqipëri

“57 të shëruar, 153 raste te reja dhe 5 humbje jete” është ky bilanci që shënon Shqipëria në 24 orët e fundit si pasojë e pandëmisë nga Covid-19

Dr. Eugena Tomini

Instituti i Shëndetit Publik

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju rikujton edhe një herë për masat e thjeshta që duhet të respektojë çdo qytetar në përditshmëri:

Mbani duart të pastra dhe mos e prekni fytyrën

Ruani distancën në ambientet publike.

Kudo kur kjo nuk është e mundur, vendosni maskë apo barrierë mbrojtëse.

Shmangni grumbullimet me shume njerëz pasi është rrezik për përhapjen e infektimit nga Covid19.

Një apel për bizneset, institucionet, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë, të miratuara nga autoritetet shëndetësore.

Situata në spitale vijon të jetë e qëndrueshme. Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 178 pacientë, 13 në terapi intensive, nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar.

Ju informojmë se në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, e kanë humbur betejën me COVID19 një 57 vjeçare nga Kruja, një 60 vjeçar nga Bulqiza, një 62 vjeçar nga Lezha, një 67 vjeçar nga Tirana një 82 vjeçar nga Elbasani. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve.

Janë kryer në 24 orët e fundit 836 testime dhe janë konfirmuar 153 raste.

Rastet ditore të identifikuara janë të shpërndara në bashkitë si vijon:

57 raste në Tiranë, 15 në Lezhë, nga 11 raste në Krujë, Fier, Pogradec, 8 në Vlorë, 6 në Korçë, nga 4 raste në Lushnje, Mat, Gramsh, Patos, nga 3 raste në Mallakastër, Librazhd, nga 2 raste në Berat, Divjakë, Maliq, nga 1 rast në Durrës, Elbasan, Tepelenë, Malësi e Madhe, Peqin, Memaliaj,

57 qytetarë janë shëruar në 24 orët e fundit, duke e çuar në 6888 që nga fillimi i epidemisë.

Telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga Covid19.

Telefononi në linjën e gjelbër falas 0800 40 40 për të kontaktuar mjekun e familjes, për shërbim psikologjik si dhe për çdo informacion tjetër rreth Covid19.

COVID-19 – Statistika (19 Shtator 2020)

Testime totale                 78886

Raste pozitive                 12226

Raste të shëruara     6888

Raste Aktive            4980

Humbje jete 358  (Qarku Tiranë 170, Durrës 46, Shkodër 39, Elbasan 23, Fier 18, Korçë 16, Lezhë 15, Kukës 10, Dibër 8, Vlorë 7, Gjirokastër 4, Berat 2).

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë             2444

Durrës             559

Shkodër          373

Lezhë              295

Elbasan           274

Korçë              237

Fier                 222

Vlorë               189

Kukës              143

Berat               106

Gjirokastër      69

Dibër               69

“Nuk është e nevojshme të testohen asimptomatikët”, SHBA tërheq udhëzimin që shkaktoi polemika mbi koronavirusin

Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë kanë tërhequr një udhëzim të muajit gusht që kishte krijuar shkaktuar polemika të forta, i cili sugjeronte se nuk ishte e nevojshme të testoheshin personat pa simptoma që mund të ishin ekspozuar ndaj koronavirusit.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) ka rikthyer në fuqi udhëzimin fillestar që personat që kanë qenë në kontakt me një individ të infektuar me koronavirusin duhet të testohen. Muajin e kaluar CDC-ja postoi në faqen e saj udhëzime sipas të cilave personat që nuk kishin simptoma, nuk kishin nevojë të bënin analizat. Udhëzimet e gushtit u pasuan me kritika të forta nga ekspertë të shëndetësisë që u shprehën se ishte e paimagjinueshme që agjencia kryesore e shëndetit publik në SHBA kishte bërë një sugjerim të tillë në një kohë kur vendi ndodhet në mes të një pandemie.

Kjo “nuk përputhet me parimet për të vënë nën kontroll një pandemi,” tha Dr. Silvia Chiang, eksperte pediatrike e sëmundjeve infektive në Universitetin Brown. Ajo përshëndeti tërheqjen e këshillës së gushtit nga CDC-ja.

Tani Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thotë se kushdo që ka qendruar për të paktën 15 minuta në një distancë prej 2 metrash ose më pranë një personi të infektuar duhet të testohet. Në një deklaratë, CDC-ja e cilësoi ndryshimin një “sqarim” të nevojshëm “si rezultat i numrit të madh të infektimeve të shkaktuara nga persona pa simptoma ose para se të shfaqin simptomat”.

Zyrtarët e agjencisë nuk pranuan të ofrojnë komente shtesë.

Autoritetet e shëndetësisë nuk ofruan shpjegime të qarta për sugjerimin e gushtit. Disa vëzhgues spekuluan se udhëzimi iu imponua CDC-së nga të emëruar politikë brenda administratës Trump.

Në atë kohë administrata tha se CDC-ja vetë doli me frazologjinë e përdorur, por se vendimi u mor gjatë një mbledhjeje të grupit të punës së Shtëpisë së Bardhë. Dr. Brett Giroir, ndihmës sekretar i Departamentit të Shëndetësisë tha se shumë zyrtarë jashtë agjencisë ishin përfshirë në “redaktime dhe sugjerime të shumta”. Ai tha se ishte e vështirë t’i atribuohej udhëzimi një personi apo institucioni specifik.

Gazeta New York Times, duke cituar dokumente të brendshme federale dhe burime pa i identifikuar me emër, njoftoi të enjten se ndryshimi në udhëzime në muajin gusht ishte postuar në faqen elektronike të CDC-së, megjithëse shkencëtarët e agjencisë kishin shprehur kundërshti.

Ekspertë të shëndetit publik kanë vënë në dukje se testimi i personave që kanë qenë në kontakt me të infektuar është një element thelbësor i përpjekjeve për të penguar përhapjen e mëtejshme dhe se një përqindje e lartë e personave të infektuar nuk shfaqin simptoma.

Drejtori i CDC-së, Dr. Robert Redfield, nxori një deklaratë pak pas polemikave, por pa arritur të shpjegojë përse pati një ndryshim të tillë në udhëzime. Synimi kryesor duket se ishte për të nxitur zyrtarët e shëndetësisë në shtete individuale që të vazhdojnë testimin e personave të ekspozuar ndaj një individi të infektuar, megjithëse në faqen e internetit kjo quhej e panevojshme.

Gjatë një seance me pyetje-përgjigje të mërkurën në Senat, Dr. Redfield vazhdoi të mbronte udhëzimet e mëparshme të agjencisë. Ai tha se ndryshimi i udhëzimeve në gusht ishte keqinterpretuar dhe kishte pasur si synim të rriste rolin e zyrtarëve lokalë të shëndetësisë në menaxhimin e masave në përgjigje të vatrave të infeksionit./VOA

Real Story sonte: Ministrja e Shëndetësisë

Sonte në RealStory do të trajtojë “Koronavirus” Gazetari Sokol Balla do të ketë të ftuar Ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu për të analizuar rreziqet dhe risqet që ka Shqipëria përballë virusit më të egër që rrezikon botë që pas SARS të vitit 2003. 

Cilat janë masat e ndërmarra deri më Tani nga institucionet e shëndetësië shqiptare për tu mbrojtur nga mundësitë e prekjes nga Koronavirus? 

Gjithashtu në studion e Ballës do të jetë edhe Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Silva Bino dhe Infektologu Pëllumb Pipero. 

Ndërkohë që në lidhje direkte nga Pekini, RealStory do të sjellë të rejat më fundit të situatës në Kinë. Gazeztari Edison Myrteza do të sjellë informacionet mbi gjendjen dhe qëndrimet zyrtare të Pekinit si dhe një informacion të detajuar mbi shqiptarët që ndodhen në Kinë.

Një pjesë e emisionit të sotëm RealStory do ti dedikohet cështjeve të shëndetësisë në vendin tonë, pyetjeve të cilave do ti përgjigjet drejtpërdrejtë Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. 

Skip to toolbar