Rashica spektakolar, por s`mjafton, Dardanët ndalen në barazim në Mal të Zi

Kosova nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1 në ndeshjen e dytë kualifikuese të Euro 2020, që luajti në transfertë ndaj Malit të Zi. Ekipi i drejtuar nga trajneri Chalandes bëri një ndeshje të mirë, duke kaluar në avantazh që në minutën e 24` me Milot Rashicën. Ky i fundit realizoi një gol të bukur brenda zonës, duke i dhënë avantazhin “Dardanëve” në pjesën e parë.

Ekipi malazez reagoi pas pushimit të pjesës së dytë, duke gjetur golin e barazimit në minutën e 69`. Mugosa mposhti mbrojtjen dhe portierin e Kosovës, pas një shërbimi të mirë nga Jankovic.

Ndonëse pati dominimin e lojës gjatë gjithë Kohës, Kosova nuk arriti të shfrytëzonte rastet e krijuara. Pas këtij barazimi skuadra e drejtuar nga Bernard Challandes mbetet në vendin e tretë në Grupin A, ndërsa Anglia kryeson grupin me 6 pikë dhe Republika Çeke ndodhet në vendin e dytë me 3 pikë, pasi mundi këtë të premte Bullgarinë me rezultatin 2-1 në transfertë.  

Haradinaj gati të pezullojë taksën për mallrat serbe

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të premten në Prishtinë pas kthimit nga Berlini, se Kosova është e gatshme të shqyrtojë mundësinë e pezullimit të tarifave ndaj mallrave serbe, për një kohë të caktuar, por për këtë duhet të ketë qartësi të procesit të bisedimeve.

Kryeministri, qëndroi për dy ditë në Gjermani ku pati takime me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe zyrtarë të tjerë në Berlin, me të cilët pas dyerve të mbyllura, ka diskutuar zhvillimet në Kosovë, mundësitë e ripërtëritjes së bisedimeve me Serbinë dhe përgatitjet për takimin e Parisit me 1 korrik, të organizuar nga kancelarja Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

I pyetur nga gazetarët për mundësinë e dështimit të këtij takimi, ai tha se për këtë askush nuk do të mund të fajësonte Kosovën.

@VOA

Pas fotos “Kosova është Serbi”, SHBA i kthehet Daçiç

Pas publikimit të fotove në internet ku Daçiç shfaqej me një kartëmonedhë 100 dollarëshe ku shkruante “Kosova është Serbi”, ka reaguar Ambasada Amerikane në Beograd. Përmes një deklarate ambasada i kujton Daçiç një thënie të famshme të Benjamin Franklin “Ji në luftë me veset e tua, dhe në paqe me fqinjët.”

‘Në vend që të shkatërrojë kartëmonedhën me imazhin e shkencëtarit të madh dhe burrështetasit Benjamin Franklin, ministri Daçiç mund të mendonte thënien e tij: Ji ne luftë me veset e tua, e në paqe me fqinjët” – thuhet në reagimin e saj.

Më herët Daçiç e arsyetoi foton duke thënë se “Kosova është Serbi” është politika shtetërore që ndjekin dhe e themi vazhdimisht në deklaratat tona, kështu që nuk ka arsye pse të mos e shkruaj edhe në letër.”

Vuçiç: Hiqni taksën.Thaçi: Nuk mund të vendosni kushte për dialog

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mban shpresa tek Samiti i Parisit për krijimin e një klime më të favorshme për rifillimin e dialogut me Serbinë. Thaçi tha se Serbia duhet të heq dorë nga vendosja e kushteve dhe të mos bëhet pengesë për rinisjen e dialogut. Më herët presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha se “nëse hiqet taksa e rifillojmë njëherë dialogun. Ky është qëndrimi jonë”.

Nuk mund të ketë dialog, nëse vendosim kushte për dialog, ashtu siç po bën Serbia aktualisht. Dhe nuk mund të arrihet marrëveshje me gjithë këtë qasje penguese të Serbisë, në përpjekjet e saj penguese për anëtarësim në UNESCO e Interpol. Por unë besoj se në javët e ardhshme do të krijohet një klimë për vazhdim të dialogut dhe Samiti i Parisit do të ishte një mundësi shumë e mirë për të bërë hapa konkret për vazhdim të dialogut dhe për arritje të marrëveshjes.”- tha Thaçi

Këto deklarata dy presidentët i bënë gjatë forumin “Globsec” që u mbajt në Sllovaki, në qendër të së cilit ishte dialogu mes Serbisë dhe Kosovës.

PD: Rama kërcënon BE me “Shqipërinë e Madhe”, por po dëmton gjithë rajonin

Ish deputeti i PD-së, Tritan Shehu e ka cilësuar si një kërcënim ndaj Bashkimit Europian tezën e Kryeministrit Rama për krijimin e “Shqipërisë së madhe”, por realisht nga kjo po dëmtohet vetëm Shqipëria, Kosova dhe vetë stabiliteti i rajonit të Ballkanit.

Kërcënimin me tezën e “Shqipërisë së madhe” e bën vetëm për pushtetin e tij, thotë Shehu, ndërsa shton se po ta donte vërtet Kosovën nuk do ndihmonte në përçarjen e territorit të saj dhe të bëhej pengesë më shumë për liberalizimin e vizave.

“Edi Rama po i bën një dem të madh Kosovës, dialogut të saj me Serbinë dhe njohjeve ndërkombëtare me kërcënimet për Bashkimin me Shqipërinë, ose siç e quajnë jo miqtë tanë për “Shqipërinë e Madhe”. Pasi përdori krimin për pushtet tani Edi Rama po përdor Kosovën për të kërcënuar Europen vetëm e vetëm për të mbrojtur pushtetin e tij. Nëse do të donte vërtet Kosovën Edi Rama nuk do të mbështeste ndarjen e saj, nuk do tu vendoste traun kosovarëve e shqiptarëve, Shqipëria nuk do të ishte vendi i dyte pas Serbisë me tarifat më të larta për Kosovën, dhe nuk do bëhej një shkak më shumë për pengimin e liberalizimit të vizave ndaj Prishtinës, Përdorimi i Kosovës për interesa personale është kriminale. Teza e loja “nacionaliste” e gjoja bashkimit të Shqipërisë me Kosovën është në dëm të perspektivës europiane të Shqipërisë, Kosovës, të Rajonit e të stabilitetit te tij. Kjo demagogji shkon ndesh me interesat tona kombëtare të bashkimit real të të gjithë shqiptarëve nesër, si vende pa kufij në BE.” – shkruan Shehu në Facebook.

Miqësoret, Shqipëria U-19 mund vëllezërit në Kosovë, disfatë për 17-vjeçarët

Ekipi U-19 përfaqësues i drejtuar nga Nevil Dede ka mundur Kosovën, në ndeshjen e dytë miqësore, që është luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. 19-vjeçarët kuqezinj kanë triumfuar me rezultatin 4-1 ndaj vëllezërve kosovarë.

Sulmuesi i Tiranës, Ernest Muçi ka zhbllokuar ndeshjen në minutën e 23-të falë një penalltie. Loja sulmuese ka dhënë rezultat, dhe në minutën e 40-të, sulmuesi i Chelsea, Armando Broja, ka dyfishuar rezultatin dhe ka dërguar skuadrën në dhomat e zhveshjes me rezultatin 2-0. Pjesa e dytë ka konfirmuar dominimin e Shqipërisë, që ashtu si edhe në pjesën e parë ishin superior ndaj bashkombasve të Kosovës duke shënuar edhe 2 gola të tjerë.

 Në minutën e 48-të, Kosova ngushton diferencat me Bytyqin, por kuqezinjtë përgjigjen menjëherë me Muçin në minutën e 56-të dhe Brojan në minutën e 65-të, gol që vulos dhe rezultatin i cili nuk do të ndryshoj deri në fund. Më datë 3 Qershor, vetëm dy ditë më parë, në Drenas u luajtur miqësorja e parë që u fitua nga kuqezinjtë me rezultatin 3-1, falë një dopiete të Muçit dhe golit të Brojas.

U-17 mundet nga Maqedonia e Veriut

Kombëtarja U-17 është mundur nga bashkëmoshatarët e saj të Maqedonisë së Veriut me rezultatin minimal 1-0, në ndeshjen e parë miqësore, që kuqezinjtë e drejtuar nga Elvin Beqiri kanë zhvilluar ndaj fqinjëve tanë.

Ndeshja e luajtur në Ohër përfundoi me vetëm një gol, shënuar nga një 17-vjeçar shqiptar, që aktivizohet në ekipet zinxhir të shtetit fqinj. Maqedonia e Veriut kaluan në avantazh në minutën e 2-të falë një penalltie të shënuar nga Behar Feta. Kombëtarja jonë ka krijuar disa raste por pa mundur të ndryshojë rrjedhën e miqësores.

Palmer: Nuk ka vijë të kuqe për bisedimet Kosovë-Serbi

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Mathew Palmer, tha se Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë një afat të caktuar për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por do të dëshironin një rifillim sa më të shpejtë të bisedimeve.

Në një intervistë për programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës, ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk vendosin vija të kuqe në procesin e bisedimeve, por kjo nuk nënkupton se të gjithë mundësitë janë të hapura.

Zëri i Amerikës: Zoti Palmer, a prisni që Serbia dhe Kosova të nënshkruajnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre në Shtëpinë e Bardhë këtë vit?

Matthew Palmer: Ne nuk po kërkojmë ndonjë kuadër kohor të caktuar. Ne mbështesim normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ne duam të shohim që dialogu për arritjen e këtij synimi të rifillojë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe që palët të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në kohë. Në se kjo do të ndodh apo jo deri në fund të vitit, nuk jam në gjendje ta parashikoj.

Zëri i Amerikës: Presidenti Trump ka bërë thirrje për arritjen e një marrëveshje sa më shpejt që të jetë e mundur. Prandaj ju pyeta, a besoni se ajo do të ndodh këtë vit?

Matthew Palmer: Në këtë moment jam më i interesuar që palët të ulen përsëri në tryezën e bisedimeve, të rifillojnë dialogun, të përparojnë hap pas hapi drejt një marrëveshjeje. Nuk mendojmë se vendosja e një kufiri artificial kohor do të ndihmonte arritjen e një marrëveshjeje apo të lehtësonte procesin. Por, duam që palët të rifillojnë negociatat sa më shpejt që të jetë e mundur dhe urgjentisht.

Zëri i Amerikës: Presidenti Vuçiç foli në parlament për një kompromis për çështjen e Kosovës dhe paralajmëroi se mund të ketë sulme nga shqiptarët nëse nuk arrihet një kompromis. A e shikoni këtë si një sinjal se ai është më i gatshëm të arrijë një kompromis nga sa ç’ka qenë më parë?

Matthew Palmer: Mendoj se presidenti Vuçiç e ka bërë të qartë se është i përgatitur të kthehet tek negociatat kur tarifat të hiqen dhe të punojë me Kosovën drejt një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Ne besojmë se ai është i sinqertë për këtë, ne besojmë se pala e Kosovës është gjithashtu e sinqertë në dëshirën për të siguruar marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Por këto janë çështje të ndërlikuara. Ato janë të ndërlikuara politikisht, emocionalisht dhe psikologjikisht. Pra do të duhet kohë për t’i zgjidhur. Hapi i parë sigurisht është që palët të ulen përsëri në bisedime për negociata dhe të ecin në drejtimin e duhur.

Zëri i Amerikës: Përse besoni se Vuçiç do ta arrijë këtë. Ai ka qenë në pushtet për shtatë vjet dhe asgjë s’ka ndryshuar?

Matthew Palmer: Ne besojmë se presidenti Vuçiç është i vendosur për një të ardhme evropiane për Serbinë dhe besoj se ka një kuptim të qartë tek të gjithë që janë të përfshirë në këtë proces se e ardhmja evropiane si për Serbinë edhe për Kosovën, do të kërkonte një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve. Pra shpresa jonë është që palët të takohen, të negociojnë, të arrijnë marrëveshje, ta zbatojnë atë dhe të hapin një rrugë të qartë evropiane si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën.

Zëri i Amerikës: Beogradi nuk do të kthehet në tryezën e bisedimeve para se Prishtina të heq tarifat. Prishtina e refuzon një gjë të tillë edhe pse Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë bërë thirrje disa herë për ta bërë një gjë të tillë. Edhe ju e keni kërkuar këtë. Presidenti Vuçiç tha javën e kaluar se Prishtina do të heq tarifat kur “mentorët e saj perëndimorë të vendosin një gjë të tillë”. Cili është komenti juaj?

Matthew Palmer: Mendoj se është shumë e rëndësishme që Serbia, udhëheqja politike në Beograd të pranojë se Kosova ka agjenci të pavarura. Kosova nuk është thjesht një instrument i Shteteve të Bashkuara. Kosova është një vend i pavarur, një shoqëri e pavarur që ka politikat e veta dhe këto politika duhet të zbatohen. Çështja e negociatave, çështja e tarifave është çështje e ngarkuar politikisht në kontekstin e politikës në Kosovë. Ne do të mbështesnim pezullimin apo heqjen e tarifave si një mjet për t’u kthyer në dialog. Ne mendojmë se ky do të ishte një hap i rëndësishëm përpara. Por, gjithashtu mendojmë se është e rëndësishme që vetë palët të gjejnë një rrugë për të manovruar sfidat në të dyja anët për t’u kthyer në tryezën e bisedimeve, për të gjetur një rrugë përpara për të arritur një zgjidhje të negociuar.

Zëri i Amerikës: Pra ju thoni se Uashingtoni nuk mund të bëjë asgjë për të inkurajuar Prishtinën për të pezulluar tarifat?

Matthew Palmer: Jo, nuk është ajo që po them. Mendoj se ka gjëra që mund të bëjmë për të mbështetur dhe lehtësuar përparimin që përfshin inkurajimin e partnerëve tanë në Kosovë të mendojnë thellë dhe me kujdes nëse tarifat në fakt avancojnë interesat e Kosovës. Ne besojmë se interesat e Kosovës shërbehen më mirë me arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Beogradin dhe për të arritur atë marrëveshje, ata duhet të kthehen tek dialogu dhe për të arritur tek dialogu, është e rëndësishme që tarifat të eliminohen si një pengesë për përparim.

Zëri i Amerikës: Kur do të ndodh kjo?

Matthew Palmer: Nuk mund t’u japë një datë për këtë por shpresoj që të ndodh sa më shpejt që të jetë e mundur.

Zëri i Amerikës: Do të ndodh këtë vit? A mendoni se dialogu mund të vazhdojë këtë vit?

Matthew Palmer: Po, mendoj se është absolutisht e mundur.

Zëri i Amerikës: Nëse flasim për modelin e zgjidhjes, duket sikur Gjermania dhe Franca e hoqën nga tryeza idenë e shkëmbimit të territoreve, pas samitit në Berlin.

Matthew Palmer: Ne mendojmë se është e rëndësishme që vetë palët të vendosin parametrat e marrëveshjes. Ajo çfarë ne do të dëshironim të shikonim është një marrëveshje me autorësi lokale, një marrëveshje të qëndrueshme, një marrëveshje të drejtë, një marrëveshje të zbatueshme dhe që mund të pranohet nga publiku i të dyja palëve, që mund të zbatohet drejt dhe plotësisht, dhe një marrëveshje që mund të çelë rrugëtimin drejt të ardhmes evropiane.

Zëri i Amerikës: A do të thotë kjo se SHBA-ja nuk e ka hequr nga tavolina idenë e shkëmbimit të territoreve? Pra, në kundërshtim me Gjermaninë dhe Francën?

Mattthew Palmer: Ne nuk po vendosim vija të kuqe në procesin e negocimit, për gjëra që palët nuk duhet të diskutojnë. Është në dorën e vetë palëve që të gjejnë rrugën për të lëvizur përpara, me mbështetjen tonë. Por, kjo gjithashtu nuk është një “çek i bardhë”. Do të dëshironim t’i shohim palët të negociojnë marrëveshjen më të mirë të mundshme; të na e paraqesin, nëse do të kërkojnë mbështetjen tonë. Nëse do të kemi shqetësime, do t’i shprehim ato dhe do të përpiqemi të gjejmë zgjidhjen me palët për të arritur diçka që mund ta mbështesim dhe me të cilën mund të punojmë për zbatimin e saj. Por, ky nuk është procesi ynë. Ky është procesi i tyre. Ne i mbështesim.

Zëri i Amerikës: Çfarë prisni se do të ndodh në Paris?

Matthew Palmer: Nuk kam ndonjë pritshmëri specifike për atë takim

Zëri i Amerikës: A keni biseduar me partnerët francezë dhe gjermanë

Matthew Palmer: Absolutisht. Mendoj se synimi i takimeve, në Berlin në prill dhe në Paris në korrik, të ndihmojnë të krijojnë kushte që do të lejonte palët të ktheheshin në negociata përmes procesit të udhëhequr nga BE-ja që ka sjell marrëveshjen e Brukselit dhe ka prodhuar disa lëvizje përparuese për një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Zëri i Amerikës: A do të marrin Shtetet e Bashkuara një rol më të rëndësishëm apo më të dukshëm në dialog tani që Komisioni Evropian po ristrukturohet?

Matthew Palmer: Ne kemi qenë partnerë me Evropën për këtë proces, e kemi mbështetur këtë proces dhe BE-ja e ka udhëhequr këtë proces. Nuk shoh ndonjë arsye specifike përse kjo duhet të ndryshojë në këtë moment.

Zëri i Amerikës: Shumë palë kanë bërë thirrje për një angazhim më të madh të Shteteve të Bashkuara

Matthew Palmer: Në se do të ketë një rol për ne, që të jetë konstruktiv dhe mbështetës për këtë proces, një rol që partnerët evropianë dhe vetë palët do të donin që ne të luanim, ne jemi të hapur për çdo gjë që mund të bëjmë në mbështetje të këtij procesi.

Shqipëria U-19 fiton përballjen e parë ndaj bashkëkombasve të Kosovës

Ekipi kombëtar U-19 ka fituar ndeshjen e parë miqësore ndaj Kosovës, të luajtur në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas. Skuadra e drejtuar nga trajneri Nevil Dede ka fituar ndaj bashkëkombasve të Kosovës me rezultatin 3-1.

Kuqezinjtë e trajnerit Dede kanë zhvilluar një lojë të bukur në pjesën e parë, duke luajtur një në sulm. Kosova kaloi e para në avantazh me anë të Albin Prapashticës që kaloi vendasit në avantazh në minutën e 33-të. Përtej disavantazhit kuqezinjtë vazhduan lojën sulmuese dhe arritën të barazojnë në minutën e 42-të me anë të Ernest Muçit.

Me rezultatin 1-1 u mbyll dhe fraksioni i parë i ndeshjes. Në pjesën dytë e skuadra e Dedes ka dominuar mbi kundërshtarin duke arritur të shënojë dy herë, me anë të Muçit përsëri në minutën e 69-të dhe Armando Brojas në minutën e 80-të.

Goli i sulmuesit të Chelsea vulosi dhe rezultatin 3-1 që nuk ndryshoi deri në fund. Kosova dhe Shqipëria do të luajë dhe një miqësore tjetër, më datë 5 Qershor në Prishtinë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Shqipëria U-19 zbriti në fushën e lojës me këtë formacion: Malaj, Rexhepi, Lucaj, Selishta, Hida, Morina, Rrapaj, Karica, Muçi, Prengaj dhe Broja (U aktivizuan: Shiba, Beqja, Selita, Haveri, Asllani dhe Ajazi)

Ndryshimi i kufijve, Bushati: “Zgjidhje magjike” e shekullit 19, jo europiane

Në një intervistë për gazetën austriake “Der Standard”, ish- ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka folur për nevojën që rajoni ka të integrohet në Evropë dhe ka kundërshtuar fort idenë e ndryshimit të kufijve në Ballkan. Bushati i e ka cilësuar shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës si një “zgjidhje magjike” që doli papritur po që në fakt është krejtësisht jo europiane dhe i përket logjikës së shekullit të 19.

Kur gazetari konstaton se …”juve madje ju është dashur të largoheni nga zyra juaj si ministër i Jashtëm sepse ishit kundër shkëmbimit të territorit “…Bushati e kalon në heshtje pa e përgënjeshtruar atë.

Nga Adelheid Wolfl

STANDARD: Kur prisni që të mund te fillojnë negociatat e pranimit te Shqipërisë me BE-ne, të cilat tani rekomandohen nga Komisioni?

Bushati: Do të ishte mirë nëse kjo do të ndodhte sa më herët, sepse do të ketë më shumë ndikim mbi procesin e demokratizimit. Nuk ka alternativë përkundrejt procesit të pranimit në BE për Shqipërinë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor. Në fund të fundit, ne po flasim vetëm për fillimin e negociatave dhe jo për anëtarësimin. Negociatat do të jenë sfiduese dhe nuk do të jenë pa dhimbje. Por ato sjellim përfitim të dyanshëm për BE-ne dhe për Shqipërinë.

STANDARD: Franca dhe Holanda nuk duan asnjë zgjerim dhe tani kërcënojnë të vënë veton në fillimin e negociatave të pranimit – si me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Çfarë do të thotë, nëse nuk do të kishte dritë jeshile për të filluar negociatat në samitin e BE -se në qershor?

Bushati: Kjo do të ishte një sinjal shumë i keq për BE-ne, por edhe për rajonin. Në vitin 2018, ne ramë dakord për këtë afat kohor. Ne kemi filluar të krahasojmë përputhshmërinë e legjislacionit tonë me atë të BE-së. Procesi i anëtarësimit në BE është një dritë shprese. Por BE po konkurron edhe me lojtarë të tjerë gjeopolitikë. Nëse katër nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do te ishin ulur në tryezën e bisedimeve me BE, oborri i deritanishem i shtëpisë së BE-së mund të bëhet një porta hyrëse e BE-së.

STANDARD: A do të dëmtonte kjo edhe besueshmërinë e politikës së kushtëzimit të BE-së nëse pavarësisht nga pajtueshmëria e shtetit, BE nuk i përmbush më premtimet? A do të thotë kjo se nuk ka më zgjerim?

Bushati: Unë mund të kuptoj shqetësimet e Francës deri në një farë mase, sepse Franca është para së gjithash e shqetësuar me reformat e brendshme të BE. Por ne nuk duam të bashkohemi me BE tani dhe menjehere. Mund të përmirësojmë demokracinë, ekonominë dhe kushtet sociale në vend vetëm nëse ekziston një perspektivë e prekshme europiane. Per pesë apo dhjetë vjet më pas, ne mund të ishim gati për t’u bashkuar me BE-në dhe shpresoj që deri atëherë të mund të përfundojë i gjithë procesi i reformave brenda BE-së.

STANDARD: Vendimi i shteteve anëtare të BE-së mund të ndikohet gjithashtu nga zgjidhja e krizës së brendshme në Shqipëri. Opozita është larguar nga Parlamenti dhe ka demonstrata çdo javë. A shihni një mundësi që situata e brendshme politike të qetesohet?

Bushati: Në të kaluarën, të gjitha partitë politike kanë përdorur bojkotin e parlamentit si një levë presioni kundër qeverisë. Por në të vërtetë, kjo nuk ishte kurre një mjet efektiv. Ne tani kemi një opozitë në Parlament, dhe të tjerët në rrugë. Dhe ne duhet të njohim të dyja realitetet, por natyrisht të mos komprementojmë sundimin e së drejtës. Për fat të keq, në Ballkan shpesh bëhet fjalë për mposhtjen e kundërshtarit politik sesa per kompromisin.

STANDARD: A mendoni se e ka dëmtuar Shqipërinë në çështjen e negociatave për anëtarësim, fakti që Kryeministri Edi Rama ka mbështetur idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë?

Bushati: Ballkani ka kaluar nëpër faza të ndryshme, ka pasur luftëra dhe konflikte ndëretnike, atëherë, kemi patur Marrëveshjen e Dejtonit, ndërhyrjen e NATO-s ne Kosovë , kemi qenë në një farë mënyre gjithnjë në situatën e menaxhimit të krizës.

Por më pas u përqafuam metodat dhe parimet europiane për shkak se BE ishte e përfshirë dhe gjithashtu për shkak të bashkëpunimit rajonal. Por, në dy vitet e fundit, sidomos vitin e kaluar, na u ofruan të ashtuquajturat “zgjidhje magjike” nga shekulli i 19-të, për të zgjidhur sfidat e shekullit të 21-të.

Në dy dekadat e fundit ne fokus ishte bashkëpunimi rajonal dhe procesi i anëtarësimit në BE i vendeve të Ballkanit Perëndimor, në veçanti, qytetarët dhe ish-armiqte duhet të kthehen në fqinjë të mire duke u përpjekur për të zgjidhur këto mosmarrëveshje.

Megjithatë, fakti se ky shkëmbim territorial i shekullit të 21-të tani po debatohet në qendër të Europës, tregon një hap prapa, një lloj “rruge që të nxjerr më shkurt” që në mënyrë cinike përbën një alternativë për pranimin në BE.

STANDARD: Çfarë do të thotë ky zhvillim për të gjithë Europën?

Bushati: Kohët e fundit, dhjetë shtete ish-komuniste kanë festuar bashkimin me BE-në 15 vjet më parë, i cili u përshëndet si një pikëtakimi e historisë me gjeografinë. Procesi i ri-bashkimit të kontinentit nuk është përfunduar ende. Dhe me këtë retorikë rreth ndryshimeve të kufijve në Ballkan, tani kemi mësuar të kundërtën. Sepse kjo ide duket se kërkon rishkrimin e historisë përmes gjeografisë dhe hartografisë.

Kjo është një situatë paradoksale kur ne kemi këtë festë 15-vjeçare për Europën nga njëra anë, por më pas, në vend që të shkojmë edhe ne në këtë drejtim, diskutimi kryesor në Ballkan rezulton nëse historia mund të shkruhet përmes gjeografisë. Ju mund të imagjinoni se çfarë mesazhi është ky për brezat e rinj në Ballkan.

STANDARD: A eshte marrë tani kjo ide e shkëmbimit të territoreve për shkak se në SHBA, Qeveria Trump, sidomos këshilltari i sigurisë John Bolton, po kërkon zgjidhje të tilla?

Bushati: Është e vështirë të përcaktohet se kush është babai i kësaj ideje.

STANDARD: Është një ide shumë e vjetër, e cila vjen nga nacionalisti serbe Dobrica Ćosić.

Bushati: Po, e dimë se këto ide nuk vijnë nga forcat pro-europiane, por nga ato të prapambetura në Serbi. Pati një fushatë komunikimi të keqmenaxhuar për këtë arsye. Autoritetet në Serbi dhe Kosovë e kanë bërë këtë temë të dialogut të normalizimit. Por vetë ideja nuk u diskutua kurrë zyrtarisht në formatin rajonal apo europian. Kjo ide ka lundruar rreth …

STANDARD: … dhe pas saj ishin shumë lobistë.

Bushati: Po, ka patur shumë konfuzion. Por ka disa procese që nuk mund të injorohen: Se pari ishte nderhyrja e NATO-s në Kosovë, pastaj ishte Procesi i Vjenes dhe Paketa e Ahtisaaarit, pastaj erdhi shpallja e pavarësisë së Kosovës, dhe Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë per këtë shpallje te pavarësisë.

Ekzistojnë parimet e grupit të kontaktit që përjashtojne ndryshimet e kufijve. Dialogu i normalizimit u transferua pastaj nga OKB në BE. Por tani ka mosmarrëveshje nepermjet këtij debati të shkëmbimit të territoreve dhe se çkando të thotë normalizim mbi të gjitha.

STANDARD: Dhe retorika është bërë shumë më keq qe atehere. Gazetat përdorin gjuhën e urrejtjes kundër grupit tjetër etnik.

Bushati: Retorika është zhvendosur rrezikshëm nga qytetarët drejt territoreve.

STANDARD: … dhe juve madje ju eshte dashur të largoheni nga zyra juaj si Ministër i Jashtëm sepse ishit kundër shkëmbimit të territorit …

Bushati: … dhe nuk ka një koordinim të qartë midis fuqive perëndimore.

STANDARD: A mendoni se kjo ide e shkëmbimit të territorit tani është jashtë tryezes se bisedimeve, pasi Kancelarja gjermane Angela Merkel kohët e fundit organizoi një takim me politikanët ballkanas në Berlin vetëm për këtë qëllim? Ideja e shkëmbimit territorial lidhet ngushtë me idenë e Serbisë së Madhe dhe Shqipërisë së Madhe, dhe disa politikanë në rajon nuk ndalojnë t’i shtyjnë këto ide më tej.

Bushati: Ka ende një hendek të madh midis të dy palëve – Kosovës dhe Serbisë – në çfarë do të thotë normalizim në të vërtetë. Në çdo rast, normalizimi nuk duhet të çojë në një situatë të re në terren. Normalizimi do të thotë të lehtësosh kontaktin e njerëzve dhe të përqendrohesh te të drejtat e qytetarëve, veçanërisht te atyre që jetojnë në rajonin ndërkufitar. Kjo gjithashtu do të thotë të kapercesh pengesat dhe të zbatohen të gjitha angazhimet për të cilat tashmë është rënë dakord.

Marrëveshjet e para erdhën në vitin 2013 dhe që atëherë ato janë “riinterpretuar” ose “rishkruar” nga aktorët, nisur nga agjendat e tyre të brendshme. Çështja është nëse të dy palët janë me të vërtetë serioz me rrugetimin europian.
Kur për shembull, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç thotë se po e diskuton këtë çështje me Presidentin rus Vladimir Putin dhe të tjerë, pyes veten nëse ai e pranon Europën? Sepse kjo është një çështje politike që duhet të kërkohet në Europë, dhe ai i njeh kushtezimet.

STANDARD: Si duhet të sillet Shqipëria? Në fund të fundit, këtu ka ambicie për të krijuar një Shqipëri të Madhe.

Bushati: Në këtë rajon, janë shpenzuar shumë kohë dhe energji për ide për ndonjë shtet të madh, por në fund fare ne kemi nevojë për kohë dhe energji për zhvillimin social dhe ekonomik. Nuk ka plan B, pjesa tjetër janë vetëm lojra politike dhe retorikë, ndonjëherë të shoqëruara me frustrim.

STANDARD: A mendoni se miqësia e re midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë mund të shërbejë si model për mënyrën se si Shqipëria mund të zgjidhë çështjet e pazgjidhura me Greqinë?

Bushati: Kjo është një situatë e ngjashme paradoksale. Kryeministri Edi Rama dhe unë kemi qenë te përfshirë për të kontribuar me “faktorin shqiptar”, që Kryeministri maqedonas Zoran Zaev mund të arrinte një marrëveshje me Greqinë, dhe tani ne pyetemi nëse marrëveshja e Prespës mund të jetë një model për një marrëveshje ndërmjet Greqisë dhe Shqipërise?! Këto dy gjëra nuk janë të krahasueshme, por unë jam i sigurt se ne kemi krijuar një bazë solide për një marrëveshje dhe kemi paketuar gjithçka në një zgjidhje paketë.

STANDARD: Çfarë mungon?

Bushati: Bëhet fjalë për gjendjen e luftës mes dy shteteve dhe përkufizimin e zonave detarë.

STANDARD: A mund të vijë së shpejti zgjidhja ne pakete?

Bushati: Kjo është shumë e mundshme. Por tani ka zgjedhje në Greqi. Dhe gjatë këtyre periudhave zgjedhore është e vështirë.

STANDARD: Cfare duhet të bëjë Komisioni i ri i BE-së dhe shefi i ri i politikës së jashtme të BE-së në lidhje me Ballkanin Perëndimor?

Bushati: Parimet e sundimit të së drejtës duhet të ndërlidhen me kohezionin social dhe ekonomik. Për shkak se është e vështirë të flitet për reformat e sundimit të së drejtës në Ballkan pa një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Nëse shikoni të dhënat e Bankës Botërore, do të duhen 5-6 dekada për Ballkanin Perëndimor për të arritur nivelin e BE-së. Dhe ky dallim nuk do të kapërcehet nëse nuk do të marrim fonde shtesë për Ballkanin Perëndimor. Të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor së bashku janë më të vogla se Rumania dhe nuk paraqesim ndonjë rrezik për BE-në. Ne kemi kontribuar per sigurinë në krizën e migracionit, dhe kur është fjala për ekstremizmin e dhunshëm. Por tani është e vështirë të krijosh një narrative bindëse për të mbështetur integrimin në BE. Personalisht, e di se çfarë ndryshimi është të hapim një ose pesë kapituj të negociatave, por fermerët dhe studentët nuk mund ta kuptojnë atë nëse nuk e ndiejnë ndryshimin në jetën e tyre të përditshme.

Ekskluzive/ Rusi i UNMIK ishte agjent i shërbimeve sekrete të Moskës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka njoftuar se qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ta cilësuar non-grata shtetasin rus Mikhail Krasnoshchenkov, të arrestuar gjatë operacionit policor në Mitrovicë.

Vendimi, sipas kryeministrit, është marrë për shkak të veprimeve të shtetasit rus, kundër rendit kushtetues të Kosovës.

“Vendimi është marrë sot ndaj këtij personi që punon si staf ndërkombëtar në Kombet e Bashkuara, dhe të njëjtit i urdhërohet që ta lëshojë territorin e Republikës së Kosovës. I bëj thirrje Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë të respektojë vendimin”, ka shkruar kryeministri Haradinaj.

Burime të larta diplomatike në Tiranë dhe Kosovë i konfirmuan realstory.al se rusi në fjalë është gjithashtu agjent i shërbimeve sekrete i FSB. Ai bashkëdrejton celulën e shërbimeve sekrete serbe që për t’u mbrojtur nga sulmet është e vendosur brenda një spitali në Mitrovicë. Realstory.al ka parë mesazhin që UNMIK kishte shpërndarë mëngjesin e aksionit të  forcës policore të Kosovës në veri të Mitrovicës, ku i bëhej thirrje punonjësve të mos dilnin në punë. Por punonjësi rus jo vetëm ka dalë në punë, por ka tentuar të pengojë me makinën e tij forcat e policisë.

Nga vëzhgimet e shërbimeve, ai jo vetëm zhvillonte veprimtari subversive por ndërkohë katër persona të tjerë që duhet të ishin arrestuar, ishin larguar nga Mitrovica në drejtim të Serbisë. Me gjasë të lajmëruar nga agjenti rus i cili dihej se shoqërohej me ta. I alertuar nga sms e UNMIK mesa duket ai ka lajmëruar të kërkuarit, – i thotë burimi i lartë diplomatik shqiptar realstory.al.  Kjo si duket ka sjellë si pasojë dhe vendimin për largimin e tij nga territori i Kosovës.

Sot, kam kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme që në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të shpallim…

Gepostet von Ramush Haradinaj am Freitag, 31. Mai 2019
Skip to toolbar