Nis ndërtimi i shkollës “Kristo Frashëri”, Veliaj: Më 30 qershor kemi garë me veten!

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini dhe deputeti Ulsi Manja, kanë qenë të pranishëm në nisjen e punimeve për ndërtimin e një shkolle të re më kopësht të integruar, në zonën e “Don Boskos”. Gjatë fjalës së tij në inspektimin e punimeve për ndërtimin e shkollës “Kristo Frashëri”, Veliaj u shpreh se falë këtyre investimeve në infrastrukturën arsimore, në Tiranë po merr fund arsimi me dy turne.

“Poli i parë ishte tek Universiteti Bujqësor, ku filloi shkolla “Nënë Tereza”; poli i dytë është ky ku jemi sot, me shkollën “Kristo Frashëri”; poli i tretë është tek rrethrrotullimi“Shqiponja”, ish Reparti Ushtarak, ku do të fillojë edhe një shkollë tjetër; poli i katërt do të vazhdojë në zonën e Astirit, ku kryqëzohet me Lanën. Merr fund kështu një pjesë e madhe e stresit të familjeve, të cilat bëjnë tranzit nga një orë për të vajtur në shkollë e një orë tjetër për t’u kthyer, plus kostoja financiare dhe koha e humbur, por mbi të gjitha, shpëton i gjithë qyteti nga ankthi 20 e kusur vjeçar i mësimit me dy turne”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se në zgjedhjet e 30 qershorit do të zhvillohet një referendum për mënyrën se si do të vijojë Tirana. “E kuptoj që detyra kryesore e deputetit është të përfaqësojë në Parlament, ama në përballje me qytetarët, pjesa më e madhe e problematikës janë shkollat, kopshti, çerdhja, uji, dritat, ndaj jam i lumtur që për Laprakën, për Njësinë 11, po punojmë në shumë fronte. Në 30 qershor e kemi garën me veten”.

“Pra, kemi garë që së pari, të japim llogari çfarë punësh bëmë, dhe në datë 30 qershor t’ju kërkojmë njerëzve se duam t’i vazhdojmë këto shkolla, këto kopshte, këto çerdhe, duam të vazhdojmë me ujësjellësin, duam ta zgjerojmë Bovillën, duam të vazhdojmë të mbjellim pemë, duam të vazhdojmë që Bregu i Lumit të jetë një zonë e mirë”, tha Veliaj.

Skip to toolbar