Nga Eduard Zaloshnja
Ndërhyrja e parë amerikane në krizat shqiptare ka qenë edhe më ekzistencialia për shtetit tonë. Pas Luftës së Parë Botërore, politikanët shqiptarë ishin të përçarë, nën ndikimin e fqinjëve që donin ta ndanin mes tyre shtetin e ri shqiptar (të njohur nga Konferenca e Londrës së 1913-ës). U desh ndëryrja vendimtare e Presidentit Uillson në Konferencën e Paqes, që i vuri fre synimeve të fqinjëve, dhe që u dha krah politikanëve që donin vazhdimësinë e shtetit shqiptar. Pas asaj ndërhyrje fatlume, u mblodh Kongresi i Lushnjës, dhe historia dihet si ka vazhduar.
Do të duhej të kalonin 70 vjet, që SHBA
të ndërhynte përsëri në një krizë shqiptare. Në vitin 1991, pasi PPSH-ja
kishte fituar zgjedhjet e para pluraliste (rezultati i tyre u njoh ndërkombtarisht),
filloi greva e përgjithshme në vend. Ndërkohë, në Tiranë pati përplasje mes
protestuesve dhe forcave të rendit, që u shoqëruan edhe me vënie zjarri të një
pjese të Pallatit të Kulturës. Nga ana tjetër, “Vullnetarët e Enverit” po
kërcënonin se do të marshonin drejt Tiranës, për t’u përplasur me protestuesit.
Në kushtet kur vendi mund të futej në
spiralen e luftës civile, Zëri i Amerikës mbështeste hapur opozitën, ndërsa i
ngarkuari me punë i Ambasadës Amerikane në Tiranë (amabasadori ende nuk ishte
konfirmuar nga Senati), u takua me kryeministrin Nano. Dhe pas atij takimi, u
arrit marrëveshja mes mazhorancës e opozitës për krijimin e qeverisë së
stabilitetit, e cila do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohëshme një vit më
vonë.
Ishte përsëri ndikimi i Zërit të
Amerikës dhe ndërhyrja e ambasadës amerikane ajo që rrëzoi qeverinë e
stabilitetit (të kryesuar nga socialisti Bufi), pasi nuk arriti ta stabilizonte
vendin. Qeveria teknike që erdhi pas saj e çoi vendin në zgjedhjet e marsit
1992, që sollën PD-në në pushtet.
Katër vjet më vonë, pas zgjedhjeve të
kontestura të 1996-ës, Departamenti i Shtetit i kërkoi Berishës përsëritjen e
zgjedhjeve në 40 zona elektorale, gjë që nuk ia rrezikonte mazhorancën PD-së në
Kuvend. Por Berisha pranoi përsëritjen vetëm në 16 zona. Nëse një më tepër do
të kishte pranuar, do t’i ishte vënë në rrezik mazhoranca e cilësuar me 2/3 në
Kuvend, e cila i duhej për t’u rizgjedhur si President i Republikës dhe për të
miratuar projekt-kushtetutën (që i ishte rrëzuar në referendumin e 1994-ës).
Pas snobimit publik që i bëri
Uashingtonit, ambasada amerikane u bë si një faltore ku faleshin opozitarët dhe
eksponentët e mediave kritike ndaj Berishës. Ndërkohë, FMN-ja dhe Banka
Botërore (që dominoheshin e dominohen nga Uashingtoni financiarisht) filluan
sulmin ndaj firmave piramidale, të cilat kishin lulëzuar nën vëzhgimin
dashamirës të Berishës (një ndër gabimet që ka pranuar publikisht ai – në një
emision të Fevziut para zgjedhjeve të 2005-ës – ka qenë pikërisht mosmbyllja e
firmave piramidale me kohë).
Dihet si rrodhën ngjarjet më tej. Kur
shpërtheu revolta për paratë e humbura në skemat piramidale, amerikanët i
propozuan Berishës që të emëronte Eduard Selamin si kryeministër dhe të
shpallte zgjedhje të parakohëshme. Por ai nuk pranoi. Kur situata mbërriti
pikën e vlimit, amerikanët arritën t’i ulin palët në negociata, që filluan para
1 marsit 1997. Por Berisha nuk u tërhoq dhe pas 1 marsit, depot e armatimeve të
ushtrisë u hapën (rreth 1 milionë armë ranë në duart e popullsisë civile). Në
zgjedhjet e parakohëshme të atij viti, nën mbikqyrjen e 6 mijë trupave
ndërkombëtare, koalicioni i majtë mori 2/3 e vendeve në Kuvend.
Pas katër vjetëve të mbushura me
protesta të PD-së (madje edhe me zaptime të armatosura të kryeministrisë
dhe insitucioneve të tjera), u zhvilluan përsëri zgjedhje parlamentare.
Mazhoranca e majtë arriti të merrte 3/5 e mandateve – mjaftueshëm për të
zgjedhur Nanon President të Republikës dhe Metën kryeministër. Por 3/5 i arriti
përmes skemës së Dushkut dhe përdorimit të policisë e Gjykatës Kushtetuese. Dhe
ambasada amerikane ndërhyri përsëri. Ajo përdori e para frazën “mjaftueshëm
vota për kryeministrin, por jo për presidentin”. Që do të thoshte se ose Meta,
ose Nano duhej të mbeteshin me gisht në gojë (edhe pse kishin bërë përpjekje titanike
për ta patur të dy gishtin në mjaltë…)
Me ndihmën e Brukselit dhe Berlinit,
Uashingtoni arriti të gjente një zgjidhje, sipas së cilës Nano e Berisha ranë
dakord të zgjidhnin si president Moisiun (një ushtarak në pension) dhe Nano të
bëhej eventualisht kryeministër.
Por muaji i mjaltit nuk zgjati shumë.
Berisha e akuzonte çdo ditë Nanon dhe ministrat e tij për korrupsion, ndërkohë
që ndërkombëtarët po shqetësoheshin për skafët e gomonet e shumta që
transportonin përtej Adriatikut drogë, armë, emigrantë ilegalë, e prostituta.
Dhe Uashingtoni filloi qitjet nga larg, sa me kritikat në Zërin e Amerikës dhe
sa me seanca dëgjimore në Kongres.
Para zgjedhjeve të 2005-ës, në Tiranë
erdhi Drejtori i CIA-s, i cili u takua me Nanon. Dhe disa ditë më vonë, Nano i
humbi zgjedhjet, pa bërë ndonjë rezistencë të madhe për të apeluar vendimet e
KQZ-së.
Pas vrasjes së 4 protestuesve në 21
janar 2011 (jashë kangjellave të Kryeministrisë), FBI-ja bëri një ekspertizë, e
cila fajësonte drejtpërdrejt zinxhirin komandues të Gardës së Republikës. Por
gjykata shqiptare nuk e pranoi atë ekspertizë (pranoi ekspertizën shqiptare, që
konkludoi se plumbat kishin bërë rikoshet tek halat e pishës..). Dhe më pas
filluan qitjet nga Uashingtoni, sa nga Zëri i Amerikës e sa nga Kongresi. Ato
qitje paralajmëruan rrotacionin e dytë paqësor rradhazi. Gjë që s’kishte
ndodhur më parë në historinë shqiptare.
Parvjet, pasi i dërguari i Merkelit nuk
arriti ta nxirrte opozitën nga çadra para kryeministrisë, erdhi
ndihmës-zëvendës-sekretari i shtetit amerikan dhe u dorëzoi të dy palëve një
projekt-marrveshje, duke i paralajmëruar që të mos ndryshonin asnjë fjalë të
saj. Rama dhe Basha u takuan më pas, dhe bënë një marrëveshje edhe më të
avancuar se ajo amerikane, duke krijuar përshtypjen se do të kishim një
koalicion të madh (PS-PD) pas zgjedhjeve.
Por Rama siguroi 74 mandate, duke mos
patur nevojën për ta futur Bashën në qeveri. Dhe Basha i druhet tani një
marrëveshje të re me Ramën kryeministër, sepse mund t’i rrjedhin votat si
parvjet.
Në fakt, Zëri i Amerikës i kishte dhënë
sinjalet për një parapërgatitje për rrotacionin e rradhës (në vitin 2021). Ai
raportoi për fallsifikimin e regjistrimit në SHBA të kompanisë që qeveria Rama
i kishte dhënë tenderin e Unazës së Tiranës, si dhe raportoi për përgjime të
Vangjush Dakos, nga të cilat lihej të kuptohej se ai mund të ishte përfshirë në
blerje votash. Ndërkohë, raportet vjetore të Departamentit të Shtetit
kritikonin qeverinë për nivel të lartë korrupsioni dhe luftë të pamjaftueshme
ndaj trafikut të drogave të forta.
Duke përdorur pikërisht këto argumente,
opozita kaloi në veprimin ekstrem të djegjes së mandateve parlamentare, si dhe
në kërcënimin për përplasje civile në ditën e zgjedhjeve lokale (në rast se
Rama nuk jep dorëheqjen deri atëherë).
Por ky kurs ekstrem nuk mund të
duartrokitej nga Uashingtoni, i cili e bëri të qartë përmes
ndihmës-zëvendës-sekretarit të shtetit, se parlamenti dhe qeveria janë
legjitime, dhe opozita duhet të garojë në zgjedhje për të ardhur në pushtet.
Përkthimi: Uashingtoni i dha municione opozitës, por për 2021-shin. Me djegjen
e mandateve, ato municione i plasën në dorë Bashës. Amerika nuk pranon më
rrotacione të dhunshme në Shqipëri dhe as krijimin e precedentëve të rrezikshëm
për të ardhmen.
A është kjo arsyeja e qendrimit të prerë
amerikan?
Këto ditë do ta marrim përgjigjen e
kësaj pyetje, nëse në Tiranë mbërrijnë emisarë posaçërisht për krizën (e jo
zyrtarë dytësorë si këta që mbërritën sot). Me pak fjalë, Basha duhet të presë
ardhjen e ndonjë emisari të posaçëm amerikan, që të ketë ndonjë shpresë
për 2021-shin. Përndryshe… shihemi pas 30 qershorit!