Vasili: Pushteti i lig ka vdekur, ne do ndërtojmë pushtetin e mirë

Më të fundit


Ish-kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka zgjedhur një gjuhë letrare për të komentuar protestën e djeshme dhe për të vijuar me akuzat ndaj mazhorancës aktuale.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, ai e ka cilësuar protestën e djeshme si fundi i një pushteti të lig dhe analfabetik, ku shprehet se shqiptarët janë ngritur në shesh për të “ç’helmuar këtë vend nga kjo ligësi qeveritare pa fund”. Sipas tij, Shqipëria ka një pushtet, që rrënimin e vet e mban në këmbë me qeveritarë të rrënuar, që korrupsionin e lufton me një korrupsion edhe më të madh që të harrohet i pari, që problemin do ta zgjidhe me demagogji dhe jo me veprim të vërtetë e rrënjësor, që krimin nuk e lufton, por e ul në sofrën e pushtetit e që votën nuk e fiton, por e vjedh me kriminelë.


Madje, ai pretendon se pushteti nuk po bën asnjë hap pas për zgjidhjen e krizës. “Nuk ka një hap e veprim të këtij pushteti të ligë të rilindjes, që të tregojë sinqeritet. Çdo veprim i këtij pushteti të ligë është vetëm mashtrimi i radhës për të fituar minutat e ditët e radhës e për të shtyrë ditët e tij të pushtetit”, shprehet Vasili.

Megjithatë, ai shton se “shqiptarët janë në rrugë e sheshe për të ç’helmuar këtë vend nga kjo ligësi qeveritare pa fund”. “Ndarja nga ky pushtet i ligë është njëherazi vendosja e standardeve të reja të mëdha, parimore dhe të paprekshme nga askush. Është koha të rindërtojmë pushtetin e mirë që e ngrenë qytetarët dhe e kontrollojnë e vlerësojnë vetëm ata. Koha e pushtetit që i vë vetë notën vetes ka vdekur. Ka vdekur së bashku me analfabetin politik në krye të tij”, deklaron Vasili në postimin e tij.




Skip to toolbar