Meta tregon “ilaçin” për krizën (që nuk shëron)

Presidenti Ilir Meta i kthyer nga Bosnja ka përsëritur edhe njëherë propozimin e tij antikushtetues për zhvillimin e 3 palë zgjedhjeve në13 tetor, duke thënë se ky është “ilaçi” që i jep zgjidhje krizës në vend.

Këtë deklaratë Meta e ka bërë të enjten gjatë një takimi me delegacionin e Komitetit Hebreo-Amerikan (American Jewish Committee) me qendër në Nju Jork, të kryesuar nga Drejtori i tij Ekzekutiv, zoti David Harris.

Sipas Presidentit “kriza e rëndë kushtetuese dhe institucionale që ka përfshirë vendin, zgjidhet me propozimin e tij si President i Republikës për zgjidhjen e saj nëpërmjet zhvillimit të tri palë zgjedhjeve më 13 tetor 2019: zgjedhjeve vendore, parlamentare dhe të Presidentit nga populli”.

“I vetmi ilaç që shëron vendin nga kjo krizë e thellë përfaqësimi dhe legjitimiteti është vetëm respektimi i votës së lirë dhe direkte të të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe pranimi i verdiktit të tyre final nga të gjithë ne”, – u shpreh Meta në këtë takim.

Por propozimi i Metës është sërish në shkelje të Kushtetutës njëlloj si dekreti për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. E para sepse zgjedhjet vendore u zhvilluan dhe u njohën nga ndërkombëtarët. E dyta sipas Kushtetutës në Shqipëri presidenti nuk zgjidhet nga populli por nga parlamenti dhe e treta nuk ka asnjë arsye që të zhvillohen zgjedhje të përgjithshme pasi maxhoranca qeverisëse është e konfirmuar në parlament dhe nuk ka vend që kjo të vihet në diskutim. Në kushtetutë është e shkruar qartë se kur presidenti mund të shpërndarë parlamentin në mënyrë që t’i hapet rruga zhvillimit të zgjedheve të përgjithshme dhe që të dyja rastet lidhen me pamundësinë e parlamentit për të votuar kryeministrin, gjë që nuk ka lidhje me situatën në Shqipëri. Pra “ilaçi” i Metës nuk shëron krizën e krijuar prej tij në vend përmes dekreteve antikushtetuese.

Bomba e Fatos Klosit: Amerikanët kanë dosje për politikanët

Ish kreu i SHISH, Fatos Klosi, në një intervistë për gazetën “Dita” thotë me bindje se amerikanët kanë dosje për politikanët shqiptarë dhe së shpejti me Drejtësinë e re shumë fakte të reja do të dalin në dritë.

Në kohën kur ai ka mbajtur postin e kreut të SHISH, Klosi ka bashkëpunuar me 3 kryeministra dhe në një intervistë televizive ai ka thënë se amerikanët i kanë dhënë një dosje përvëluese për një ish kryeministër shqiptarë, dosje e cila vazhdon ende të rrijë në sirtar.

Ndërsa situatën aktuale politike, Klosi e lidh edhe me reformën në drejtësi, ndërsa shton se “drejtuesit e opozitës kanë bërë zullime” ndaj dhe i tremben reformës në gjyqësor.

Zoti Klosi, vendi është i përfshirë në një përplasje të madhe politike, që ka paralizuar thuajse zhvillimin normal në çdo sektor. Si e gjykoni këtë situatë?

– Është një situatë shumë e vështirë pasi, siç thatë dhe ju, po pasqyrohet në çdo sektor të jetës së vendit. Dhe nuk shihet asnjë perspektivë politike për zgjidhjen e situatës, ndërkohë që të dy grupimet janë barrikuar në pozicionet e tyre. Opozita kërkon me një këmbëngulje absurde, që zgjidhja të vijë nga propozimet e saj, duke “harruar” se është minorancë.

Opozita është larguar fare nga sistemi, duke djegur mandatet, duke bojkotuar zgjedhjet dhe protestuar herë me dhunë e herë paqësisht, duke kërkuar që të largohet kryeministri. Sipas saj përgjimet për blerjen e votës janë arsye të mjaftueshme që ajo të mos e pranojë më zotin Rama si kryeministër. Ju keni qenë vetë i angazhuar në zgjedhje vite më parë, a blihen votat dhe si mund të frenohet ky fenomen?

– Sigurisht që ca vota dhe mund të blihen, dhe janë blerë me kohë, dhe kjo ndodh më kollaj në zonat rurale, ku ka më shumë varfëri dhe që janë më pak të monitoruara. Përgjimet janë një provë e parë materiale për dukurinë e blerjes së votës, por që nuk tregojnë se dukuria është e re. Pastaj, ato janë bërë në mjedise shumë të kufizuara, dhe në asnjë mënyrë nuk mjaftojnë për ta përgjithësuar problemin. Nga ana tjetër janë vetëm prova, që duhet të trajtohen në një proces gjyqësor, dhe atëherë vjen koha e trajtimit të pasojave që kanë patur dhe e masave që duhen marrë.  Të kërkosh që sot, që t’i përdorësh si argumente për largimin e Kryeministrit, është thjesht një pretekst që tregon se nuk je i përgatitur seriozisht për atë që po kërkon.

Nga ana tjetër mazhoranca thotë se opozita është arratisur nga sistemi për shkak të frikës nga Reforma në Drejtësi. Sa realiste është kjo dhe pse theksohet kaq shumë që opozita ka frikë, ndërsa mazhoranca nuk paska frikë?

– Unë e besoj këtë tezë. Të gjithë, në shkallë të ndryshme, e kanë frikë Reformën. Opozita më shumë, mendoj për dy arsye: titullarët e saj kanë më shumë zullume mbi shpatulla dhe nga ana tjetër e ndjejnë vetën më larg proceseve që po çojnë në Sistemin e ri gjyqësor.

– Ju besoni se do të kemi një sistem drejtësie të pavarur?

– Besoj se po, pasi me këtë Reformë janë angazhuar seriozisht partnerët kryesorë ndërkombëtarë të vendit, ata janë pjesë e rëndësishme e strukturave kryesore dhe më delikate. Dhe po bëjnë këtu, atë që në vendet e tyre funksionon prej kohësh, pra besoj se nuk do gabojnë. Natyrisht, nuk ka për të qenë e lehtë, të paktën për shkak të traditave të ndryshme.

Aktualisht vendi është pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë dhe nuk dihet ekzakt se sa do zgjasë kjo gjendje. Mendoni se kjo është një fazë tranzitore apo palët janë duke e zvarritur me qëllim një situatë të tillë?

– Kam dëgjuar që puna për ngritjen e SPAK ka filluar, shpejt do fillojë dhe ngritja e Gjykatës së Lartë  dhe asaj Kushtetuese, është një periudhë e zgjatur tranzicioni , por nuk është fundi i botës.  E vetmja ngjarje e rëndësishme e kësaj periudhe ishin zgjedhjet e fundit lokale, që sigurisht,  e ndjenë mungesën e Gjykatës Kushtetuese. Le të shpresojmë që të votuarit e kësaj radhe do të jenë më të mirë se paraardhësit . Zgjedhjet e tjera do t’i kenë të gjitha institucionet e duhura të drejtësisë dhe të shpresojmë se do të bëhen pas një Reforme zgjedhore, shumë të nevojshme.

Zoti Klosi, dy ditë më parë ju jeni shprehur se kur keni qenë drejtues i SHISH, amerikanët ju kanë vënë në dispozicion një dosje me afera korruptive të një kryeministri. Mund të na thoni ndonjë detaj për çfarë bëhet fjalë konkretisht?

– Dhe aq sa thashë, ndoshta thashë shumë, pasi bëhet fjalë për një bashkëpunim me partnerët kryesorë të Shërbimit, dhe nuk është në traditën e punëve të mira, që aspekte të bashkëpunimeve midis Shërbimeve të bëhen publike, edhe se ka kaluar shumë kohë nga ngjarja.

Ju thatë se bëhej fjalë për një rast që nuk e parashikonte ligji. Cila është ajo vepër që lidhet me korrupsionin dhe nuk e parashikon ligji?

– Problemi nuk ka qenë kaq i thjeshtë. Ligji për Shik-un është një ligj kuadër, që jep vetëm parimet e përgjithshme të detyrave, të lidhjeve me institucione nga ku varet, të mënyrës së përcaktimit të prioriteteve të punës, të kufizimeve të detyruara në trajtimin e subjekteve  dhe të organizimit të brendshëm të Shërbimit. Kur u hartua ligji i ri i Shërbimit, që u realizua me ndihmën e madhe të partnerëve amerikanë, as që mund të mendohej që kupola e Shtetit të ishte ndonjëherë subjekt i Shërbimit, prandaj problemi nuk ishte i thjeshtë.

Si vepruat pasi u njohët me rastin? 

– Ju thashë pak më parë, edhe kaq sa kam thënë në publik është shumë.

Në çfarë viti ju ka ardhur kjo dosje, cila ishte biseda që patët me presidentin Meidani, dhe a mund të hapet sot një dosje  e tillë, duke qenë se kryeministrat e asaj kohe i kemi ende gjallë?

– Ky është një nga problemet e Sistemit të ri të Drejtësisë.

A kanë amerikanët dosje për politikanët shqiptarë?

– Sigurisht, ata janë fuqi botërore dhe përpiqen të dinë gjithçka që munden për armiqtë, por dhe për miqtë e tyre. Informacionet për integritetin e partnerëve të rëndësishëm, janë të domosdoshme për zgjedhjen e mënyrës së bashkëpunimit me ta.

Cilat janë veprat që politikanët janë më shumë të përfshirë?

– Unë sot di, aq sa lexohet dhe shihet në media. Natyrisht, një filtrim i logjikshëm i këtij informacioni është i domosdoshëm. Vepra më e përhapur e paligjshme midis politikanëve është përfitimi i paligjshëm, apo shkurt, korrupsioni.  Shpresoj që Sistemi i ri i drejtësisë do vërë gishtin mbi këtë fenomen, për ta minimizuar, por dhe për të ndarë politikanët e ndershëm nga ata të korruptuar.

Me bërjen e drejtësisë së re, mund të shpresojmë se do të ketë fakte të papublikuara që ndërkombëtarët do të vënë në dispozicion të prokurorëve?

– Besoj se do ketë.

Zoti Klosi ju keni qenë anëtarë kryesie i LSI dhe njeh mirë raportet mes Ilir Metës dhe Edi Ramës. Si e shikoni këtë marrëdhënie mes tyre?

– Në përgjithësi nuk kanë qenë shumë miqësore, kanë patur shumë dritë-hije.

Mendoni se parlamenti do ta shkarkojë presidentin, dhe a është e motivuar një gjë e tillë?

– Më duket se armiqësia aktuale midis Parlamentit dhe Presidentit nuk është proporcionale me ngjarjet e ndodhura. Më vjen keq që ngjarjet nuk u diskutuan para se të ndodhnin dhe të ish gjetur një  trajtim më racional i tyre.

Si e shikoni të ardhmen politike të zotit Meta?

– Tek LSI, siç është tradita dhe e vërteta.

A rrezikon vendi në një përplasje civile nëse arrestohet ndonjë prej krerëve të opozitës?

– Më duket absurde.  Kush do të sakrifikonte për ca krerë që kanë gabuar dhe po gabojnë përditë, përveç ndonjë militanti ekstrem. Kush do ishte pala tjetër, veç forcave të rendit? Nuk do ishte përplasje civile, por një vazhdim i përplasjeve që pamë  në disa prej protestave të dhunshme të Opozitës.

Pyetja e fundit, a mendoni se ka ardhur koha që kjo klasë politike të dalë në pension për të lënë qarkullimin e elitave dhe t’ia lënë stafetën brezit të ri?

– Po, ka ardhur dhe ka kaluar, shumica e politikanëve të rëndësishëm janë prej pothuaj 30 vjetësh në politikë. Por është dhe një problem po kaq serioz, nuk ka politikanë të rinj seriozë, ata që janë evidentuar gjer më tani, janë bërë të tillë se u janë servilosur dhe mbajnë si idhuj, të vjetrit. Gjetja e politikanëve të rinj, me koncepte dhe mendësi të reja, do të jetë një problem shumë i vështirë i së ardhmes. Gjer më tani të gjithë ( pothuaj)  të rinjtë që i janë afruar politikës, e kanë bërë për të përfituar prej saj.

Aldo Bumçi për Real Story: Jemi të përgjegjshëm, nuk pengojmë votuesit

Opozita ka zgjedhur të protestojë paqësisht këtë të diel zgjedhjesh, duke shmangur skenarin e dhunës të parashikuar më herët. Në një lidhje direkte për emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, ish-deputeti demokrat, Aldo Bumçi, u shpreh se PD do të rikthehet te protestat pas datës 30 qershor. Bumçi tha se PD nuk do të pengojë asnjë zgjedhës për të votuar.

PD do bëj pas 30 qershorit atë që bëri deri më 30 qershor. Sot i vetmi aktor i përgjegjshëm është vetëm PD. Kemi organizuar protesta masive, kishte sinergji. Ne i frenuam protestat, jemi të ndërgjegjshëm sepse nuk duam të ketë asnjë dëme. Ne nuk do pengojmë askënd, është një protestë simbolike, ky vend nga këto zgjedhje e rëndon krizën”.

Aldo Bumçi shtoi se kriza kërkon zgjidhje të shpejt, duke u shprehur se durimi do të marrë fund një ditë. “Ky vend ka nevojë urgjente për zgjidhje. Ne kemi ofruar zgjidhje, nuk ka pasur dëme në katër muaj protesta. Kjo përgjegjshmëri nuk do vazhdojë gjatë nëse Edi Rama nuk i hap rrugë zgjidhjes që kërkojnë të gjithë. Nuk mund të ketë zgjedhje pa opozitën. Pra sot ne jemi në shumicë në këtë vend. Ne nuk kërkojmë ti hedhim benzinë zjarrit. Kjo krizë kërkon zgjidhje të shpejt në të kundërt durimi do përfundojë”.

Pas katolikëve dhe myslimanëve, reagon Kisha Ortodokse: Palët të gjejnë rrugën e pajtimit

Kisha Ortodoske e Shqipërisë ka reaguar mëngjesin e së hënës për krizën politike në vend duke apeluar për zgjidhjen sa më parë të saj.

Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Kisha Ortodokse shpreh me shqetësim dhe keqardhje se rrugët e pajtimit po ngushtohen, ndërsa thekson se ashpërsimi i konfliktit sjell pasoja të rënda për vendin.

Kisha apelon për gjetjen e zgjidhjes në të mirë të popullit shqiptar.

Pak ditë më parë të njëjtin apel për zgjidhje e ka bërë Kisha Katolike dhe Komuniteti Mysliman shqiptar.

Deklarata e plotë e KISHËS ORTHODHOKSE AUTOQEFALE TË SHQIPËRISË

Duke e ndjekur me kujdes situatën konfliktuale politike që është krijuar në vendin tonë kemi shpresuar se palët, nëpërmjet një përpjekjeje dhe mirëkuptimi të ndërsjellë, do të gjenin një zgjidhje, të pranueshme për të gjithë.

Por, me keqardhje po shikojmë se rruga e pajtimit dhe e mirëkuptimit sapo vjen dhe po ngushtohet, duke rrezikuar kështu ashpërsimin e konfliktit, i cili mund të sjellë pasoja shumë të rënda për të tashmen dhe të ardhmen të Shqipërisë .

Prandaj, me shqetësim të madh dhe përulësi, do të lutemi në të gjitha kishat që Perëndia i paqes dhe i urtësisë të inkurajojë të gjithë ata që kanë përgjegjësinë e drejtimit të vendit, që të ndërgjegjësohen për rëndësinë e detyrës, me të cilën janë ngarkuar, të gjejnë rrugën e pajtimit dhe të mirëkuptimit dhe të ofrojnë zgjidhje konkrete për të gjitha problemet, për të mirën e vendit dhe të popullit tonë.

Basha heq dorë nga kërcënimi? Tani flet për zgjidhje “politike”

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka postuar mëngjesin e së hënës foto nga protesta e 2 qershorit, ndërsa nuk përsërit kërcënimin e një nate më parë kur tha se kjo ishte hera e fundit që ai fliste, më 8 qershor do të flasë sovrani.

Duket se Basha ka hequr dorë nga kërcënimi, por është mundur të japë zgjidhje për krizën në vend.

“Bashkimi popullor i 2 Qershorit është asambleja më madhështore e shqiptarëve europianë, të vjedhur, të dhunuar e të tradhtuar, që kërkojnë zgjidhjen e krizës me largimin e shkaktarit të saj, qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira.

Unë e di që çdo shqiptar lufton të ketë të njëjtat të drejta si çdo qytetar europian. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë, por nuk do të pranojmë asgjë më pak për veten se vlerat që na bashkojnë: demokraci, shtet ligjor dhe drejtësi të barabartë për të gjithë.

Ne nuk hedhim asnjë hap pas!”, shkruan Basha një ditë pas protestës së dhunshme, ndërkohë që i gjithë faktori ndërkombëtar bën thirrje për përmbajtje dhe dialog politik.

Bashkimi popullor i 2 Qershorit është asambleja më madhështore e shqiptarëve europianë, të vjedhur, të dhunuar e të…

Gepostet von Lulzim Basha am Montag, 3. Juni 2019

Kriza politike, aleatët e Bashës kërkojnë zgjedhje të parakohshme në vjeshtë

Krerët e partive aleate të Koalicionit Opozitar kanë zhvilluar një takim në qytetin e Shkodrës nga ku kanë deklaruar se zgjidhja e krizës vjen vetëm nëse zgjedhjet lokale shtyhen për në vjeshtë dhe zhvillohen bashkë me zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Aleatët e Bashës kërkojnë me ngulm krijimin e një qeverie tranzitore e cila do të përgatisë terrenin për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 “Kryeministri, ata që janë në Parlament sot, i anatemon, i quan zëvendësues të Partisë Demokratike. Ata, të paktën në këto momente, përderisa mendojnë se zgjedhje me një parti nuk mund të ketë, duhet të bojkotojnë Parlamentin. Ne marrim përsipër, që sëbashku, e gjithë politika të dakordësohet, të ketë vullnet pozitiv, të shkëputet nga krimi përfundimisht, dhe kjo bëhet vetëm nëpërmjet një qeverie kalimtare e cila kërkon një kohë të caktuar, nuk mund të bëhet as për një javë, as për dy javë, as për një muaj dhe as për dy muaj por ndoshta do të kërkojë një periudhë 5-6 mujore”, u shpreh kreu i PAA, Agron Duka

“Ju si shkodranë keni qenë përherë në krye të betejave demokratike. Më 30 qershor zgjedhje nuk duhet, nuk mund dhe nuk do të ketë, por kjo nuk mjafton. Duhet të jemi të gjithë, si sot, më shumë nesër, me qëllim jo vetëm të mos realizohen zgjedhje në 30 qershor, por kur të realizohen ato në vjeshtë, zgjedhje parlamentare dhe zgjedhje për pushtetin vendor, pasi të jetë ngritur një qeveri tranzitore, duhet të jenë zgjedhje me një mesazh të fuqishëm, se Shqipëria nuk do t’i kthehet më asnjëherë praktikave totalitare, të një qeverisje që pretendon se është zgjedhur në mënyrë demokratike”, tha kreu i PBDNJ, Vangjel Dule.

“Ne po rezistojmë për gjënë që është më esenciale që kemi fituar këto 27-28 vjet, lirinë për të zgjedhur. Po e humbëm edhe këtë, këtu demokracia mbetet një fjalë boshe pastaj, dhe kthehemi atje ku kemi qenë. Kështuqë, edhe njëherë, do t’ju ftoja të vimë ditën e dielë, do të na duhet edhe një e dielë tjetër ndoshta, do të na duhet këtu në Shkodër të organizohemi më shumë, sepse rrugë tjetër nuk na ka mbetur. Ai zotëria po tenton me një parti, ne do t’i themi ‘nuk do të lejojmë’, kjo është e drejta jonë. Kemi mundësi të kemi pluralizëm, po qemë të zotët ia arrijmë, po na thyen, bravo ju qoftë, do t’i durojmë pastaj, do të ulim kokën e të rrimë. Unë ju falenderoj se jam i sigurt që Shkodra s’ka ndërmend ta ulë kokën.” u shpreh kreu i LZHK, Dashamir Shehi.

Krerët e partive opozitare e mbyllën takimin duke u bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës së opozitës në datën 2 Qershor.

Basha përgjigjet në mënyrë poetike, por eviton polemikën direkte me Ramën

Pas letrës së pestë publike të kryeministrit Edi Rama, i cili e ftonte në dialog ka reaguar kreu i opozitës, Lulzim Basha. Me një postim në Facebook, Basha shkruan se opozita nuk do të bëjë asnjë hap pas, ndërsa thekon se beteja për demokracinë është misioni më i madh dhe fisnik, që nuk duhet dorëzuar. Postimin Basha e ka shoqëruar edhe me një album fotografik nga protesta e djeshme, si një përgjigje për fjalët e Ramës se protesta e opozitës po tkurret çdo ditë e më shumë

Postimi i Bashës

Ne jemi Populli i Europës, ne jemi Populli i Lirisë, ne jemi Populli i Demokracisë. Ne jemi njerëz që besojmë në vlera, besojmë tek dinjiteti i njeriut, besojmë tek familja, besojmë tek atdheu.

Demokracinë nuk e japim, të drejtat dhe liritë tona nuk i dorëzojmë. Beteja për to është misioni më i madh dhe më fisnik i njeriut të lirë. Beteja me të keqen, po e çliron dhe fisnikëron shoqërisë dhe kombit tonë.

Forca jonë është bashkimi, forca jonë është qëndresa, forca jonë është përballja deri në fitoren e kësaj beteje për Shqipërinë si gjithë Europa. Asnjë hap pas!

Letra e pestë e Ramës: Lul hajde sa nuk është vonë. Pas 30 qershorit do të hanë të tutë

Kryeministri Edi Rama i është drejtuar sërish me një tjetër letër të pestë kundërshtarit politik, Lulzim Basha, duke e ftuar për dialog, por nuk kanë munguar edhe notat e ironisë, teksa përmend njoftimin për protestën e radhës të opozitës. Kryeministri i vë në dukje Bashës se kanë mbetur shumë pak ditë në dispozicion për dialogun, ndërkohë që sipas tij, “karvani i fitores imagjinare të opozitës po firon pak e nga pak”.

“Nëse nuk ulemi në Tryezën e Dialogut edhe këto pak ditë që kanë mbetur, ju mund të vazhdoni të lëshoni balona e të ndizni dritat e celularëve të shpresës se qielli do më përpijë mua, njësoj balonat dhe nga qielli bum, do bjerë dhuratë për ju fitorja që me votë meazallah se e arrini dot. “, deklaron Rama.

Po ashtu, ai vë sërish në dukje se zgjedhjet e 30 qershorit nuk i shtyn dot askush dhe as i pengon dot askush “Kushtetuta e Republikës sonë nuk lejon askënd t’i shtyjë, kurse ligji dënon rëndë këdo që prek qoftë edhe një kuti votimi”, deklaron Rama.

LETER E PESTE PUBLIKE E EDI RAMES, DREJTUAR LULZIM BASHES

Zoti Kryetar, në radhë të parë sinqerisht përgëzime për mbrëmë, sepse pavarësisht bojëhedhjes mbi mure që e keni cen fiziologjik si parti, kalimi nga kapsollat e molotovët, tek balonat dhe dritat e celularëve ishte një hap domethënës mbrapa!

Por siç edhe me siguri e vutë re vetë, karvani i fitores Suaj imagjinare po firon pak e nga pak, çdo herë që sos në Tiranë dhe siç e kuptoni, njëkohësisht po firojnë edhe shanset e Dialogut mes nesh. Koha e mbetur drejt ditënisjes zyrtare të fushatës së 30 qershorit po tretet me shpejtësi, e bashkë me të po jep shpirt të them të drejtën edhe shpresa ime e vobektë, se në dyllin e veshëve Tuaj mund të hapet një vrimë.

Sidoqoftë shpresa vdes e fundit dhe ja ku jam, unë përsëri, në kërkim të Dialogut me Ju për të bërë timen deri në fund kundër kësaj historie të pakuptimtë, të shëmtuar e dëmtore për vendin tonë të përbashkët. U bënë muaj që vini vërdallë, bashkë me punonjësit e bashkive blu e me ca katranë me bojë, duke goditur Shqipërinë ndërkombëtarisht dhe ngritur pikëpyetje të madhe tek miqtë europianë, lidhur me çeljen e negociatave me Bashkimin Europian; duke cënuar veprimtarinë ekonomike të vendit dhe turizmin në veçanti; duke trazuar një popull të tërë me hallin absurd se çfarë do të ndodhë e çfarë do të digjet kur të sosni në Tiranë herën tjetër…

Përveç këtyre sukseseve, që mund t’i thelloni më tutje nëse e vijoni këtë avaz dhe rënies së mëtejshme të mbështetjes së grupimit Tuaj politik, çfarë keni arritur ose mund të arrini tjetër apo le të dalë ku të dalë?

Parlamentin e keni ndaluar dot të funksionojë normalisht?

Jo, madje në seancat e të enjtes ka më shumë prezencë në anën e djathtë të sallës, se sa ç’kishte deri kur Ju e braktisët.

Qeverinë e keni ndaluar dot të vazhdojë punën normalisht?

Jo, madje e vërteta është se edhe të enjten, që na e kishit imponuar si ditë për lojë luftash, kur duhet të merreshim me baltën, çizmet, bojën, glasat e vezët Tuaja në Kuvend, e kemi ditë kuvendore normale.

A mos vallë më keni larguar mua dot?

Po, kjo po, më keni larguar mbrëmë me balonat që merrnin me vete në qiell parrullën e lodhur “Rama ik”, nën tingujt ëngjëllorë të vuvuzelëve të paqes, teksa pllaka e gramafonit Tuaj rilajmëronte fundin e afërt të tiranisë me përkrahjen mbarëbotërore për largimin tim drejt qiellit, kurse fallxhorja Juaj i rrëfente popullit se në një filxhan amerikan ishte iluminuar mbi dhunën, që Zoti e dënon si shembëlltyrë të Djallit!

Gjithësesi, pa u zgjatur me çka Ju kam stërshpjeguar nga ana ime në katër letrat e mëparshme, shoh të udhës të nënvizoj si vijon:

E para, nëse nuk ulemi në Tryezën e Dialogut edhe këto pak ditë që kanë mbetur, Ju mund të vazhdoni të lëshoni balona e të ndizni dritat e celularëve të shpresës se qielli do më përpijë mua, njësoj balonat dhe nga qielli bum, do bjerë dhuratë për Ju fitorja që me votë meazallah se e arrini dot. Vazhdoni po deshët deri në qershor 2021, me këtë ritual grotesk të fushatë – protestave seriale kundër zgjedhjeve, me frikën nga drejtësia si karikues për bateritë tuaja. Ndërsa ne, thjesht do të nisim e do të zhvillojmë fushatën e zgjedhjeve vendore, do t’i marrim bashkitë e braktisura prej jush se meqë i latë ju, s’mund t’i lemë edhe ne rrugëve dhe do të vazhdojmë të qeverisim, me të gjitha bateritë e karikuara për katër vjet, deri në qershorin 2021.

E dyta, zgjedhjet e 30 qershorit nuk i shtyn dot askush ndër ne dhe as i pengon dot askush mbi këtë dhe! Sepse Kushtetuta e Republikës sonë nuk lejon askënd t’i shtyjë, kurse ligji dënon rëndë këdo që prek qoftë edhe një kuti votimi. E meqë ra fjala, ata miqtë gjermanë të Shqipërisë në partinë Tuaj simotër, bëni mirë t’i dëgjoni kur Ju sugjerojnë dialog pa kushte, e jo të abuzoni publikisht për të çoroditur dynjanë, duke spekulluar me opinionet e tyre krejt miqësore! Se jo për gjë po ja, erdhi dita kur 61 kandidatët e mijëra këshilltarët e Partisë Socialiste do të jenë në Tiranë, për t’i rënë gongut të vrapimit drejt 30 qershorit dhe pastaj s’mbetet asnjë mik në botë, që të harxhojë më kohë as për opinione miqësore.

E treta dhe e fundit, mos mendoni Ju lutem për asnjë moment se 30 qershori nuk do të vijë apo do të kalojë pa zgjedhje. Një dritëshkurtësi e tillë mund t’i lejohet udhëheqësit Tuaj të currufjasur, i cili zhubravitet papushim nga mllefi i patretshëm qysh prej ikjes nga pushteti me 1 milionë shpulla dhe sfilitet përditë, nga tmerri i pangushëllueshëm i trokitjes së drejtësisë në derë. Po kjo s’ka si t’ju falet Juve që të nesërmen e 30 qershorit, do të gjykoheni nga ndjekësit Tuaj për se si ka mundësi, që i dorëzuat pa betejë elektorale tërë bashkitë e Shqipërisë! E aty pastaj kam frikë se edhe tërë pasojat e xhindosjes së atij marroqit dixhital ndaj meje e Partisë Socialiste, do t’i hani Ju si fajtori i madh i një disfate katastrofike.

Mos gënjeni veten më tutje i dashur Lulzim, koha po mbaron dhe mbytja e anijes Suaj sapo ka filluar. Ka ende një mundësi të vogël për Dialog përpara se sa vetë ndjekësit Tuaj, t’Ju flakin të parin në ujrat thithës ku e keni futur qorrazi atë anije.

Post Scriptum: Meqë lajmëruat grumbullimin e radhës në 31 maj, shtabi ynë elektoral vendosi ta spostojë në 1 qershor mitingun e çeljes zyrtare të fushatës – kollaj, nuk ishte një datë si ajo zgjedhjeve që s’e kemi ne në dorë.

Meta “dorëzohet”: S’ul dot Monën me Edin

Presidenti Ilir Meta ka folur hapur dhe ka thënë se nuk mund të bëjë asgjë për të zgjidhur krizën politike në vend. Ai thotë se nuk mund të ulë në të njejtën tryezë Ramën, Bashën dhe Monikën për shkak se palët kanë qëndrime ekstremisht të kundërta. Ai akuzon të dy palët duke thënë se e gjithë kjo situatë është shkaktuar nga ndryshimet e Kushtetutës në vitin 2008.

 “Kemi krizë serioze në Shqipëri që nuk mund t’i shmangemi, duhet të sillemi me përgjegjësi, jemi vend i NATO-s, kemi detyrim të garantojmë sigurinë dhe si një vend që dëshiron të çelë negociatat. Pasi vendi pësoi 1997 u bë një Kushtetutë e jashtëzakonshme. Në vitin 2008 për dy ditë ia hoqëm të gjitha vidat Kushtetutës dhe kaluan nga sistemi parlamentar te sistemi i mbyllur partiak. Kjo është e vërteta për situatën që kemi sot. Dy partitë e opozitës në mënyrë të papranueshme kanë lënë mandatet, por ka qenë jo funksional edhe kur kanë qenë ata. Po dëgjoj njerëz duke thënë se çfarë bën Presidenti? Unë kamë bërë atë që më takon. Presidenti nuk mund të ulë disa persona që thonë nuk ulem me këtë se është kryeministër ndërsa tjetri thotë se 30 qershori do të jetë sukses”, tha Meta në fjanë e mbajtur në konferencën për sfidat e Sigurisë në Ballkan.

Meta dakord me Ramën: Kriza politike dëmton turizmin

Presidenti Ilir Meta tha sot nga Skrapari se kriza politike në vend po sjell pasoja negative në ekonomi dhe në turizëm. Pikërisht të njejtën gjë tha dje në konferencën për shtyp për mediat edhe kryeministri Rama, i cili tha se protestat e dhushme të opozitës po plagosin imazhin e Shqipërisë në botë. Duket se të paktën në një pikë Rama e Meta janë dakord.

“Me urimin për një sezon të mbarë e të suksesshëm turistik, jam i bindur se Skrapari, falë atraksioneve të jashtëzakonshme që ofron, mikpritjen, traditat e kulinarinë e veçantë, shumë shpejt do të jetë një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në të gjithë rajonin!

Por për fat të keq, kriza politike ku ndodhet vendi, po sjell pasoja tepër të rënda edhe në ekonomi. Efektet e para kanë filluar të ndihen në turizëm dhe operatorët e cilësojnë situatën dramatike.

Edhe për këtë arsye ia vlen të reflektohet urgjentisht, përndryshe do të goditet rëndë turizmi dhe gjithë familjet shqiptare që mbështesin mirëqenien e tyre në këtë sektor kyç të ekonomisë tonë.”, shkruan Meta.

Skip to toolbar