Meta tregon “ilaçin” për krizën (që nuk shëron)

AKTUALITET


Presidenti Ilir Meta i kthyer nga Bosnja ka përsëritur edhe njëherë propozimin e tij antikushtetues për zhvillimin e 3 palë zgjedhjeve në13 tetor, duke thënë se ky është “ilaçi” që i jep zgjidhje krizës në vend.

Këtë deklaratë Meta e ka bërë të enjten gjatë një takimi me delegacionin e Komitetit Hebreo-Amerikan (American Jewish Committee) me qendër në Nju Jork, të kryesuar nga Drejtori i tij Ekzekutiv, zoti David Harris.


Sipas Presidentit “kriza e rëndë kushtetuese dhe institucionale që ka përfshirë vendin, zgjidhet me propozimin e tij si President i Republikës për zgjidhjen e saj nëpërmjet zhvillimit të tri palë zgjedhjeve më 13 tetor 2019: zgjedhjeve vendore, parlamentare dhe të Presidentit nga populli”.

“I vetmi ilaç që shëron vendin nga kjo krizë e thellë përfaqësimi dhe legjitimiteti është vetëm respektimi i votës së lirë dhe direkte të të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe pranimi i verdiktit të tyre final nga të gjithë ne”, – u shpreh Meta në këtë takim.

Por propozimi i Metës është sërish në shkelje të Kushtetutës njëlloj si dekreti për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. E para sepse zgjedhjet vendore u zhvilluan dhe u njohën nga ndërkombëtarët. E dyta sipas Kushtetutës në Shqipëri presidenti nuk zgjidhet nga populli por nga parlamenti dhe e treta nuk ka asnjë arsye që të zhvillohen zgjedhje të përgjithshme pasi maxhoranca qeverisëse është e konfirmuar në parlament dhe nuk ka vend që kjo të vihet në diskutim. Në kushtetutë është e shkruar qartë se kur presidenti mund të shpërndarë parlamentin në mënyrë që t’i hapet rruga zhvillimit të zgjedheve të përgjithshme dhe që të dyja rastet lidhen me pamundësinë e parlamentit për të votuar kryeministrin, gjë që nuk ka lidhje me situatën në Shqipëri. Pra “ilaçi” i Metës nuk shëron krizën e krijuar prej tij në vend përmes dekreteve antikushtetuese.




Skip to toolbar