Fotot nga kryeministria, opozita bën prova zëri dhe ngre podiumin për protestën


Vetëm pak orë para nisjes së protestës opozita ka nisur të bëjë përgatitjet e fundit. Kanë filluar të vendosin pajisjet dhe të ngrenë podiumin, ku mesa duket ashtu si edhe në protestën e kaluar edhe mbrëmjen e së shtunës do të ketë një fjalim të kryetarit Basha.

Gjatë mesditës teknikët kanë bërë prova zëri dhe kanë provuar nëse fonia është në rregull.

Ndërsa siç shihet edhe në foto, edhe policia ka marrë masat e saj dhe ka vendosur gardhin e hekurt para kryeministrisë ku me siguri do të ketë edhe një gardh me efektivë policie, siç ka ndodhur edhe gjatë protestave të kaluara.

Protesta e mbrëmjes së sotme shënon protestën e 8 të opozitës, e cila sot ka dhënë garanci se nuk do të ketë dhunë. Ky qëndrim i ndryshuar i PD erdhi pas deklaratave të bëra nga zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Palmer i cili e tha qartë se drejtuesit e protestës do të mbajnë përgjegjësi për çdo akt dhune.

Në protestën e kaluar Basha tha se tani fjalën e ka sovrani. Të shohim si do shkojë protesta e mbrëmjes së sotme.

Protesta e opozitës, nis bllokimi i rrugëve te godina e Kryeministrisë

Pasditen e sotme do të zhvillohet protesta e gjashtë kombëtare e opozitës, e cila do të mbahet si zakonisht para Kryeministrisë. Liderët e opozitës e kanë lajmëruar mbajtjen e protestës në orën 19:00, teksa janë shprehur se ky do të jetë tubimi më i madh deri më tani.

Pak orë  para nisjes së saj, RealStory.al ka bërë një vëzhgim në terren, për të treguar situatën para godinës së Kryeministrisë pak orë para fillimit të protestës.

Ndonëse është raportuar se nuk do të ketë akte dhune, Kryeministria është e rrethur me gardh metalik që prej tre ditësh. Ndërsa ditën e sotme janë vendosur dhe tre makina ujëhedhëse pas Kryeministrisë, për të qenë në gadishmëri për çdo situatë.

Rruga nga RTSH në drejtim të piramidës është bllokuar pas mesditës, ndërkohë që postblloqe policie janë vendosur në akse kyçe, kryesisht në rrugë që të çojnë drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku do të zhvillohet protesta.

Ndërkohë, policia ka nisur dhe bllokimin e bulevardit përpara Kryeministrisë, aty ku prej paradites janë vendosur mjetet e transmetimit direkt të mediave në vend.

Ashtu si në protestat e kaluara, nuk do të ketë skena të mëdha, por vetëm një podium disa centimetër të lart, ku pritet të flasë kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

RealStory.al ka mësuar se Partia Demokratike ka kërkuar leje në Policinë e Tiranës për të marshuar, pas grumbullimit të protestuesve para Kryeministrisë, megjithëse, intenerari i marshimit ende nuk bëhet i ditur.

Në krahun tjetër, Policia e Tiranës ka dhënë leje për zhvillimin e protestës nga ora 19:00-21:00, ndërsa PD nuk ka përcaktuar një orar për përfundimin e protestës. Sakaq, në terren do të jenë më shumë se 1500 efektivë policie të angazhuar për mbarvjatjen e protestës.

Zyra e Ramës nën rrethim, por “protesta do jetë paqësore”

Opozita do të mbajë protestën kombëtare të radhës më 25 maj në orën 19:00, ndërsa Kryeministria ka nisur përgatitjet për rrethimin e perimetrit të sigurisë dy ditë para. Policia e Shtetit ka marrë masa paraprake për sigurimin e institucioneve, që herën e fundit u dhunuan me bomba molotov, tymuese dhe bojëra nga protestuesit.

Por këto masa mund të rezultojnë të panevojshme. Të paktën këtë radhë. Një burim i lartë demokrat i konfirmoi me siguri Realstory.al se protesta e të shtunës do të jetë paqësore. Mund të jetë efekti ndërkombëtar, mund të jetë një sinjal që përtej retorikës së ashpër, edhe Basha është dëshpërimisht në kërkim të një pikënisje dialogu. Por kjo së paku pritet të prodhojë një të shtunë pa incidente, ose së paku “molotov free” në rrugët e kryeqytetit.

Gardhet metalike janë vendosur në të gjithë perimetrin e Kryeministrisë, shtyllat ku ndodhen të vendosura kamerat e sigurisë do të lyhen me graso, ndërsa dera e Kryeministrisë do të mbrohet me një fletë metalike për të shmangur flakët si herën e kaluar. Policia njofton se ashtu si në protestat e kaluara rreth 1500 efektivë do të jenë në krye të detyrës.

Por gjithsesi burimi i lartë nga Kryesia e PD i tha faqes sonë, se nëse protesta e të shtunës do jetë paqësore, krejt ndryshe pritet të jetë ajo e radhës në qershor. Me gjasë fushata do ketë filluar dhe me PD e aleatët jashtë zgjedhjeve, protesta e qershorit, data e së cilës nuk është përcaktuar akoma, pritet të jetë e ashpër dhe agresive. Megjithëse nuk konfirmohet një datë e mundshme është 29 qershori.

Protesta e opozitës të shtunën

PD, e cila nuk merr pjesë ligjerisht në fushatë, nuk do mund të ndalohej të organizonte një miting edhe në ditën e heshtjes zgjedhore. Një protestë e fortë dhe agresive një ditë para zgjedhjeve, do ishte sinjali më i fortë që demokratët do të tentojnë të prishin procesin e një ditë më pas. Një skenar i panjohur, i frikshëm dhe i padëshirueshëm, sidomos nga ndërkombëtarët.

Gjatë një takimi ditën e enjte me qytetarët e Vlorës, kryedemokrati Basha përsëriti edhe një herë se zgjedhje të lira nuk mund të ketë pa një qeveri tranzitore dhe nuk do të ketë dialog politik pa largimin e Ramës.

“Edi Rama, për hir të pushtetit të tij po kërkon të asgjësojë demokracinë me atë që ka planifikuar më 30 qershor. Ne jemi këtu të vendosur dhe me një mesazh: nuk do të lejojmë më zgjedhje me krimin, nuk do të ketë më zgjedhje me hajdutët, vetëm zgjedhje të lira e të ndershme, pa Edi Ramën kryeministër, me qeveri tranzitore, e cila do të garantojë që në zgjedhjet parlamentare të parakohshme.” – ka thënë Basha

“Kryeministria pastrohet nga njollat e turpit”

Kryeministria është pastruar duke larguar nga muret e saj njollat e bojës së zezë dhe molotovët e hedhur gjatë protestës së 11 majit.

Rama i ka cilësuar këto si njolla turpi dhe dështimi përmes një postimi në facebook.

“Kush ka zgjedhur të shëmtojë e të dëmtojë, është i dënuar të turpërohet e të dështojë. Kush ka zgjedhur të pastrojë e të ndërtojë, është i dënuar të durojë dhe të vazhdojë.” – shkruan Rama

Opozita ka vendosur që protestën e ardhshme kombëtare ta mbaj më 25 maj.

Rama: Zjarri dëmton Shqipërinë, jo qeverinë

Kryeministri Rama ka reaguar pas dhunës në protestë dhe vënies së zjarrit në derën e institucionit që ai drejton. Rama e ka cilësuar atë si një akt dhune ndaj dëmtimit të Shqipërisë dhe jo qeverisë.

Rama bën thirrje që me protestën e sotme, çdo qytetari t’i jenë hapur sytë dhe të mos ndjekin më këtë politikë qorre.

“Çfarë trishtimi një lider opozite që me zë të ikur i thotë qeverisë “Aman ik!”, ndërkohë që ata rrotull tij hedhin zjarr mbi godinën e saj! Uroj që kujt vete ende pas kësaj politike qorre, t’i jetë hapur sonte syri nga zjarri që qeverisë s’ka ç’i bën, po Shqipërisë i bën veç dëm.” – shkruan Rama

Bëni një xhiro nga Kryeministria. Shikoni ç’bëhet atje

Nëse ende nuk e keni parë se ç’po ndodh te Kryeministria, mos e humbni galerinë e fotove.

Nuk po flasim për rikonstruktim të saj, apo për ndonjë instalacion të ri që mund të ketë zgjedhur nga kreu i qeverisë, Edi Rama, por sot si asnjëherë tjetër është e rrethuar nga dhjetëra makina të bukura retro. Një rikthim pas në kohë, që të kujton Shqipërinë e vjetër, epokat historike…Brenda pak minutash ose orësh, aq sa mund të zgjasë ai qëndrim, të bën të ndihesh plotësisht banor i asaj periudhe.

Kjo nismë është ndërmarrë nga Blendi Gonxhja, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. “RETRO lindi për të jetëzuar një trashëgimi deri sot pa status dhe për të promovuar e ekspozuar sa më shumë mjete dhe kujtesë automotorizimi me interes historik, si dhe për të ofruar informacione, shërbime dhe lehtësira për këtë aktivitet pasionant me ndjeshmëri kaq të veçantë”, shkruhet në faqen zyrtare të Retro.

Protesta nis me tym, bojë e domate drejt Kryeministrisë

Ashtu siç ishte lajmëruar protesta e opozitës së bashkuar ka nisur në orën 18:00, ku me mijëra qytetarë kanë mbushur rrugët e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Kryetarët së opozitës, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kanë dalë nga selitë e tyre përkatëse rreth 30 minuta më vonë për t’ju bashkuar protestuesve.

Kanë qenë të shumta tymuese me tym të zi, flakadanët, shishet me bojë, domatet dhe bidonat me qumësht që janë derdhur dhe gjuajtur në drejt të Kryeministrisë.

Gjithashtu pankartat dhe banderolat me shkrimet “Rama ik” apo “ Qeveria e Krimit’ dhe çadrat e printuara me shkrimin “IK” kanë qenë të shumta në duart e protestuesve. Policia ka rrethuar Kryeminsitrinë dhe qëndron në gadishmëri të plotë.

Skip to toolbar