Laçi thyen Kukësin, me një penallti të dyshimtë

Laçi mundi Kukësin në shtëpi me rezultatin 1-0 në javën e 12-t të Superligës. Një ndeshje e bukur, me Laçin që kërkoi golin që në minutat e para, por pa mundur të tund rrjetën. Kukësi nga ana tjetër shkoi disa herë në portën kundërshtare, por mbrojtja kurbinase dhe fati nuk lejuan ndryshimin e rezultatit.

Pjesa e parë u mbyll në barazim 0-0, ndërsa në të dytën fati i buzëqesh Laçit. Në të 60`, Teqja rrëshket në zonë dhe prek topin me dorë. Për arbitrin është penallti, por miqtë kontestojnë duke pretenduar të kundërtën.

Gjuajtjen e merr përsipër golashënuesi më i mirë i Laçit për këtë sezon, Kyrian Nwabueze. Ai nuk gabon përballë portierit, duke shënuar golin e fitore që i jep tre pikë të arta Laçit. Tashmë kurbinasit e shohin veten në vendin e tretë në renditje me 19 pikë, ndërsa Kukësi me një pikë më pak ndodhet në vendin e pestë.

Kukësi fundos Flamurtarin dhe sheh kreun

Kukësi mundi Flamurtarin të dielën pasdite në takimin e javës së 11-të të Superligës. Mjaftoi një gol i shënuar në pjesën e dytë nga Daku, për tre pikët e skuadrës verilindore. Ndeshja e luajtur në “mërgim” në stadiumin e Lushnjës, nisi mirë për skuadrën verilindore që kërkoi golin që në fillim të saj, por planet i prishi Kristal Abazaj që u dëmtua në minutën e gjashtë të takimit.

Sulmuesi anësor nuk ia doli, ndaj në të 10` u largua nga fusha e lojës, ndërsa vendin e tij e zuri Blerim Kotobelli. Flamurtari tenton të jetë agresiv, duke provuar me Sukajn e Ribajn, por rrezikun e shuan mbrojtja e skuadrës së Shpëtim Duros. Megjithatë, pjesa e parë mbyllet në barazim pa gola, me të dyja skuadrat që luajtën mirë dhe të përqëndruara.

Ndërkohë, në pjesën e dytë, skuadra e Duros kërkon golin me çdokusht. Në të 57`, Kukësi fiton një faull pranë zonës kundërshtare. Harkimi i topit nga e majta gjen Dakun në shtyllën e dytë, i cili dërgon topin në rrjetë.

Kukësi kalon në avantazh 1-0, por vlonjatët tentojnë deri në fund për të gjetur golin e barazimit, por pafat. Me tre pikët e fituara të dielën, Kukësi ngjitet përkohësisht në vendin e dytë me 18 pikë, ndërsa Flamurtari duket se nuk do të ketë më shpëtim, pasi ndodhet në vendin e fundit me 3 pikë në 11 javë.

Partizani e Kukësi i falen portierëve. Flamurtari ndal Skënderbeun

Flamurtari mori pikën e tretë në dhjetë javë kampionat, ndërsa Skënderbeu humbi shansin për t`u larguar nga zona e ftohtë e renditjes. Ndeshja e së hënës pasdite mes skuadrës vlonjate dhe asaj korçare u mbyll në barazim 1-1. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja gjeti rrjetën në minutën e 23` me Dejvi Bregun.

Sulmuesi i Skënderbeut shënoi pas një asisti brenda zonës nga Nazmi Gripshi, teksa me të djathtën e tij gjuajti fortë drejt rrjetës dhe ndryshoi shifrat e takimit. Ndërkohë, Skënderbeu dominoi lojën gjatë pjesës së parë, duke tentuar disa herë portën, por goli i Bregut ishte i vetmi që realizuan. Në fund të pjesës së parë, ishte sulmuesi shkodran i Flamurtarit, Xhevair Sukaj ai që vendosi barazpeshën në takim.

Në pjesën e dytë, Flamurtari u mbrojt mirë duke mos lejuar hapësira në mbrojtje, ndërsa Skënderbeu nuk shfaqi grintën e duhur për të mposhtur një rival që ndodhet në vendin e fundit. Kështu, skuadrat ndanë nga një pikë mes tyre. Skënderbeu ndodhet në vendin e shtatë me 14 pikë pas barazimit të së hënës ndërkohë Flamurtari mban vendin e fundit në renditje me 3 pikë.

Supersfida e kësaj jave ishte ajo mes Partizanit dhe Kukësit që u zhvillua në “Selman Stërmasi”. Të dyja skuadrat e mbyllën pjesën e parë të lojës me rrjeta të paprekura, por duke rrezikuar  jo pak në portat respektive. Megjithatë, pjesa e parë nuk solli asnjë gol. Edhe pjesa e dytë nuk pati prekje rrjete nga topi.

Merita ishte e portierëve respektiv të të dyja ekipeve, ku në disa raste Alban Hoxha bëri mrekulli duke shmangur gola të sigurt, sikundër Xhika te Kukësi që gjithashtu ndali sulmin e Partizanit. Pas barazimit të së hënës, Partizani rimerr kryesimin e kampionatit duke udhëhequr me 18 pikë, ndërsa me 3 pikë më pak, Kukësi ndodhet në vendin e pestë të renditjes.

Partizani-Kukësi, Lerda: S’kemi presion

Të hënën luhet ndeshja e fundit dhe më e rëndësishme e javës së 10 të Superligës mes Partizanit dhe Kukësit. Të kuqtë në mesjavë morën kreun e kampionatit dhe tashmë nuk duan ta lëshojnë më. Këtë e ka konfirmuar edhe trajneri Franco Lerda që në konferencën për shtyp para ndeshjes ka deklaruar se luajnë pa presion ndaj Kukësit, por duhet bërë kujdes.

Përballeni me një rival direkt. Sa e vështirë është kjo ndeshje? A keni presion pasi keni kreun?

Mendoj se nuk kemi presion për Kukësin. Kush luan apo drejton te Partizani, rëndësi ka që të ruajë ekuilibrat pasi dihen objektivat e klubit. Jemi përgatitur për këtë takim, dhe mendoj se do e zhvillojmë këtë ndeshje me qetësi të plotë, siç kemi bërë edhe në ndeshjet e kaluara.

Çfarë ka ndryshuar Partizani nga ndeshja e parë ndaj Kukësit në kampionat?

Kemi ndryshuar shumë, pasi tashmë kemi më shumë minuta dhe stërvitje në këmbë. Kemi krijuar një fizionomi të qëndrueshme dhe një ide loje të përbashkët. Kemi rritje edhe në aspektin fizik të lojtarëve. Është rritur edhe njohja ime për kampionatin shqiptar. Kemi bërë një ecuri normale, siç mund të jetë në kampionat.

Thatë që e njihni më mirë Superioren. Tani, si ju duket Superiorja, dhe kush ju duket rivali kryesor për Partizanin?

Përsa i përket organikës së ekipeve, Kukësi dhe Tirana kanë organikën më të plotë, bashkë me Partizanin. Janë rivalët tanë. Por, janë edhe Teuta e Bylisi, që po bëjnë shumë mirë. Edhe Vllaznia po ecën mirë. Janë skuadrat surprizë të sezonit, dhe po bëjnë një kampionat pozitiv.

Sa i rëndësishëm është starti i fazës së dytë me 3 pikë?

Përtej fazave, e parë, e dytë apo e tretë, me rëndësi është që ne të marrim pikët në çdo takim. Kukësi është një ekip i vështirë, duke parë edhe organikën që ka në gjirin e saj. Është një ekip që ka lojtarë ekspert, dhe me kualitet në repartin e avancuar. Është një test i rëndësishëm për ne, tashmë që nis edhe faza e dytë. Mendoj se ashtu si ne, edhe Kukësi ka objektiva të qarta për këtë sezon. Po përpiqemi ta përgatisim mirë këtë ndeshje, duke parë edhe sa ditë kemi pasur në dispozicion. Do punojmë edhe sot për të vendosur lojtarët që do zbresin në fushë nesër.

Solomon, Trashi dhe Telushi me probleme. A janë gati për Kukësin nesër?

Sot do kemi edhe seancën e fundit stërvitore. Do e vlerësojmë gjendjen e tyre fizike.

Ekipet janë shumë pranë në klasifikim. Sa mendoni se do vazhdojë kjo situatë, me diferenca të pakta mes skuadrave?

Për momentin nuk mund ta them diçka të tillë, nëse do ketë shkëputje apo ekipet do vazhdojnë të ngjeshura. Bylisi dhe Vllaznia po bëjnë një kampionat shumë të mirë, kanë entuziazëm dhe tashmë mbetet të shihet si do jetë ecuria e këtyre ekipeve, por edhe të tjerëve.

Melo ka luajtur edhe si mbrojtës i djathtë me Kukësin. A do ishte më mirë që Melo të luante sërish aty, e të mos sakrifikohej Mala?

Nuk e di se çfarë ka luajtur Melo në të kaluarën, por për mua nuk është lojtar i atij pozicioni. Melon e shoh më shumë si një xhol në repartin ofensiv. Edhe Mala nuk është i adoptuar në pozicionin e mbrojtjes, por po përshtatemi për momentin. Është një lojtar shumë i zgjuar, dhe mund të japë më shumë në pozicionet e tjera.

Kukësi fundos Luftëtarin. Laçi ndal Teutën

Kukësi shkatërroi Luftëtarin me rezultatin 4-1. Skuadra e Shpëtim Duros bëri paraqitje fantastike në javën e fundit të fazës së parë të kampionatit, duke marrë tre pikë të rëndësishme, që e ngjisin në vendin e tretë me 14 pikë. Gjithçka nisi mirë për Kukësin që gjeti golin që në minutën e dytë me Ethemin.

Më pas ishte Shkurtaj që shënoi në të 26`, ndërsa në pjesën e dytë Rroca trefishoi në të 51`. Megjithatë, Luftëtari ngushtoi diferencat në të 56`, por Shkurtaj vulosi 4-1 shifrat në të 63`. Kukësi ngjitet vendin e tretë të renditjes me 14 pikë, 1 më pak se Teuta që u mund të mërkurën nga Laçi. Ndërkohë Luftëtari mbetet në vendin e parafundit të renditjes me 6 pikë.

Laçi mundi në shtëpi Teutën 3-0, duke ndalur ecurinë pozitive të durrsakëve. Skuadra e trajnerit Cungu gjeti dy herë rrjetën me Tecon në pjesën e parë, ndërsa në të 50` e pjeës së dytë, ishte Xhixha që shënoi golin e tretë. Megjithatë, fitorja e të mërkurës e lë Laçin në vendin e tetë me 10 pikë, ndërsa Teuta ndodhet në vendin e dytë të renditjes me 15 pikë.

Pjesa e parë/ Bylis befason Tiranën. Kukësi e Laçi e mbyllin në avantazh

Janë duke u luajtur ndeshjet e javës së fundit të fazës së Parë të Superligës. Katër nga pesë takimet e javës së nëntë, luhen të mërkurën, ndërsa të enjten luhet kryesfida e kësaj ajve ajo mes Partizanit dhe Skënderbeut. Tre takimet e mesditës, po dhurojnë spektakël, pasi pjesët e para janë mbyllur me fitoren e ekipeve vendase.

Konkretisht, Bylis është duke fituar ndaj Tiranës me rezultatin 2-0. Golin e parë për mallakastriotët e realizoi ish-mbrojtësi i Tiranës sezonin e kaluar, Jurgen Goxha. Mbrojtësi i Bylis gjeti rrjetën në minutën e pestë, ndërsa në të 25` Guido dyfishoi rezultatin. Nëse takimi mbyllet me fitoren e Bylis, skuadra mallakastriote do të jetë në krye të renditjes me 16 pikë, të paktën deri të enjten.

Kukësi është duke mundur Luftëtarin gjithashtu me rezultatin 2-0. Skuadra e trajnerit Duro shënoi që në fillim të ndeshjes me Valon Ethemin, i cili gjeti rrjetën në minutën e dytë. Ndërkohë, Vasil Shkurtaj dyfishoi për verilindorët në të 26`, duke i dhënë avantazhin e dy golave në pjesën e parë skuadrës së tij.

Laçi gjithashtu shënoi dy gola ndaj Teutës në pjesën e parë në takimin e javës së nëntë. Skuadra kurbinase gjeti rrjetën në të 18` me Teco dhe më pas sulmuesi dyfishoi në të 28`, duke i dhënë avantazhin në pjesën e parë Laçit. Takimi tjetër i ditës së mërkurë është ai mes Flamurtarit dhe Vllaznisë që luhet pasdite në orën 16:00.

Vapa ndryshon orën dhe stadiumin. Kukësi-Tirana në Elbasan

Kryendeshja e javës së pestë të Superligës, që luhet një javë përpara derbit, ajo mes Kukësit dhe Tiranës, është vendosur të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”. Njoftimin e ka dhënë klubi i Kukësit me anë të një deklarate për shtyp, ku shkruan: “Ndeshja e Javës së Pestë për Kategorinë Superiore, FK Kukësi – KF Tirana, do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”.

“Drejtuesit e Klubit tonë, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit, kanë vendosur që këtë ndeshje mjaft të rëndësishme ta zhvendosin në Elbasan, pasi në stadiumin e Kamzës po punohet për të arritur standardet optimale. Ndryshe nga sa ishte planifikuar, përballja mes skuadrës nënkampione dhe asaj kryeqytetase do të zhvillohet në orën 19:00, pasi temperaturat parashikohen të jenë mjaft të larta”, thuhet në deklaratën e klubit verilindor.

Në fakt, ndeshja ishte parashikuar të luhej në orën 16:00 të pasdites, por për shkak të temperaturave të larta është vendosur të shtyhet orari. Tirana është aktualisht e vetme në krye të renditjes në Superligë me 10 pikë pas katër javësh kampionat, duke fituar tre nga katër takimet e luajtura dhe barazuar në vetëm një takim.

Gjithashtu, ekipi kryeqytetas ka shënuar 8 gola në katër ndeshje, ndërsa ka pësuar vetëm një. Ndaj, edhe në takimin e kësaj jave, bardheblutë do të synojnë një tjetër rezultat pozitiv përballë Kukësit që aktualisht ka 7 pikë dhe ndodhet në vendin e 3 të renditjes. Pas katër javësh kampionat, Kukësi ka dy fitore, një barazim dhe një humbje. Një javë pas Kukësit, Tirana pret në shtëpi Partizanin në ndeshjen e parë derbi për këtë sezon.

Kukësin e shpëton Musta, Laçi merr pikën e parë në kampionat

Kukësi është ndaluar në barazim 1-1 me Laçin në javën e tretë të Superligës. Skuadra e drejtuar nga Shpëtim Duro nuk ka arritur të marrë dot fitoren e tretë radhazi, pas dy ndeshjeve të para. Ishte ekipi kurbinas që ka befasur kuksianët në pjesën e dytë të lojës. Nëabeze ka shënuar në minutën e 51` të sfidës një super gol nga jashtë zone, duke përfituar nga hutimi i mbrojtjes së skuadrës së Kukësit.

Megjithatë, pavarësisht golit, ishte skuadra e Shpëtim Duros ajo që dominoi takimin, me Shkurtajn që shpërdoroi disa raste për shënim. Në minutën e 87-të, Emiliano Musta nga jashtë zone, ashtu si në rastin e skuadrës së Laçit, ka mposhtur mbrojtjen dhe portierin kurbinas, duke vendosur shifrat në barazpeshë 1-1.

Me barazimin e të dielës, Kukësi ngjitet në vendin e dytë të renditjes me pikë të barabarta me Tiranën dhe Teutën, por me golavarazh më të keq se bardheblutë që përkohësisht mbajnë vendin e parë. Ndërkohë, Laçi merr pikën e parë pas tre javësh kampionat, duke u ngjitur në vendin e tetë të renditjes.

Sadedini motivon lojtarët si ‘lab’ para Kukësit: Ne jemi Flamurtari

Flamurtari është pa shumë pretendime këtë sezon. Ndonëse kampionati ka nisur, skuadra vlonjate vijon ende merkaton, me lojtar të rinj që prezantohen çdo ditë. Kjo do të thotë se grupi ende nuk është konsoliduar dhe do t`i duhet kohë për të gjetur formën e duhur. Megjithatë, trajneri i vlonjatëve, Dritan Sadedini, në konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes me Kukësin, Sadedini shprehet se skuadra është e ngarkuar, ndërsa shpreh keqardhjen për humbjen në Korçë. “Janë 3 ndeshje në 10 ditë ose në një javë dhe normale që për Flamurtarin ndihet ngarkesa por shpresoj që me punë t’i përballojmë me sukses. Më shumë se i keq-ardhur, më vjen keq për çunat që dolën pa pikë me atë mund. Ndeshja ishte e barabartë dhe e meritonim një pikë”.

Kukësi është një rivalë i fortë, megjithatë Sadedini nuk tembet, dhe kërkon t`i japë kurajo ekipit, duke përmendur emrin e madh të “Flamurtarit”. ‘Ndeshja ka vlerat e veta por ne do të mundohemi t’i bëjmë ballë çdo ekipi. Nuk duhet harruar që jemi Flamurtari dhe kemi emrin tonë. Zeqaj është mungesë që duhet të ishte në ekip. Ekipi është i formatuar por shpresoj që çunat të japin më të mirën në fushë”, ka thënë Sadedini.

Në fund, Dritan Sadedini ka folur edhe për afrimet e reja dhe Xhevari Sukajn. Për shkodranin, trajneri vlonjat shprehet se nuk është gati, ndërsa shpreson që nga lojtarët e afruar së fundi, të aktivizohet ndonjë prej tyre. “Nuk ka mungesa të tjera, pasi ekipi po riformatohet mirë. Shpresoj të dalë më e mira me Kukësin. Sukaj ende nuk është gati pasi ka pasur probleme me kaviljen. Ka pasur afrime dhe duke parë gjendjen e tyre, shpresoj të luajë ndonjëri”, tha Sadedini.

Kukësi i kthen ‘reston’ Partizanit në kampionat, Jorgji nuk kursehet, ndëshkon 10 lojtarë

Një javë pasi i rrëmbeu në pak minuta trofeun e Superkupës, Kukësi ka marrë ‘hak’ ndaj Partizanit në ndeshjen e parë të kampionatit. Skuadra e drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro e ka nisur në mënyrën më të mirë ndeshjen e parë të sezonit të ri të Superligës, duke fituar ndaj Partizanit me rezultatin 1-0. Goli i vetëm i takimit u shënua nga Vasil Shkurtaj në minutën  e 39` të sfidës, i cili mposhti Alban Hoxhën nga pika e bardhë e penalltisë. Ndeshja e së premtes në kampionat ishte ndryshe nga ajo e Superkupës.

Pati më shumë agresivitet dhe grinte, me të dyja skuadrat që kërkuan deri në fund. Megjithatë, të dy ekipet e mbyllën me rezultatin e pjesës së parë, 1-0 për Kukësin, dhe me nga një lojtar më pak seç e nisën. Në minutën e 62`, futbollisti i Partizanit, Solomon goditi me kokë Brunon Lulajn, ndërsa futbollisti i Kukësit ia ktheu reston duke shtyrë në fushë. Enea Jorgji nuk e kurseu të kuqin, duke i nxjerr të dy lojtarët jashtë fushe.

Sa i përket arbitrimit, Jorgjit i është dashur të nxjerrë të paktën tetë herë kartonin e verdhë dhe dy të kuq, duke vendosur një rekord në ndeshjen hapëse të kampionatit. Pas sfidës së parë, Kukësi mban kreun e renditjes me 3 pikë, ndërsa Partizani ndodhet në vendin e fundit pas kësaj humbje. Të mërkurën do të luhen dhe katër sfidat e tjera të javës së parë të kampionatit.

Skip to toolbar