Kukësi fiton Kupën e Shqipërisë, Tirana mbetet jashtë Europës

Kukësi fitoi Kupën e Shqipërisë për sezonin 2018-2019 në edicionin e 67-të të saj, duke mundur Tiranën 2-1 në “Elbasan Arena”. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ernest Gjoka e mbyll sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke arritur objektivin e fitores së Kupës së Shqipërisë dhe pjesëmarrjen në Europa League sezonin e ardhshëm. Ndërsa Tirana, veç faktit që i mbijetoi rënies nga kategoria, pjesa tjetër e sezonit ishte një dështim, që duhet harruar sa më parë.

Sa i përket ndeshjes, ishte Kukësi që dominoi 90-të minutat e lojës, duke kaluar në avantazh që në fillimin e pjesës së parë. Vasil Shkurtaj realizoi në minutën e 4` për ë tijët, ndërsa pjesa e parë do të mbyllej vetëm me këtë gol.

Në pjesën e dytë Tirana barazoi me anë të Majkëll Ngo, në minutën e 66-të. Barazimi i kryeqytetasve zgjati vetëm 12 minuta, sepse në minutën e 78-të, Arturo Reginaldo shënoi golin e dytë dhe atë të fitores.

Ky ishte trofeu i dytë i Kupës së Shqipërisë për Kukësin, që arrinë të triumfojë përsëri në më pak se pesë vite. Medaljet dhe trofeun për  fituesit e kësaj Kupe i dorëzuan, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, Zv.Presidenti i FSHF, Edvin Libohova dhe Sekretari i Pergjithshëm, Ilir Shulku.

Përpara dorëzimit të medaljeve dhe trofeut për ekipin fitues, është dorëzuar edhe çmimi i golashënuesit më të mirë për sulmuesin e Kukësit, Arturo Reginaldo, nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Të dielën finalja, Ardi Mema: Nëse fitojmë Kupën e Shqipërisë, harrojmë disa gjëra!

Tirana do të përballet të dielën me Kukësin në finalen e Kupës së Shqipërisë, me ndeshjen që është vendosur të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”. Trajneri i skuadrës bardheblu, Ardian Mema, ka folur në konferencë për shtyp një ditë para kësaj ndeshje. Mema u shprehur se ekipi ka bërë ndeshje të mira gjatë sezonit, por, shton ai, Tiranës nuk i pranohet kjo gjendje, ndaj duhet të ulet për të analizuar gjithçka me drejtuesit.

“Tirana ka bërë shumë ndeshje të mira, të paktën shumica. Mund të bëjmë gjëra më të mira, por kjo i takon të ardhmes. Klubi dhe unë duhet të ulemi të bëjmë analiza të thella, pasi bëhet fjalë për tre sezone dhe nuk janë pak, që Tirana nuk del në origjinën e saj. Më kanë thënë urime pas ndeshjes, por ajo që them unë që është e turpshme kjo gjendje e Tiranës”, ka thënë Mema.

Lidhur me takimin ndaj Kukësit, trajneri i bardhebluve është shprehur se skuadra nuk duhet të humb ritmin. “Nuk do ta ulim ritmin asnjë moment. Është ndeshje e fundit dhe i vendos kapakun të gjithave. Për mua sezoni nuk është i suksesshëm, pasi Tirana ka diskutuar mbijetesën deri në javën e fundit. Nëse fitohet kupa ndoshta kjo nuk është gjë e mirë që ta them, por do të harrohen disa gjëra. Nuk mund të harrohen kurrësesi, pasi në futboll duhet të kujtohen gabimet dhe jo rezultatet e mira”, është shprehur Ardi Mema.

Ai ka folur dhe për liçensimin e klubit për kupat e europës, pasi Tirana nëse fiton Kupën e Shqipërisë, do të luajë në Europa League. “Kjo është një pyetje që duhet t’i bëhet zyrtarëve të Tiranës. Detyra ime është të punoj dhe të luftoj për të fituar Kupën. Pjesa tjetër janë raportet e Tiranës dhe federatës. Është një pyetje që mund të drejtohet te shefi i klubit. Të them të drejtën di diçka, por jam trajner dhe duhet të fitoj çdo gjë. Nuk më intereson kjo pjesë. Hapi i radhës është Kupa dhe më duhet ta fitoj”, ka përfunduar trajneri.

Verdikti i Superligës, Tirana shpëton dhe shpreson, Partizani, Kukësi e Teuta luajnë në Europë…

Dy gola të Albi Dokës dhe Hasanit shpëtojnë Tiranën nga rënia nga Kategoria Superiore. Ky ishte verdikti përfundimtar që solli java e fundit e kampionatit për këtë sezon, me ekipin bardheblu që arriti të mbijetonte pasi mundi Flamurtarin në “Selman Stërmasi” me rezultatin 3-0.

Ishte Albi Doka që zhbllokoi takimin në minutën e 65″, ndërsa mbrojtësi dyfishoi dy minuta më pas për ekipin bardheblu. Hasani të 79′ shënoi golin e tretë dhe të fundit për Tiranën, duke marrë tre pikët e fundit në kampionat për këtë sezon, pasi i japin mundësi të qëndrojë në Superligë.

Në krahun tjetër ishte Kastrioti ekipi që u rikthye në Kategorinë e Parë, nga e cila erdhi një sezon më parë. Ekipi i drejtuar nga Bledar Devolli u mund nga Kukësi në ndeshjen e fundit të kampionatit me rezultatin 3-1. Ndonëse Kastrioti kaloi në avantazh me Ymeraj në minutën e 29′, Kukësi përmbysi gjithçka me dy gola të Reginaldo (80′ dhe 90+1′) dhe Shkurtaj më (85′), duke mbajtur vendin e dytë në kampionat.

Në Gjirokastër u mbyll 1-1 sfida mes vendasve dhe ekipit kampion, Partizanit. Luftëtari kaloi i pari në avantazh në minutën e 9′, por kur dukej se gjithçka do të mbyllej me vetëm këtë gola, Çinari shënoi në minutën e tretë shtesë duke i dhënë barazimin në ndeshjen e fundit të kampionatit Partizanit.

Dy gola të shënuar në minutat shtesë nga Kallaku dhe Kamara i dhanë fitoren Teutës përballë Laçit, me durrsakët që renditen përfundimisht në vendin e tretë dhe do të marrin pjesë në turet kualifikuese të Europa League sezonin e ardhshëm. Partizani do të luajë në turet kualifikuese të Champions League, ndërsa Kukësi në Europa League.

Megjithatë, nëse Kukësi fiton Kupën e Shqipërisë të dielën, do të jetë dhe Skënderbeu ekipi tjetër që do i bashkohet skuadrave që do të luajnë në Europë, ndërsa nëse fitorja e Kupës i shkon Tiranës, do të jenë bardheblutë që do kenë një biletë për në Europa League.

Protesta e opozitës rrezikon zhvillimin e finales së Kupës së Shqipërisë

Të dielën më 2 qershor do të zhvillohet ndeshja finale e Kupës së Shqipërisë mes Tiranës dhe Kukësit. Takimi është vendosur të luhet në stadiumin “Elbasan Arena” në orën 19:00, ndërsa një ditë më parë dolën në shitje dhe biletat për këtë ndeshje. Mirëpo në të njëjtën ditë, ndoshta dhe në të njëjtën orë, pritet të mbahet protesta e shtatë kombëtare e opozitës në kryeqytet.

Duke pasur parasysh protestat e mëparshme të opozitës, policia pritet të angazhojë 1200 deri në 1500 efektivë policie për garantimin e sigurisë publike. Një pjesë e konsiderueshme e efektivëve të policisë vijnë nga Drejtoritë Vendore të Policisë nga Qarqet më të afërta, përfshi Elbasanin. Kjo do të thotë se do të reduktohet numri i efektivëve të policisë që do të jenë në detyrë për të garantuar sigurinë publike në qytet dhe aktivitete të ndryshme të jetës publike, përfshi dhe ato sportive.

Në këtë logjikë rrezikon pikërisht edhe ndeshja finale e Kupës së Shqipërisë Tirana-Kukësi, pasi një pjesë e konsiderueshme e Bluve të Elbasanit, përfshi RENA, FNSH DHE SHQIPONJA, do të jenë në Tiranë te protesta e opozitës. “Sa herë ka protestë opozita ne dërgojmë forca policie në Tiranë. Për ndeshjen e të dielës ende nuk kemi një vendim, mund të dërgojmë efektivë në stadium, por varet nga numri që do të kërkohet, pasi është ndeshje e rëndësishme”, i tha një burim i sigurt në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, RealStory.al.

Megjithatë, një tjetër burim pranë Federatës Shqiptare të Futbollit u shpreh “nuk kemi asnjë ndryshim plani deri tani. Kanë dalë në shitje biletat dhe presim që ndeshja të zhvillohet”. Gjithësesi, gjatë ditës së sotme pritet të vendoset përfundimisht se çfarë do të bëhet, pasi pas datës 1 qershor nis zyrtarisht dhe fushata për zgjedhjet elektorale nga Partia Socialiste, e cila praktikisht mund të zhvillojë aktivitete në fundjavë duke kërkuar edhe mbështetjen e policisë për mbarvajtjen e tyre.

Në këto kushte policisë i shtohet më shumë punë, pasi në të njëjtën ditë do të duhet të kryejë detyrat e saj funksionale për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, të garantojë sigurinë gjatë protestës së opozitës dhe njëkohësisht finalen e Kupës së Shqipërisë.

Tirana pa frymë një javë, për një pikë. Gjithçka vendoset të enjten

Tirana ka marrë një fitore të artë në ndaj Laçit në ndeshjen e parafundit të kampionatit, duke hedhur një hap të rëndësishëm në luftën për mbijetesë. Ekipi bardheblu ka fituar me rezultatin 3-1 në fushën e kurbinase.

Greca shënoi golin e parë për të besuarit e Ardi Memës në minutën e 6` të takimit, teksa më herët ishte Cobbinah që humbi një penallti. Megjithatë mesfushori e shleu gabimin në minutën e 36` duke shënuar golin e dytë për Tiranën.

Pas pushimit Laçi duket më i organizuar në fushën e lojës, duke ngushtuar shifrat me Shtubinën në minutën e 61`, ndërsa humbën dhe një penallti. Megjithatë, në kushte të tilla Tirana mendon vetëm për të mbyllur ndeshjen.

Kështu ndodhi në minutën e 83` të sfidës kur Hasani shënon golin e tretë dhe vulos shifrat në 3-1 për bardheblutë. Tashmë mbijetesa do të vendoset në ndeshjen e fundit të kampionatit, pasi Kastrioti fitoi ndaj Teutës me rezultatin 2-1.

Tirana është vetëm dy pikë larg Kastriotit të vendit të fundit, ndërsa në ndeshjen e fundit do të ketë përballë Flamurtarin në shtëpi, ndërsa krutanët do të luajnë ndaj Kukësit. Skënderbeu nga ana tjetër ka fituar ndaj Luftëtarit me rezultatin 2-0, me gola të shënuar nga Pervan në minutën e 26` dhe 50`.

Përballja me Partizanin, Gjoka: Duhet sforcim i madh për të fituar

Kukësi mbetet ende në vorbullën e rrezikut për të mos mbajtur dot vendin e dytë në renditje në Superligë, pasi ndodhet vetëm një pikë para Teutës së vendit të tretë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ernest Gjoka do të përballet nesër me Partizanin në një ndeshje e cila mbetet delikate për ekipin verilindor. Ernest Gjoka ka folur gjatë ditës së sotme në konferencë për shtyp, ku ka deklaruar se nesër do të duhet sforcim i madh për të mposhtur Partizanin.

“Ndeshje shumë e fortë, ndaj kampionëve të rinj të cilët i respektojmë. Vendi i dytë nuk është i sigurt tashmë, ndaj ndeshja e nesërme merr kuptim tjetër dhe do duhet sforcim i madh”.  “Shameti do të mungojë, Maliqi po ashtu. Rroca do mungojë për dëmtim, Shkurtaj jemi munduar ta përgatitim dhe të shohim, Valdet Rama është kthyer”.

Gjatë konferencës për shtyp, Ernest Gjoka ka folur edhe për ndeshjen finale të Kupës së Shqipërisë ndaj Tiranës, duke e komentuar kështu: “Nuk dua sukses mbi fatkeqësinë e tjetrit. Me vjen keq për Tiranën, por më duhet te mendoj vetëm për Kukësin. Tirana mund të presë një dhuratë nga Kukësi në fund? Ne duam së pari të fitojmë neser, nuk e mendojmë ndeshjen kundër Kastriotit. Ka kohë deri atëherë”.

🎙️💬 #KFPARTIZANIFKKUKESI ERNEST GJOKA: "Ndeshja e nesërme, do të jetë një përballje shumë e fortë.Luajmë përballë skuadrës, e cila ka siguruar titullin Kampion, por nuk duhet të harrojmë që rrezikohet vendi i dytë në tabelën e klasifikimit, pas dy ndeshjeve të fundit me rezultate negative të skuadrës sonë.Kjo situatë do t'i japë më shumë rëndësi objektivit tonë, i cili është: Sigurimi i vendit të dytë në Superligë."

Gepostet von F.K Kukësi Albania am Samstag, 25. Mai 2019

Gazetarët e kanë pyetur trajnerin e Kukësit edhe për largimin e ndihmësit të tij, Rraman Hallaçi, duke sqaruar atë që ka ndodhur mes tij dhe klubit.  “E dinë të gjithë kush është Hallaçi, karriera e tij flet vetë. Unë mendoj se për të do ishte mirë të punonte me ekipet e moshave dhe e ka nisur që tani punën. Për 3-4 vite mendoj se do jetë gati për të drejtuar ekipe të para. Presidenti i rekomandoi një kontratë 2-vjeçare me Kukësin B. Hallaçi ka refuzuar dhe aty ka pasur një mosmarrëveshje që ka çuar në largimin e tij. Ky është informacioni që kam, nuk di më shumë“. 

Në fund ai ka folur edhe për kupat e europës dhe merkaton. “Më 11 korrik luhet ndeshja e parë, faza përgatitore do nisë me 15 qershor dhe në 25 qershor ekipi do shkojë në Ohër. Sigurisht që kam biseduar me presidentin dhe drejtorin Nexhipi. Na duhen përforcime në mbrojtje, ku kemi pasur shumë probleme me dëmtimet. Në repartet e tjera do ruhet boshti. Nuk dua që të ndryshoj shumë lojtarë, por natyrisht jo gjithçka varet nga trajneri. Ka edhe lojtarë që duan të largohen vetë ndonjëherë, por synimi im është të bëjmë sa më pak ndryshime”.

Partizani merr titullin nesër, Gega: Dua të dhurojmë spektakël ndaj Kukësit

Trajneri i Partizanit Skënder Gega ka folur një ditë para ndeshjes me Kukësin, duke prekur disa tema. Të dielën në “Sleman Stërmasi”, Partizani do të përballet me verilindorët në ndeshjen e parafundit të kampionatit, ku pas takimit do të zhvillohet dhe ceremonia e dhënies së titullit kampion nga FSHF-ja.

Skënder Gega ka folur fillimisht për Kukësin, duke u shprehur se nesër kërkon fitore, për ta mbyllur ndeshjen me emocione: “Kukësi ka qenë ndjekësi jonë konstant, asnjëherë para nesh, por ka qenë ndjekësi jonë. Ta mbyllim me një ndeshje që të krijon emocione dhe spektakël. Jemi përgatitur dhe e kemi vlerësuar, edhe pse ne e kemi siguruar trofeun. Do mundohemi të bëjmë më të mirën, me grupin më të fortë dhe t’i kënaqim tifozat ta mbyllim ashtu siç duhet”.

Gega tha se nesër do të ketë ndryshime në formacion, megjithëse la të kuptohet se titullar mund të jenë lojtarët që kanë luajtur gjithë sezonin dhe i kanë dhënë titullin kampion Partizanit.

Janë 11 veta, është 90 minutëshi i fundit, minimumi 3 do të jenë. Nuk e kemi vendos akoma se kush do të jetë, do të mundohemi të respektojmë atë grup që e kanë çuar Partizanin deri në fund, dhe në fund e meritojnë të luajnë ata që kanë bërë pjesëmarrjen më të madhe”.

Tre lojtarë të Partizanit janë grumbulluara paraprakisht në ekipin kombëtar, çka për Skënder Gegën kjo ka qenë një kënaqsi për të dhë vetë lojtarët. Ai shprehet se Telushi, Trashi dhe Mala do të bashkohen sot pasdite me Partizanin.

“Lojtarët bashkohen sot me ekipin, ikja e tyre në Kombëtare ka qenë një kënaqësi dhe një motivim për vetë ata, kështu kur kthehen i bashkohen grupit atëherë grupi është më i fortë dhe motivimi është vetvetiu. Nuk jemi me presionin e rezultati por me presionin e kënaqësisë dhe ta shijojmë ndeshjen 90 minuta. Jemi stërvitur me të njëjtin ritëm, jemi profesionistë dhe paguhemi për t’u stërvitur dhe për të treguar vlerat. Aq më tepër kundër Kukësit, ndeshjen e nesërme do e vlerësojmë në maksimum, sikur nuk e kemi marrë kupën”.

“Jam i kënaqur, besoj e kanë merituar. Janë shpërblyer. Është pozitive që trajneri i ka marrë, e rëndësishme është që të katërt kanë marrë frutat e punës, por edhe ne jemi të kënaqur ashtu si shokët e tyre. Është e drejta e çdo trajneri për të përzgjedhur, nuk e di listën përfundimtare. Duket që do t’i japë hakun secilit, shpresoj në të ardhmen jo vetëm Partizanit, njerëzit e meritojnë një shans”.

“Është përgjegjësi e trajnerit. Ne kemi lojtarë dhe shihet në fushë. E respektojmë trajnerin e Kombëtares, do të bëjmë përzgjedhjen më të mirë. Është e vështirë të futet çdo njeri. Uroj jo vetëm nga Partizani, por të ketë lojtarë të tjerë nga kampionati. Asani, Bardhi dhe Hebaj kanë të drejtën morale dhe dëshirën për t’u bashkuar, pastaj është zgjedhja e trajnerit të Kombëtares”.

Rraman Hallaçi largohet nga Kukësi për të drejtuar një ekip moshash

Kukësi ka zyrtarizuar largimin e parë nga ekipi për këtë sezon, që në fakt nuk është një lojtar, por një anëtar i stafit teknik. Më konkretisht, zëvendës trajneri Rrahman Hallaçi, që mbetet një nga lojtarët më të dëshiruar për tifozët e Kukësit, është larguar përfundimisht nga skuadra. Lajmi për largimin e tij doli pak ditë më parë në media, por sot është konfirmuar zyrtarisht nga Kukësi.

“Zëvendës trajneri i skuadrës së Futboll Klub Kukësit, Rraman Hallaçi nuk do të jetë më pjesë e stafit teknik. Pas një takimi mes ish-Kapitenit dhe Presidentit Safet Gjici, Hallaçi ka kërkuar të drejtojë një skuadër futbolli të moshave”, shkruhet në njoftimin e Kukësit.

Më tej, në deklaratën bërë në faqen zyrtare në Facebook, Kukësi sqaron edhe arsyen e largimit të Rrahman Hallaçit nga klubi, e cila është: “Numri një i Klubit, i ka ofruar ekipin e dytë, pra FK Kukësin B, pasi presidenti Gjici synon, vitin tjetër, ngjitjen e kësaj skuadre në Kategorinë e Parë dhe kjo do ishte një hap i mirë për karrierën e tij të re si trajner”.

Pasi kishin rënë fillimisht dakord, për çdo gjë me Presidentin, për një fillim me Kukësin B, Rraman Hallaçi ka ndryshuar mendjen dhe ka vendosur të largohet nga klubi. Ai u shfaq në një tjetër ekip, duke trajnuar skuadrën e Internacional U-19. Futboll Klub Kukësi falenderon zëvendës trajnerin Rraman Hallaçi, për kontributin e dhënë si futbollist dhe si numri dy i pankinës së skuadrës sonë dhe i dëshiron shumë suksese në karrierë!”, përfundon njoftimi i klubit verilindor.

Njoftim i Klubit! Zëvendës trajneri i skuadrës së Futboll Klub Kukësit, Rraman Hallaçi nuk do të jetë më pjesë e…

Gepostet von F.K Kukësi Albania am Freitag, 24. Mai 2019

Largimi i Gjokës, Kukësi: Janë lajme të pavërteta, duan të na shpërqëndrojnë

Kukësi ndodhet në një moment delikat të sezonit, teksa skuadra verilindore ende nuk e ka siguruar vendin e dytë në renditje dhe si rrjedhojë pjesëmarrjen në kupate e europës sezonin e ardhshëm. Ndëkohë, një tjetër objektiv që mbetet për tu realizuar është fitorja e Kupës së Shqipërisë në finale në Tiranë, trofe që do të zbuste disi tensionin sezonal në skuadrën verilindore.

Megjithatë, ende pa u mbyllur kampionati dhe pa u luajtur finalja e Kupës së Shqipërisë, mediat kanë shkruar se skuadra verilindore do të ndryshojë trajner. Ky lajm ka trazuar disi qetësinë në shtëpinë e “Bluve”, të cilët kanë reaguar zyrtarisht duke përgënjeshtruar gjithçka.

Njoftim i Klubit!FK Kukësi i konsideron të pavërteta lajmet e përhapura sot në media, sikur në bankinë do jetë një nga…

Gepostet von F.K Kukësi Albania am Donnerstag, 23. Mai 2019

Kukësi i konsideron të pavërteta lajmet e përhapura sot në media, sikur në bankinë do jetë një nga trajnerët aktualë që drejton për momentin një tjetër ekip të Superligës. Presidenti dhe klubi i kanë dhënë dhe po i japin mbështeje maksimale ekipit dhe trajnerit Ernest Gjoka, për të kapur dy objektivat, që janë: Vendi i dytë në Superligë dhe fitimi i Kupës së Shqipërisë”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Kukësit.

Më tej, klubi shprehet se deklarata të tilla kanë si synim shpërqëndrimin e ekipit, duke konfirmuar se pas sezonit, vëmendja do të përqëndrohet te faza përgatitore me qëllim paraqitje dinjitoze në kupat europiane.

“E gjithë vëmendja është përqëndruar te këto dy sfida dhe aspak në ndryshimin e stafit. Lajme të tilla, perveçse të pavërteta, synojnë të sjellin shpërqëndrim te ekipi, por përvoja e lojtarëve dhe stafit bëjnë që përgjegjësia të jetë tepër e madhe. Ekipi është përqëndruar maksimalisht te stërvitja dhe objektivat, dhe me pas te faza përgatitore dhe përfaqësimi dinjitoz në Europë, duke ruajtur bazën e ekipit dhe stafin”, përfundon deklarata e Kukësit.

Vendimet e disiplinës, e pëson Kukësi, paralajmërohet Elbasani!

Komisioni i Disiplinës Sportive në Federatën Shqiptare të Futbollit ka publikuar vendimet për javën sportive që lam pas. Kukësi është ekipi i vetëm nga Kategoria Superiore që është dënuar me një gjobë prej 100 mijë lekësh për mos përmbushje të përgjegjësive për organizimin e ndeshjes.

Në Kategorinë e Parë, Elbasani është përalajmëruar se do të jetë subjekt Kodit të Disiplinës nëse përsërit shkeljet disiplinore. Ndërkohë, vendimet e tjera janë kryesisht për ekipet e moshave dhe lojtarë të tyre, ku ka masa nga më të ndryshmet.

FK “Kukësi”, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive, në bazë të Neni 66/1 të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqindmijë) Lek.

KF “Elbasani”, në bazë Nenit 13 të KDS, paralajmërohet se në rast përsëritje të shkeljeve disiplinore do të jenë subjekt i masave që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe rregulloreve të tjera të FSHF.

Lojtari i KF “Naftëtari”, Kadrijan Koxhaj, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 49/1/a të KDS, dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Zyrtari i KF “Naftëtari”, Albert Bani, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 49/2/a të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

KF “Shkendija B.T” U-19, për mos paraqitje në ndeshje kundër “Burreli” U-19, në bazë të Nenit 55/1 të KDS, dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3 me 0 dhe zbritjen e 3 (tre) pikëve nga klasifikimi.

Lojtari i KS “Kastrioti” U-19, Blendi Tabaku, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/1/e të KDS, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Lojtari i KS “Kastrioti” U-19, Haxhi Shullazi, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/1/e të KDS, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Lojtari i KF “Spartaku” U-19, Insan Murati, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/1/e të KDS, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

KF “Shkodra” U-19, për mos paraqitje në ndeshje kundër “Term FC” U-19, në bazë të Nenit 55/1 të KDS, dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3 me 0 dhe zbritjen e 3 (tre) pikëve nga klasifikimi.

Lojtari i KF “Besa” U-19, Ardian Shaljani, për sjellje jo sportive ndaj kundërshtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/1/d të KDS, dënohet me 2 (dy)ndeshje pezullim nga aktiviteti.

KF “Korabi” U-17, për mos paraqitje në ndeshje kundër “KF Beselidhja” U-17, në bazë të Nenit 55/1 të KDS, dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3 me 0 dhe zbritjen e 3 (tre) pikëve nga klasifikimi.

Rrëzimin e kërkesës së zyrtarit të KF “Iliria” U-19, Dashamir Cangu, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e tjera të FSHF.

Skip to toolbar