Të dielën finalja, Ardi Mema: Nëse fitojmë Kupën e Shqipërisë, harrojmë disa gjëra!

KUPA E SHQIPËRISË


Tirana do të përballet të dielën me Kukësin në finalen e Kupës së Shqipërisë, me ndeshjen që është vendosur të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”. Trajneri i skuadrës bardheblu, Ardian Mema, ka folur në konferencë për shtyp një ditë para kësaj ndeshje. Mema u shprehur se ekipi ka bërë ndeshje të mira gjatë sezonit, por, shton ai, Tiranës nuk i pranohet kjo gjendje, ndaj duhet të ulet për të analizuar gjithçka me drejtuesit.

“Tirana ka bërë shumë ndeshje të mira, të paktën shumica. Mund të bëjmë gjëra më të mira, por kjo i takon të ardhmes. Klubi dhe unë duhet të ulemi të bëjmë analiza të thella, pasi bëhet fjalë për tre sezone dhe nuk janë pak, që Tirana nuk del në origjinën e saj. Më kanë thënë urime pas ndeshjes, por ajo që them unë që është e turpshme kjo gjendje e Tiranës”, ka thënë Mema.


Lidhur me takimin ndaj Kukësit, trajneri i bardhebluve është shprehur se skuadra nuk duhet të humb ritmin. “Nuk do ta ulim ritmin asnjë moment. Është ndeshje e fundit dhe i vendos kapakun të gjithave. Për mua sezoni nuk është i suksesshëm, pasi Tirana ka diskutuar mbijetesën deri në javën e fundit. Nëse fitohet kupa ndoshta kjo nuk është gjë e mirë që ta them, por do të harrohen disa gjëra. Nuk mund të harrohen kurrësesi, pasi në futboll duhet të kujtohen gabimet dhe jo rezultatet e mira”, është shprehur Ardi Mema.

Ai ka folur dhe për liçensimin e klubit për kupat e europës, pasi Tirana nëse fiton Kupën e Shqipërisë, do të luajë në Europa League. “Kjo është një pyetje që duhet t’i bëhet zyrtarëve të Tiranës. Detyra ime është të punoj dhe të luftoj për të fituar Kupën. Pjesa tjetër janë raportet e Tiranës dhe federatës. Është një pyetje që mund të drejtohet te shefi i klubit. Të them të drejtën di diçka, por jam trajner dhe duhet të fitoj çdo gjë. Nuk më intereson kjo pjesë. Hapi i radhës është Kupa dhe më duhet ta fitoj”, ka përfunduar trajneri.




Skip to toolbar