Gjysmëfinalet e kupës, finale e parakohshme mes Kukësit dhe Skënderbeut!

Skënderbeu dhe Kukësi ritakohen në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë pas katër vitesh.

Pas hedhjes së shortit në Federatën Shqiptare të Futbollit për gjysmëfinalen e kupës, shorti ka rezervuar përballjen Kukësi-Skënderbeu, takim që nuk përsëritej prej vitit 2015.

Në atë përballje ishte skuadra verilindore që kualifikohej në finale, pasi fitonte takimin e parë në “Zeqir Ymeri” me rezultatin 1-0, ndërsa takimin e kthimit barazonte 1-1.

Ndërsa Tirana dhe Luftëtari e kanë për herë të parë që përballen në gjysmëfinale. Bardheblutë janë 16 herë fitues të Kupës, pra rekordmenë të këtij trofeu.

Për Luftëtarin kjo është hera e tretë që merr pjesë në turin gjysmëfinal, ndërsa nuk ka qenë asnjëherë në finale.

Pas tifozëve, Trashi sqaron të tjerët


Lorenc Trashi jep versionin real të ngjarjes dhe përgënjeshtron lajmet e mediave

Lorenc Trashi ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes te Partizani, jo vetëm për atë çka jep në fushën e lojës, por edhe për ngjarje që lidhen me të jashtë fushe.

Gjatë ditës së djeshme, në takimin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë, që Luftëtari luajti kundër Partizanit, mes Trashit dhe portierit Ruçi të gjirokastritëve, është dukur sikur ka pasur tension.

Ky moment është interpretuar nga media në mënyratë ndryshme, deri duke dhënë edhe shpjegime se gjesti i Trashit nuk është pritur mirë as nga Presidenti Gazmend Demi.

Gjatë ditës së sotme ka pasur një reagim të vetë futbollistit, i cili ka shpjeguar në rrjetin social Instagram, atë që ka ndodhur gjatë ditës së djeshme, duke dhënë versionin real të ngjarjes, sipas tij.

 “Për të sqaruar çdo gjë që është shkruar, të dashur gazetarë, Trashi me Ruçin janë shumë miq. Kur ka mbaruar pjesa e parë, jam afruar te tifozët për këtë arsye:

“Një nga familjarët e mi ndodhej tek ajo pjesë, ku disa tifozë filluan të ofendonin dhe, për të mos pasur përplasje mes tyre, doja t’iu thosha që të largoheshin nga ajo pjesë e tribunës”.

“Kaq është e gjitha, por nga jashtë duket sikur u konfliktova me tifozët, përkundrazi, i respektoj ata. Faleminderit”.

Gega: Nuk është mirë të eleminohesh

Skuadrës i mungoi forca goditëse në sulm

Partizani është eliminuar në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë, pasi u mund në të dyja ndeshjet nga Luftëtari në dyja ndeshjet. Pas përfundimit të ndeshjes së kthimit në Gjirokastër, ku vendasit fituan 1-0 ndaj Partizanit, trajneri i të kuqve, Skënder Gega, ka folur për “Supersport”, ku ka analizuar takimin e sotëm. Duke shprehur keqardhjen për eliminimin nga kupa, Gega u shpreh se tani forcat e Partizanit do të përfqëndrohen në kampionat.

Nuk është mirë të eliminohesh nga Kupa. E filluam keq në Tiranë, e mbaruam këtu. Nuk erdhëm pa dëshirë, u përpoqëm gjatë gjithë kohës. Gjirokastra u qetësua te penalltia. Mungoi forca goditëse, edhe pse ishin shumë sulmues. Nuk janë vrastar. Do jemi të fokusuar te kampionati. Kampionati do të jetë ndryshe nga Kupa. Në kampionat jemi të fokusuar 100%. Jo se këtu nuk jemi. Ndeshja e të shtunës do jetë ndryshe. Ekipi do jetë gati për vazhdimësinë”-ka deklaruar Gega.

Trajneri i të kuqve ka analizuar lëvizjet e lojtarëve të tij në fushën e lojës, si dhe ndryshimet taktike, duke u shprehur se ato nuk funksionuan siç duhet. Më tej, Skënder Gega, ka folur edhe për reagimin e Jasir Asanit, i cili gjatë zëvendësimit, goditi stolin ku rrinë lojtarët rezervë.

Unë nuk e pash sepse isha me fytyrë nga fusha. Nuk e di me kë e ka pasur. Besoj se e ka pasur me veten. Është lojtarë që ka kontribute. Do fitoren, nganjëherë dëshira dhe mundësia janë pak lartë. Janë gjëra pa zarar. Patjetër që do flas. Ju siguroj që është shëndosh e mirë”-ka përfunduar trajneri i Partizanit, Skënder Gega.

Kupa, Kukësi eleminon Teuten


Sfida përfundon me tension, ndëshkohen dy lojtarë

Kukësi është ekipi i katërt dhe i fundit që kualifikohet në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ramadan Ndreu mundi Teutën me rezultatin 1-0, me ndeshjen e luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”.

Pas barazimit 2-2 në ndeshjen e parë në Durrës, verilindorët treguan më shumë dëshirë për të vijuar më tej, duke arritur dhe fitoren fal golit të Reginaldos, i shënuar në minutën e 61`.

Një aksion i bukur i verilindorëve, me Kordeiro që futet nga krahu i djathtë në zonën kundërshtare, pasim për Reginaldon që godet bukur dhe dërgon sferën në rrjetë. Mjaftoi ky gol për t`i dhënë fitoren Kukësit, që siguron kualifikimin për turin tjetër të Kupës së Shqipërisë, aty ku më herët u kualifikuan Tirana, Luftëtari dhe Skënderbeu.

Ndërkohë, pavarësisht fitores së Kukësit dhe problemeve të Teutës në këtë takim, sfida është mbyllur me një incident të rëndë. Dy lojtarë të dy ekipeve respektive, Frashëri i Teutës dhe Kordeiro i Kukësit, krijuan tension në fundin e takimit

Teksa ishin duke luftuar për një top në këndore, Frashëri e godet kundërshtarin në këmbë, teksa ky i fundit i përgjigjet në të njëjtën mënyrë. Arbitri kryesor i ndëshkon të dy me kartonë të kuq, me Kukësin që del më i humbur, pasi në ndeshjen e radhës nuk do të ketë një lojtar të rëndësishëm.

Kupa, Luftëtari harron krizën

Në gjysëmfinale me Tiranën dhe Skënderbeun

Tirana, Luftëtari dhe Skënderbeu janë tre ekipet e para gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë, ndërsa pasdite do të mësohet dhe emri i ekipit tjetër, që do dalë nga përballja mes Kukësit dhe Teutës. Skuadra e Tiranës, ndonëse u mund në transfertën e Laçit me rezultatin 2-0, kalon në turin tjetër pas fitores së ndeshjes së parë çerekfinale në shtëpi ndaj kurbinasve me rezultatin 3-0.

Dy golat për ekipin e drejtuar nga Sulejman Starova u shënuan nga Shtubina në minutën e 29` dhe Çokaj në minutën e 48`. Ndeshja do të mbyllej me këtë rezultat, me ekipin bardheblu që e sheh veten në gjysmëfinalen e kupës.

Luftëtari ka befasuar Partizanin përsëri sot, duke e mundur me rezultatin 1-0 në ndeshjen e kthimit çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, e për rrjedhojë duke u kualifikuar në turin gjysmëfinal. Dunga ka shënuar golin e avantazhit dhe të fitores për Luftëtarin sot, pas një ekzekutimi perfekt të një penalltie në minutën e 31`.

Partizani u mundua të reagonte, por në fund iu dorëzua fatit dhe rezultatit final të dy ndeshjeve çerekfinale (3-1 rezultati i përgjithshëm), që i jep një biletë gjirokastritëve për në gjysmëfianlen e Kupës së Shqipërisë.

Skënderbeu kualifikohet direkt në gjysmëfinale, pasi skuadra korçare nuk i luajti dy përballjet çerekfinale me Kamzën, pasi këto të fundit janë përjashtuar nga të gjitha garat në kampionat, pas akteve të dhunës në stadium të ndodhura disa javë më parë në një takim të kampionatit.

Pasditen e sotme do të mësohet dhe ekipi tjetër që shkon në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Do të jetë përballja e orës 17:00, mes Kukësit dhe Teutës, ajo që do të prodhojë dhe gjysmëfinalistin e radhës të kupës. Takimi i parë mes këtyre dy ekipeve ka përfunduar në barazim 2-2 në fushën e Teutës, çka sot për verilindorët do të synojnë fitoren duke shfrytëzuar dhe faktorin fushë.

Skip to toolbar