“Fauda” shqiptare, Lamallari: Prisni dhe pak, Hajdarmataj: Kemi RENEA

RealStory.al me një shkrim ekskluziv tha se shumë shpejt do të krijohet një strukturë elitë për të “luftuar të fortët” dhe të prangos ato. E ngjashme me njësinë speciale elitë “Fauda” izraelite, krijimi i një “Faude” shqiptare do jetë shumë shpejt gati dhe këtë e vërtetoi edhe zëvendësministri i Brendshëm Besfort Lamallari për emisioni “Real Story” në News 24. Edhe pse nuk dha detaje, Lamallari tha se shumë shpejt do të prezantohet baza ligjore e kësaj nga qeveria.

Prisni dhe pak dhe do të shihni nismën ligjore të Qeverisë për goditjen e kriminelëve. Shumë shpejt do të prezantohet i gjithë programi.” tha Lamallari.

Ndërsa për ish drejtuesin e policisë Arben Hajdarmataj tha policia e shtetit e ka një njësi të tillë dhe ajo është RENEA duke e parë me skepticizëm krijimin e një grupi elitë të posaçme.

Për të ndaluar të fortët duhet të ketë një informacion dhe këtë duhet të ta sjell dikush. Përgjegjësia kryesore e menaxhimit dhe ekzekutimit të informacionit bëhet nga policia e Shtetit. Policia aktualisht ka një repart shumë të mirë që është RENEA, që nuk kanë ceduar kurrë me informacionet që ka pasur. Nuk e shoh dot mënyrën se si mund të funksionojë një strukturë e tillë. Një polic i thjeshtë që merr informacionin dhe sheh se drejtuesi i tij është i lidhur me krimin, atëherë nuk ta jep atë informacion.” tha Hajdarmataj

Lamallari: Zhvillime pozitive në zbardhjen e atentatit të prokurorit

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari deklaroi në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, se atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja po shkon drejt zbardhjes. Ai tha se është vërtetuar nga provat se Redjan Rraja ishte i pranishëm në automjetin që i bëri atentat prokurorit.  

“Besoj se është bërë punë shumë e mirë nga hetuesit. Nuk ka dyshime që personi ka qenë në automjet përsa i përket gjurmëve të gjetura. Do doja të theksoja nuk duhet të përjashtojmë asnjë pistë. Mund të jetë ndaj këtij personi, ndaj personit tjetër, e kombinuar. Unë kam bindjen që do avancojë në këtë aspekt. Numëri i abuzuesve në sistemin e drejtësisë është fenomen. Kryeministri dhe zëvendësi i tij kanë shumë burime. Unë besoj shumë se do kemi zhvillime shumë pozitive në drejtim të zbardhjes së ngjarjes”, tha Lamallari.

Ndërkohë, gazetari i kronikës Xhevair Zhabina u shpreh se fati i mirë në atentatin ndaj prokurorit, ishte fakti që një nga armët u bllokua. Sipas tij, hetimet kanë nisur pozitivisht, por duhet të pritet dhe deklarata e Pëllumb Muharremit.

“Qitësi ka qenë profesionist. Është qëlluar në dy anë, por një nga kallashnikovët është bllokuar. Ky është fati i mirë. Rraja është përfshirë në ngjarje në Bllok ku ka qenë pjesë e një tavoline ku mbeti një person i vdekur. Është ngjarje e zbardhur në koh rekord. Është hetim i nisur shumë mbarë nga policia dhe prokuroria. Deri tani mungon dëshmia e Pëllumb Muharremit. Ai duhet të tregojë problemet që ka”, tha gazetari. /Realstory.al/

Skip to toolbar