Një ditë para Superkupës, Partizani largon sulmuesin që fitoi titullin kampion

Nga skuadra e Partizanit vijojnë të largohen lojtarë të rëndësishëm, të cilët dhanë kontribut në fitoren e titullit kampion pas 26 vjetësh për “demat”. I radhës, pas largimit të disa senatorëve, është Emmanuel Mensah, një nga lojtarët e afruar gjatë sezonit të kaluar, që bëri paraqitje të mira me “Të Kuqtë” sezonin që lam pas. Lajmin për largimin e Mensah e ka bërë të ditur klubi me anë të një komunikate zyrtare publikuar për mediat.

“Klubi i Futbollit Partizani falënderon Emmanuel Mensah për kontributin e dhënë me fanelën e kuqe. Sulmuesi nga Gana i cili ishte pjesë e suksesit të fitimit të titullit kampion, ka vendosur të ndërpresë aventurën me të kuqtë duke gjetur edhe mirëkuptimin me drejtuesit e klubit”, thuhet në njoftim.

 Më tej, po në këtë deklaratë, Partizani citon edhe një falënderim të ish-sulmuesit Emmanuel Mensah, drejtuar tifozëve. “Nëpërmjet kanalit zyrtar, sulmuesi 25 vjeçar falenderon klubin duke i uruar suksese në sezonin e ri, si dhe tifozerinë e Partizanit, e cila do të mbetet pjesë e paharruar në eksperiencën e tij 1 vjeçare duke u shpallur kampion i Shqipërisë. Njëkohësisht klubi dëshiron të falënderoj Emmanuel Mensah, duke i uruar shumë suksese në karrierën e tij sportive”, përfundon njoftimi i Partizanit.

Zidane i jep ‘dorën’ Bale: Nëse ikën nesër, më mirë

Marrëdhënia Real Madrid-Gareth Bale është në fund. ‘Los Blancos’ ka konfirmuar zyrtarisht, nëpërmjet trajnerit Zinedine Zidane, se Bale do të largohet. “Unë nuk kam asnjë personale kundër Bale”, është shprehur trajneri i madrilenëve në një konferecë për shtyp.

Në këto kushte, Zidane ka konfirmuar se uellsiani do të largohet shumë shpejt nga klubi. Gareth Bale u la jashtë lojtarëve të grumbulluar në ndeshjen që Real Madrid luajti kundër Bayern Munich në “International Champions Cup”.

Për këtë trajneri Zidane është shprehur “Ai nuk u thirr për shkak se klubi është duke negociuar për transferimin e tij diku tjetër. Nëse gjithçka zgjidhet nesër, aq më mirë”, tha Zidane. Kjo çështje është kthyer në shqetësim, raportojnë mediat.

Zidane nuk ndihet rehat për momentin, pasi nëse gjithçka nuk zgjidhet shpejt, debati për të ardhmen e Bale mund të ndikojë shumë te ecuria e Real Madrid gjatë pjesës tjetër të turneut të “International Champions Cup”, që po zhvillohet në SHBA mes klubeve evropiane. Ndërkohë, Gareth Bale ka deklaruar më herët se nuk dëshiron të largohet nga klubi dhe se ndihet mirë aty.

Megjithatë, javët e fundit nuk kanë qenë aspak pozitive mes Zidane dhe Bale, teksa në konferencë për shtyp, trajneri madrilen është shprehur se: “Situata me Bale nuk ka ndryshuar qysh nga qershori, dhe aspak”.

Tite mund të largohet nga Brazili pas Copa America

Brazili mund të mbetet pa trajner pas finales së Copa America. E përditshmja spanjolle “AS” ka publikuar një artikull në versionin ‘online’, ku shkuran se trajneri aktual i “Selecao”, Tite, mund të japë dorëheqjen edhe nëse Brazili fiton Copa America ndaj Perusë të dielën. Arsyeja e këtij vendimi mund të jetë mospërputhja e ideve me drejtuesin e ri të Federatës së Futbollit në Brazil, lidhur me projektet sportive që ka Rogerio Caboclo.

Gjithashtu, largimi i disa anëtarëve të stafit të tij drejtues, është një tjetër arsye më shumë, pse Tite mund të largohet nga bankina e Brazilit pas ndeshjes të së dielës. Pas ndryshimeve në radhët e drejtuesve të federatës, Tite është rikonfirmuar në krye të bankinës nga presidenti i ri. “Kemi besim te puna e trajnerit, do të ketë një mandat të përhershëm”, janë shprehur drejtues të CBF.

Por Tite nuk është shprehur ende për të ardhmen. Sipas mediave, ai pritet të flasë të shtunën në konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes me Perunë. Trajneri Tite erdhi në krye të Brazilit, por jo gjithçka ka shkuar mirë. Dështimi në Kupën e Botës të Rusisë një vit më parë, polemikat e Neymar dhe cilësia e ekipit, kanë rritur presionin ndaj trajnerit brazilian, që ndoshta me fitoren e mundshme të Copa America, largimi i tij nga bankina do të ishte me nder.

Luftëtarit i ikën titullari i rëndësishëm, Ferreira: Ishte kënaqësi që luajta këtu

Te skuadra e Luftëtarit kanë nisur largimet e lojtarëve. Pas një sezoni të vështirë, ku qëllimi për mbijetesën u arrit me sukses, skuadra gjirokastrite ka nisur planet për sezonin e ardhshëm. Megjithatë, në sektorin e hyrjeve ende nuk ka emra të rinj, ndërsa në dalje kanë nisur largimet.

Jackson Ferreira i ka dhënë fund aventurës me gjirokastritët. Mbrojtësi e ka lajmëruar vetë këtë largim, duke shkruar një status lamtumire, duke shprehur falënderimin për drejtuesit dhe tifozët e skuadrës.

“Sot përfundoj kontratën time, dua të falënderoj presidentin, bordin e drejtorëve, të gjithë ata që punojnë në klub, të gjithë lojtarët, trajnerët, tifozët dhe të gjithë në qytet që më kanë mirëpritur shumë mirë”.

“Jam i lumtur që ndihmova Luftëtarin në pjesëmarrjen e tij në Europa League dhe gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Do të largohem nga skuadra, që meriton të jetë në elitë. Ju faleminderit për çdo gjë”, shkruan futbollisti.

Ivan Balliu i jep fund aventurës me Metz në Francë!

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Ivan Balliu, ka mbyllur aventurën me Metz në Francë pas katër sezonesh. Mbrojtësi kuqezi e ka dhënë vetë lajmin për largimin nga klubi i sapongjitur në elitën e futbollit francez.

“Miq të mi, dua t’ju them lamtumirë. Pas katër sezonesh të kaluara te FC Metz, është koha për të nisur një aventurë të re. Faleminderit të gjithëve, nuk do t’ju harroj kurrë”, shkruan Ivan Balliu në mesazhin e lamtumirës të shpërndarë në profilin e tij në Instagram.

Ivan Balliu ishte pjesë e Metz prej katër sezonesh. Ky i fundit ka qenë nga më të mirët për futbollistin e kombëtares, i cili ka luajtur titullar në çdo ndeshje, duke e ndihmuar ekipin të rikthehet në elitën e futbollit francez.

Ergys Kaçe largohet nga Panathinaikos!

Ergys Kaçe do të largohet nga ekipi i Panathinaikosit, teksa ende nuk dihet se ku do të shkojë. Mesfushori i kombëtares shqiptare, që një vit e gjysmë më parë u huazua nga PAOK-u në drejtim të Panathinaikosit, tashmë do të rikthehet përsëri tek ish ekipi.

Kaçe e ka lajmëruar vetë largimin nga Panathinaikos duke shkruar një mesazh në rrjetin e tij social Instagram. Ai uron që klubi ku kaloi gati dy sezone të rëndësishme të karrierës së tij, të rikthehet përsëri në nivele të larta.

“Dua të falenderoj të gjithë shokët e ekipit dhe trajnerët që kam punuar përgjatë këtyre muajve. Një falenderim për të gjithë ata që më kanë përkrahur nga dita e parë që jam në këtë klub. I uroj të gjithëve suksese në të ardhmen dhe shpresoj që Panathinaikosi të kthehet aty ku i takon”.

Skip to toolbar