Shërbime online dhe në shëndetësi, Manastirliu: Fund radhëve të pritjes

Në 1 janar të këtij viti hyri në fuqi vendimi që shumë shërbime që më parë merreshin në sportele, tashmë do të merren duke aplikuar online. Ministria e Shëndetësisë është një nga institucionet që do të ofrojë disa shërbime online. Mes tyre është dhe rezervimi i datës dhe orës për kryerjen e ekzaminimeve shëndetësore. Më parë, duhej të shkoje në sportelin e qendrës shëndetësore për të kryer regjistrimin, ndërsa tani gjithçka do të kryhet online. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ishte të premten në qendrën shëndetësore nr.9, nga ku u shpreh se brenda vitit 91% e shërbimeve të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale do të ofrohen online për qytetarët duke ulur burokracitë dhe rradhët e pritjes në sportele.

“Duke filluar nga 1 janari shërbimet në shëndetësi janë lehtësuar duke u transformuar nga shërbime në letër në shërbime online.Janë 41 shërbime të cilat prej datës 1 janar kanë kaluar online, nga shërbime me letër të cilat ishin rinovimi i kartës së shëndetit apo rezervime të cilat do të duhet të vinin këtu qytetarët për të ndryshuar një ekzaminim apo një konsultë, tashmë do të mundet që nëpërmjet platformës unike e-albania këto informacione, rezervime apo qofte rinovime të kartës së shëndetit të kryhen online”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se do të jenë më shumë se 24 mijë veprime të cilat do të eliminohen gjatë vitit 2020 për sa i përket kartës së shëndetit, Manastirliu tha se nga 1 janari do të ulen burokracitë pasi do të jetë administrata përgjegjëse për tërheqjen e dokumentave nga njëra zyrë në tjetrën.

“E para ndihmon qytetarët, ul burokracitë, sorollatjet, rradhët nëpër sportele por gjithashtu eliminon rryshfetin. Do të jenë 40 sportele të cilat do të dedikohen gjatë kësaj periudhe informacionit ndaj qytetarëve për të aplikuar edhe për të aksesuar platformën e-albania. Do të jenë shumë veprime të cilat kryheshin më parë në letër dhe që qytetarëve u duhej që të merrnin dosje të mëdha nga strukturat e shtetit për t’i depozituar përsëri në strukturat e shtetit apo për të aplikuar të cilat tashmë do të jenë një përgjegjësi e administratës për t’i tërhequr nga njëra zyrë tek tjetra. Qytetari do të ketë vetëm ato dokumenta individiale të cilat do të shoqërojnë aplikimin e tij” – tha ministrja.

Janë 75 shërbime të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që do të ofrohen online përmes Sistemit të Qarkullimit të Dokumenteve me Nënshkrim Elektronik brenda vitit 2020. 41 prej tyre do të ofrohen nga data 1 Janar, 10 shërbime me 30 qershor; 24 shërbime deri në fund të 2020. Nga totali i shërbimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të jenë 18 shërbime që nuk do të kalojnë online pasi lidhen me ofrimin e drejtpërdrejtë të shërbimeve në qendrat e kujdesit social, ankesat dhe kërkesat e qytetarëve apo marrëveshjet e ndryshme.

Elbasani me spital të ri, Manastirliu: Dikur s`kishte eko, sot do kryhet rezonanca

Prej kësaj të mërkure, banorët e Qarkut të Elbasanit, do të marrin shërbim në Spitalin e ri të Urgjencës dhe Patologjisë. Ky investim, si pjesë e programit qeveritar për 30 qendra shëndetësore, godina tre katëshe pjesë e kompleksit spitalor të Elbasanit, është shndërruar në një spital modern, me kapacitet prej 75 shtretër dhe pajisje të reja të teknologjisë bashkëkohore. Në këtë spital, veç të tjerash do të ofrohet shërbim për urgjencën, kardiologjinë dhe neurologjinë. Ndërkohë, në inaugurimin e tij, ka qenë i pranishëm Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Rikonstruksioni i Urgjencës dhe Patologjisë së Elbasanit, është një investim prej 1.7 milion eurosh.

“Kjo godinë ka qenë e degraduar, simbol i degradimit të sistemit. Investimi për këtë spital, infrastruktura, pajisjet biomjeksore dhe hoteleria ka shkuar në vlerën e 1,7 milionë euro. Është realizuar në kohë  rekord, falë gjithë punës që ka bërë ekipi rajonal i Elbasanit.  Në kushtet që ka arritur spitali, edhe falë investimit në këtë infrastrukturë, sepse dihet që Urgjenca është porta  e parë e shërbimit për qytetarët, tashmë është plotësuar i gjithë standardi i akreditimit, kështu që spitali akreditohet. Urime ekipit të spitalit,” – u shpreh Manastirliu.

Me investimin e ri ndryshon Shërbimi i Urgjencës dhe Patologjisë në Spitalin Rajonal të Elbasanit, kjo falë edhe një konceptimi të ri dhe lehtësues të infrastrukturës së brendshme spitalore. Ministrja Manastirliu shpjegoi se: “Veçantia e këtij spitali është që lidhet direkt me imazherinë. Imazheria ishte një strukturë e ndërtuar më parë, por fakti është që ata që vinin për shërbimet e urgjencës duhet të kalonin rrugë për të ardhur për të bërë një eko, për të bërë një skaner, për të bërë rezonancën e cila është instaluar vjet dhe tashmë është pjesë e interferuar e spitalit me 25 shtretër. Është organizuar që të ketë të gjitha shërbimet e integruara. Është i lidhur me spitalin kirurgjikal nëpërmjet një ure lidhëse. Kanë filluar shtrimet  e para në kardiologji. Pra, spitali është funksional nga sot”.

Manastirliu në Berat: 214 milionë lekë për maternitetin e ri

Qeveria ka miratuar një fond prej 214 milionë lekësh për ndërtimin e maternitetit të ri të Beratit, nisja e punimeve të të cilit është inspektuar nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

“Vijmë në Berat me një premtim të mbajtur të qeverisë, një kërkesë e vazhdueshme e këtij komuniteti, për ndërtimin e maternitetit. Do të jetë një maternitet bashkëkohor brenda korpusit spitalor, me kapacitet 40 shtretër, që pritet të përfundojë brenda 20 muajsh”, tha Manastirliu.

Projekti i ndërtimit të maternitetit të ri të Beratit parashikon rehabilitimin e godinës një katëshe, ku aktualisht ushtron aktivitetin materniteti, si dhe zgjerimin e tij me ndërtimin e një kati shtesë, duke përfshirë reanimacionin dhe të gjitha shërbimet e gjinekologjisë, obsetrikës dhe neonatologjisë, me aparatura mjekësore të teknologjisë së lartë. Gjatë inspektimit të fillimit të punimeve për maternitetin e ri, Manastirliu tha se fokusi i investimeve është transformimi i spitaleve rajonale, për të ofruar shërbim cilësor afër vendbanimit.

Manastirliu deklaroi nga Berati se pas ndërtimit të dy materniteteve të reja në Korçë dhe Sarandë, investimet strategjike për rijetësimin e materniteteve do të vijojnë në të gjithë vendin.

“Me fokus te shëndeti i nënës dhe fëmijës, vijojmë transformimin e materniteteve, jo vetëm në Berat, por kemi nisur punën për ndërtimin e maternitetit të Kukësit dhe së shpejti, maternitetit të ri të Lezhës”, tha Manastirliu.

Shtabi i emergjencave mblidhet në Korçë, Manastirliu premton 24 orë shërbim shëndetësor

Shtabi i emergjenca civile është mbledhur të hënën në qytetin e Korçës, ku ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirloi premtoi 24 orë shërbim shëndetësor për banorët e prekur nga tërmetet e ditëve të fundit.

 “Shëndetësia është e organizuar për të ofruar shërbime 24/7 në Plloq ku përveç çadrës me shërbim shëndetësor, kemi hapur një pikë të posaçme në ambientet e shkollës, ku aktualisht po ofrohet shërbimi shëndetësor. Gjithashtu kemi vendosur 2 autoambulanca në dispozicion, për çdo emergjencë që mund të ketë”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se janë marrë të gjitha masat në spital, me mjekët në gatishmëri 24/7 për çdo emergjencë të mundshme.

“Janë 37 konsultat e kryera dhe shërbimet e ofruara nga ekipi i shëndetësisë. Kemi vendosur mjekë dhe infermierë me turne. Mjekët e spitalit të Korçës janë vendosur në gatishmëri 24 orë. Edhe në Qafëzez shërbimi shëndetësor është i ofruar nga mjekët e spitalit të Kolonjës me 1 mjekë dhe 2 infermierë”, u shpreh Ministrja.

Gjatë takimit të zhvilluar në Prefekturë u diskutua edhe për shërbimin psikosocial për banorët që kanë nevojë. 

“Jemi duke vlerësuar të gjitha familjet për të vlerësuar të gjitha mundësitë që nënat bashkë me fëmijët të mund të akomodohen në mjedise që do t’i garantojmë nëpërmjet bashkisë apo qendra sociale. Kurse të moshuarit me probleme shëndetësore do të marrin shërbimin në spitale në rastet kur ata kanë nevojë” – tha ministrja.

Skip to toolbar