Maqedonia do
të mbajë zgjedhje të parakohshme më 12 prill 2020. Data u vendos gjatë mbledhjes
së liderëve të partive politike me presidentin e vendit Stevo Pendarovski.
Pas marrjes së “jo” nga BE për negociatat, kryeministri Zaev dha dorëheqjen duke rrëzuar qeverinë. Presidenti Pendarovski vendosi që deri në mbajtjen e zgjedhjeve vendi do të drejtohet nga qeveria teknike 100 ditëshe dhe në krye të saj do jetë vetë ai.
Në takim ishin të pranishëm kryeministri dhe lideri i LSDM, Zoran Zaev, lideri i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, lideri i BDI, Ali Ahmeti, Ziadin Sela, Bilall Kasami, Afrim Gashi dhe Menduh Thaci. Tashmë Maqedonia e Veriut do përgatitet për zgjedhje të parakohshme, ndërsa në prill 2020 qytetarët do vendosin për qeverinë e re.
Zoran Zaev
tha se data u arrit me konsensus të plotë
mes palëve.
“Propozimi
jonë ishte që 22 ose 29 dhjetor të shkojmë në zgjedhje sepse në atë mënyrë në
atë periudhë mund ta realizojmë procesin zgjedhor dhe më pas të presim edhe
ratifikimin e protokollit nga na e Spanjës dhe ne të kemi parlament funksional.
Kishte reagime nga opozita se nuk mund të ketë 100 qeveri teknike, andaj pastaj
u shqyrtua, marsi, prilli, e kështu me radhë dhe me konsensus u vendos që 12
prilli të jetë data kur do të mbahen zgjedhjet”, deklaroi Zaev.
Ndërsa kreu
i Partisë Demokratike Shqiptare, Zijadin Sela tha
se u zgjodh pikërisht kjo datë sepse deri atëhere Maqedonia e Veriut pret
anëtarësimin e vendit në NATO.
“Ne ishim të vetmit që e zbukuruam këtë takim sepse ishim prezent bashkë më një zonjë. Ajo që tanimë është konfirmuar, më 12 prill shkojmë në zgjedhje, ne si parti ishim të gatshëm, por 12 prilli u zgjodh për arsye se deri atëherë presim anëtarësimin e vendit në NATO. Qytetarët më 12 prill kanë shans që ta kthejnë shpresën tek të rinjtë, të cilët kohëve të fundit po braktisin shtetin në pamundësi që të prosperojnë këtu”, tha Sela.
Kreu i
BDI-së, Ali Ahmeti e cilësoi takimin tejet konstruktiv, ndërsa tha se të gjitha
partitë janë shprehur të vendosura për të punuar fort, në mënyrë që Maqedonia e
Veriut të anëtarësohet në familjen e madhe të BE.
“Mund të them se ky është takimet më konstruktive që
kam pasur deri më tani, të gjitha partitë politike thanë se alternativa e jonë
e vetme është Bashkimi Evropian. Kemi biseduar se për vendin tonë është me
rëndësi që të bëhet ratifikimi i marrëveshjes për anëtarësim në NATO nga të
gjitha vendet që akoma nuk e kanë ratifikuar. Me rëndësi është që zgjedhjet të jenë të
pranueshme dhe demokratike, të lira sipas gjitha standardeve. Le të fitojë më i
miri”- tha Ahmeti.