Maqedonia e Veriut vendos sot për zgjedhjet e parakohshme

AKTUALITET


Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski takohet të dielën me liderët e partive kryesore në vend, pas reufzimit të Këshillit Europian për hapjen e negociatave. Në takimin e së dielës, organizimi i zgjedhjeve parlamentare pritet të jetë në krye të axhendës së diskutimeve. Një ditë më parë, Zoran Zaev, kërkoi zgjedhje të parakohshme, që sipas tij, “populli të vendos për rrugën në të cilën duhet të ecë Maqedonia e Veriut”. Ndërkohë, edhe liderët e partive shqiptare, janë shprehur gati për zgjedhje të parakohshme. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti tha se zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja më e mirë e vendit.

“Mendoj që zgjidhja më e mirë për vendin është që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme. Nuk do doja që ne të vendosemi në gjahtarë të fajeve sepse është e papranueshme të pranosh faj të pabërë. Republika e Maqedonisë së Veriut është një dëm kolateral i vetë dallimeve që ka BE. Në këtë rast Franca ka shfrytëzuar të drejtën statutore të vetos, për arsye se vetë BE është në kërkim të ndërtimit të situatave të reja për zgjerim. Lideri i kësaj ideje është Franca. Me keqardhje e kanë pritur të gjitha kancelaritë e Europës”, deklaroi Ahmeti.


Ndërkohë, kreu i partisë opozitare VMRO DPMNE Hristijan Mickovski deklaroi se kërkesa e Zaev për zgjedhje, tregon se vetë kryeministri pranoi dështimin për negociatat.

“Ligji është i qartë, dihet se çfarë do të thotë zgjedhje parlamentare, çfarë nënkuptojnë ligjet në zgjedhjet parlamentare, etj. Thjesht duhet t’i respektojmë dhe menjëherë të shpallim zgjedhje dhe të formojmë qeveri teknike, kryeministër teknik dhe të shkojmë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, deklaroi Mickoski.

Edhe Lëvizja Besa ka përshëndetur  propozimin e kryeministrit Zoran Zaev që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nga ky subjekt politik rikonfirmojnë qëndrimin e tyre për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në kohë sa më të shpejtë. Takimi i Pendarovskit me liderët e partive kryesore në Maqedoninë e Veriut është caktuar të mbahet në ora 17:00 në rezidencën presidenciale “Villa Vodno”.




Skip to toolbar