Marrëveshja teatrale, e një lideri që nuk e besojnë

Nga Mero Baze

Në Teatrin antik, kur nuk gjenin zgjidhje reale të tragjedisë, zbrisnin Zotin në skenë dhe kjo me vonë u quajt “Deus ex machina” .

Tragjedia e PD-së teatrore, që në fakt është komedi për shumë të tjerë, sa herë që nuk gjejnë zgjidhje për tragjedinë e tyre e mbyllin tragjedinë duke thirrur “Basha, Basha” si një “Deus ex machina” për kryetarin, dmth, aktorin kryesor të tragjikomedise së tyre.

Kjo skenë u përsërit sot në godinën e rrënuar të Teatrit Kombëtar ku pasi folën

Budina, Basha dhe ca te tjerë, anëtarë të panjohur të PD, teatri përfundoi me thirrjet, “Basha”, “Basha”…

Marrëveshja teatrale mes Lulzim Bashës dhe seksionit të kulturës të PD në ish Teatrin Kombëtar, do të vlente politikisht të konsumohej si një ide e Partisë Demokratike kur të vinte në pushtet, rreth cështjes së zhvillimit të kulturës në Shqipëri, nëse në të do të kishte ndonjë ide.

Por në fakt marrëveshja, jo vetëm që nuk ka ndonjë ide, por i ngjan një titulli egzekutiv, nga ato që borxhlinjtë e këqinj, firmosin me huadhënësit, të tipit që “po nuk ma ktheve borxhin të marrë shtëpinë”.

Lulzim Basha ka firmosur një marrëveshje si një lider që nuk e besojnë, pa ja marrë me shkrim, atë që duan mbështetësit e tij. Është një rast i pashembullt i mungesës së besimit të mbështetësve tek kryetari, dhe një skenë tragjiokomike, ku ushtarët detyrojnë komandantin të firmos që nuk do ti tradhëtoj në luftë.

Në fakt është një poshtërim, që Lulzim Basha e meriton për mënyrën se si ka formuar identitetin e tij si politikan gënjeshtar. Duke tradhëtuar gjithmonë dhe të gjithë, dhe duke gënjyer sic ka pas thënë Ilir Meta, edhe kur e pyet për orën, Lulzim Basha sot më shumë se sa në rolin e garantit, ishte në rolin e të pabesushmit dhe gënjeshtarit, që nuk i besojnë të vetët.

Kjo nuk ka të bëj fare e tekstin e marrveshjes, pasi ai është një problem më vete, ku autorët para se ti gënjej Basha gënjejnë veten.

Ajo që ngjit në publik, është se disa punonjës teatri që mbështesin PD dhe që kanë një kontribut politik për të bërë betejë kundër planit të qeverisë për teatrin e ri, nënshkruajnë akt noterial me kryetarin e opozitës, pasi nuk i besojnë më paktit moral me opozitën dhe kryetarin e saj.

Kështu si e ka nisur Lulzim Basha duhet të nënshkruaj kontratë me fermerët që ta besojnë se do ndryshoj skemën e rimbursimeve, kontratë me shoqatën e biznesit që do ul tvsh, kontratë me ndërtuesit, që do tu ul taksën e infrastrukturës, e kështu me rradhë. Pastaj kontratë me kandidatët për deputëtë, që të mos i gënej më si më 2017, ku 5 vetëve u kishte premtuar “i dyti në Lezhë”.

Ky do të jetë rasti i parë në historinë e politikës botërore, ku shoqëria e trajton kryetarin e opozitës si një mashtrues dhe para se të bëj pazar me të, do një kontratë të nënshkruar.

Në një nga shfaqjet e “Rikardi i Tretë”, tragjedi e Shekspirit, tregojnë se një aktor që luan mbretin, thërret: një kal, për një kal fal gjithë mbretërinë”.

Një nga salla i thote me ironi: doni një gomar? Dhe aktori mbret i përgjigjet; po, ngjitu në skenë…

Lulzim Basha sot u ngjit në skenë, në mungesë të një kali për të cilën vuan opozita, i detyruar nga aktorët e vet. Dhe nënshkroi një marrëveshje teatrale, sic mund ta bëj një gomar.

Teatri, si e ardhmja e Lulzim Bashës

Nga Mero Baze

Çështja e Teatrit Kombëtar, e godinës së re që do të ndërtohet, e asaj që do të prishet, dhe mënyrës se si do të ndërtohet, është një temë e vjetër dhe e stërkonsumuar. Një vit më parë për çdo ditë, ky debat ishte temë e ditës.

Protestuesit e arritën një fitore. Ata imponuan ndryshimin e ligjit për ndërtimin e Teatrit të ri, duke detyruar qeverinë të bënte garë të hapur për ndërtuesin, pas rekomandimeve të Bashkimit Europian për këtë çështje.

Të gjitha të tjerat, rreshtimi i aktorëve të njohur pro Tetarit të ri dhe disa aktorëve militantë të PD kundër Teatrit të ri, përpjekja për të ndarë këtë histori si betejë mes nostalgjikëve të Teatrit dhe atyre që duan ndërtesë të re, dhe mbi të gjitha, kthimi i saj si kauzë politike, janë histori të vjetra.

E vetmja histori e re në këtë mes, është nevoja që Lulzim Basha dhe Partia Demokratike të kenë një kauzë për të shtyrë ditët e verës, pasi debati mbi dështimin e tyre kundër 30 qershorit, dhe përpjekjes për t’i vënë zjarrin Shqipërisë, dështuan, dhe ata nuk ballafaqohen dot me njerëzit e tyre.

Po ashtu, presidenti Ilir Meta, i trembur se mbetej pas në këtë histori, njësoj si dikur presidenti Nishani që shkoi me makinë tek të njëjtit protestues, kundër ndërtimit të parkut të lojërave të fëmijëve tek Liqeni, shkoi sot me këmbë në Gjykatë, për të dorëzuar një kërkesë kundër projektit të ri.

Opozita, por dhe qytetarët kanë të drejtë legjitime të dinë se si do të shpenzohet çdo qindarkë për ndërtimin e Teatrit të ri, nëse dalin nga buxheti i shtetit, dhe si do ritkhehet tek publiku çdo centimetër tokë, nëse i ofrohet nga shteti privatit. Dhe tani për këtë, qeveria ka një detyrim ligjor, prej ligjit që ka miratuar vet në Kuvend.

Gjithçka tjetër është një teatër i aktorëve politikë, për të shtyrë ditët e verës.

Qeveria ndjehet mirë që gjeti një mënyrë të duket sikur ka opozitë, Lulzim Basha ndjehet mirë, që të mos përballet qytet më qytet me ata që i la rrugëve, ndërsa Bashkia ka rastin të promovojë gjithë betejat e dështuara të të njëjtit grup, kundër saj.

E gjitha është një inskenim për të shmangur ballafaqimin e madh që Lulzim Basha ka me të ardhmen e Partisë Demokratike, të cilës Ramiz Alia më 1990 u detyrua t’i hapte rrugë dhe ta fuste në pushtet, kurse ky e nxorri nga çdo qelizë e pushtetit duke e lënë rrugëve.

Lulzim Basha  e nxorri Partinë Demokratike nga sistemi politik, e nxorri nga Parlamenti dhe Bashkitë, e nxorri nga Këshillat Bashkiake dhe institucionet. Dhe po e fut në Teatër. Vetëm aty ndjehet i sigurtë që fiton si aktor.

Pse Perëndimi po vendos vijat e kuqe, për “pazarin” në Tiranë?

Nga Mero Baze

Philip Reeker, ndihmës sekretari amerikan i Shtetit në detyrë për Çështjet Europiane dhe të Azisë, ka paralajmëruar palët në Tiranë, se nuk do të ketë asnjë kompromis për reformën në drejtësi dhe se zbatimi i saj do të vazhdojë të mbetet prioritet i SHBA.

Të njëjtin qëndrim dy ditë më parë e pati dhe ambasadori i Republikës italiane në Tiranë, Alberto Cutillo, në një intervistë në një television në Tiranë.

Deklaratat paralajmëruese nga Perëndimi për mos prekje të reformës në drejtësi, ndërkohë që në Tiranë temë e ditës është debati, nëse do të ketë ndonjë kompromis politik mes palëve, tregon në të vërtetë zanfillën e kësaj krize artificiale dhe identifikon problemin real.

Prej fillimit të saj, kriza nuk ishte politike dhe nuk kishte të bënte as me demokracinë, as me pasigurinë elektorale, edhe pse Shqipëria ka plot probleme me korrupsionin e zgjedhjeve dhe institucionet demokratike në vend.

Kriza ka në themel reformën në drejtësi dhe paranojën që ajo ka mbjellë tek dy persona, Sali Berisha dhe Ilir Meta, të cilët ndjehen të pasigurtë në një sistem të ri, që nuk e kontrollojnë vetë.

Pas përpjekjes së tyre të dështuar për të destabilizuar vendin, për të shkatërruar institucionin e Parlamentit dhe më pas institucionin e zgjedhjeve, dhe vazhdimin e përpjekjeve të tyre për të prodhuar kriza përmes gjykatave, apo segmenteve të pushtetit që kanë nën kontroll, ata tani kanë radhën të bëjnë ofertën e tyre, se çfarë halli kanë.

Dhe me sa duket, halli i tyre është lexuar qartë. Ata duan një kompromis jo me Edi Ramën, se atë as e llogarisin si njeri që mund t’u bëjë keq, por me faktorin perëndimor, që merret me Shqipërinë. Ata duan një pazar për reformën në drejtësi.

Të gjitha ofertat e tyre rreth një kompromisi të mundshëm në Tiranë, duket se ata i kanë adresuar tek problemi që kanë me reformën në drejtësi.

Është kjo arsyeja që Perëndimi po detyrohet të heqë viza të kuqe rreth dialogut të mundshëm në Tiranë, duke bërë të qartë se reforma në drejtësi nuk do të preket.

Kjo e bën dëshpëruese situatën në radhët e opozitës dhe akoma më të pashpresë mundësinë për t’u normalizuar situata.

Ky është momenti kur opozita, ose duhet të shikojë punët e saj, ose pazarin që kërkon Ilir Meta me Sali Berishën.

Nëse i qëndrojnë pazarit të atyre që i nxorrën nga Parlamenti dhe zgjedhjet, për hallin e tyre, për ata nuk do të ketë pazar dhe opozita, jo vetëm që do të vazhdojë të ngelet e papërfaqësuar në pushtet, por do të shkojë drejt shkrirjes së saj.

Ndaj është logjike që opozita të rikuperojë vetveten, duke ndarë fatin e saj me dy persona, që kanë si devizë të vetën “pas meje qameti”.

Ata duan një pazar nga Perëndimi për fatin e tyre, gjë që nuk është, as në kulturën e Perëndimit, dhe as në vemendjen e tyre.

Pazari që kërkon Ilir Meta dhe Sali Berisha është reforma në drejtësi, dhe mesazhi i Perëndimit është se ajo nuk do të preket.

Tani nëse opozita nuk ka ndonjë hall tjetër, veç halleve të Berishës e Metës, mund të vazhdojë të rrijë e papërfaqësuar, dhe jashtë institucioneve.

Por problemi është se qindra mijëra mbështetës të opozitës janë ndëshkuar padrejtësisht nga mospërfaqësimi në pushtet, pa i pyetur askush për greminën ku po i çonin.

Ndaj është koha që fati i tyre, që i zë frika çdo darkë se ku do gjejnë punë nesër, të ndahet nga fati i atyre që i zë frika çdo darkë, se mos u gjejnë lekët.

Dhuna që nuk “vrau” as Lulzim Bashën!

Nga Mero Baze

Ka një mëri të shtuar nga shumë mbështetës dhe propagandistë të opozitës, kundër faktorit ndërkombëtar, pas 30 Qershorit. Ka një mllef ndaj qëndrimeve të SHBA , BE dhe vendeve të tjera Perëndimore, që u shprehën para zgjedhjeve kundër dhunës.

Tani e gjithë retorika e pas 30 Qershorit, është kufizuar tek armiku i jashtëm dhe kryesisht vendet perëndimore që bën thirrje kundër dhunës më 30 Qershor.

Asnjë fjalë për dështimin e Lulzim Bashës. Asnjë fjalë për premtimet e pambajtura të tij. Asnjë fjalë për strategjinë e dështuar të tij. Asnjë fjalë për rolin e Sali Berishës dhe Ilir Metës në këtë histori. Biles asnjë fjalë, as për lajthitjen verore të Presidentit. Për ta gjithë fajin e ka SHBA , BE dhe vendet e tjera perëndimore, që nuk kuptohet çfarë roli kanë luajtur në dështimin e Lulzim Bashës.

I gjithë ky ligjërim politik, në fakt kërkon të fsheh dështimin e Lulzim Bashës në krye të opozitës, por dhe dështimin e vet atyre, që e nxitën Lulzim Bashën në këtë rrugë.

Më i shquari prej tyre mbetet Fatos Lubonja. Ai kishte opsion të qartë përdorimin e dhunës në zgjedhjet e 30 Qershorit dhe vazhdon ti përmbehet idesë se mënyra e vetme e rrëzimit të Edi Ramës është ajo me dhunë.

Nuk jam kundër radikalëve të tillë, edhe pse janë revolucionarë të dal mode. Pra nuk mund ti përjashtosh dikujt të drejtën të rrëmbej dhe armët nëse i ka shkuar në majë të hundës.

Problemi që ne kemi me nxitësit e dhunës në Shqipëri, është se ata e kompleksuan opozitën, duke ja imponuar përdorimin e dhunës, si rrugë të vetme dhe kur ajo dështoi në këtë rrugë, ata nuk mbajnë përgjegjësi, as për presionin që i bën opozitës, as për dështimin e opozitës, as për dështimin e tyre. Ata po rreken ta gjejnë përgjegjësinë, tek kundërshtarët e dhunës.

Këta janë të vetmit humbës në botë që thonë se fajin që ne humbëm, e kanë kundërshtarët tanë, se ata na mundën.

Pra në betejën për vëllavrasje në Shqipëri, nga një anë ishte Fatos Lubonja Sali Berisha e Ilir Meta me shokë, që kishin vënë para opozitën si të marrë peng dhe nga ana tjetë qeveria dhe vendet perëndimore, që kundërshtonin dhunën.

Tani sipas këtyre faji për dështimin e rrugës së opozitës është i kundërshtarëve të saj që nuk lejuan dhunën.

Dhe këta nuk ndjehen të humbur, por ndjehen të perseketuar që nuk i kanë lënë të fitojnë.

Ky arsyetim idjot, turpuron çdo revolucionar në këtë botë që ka përdorur ndonjë herë dhunën për të marrë pushtetin. Turpuron dhe kujtimin e Todi Lubonjës si partizan. Se dhe ai rrëmbeu armët për të marrë pushtetin, por nuk ishte edhe partizan edhe të pinte kafe në Rogner. Kush del në mal, kush rrëmben armët, duhet të llogarisë të jetë në luftë, dhe jo në Teatër.

Tani kjo historia që fajin pse nuk fitoi dhuna është i Perëndimit dhe jo i Lulzim Bashës, është më shumë se qesharak. Kur dikush vendos të fitoj me dhunë, ose i qëndron deri në fund dhunës, ose vritet nga të vetët. Në këtë rast nuk themi larg qoft të vrasin fizikisht Lulzim Bashën, por politikisht së paku, nuk duhet të harxhonin kaq shumë energji për ta shfajësuar, edhe si luftëtar pa betejë, edhe si të dorëzuar një hap larg finales.

Ose duhet mbrojtur dhuna, ose Lulzim Basha. Meqë dhuna nuk eci, Lulzim Basha nuk mund të mbrohet si viktimë, pasi ai ka dështuar bashkë me projektin e tij. Por dhe nëse e mbroni, të paktën mos thoni që fajin e kanë SHBA dhe BE që nuk e lanë të fitonte me dhunë. Se luftë me leje dhe lekë bëjnë vetëm mercenerët. Ky ka pretendime që nuk është mercenar.

“Kushtet” e Metës për një tryezë ku se ka ftuar askush

Nga Mero Baze

Tani paketës së kushteve të Lulzim Bashës, të cilës nuk i ka mbetur më asnjë arsye për t’u përfillur, i janë shtuar dhe kushtet e Ilir Metës. Ndërkohë që Lulzim Basha humbi gjithçka, me shpresë se do fitonte gjithçka duke kushtëzuar uljen në bisedime me kushte me Edi Ramën, Ilir Meta ka filluar e përsërit me njerëz të rastësishëm që takon, paketën e zgjidhjes së krizës prej tij.

Ja ka thënë këtë presidentit të Maqedonisë, i cili kushedi sa është lodhur të kuptojë përse bëhet fjalë, ua ka thënë ca hebrenjve të SHBA, që këtu vetëm për politikë nuk vijnë, dhe ndoshta ja ka përsëritur dhe njerëzve që i kanë dalë para rrugëve të Bosnjës.

Në fakt, kriza në Shqipëri ka shmangur elementin më të rëndësishëm të saj, krizën institucionale. Zhvillimi i zgjedhjeve më 30 qershor, vendimi i Kolegjit Zgjedhor që zhbën dekretet dhe ç’dekretet e presidentit, aftësia e qeverisë për të kontrolluar situatën, dhe përfundimi i zgjedhjeve, i kanë dhënë fund kaosit institucional.

Shqipëria ka çmontuar disa elementë të rëndësishëm të krizës, që kishin të bënin me mbajtjen e zgjedhjeve dhe vendimarrjen për legjitimitetin e tyre.

Ajo që mbetet për t’u zgjidhur, është rifutja e Partisë Demokratike në sistemin tonë politik, nëse ka ndërmend të futet. Rikthimi i PD në sistem, natyrisht që do të ketë kosto të mëdha politike për të, për Bashën, por dhe për qeverinë.

Partia Demokratike është tani një parti që u ka hequr të drejtën demokratëve shqiptarë të përfaqësohen në pushtet, në Parlament, në Bashki, në Këshilla Bashkiake dhe çdo vend tjetër, përveç “Avokatit të Popullit”.

Për t’u rikthyer PD në sistem, natyrisht që duhen bisedime, duhet konsensus, por dhe një vullnet politik për të marrë përgjegjësinë e asaj që ka bërë lidershipi i PD.

Propozimet e Ilir Metës, të cilat përsëriten rrugëve sikur nuk ka ndodhur asgjë, janë më të këqija se kushtet e Lulzim Bashës, pasi ato në vend që të pastrojnë fazën e fundit të krizës, që tashmë është vetëm politike, synojnë të rikthejnë krizën institucionale, kërkojnë të delegjitimojnë zgjedhjet dhe ta kalojnë çelësin e destabilitetit në duar të Ilir Metës, i cili e çoi Shqipërinë drejt vëllavrasjes më 30 qershor, me lehtësinë me të cilën premtoi se do të çonte atë qenin boshnjak tek macja e tij me emër rus në Tiranë.

Tashmë kur kriza institucionale është zhdukur, kur shteti funksionon dhe kur pritet të ngrihet Gjykata Kushtetuese, për të mos pasur më përpjekje destabilizuese në mungesë të saj, presidenti kërkon ta rikthejë krizën në pikën zero, duke anulluar zgjedhjet dhe duke shpallur zgjedhje të reja presidenciale, të cilat nuk na i parashikon as Kushtetuta, pasi presidentin këtu e zgjedh Parlamenti.

Pra, nëse deri më sot kaluam një krizë të fortë institucionale për shkak të kushtëzimeve për dialog që kishte Lulzim Basha, tani kemi një përpjekje për të rikthyer krizën institucionale, për shkak të kushtëzimeve që vendos Ilir Meta.

Nuk di sa të rakorduar janë Meta e Berisha në këto qëndrime, por ata duhet të kuptojnë se nuk ja dolën dot të fusin shqiptarët në vëllavrasje, në kulmin e krizës, dhe as që kanë shanse të rikthejnë krizën në kulmin e vapës.

Koha për të biseduar për rikthimin e PD në sistemin politik legjitim që kemi kalon çdo ditë, dhe sa më shumë Basha të mendohet, aq më vonë do të jetë për PD.

Ngrefosjet e tij se do përgjakë bashkitë që ka pasur PD, duke mos i dorëzuar ato, kam frikë se nuk ja përfillin as vetë ish- kryebashkiakët e tij, të cilët, nuk kanë ndërmend të bëhen viktima të luftës për karrigen e Bashës, duke bërë sikur luftojnë për karrigen e  tyre.

Në këtë pikë, Basha po sillet njësoj si Ilir Meta, që shpreson se është ende president, bile president që ka dhe kushtet e  tij për t’u ulur në bisedime. Pa llogaritur që nuk e ka ftuar askush, as për të biseduar, dhe as për të ndërmjetësuar.

Lind Republika anti-perëndimore e Shqipërisë

Nga Mero Baze

Shqipëria duhet t’i japë shpejt zgjidhje krizës presidenciale, jo aq për ndonjë rëndësi të Ilir Metës brenda vendit, se sa për imazhin qesharak që po i jep Shqipërisë, duke përfaqësuar një “Shqipëri paralele” anti-perëndimore dhe anti-kosovare nga Republika zyrtare e Shqipërisë.

Rasti më ekstrem është Samiti i Jahorinës në Bosnjë, organizuar nga anëtari serb i Presidencës së Bosnjës, Milorad Dodik, i cili përveçse një manekin banal i presidentit Putin, përfaqëson ende të vetmen vrimë të zezë të nacionalizmit etnik serb në Ballkan, që ushtron pushtet.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e refuzoi ftesën si poshtëruese për Kosovën dhe ai natyrisht ka një gjykim më të gjerë për këtë vendim. Në solidaritet me të, Ministria e Jashtme e Shqipërisë, po ashtu e refuzoi pjesmarrjen e Shqipërisë zyrtare aty.

Fill pas kësaj, Ilir Meta i hipën avionit dhe shkon në një takim, ku ka prodhuar dy lajme kryesore.

E para, që nuk ka përfillur qëndrimin zyrtar të Shqipërisë dhe e ka trajtuar edhe qëndrimin zyrtar për çështjen kombëtare të Shqipërisë, si një qëndrim ku diskutojmë për protestat e Lulit.

E dyta, që ka tentuar të duket një lider me tipare lindore anti-emigracion, pro autoritarist dhe anti-perëndimor, duke lavdëruar presidentin Erdogan për një gjë që dhe ai vetë do të jetë çuditur, për faktn që i ka prerë rrugën emigracionit të paligjshëm në Ballkan.

Në fakt, presidenti turk i ka bërë presion Europës dhe kryesisht Gjermanisë, të rrisin financimet për Turqinë për të ndërprerë valën e refugjatëve të luftës drejt Perëndimit, por kjo është një çështje mes tij dhe Perëndimit.

Turqia nuk ka problem shkuarjen e emigrantëve në Turqi, por ikjen e  turqve nga Turqia, si çdo vend i varfër i Ballkanit.

Ballkani po ashtu nuk ka problem që po i vijnë emigrantë, por që po i ikin qytetarët e vet emigrantë. Vetëm Ilir Meta ka zbuluar se Ballkani rrezikohet nga emigrantët e huaj, dhe për këtë i është mirënjohës presidentit Erdogan.

Në fakt, nuk e ka fare për këtë. Duket se Ilir Meta ka vendosur të imitojë liderët autoritarë dhe ksenofobë të Lindjes, ku krye-modeli është Orban. Ai tenton të bëhet ksenofob, anti-emigracion, anti-perëndimor, dhe si çdo menu tjetër e Internacionales së autokratëve do dhe “një kokë të prerë armiku në sini”, dhe ky ka gjetur Sorosin.

Ilir Meta duket se ka shkuar deri tek Dodiku, një mik personal i Putinit, nga ato levat e neveritshme të tij në Ballkan, për të na treguar se tani ai ja ka hipur kalit drejt Lindjes, dhe për të na treguar se nuk i ha palla nga qëndrimet e ftohta të Perëndimit ndaj tij.

E njëjta gjë vërehej dhe në intervistën e tij me gazetarin e njohur grek Stavros Ximas, ku përpiqej të paraqiste dy Shqipëri, Shqipërinë zyrtare, që e identifikonte të keqe, me Edi Ramën, dhe Shqipërinë e tij, siç e ka tani në mendjen e tij të turbullt.

Shqipëria paralele e Ilir Metës, nuk është ndonjë krim. Shqipëria është vend i lirë dhe këtu çdokush është i lirë të zgjedhë një pozicion kundrejt rrugës perëndimore të Shqipërisë, pro ose kundër saj.

Deri tani kemi qenë të gjithë pro. Tani Ilir Meta ka vendosur t’i kundërvihet kësaj rruge. Nuk është ndonjë dramë e madhe. Është një eksperiment i ri politik i Moskës në Tiranë.

Problemi është që këtë eksperiment, Ilir Meta nuk mund ta bëjë nga posti i presidentit të Republikës së Shqipërisë, pasi ai është duke folur në emër të një Shqipërie të panjohur ende.

Ai nuk mund të përfaqësojë dy Shqipëri në tryezën e një zagari të Putinit. Nuk mund të jetë aty, edhe si përfaqësues i Shqipërisë anti-perëndimore dhe anti- Kosovë.

Mund të jetë si politikan i tillë, por jo si President. Si president në atë tavolinë mund të ulet, kur t’ia nisi nga e para si politikan anti-perëndimor, të fitojë, të bëjë shumicë, e të bëhet prapë President.

Pastaj dhe mund të flejë në një krevat me Dodik e Putinin, se nëse do ndodhë ta votojnë shqiptarët si të tillë, ky vend nuk do të ekzistojë më.

Por si përfaqësues i Shqipërisë pro-perëndimore, si përfaqësues i Shqipërisë që e ka në Kushtetutë mbrojtjen e interesit kombëtar të shqiptarëve jashtë Shqipërisë dhe sidomos Kosovës, ai nuk mund të ulet në atë tavolinë dhe të flasë në emër të kësaj Shqipërie.

Jo se shkatërron ndonjë kauzë të madhe, pasi atë nuk e merr njeri seriozisht as këtu, por na bën objekt barcaletash mes një klubi anti-shqiptar, duke vërtetuar gjithë anektodat e vjetra serbe, që jemi njerëz me bisht.

Në fakt, thjesht kemi një President me bisht.

Problemi i presidentit, është se nuk ka më rëndësi

Nga Mero Baze

Presidenti ka dy ditë që gdhihet keq. Dje dha një shfaqje të çekuilibrit politik, diplomatik, shtetëror dhe mendor.

Sot e kishte kapur me letra qysh në mëngjes. Nisi t’i shkruante Ramës, pastaj vazhdoi me ambasadorin e BE. Të parin e shantazhonte, se do fliste për reformën, të dytit i kërkonte llogari pse nuk e kishte përfillur veprimtarinë e presidentit para zgjedhjeve dhe pse po merrej me reformën në drejtësi.

Të dy, as kryeministri dhe as ambasadori Soreca, në fakt nuk ju përgjigjën. E panë më shumë të udhës të vlerësojnë vendimin e Komisionit Europian kundër përpjekjes për rikthimin e vizave nga Holanda.

Por duket se presidenti do të vazhdojë me letra dhe pyetje këto ditë. Ka një lloj ngutje në formë tërbimi, që kaplon zakonisht mendje të nxehta, nga mospërfillja dhe injorimi i hapur që ju bë si president, kur deshi të përdorë ç’dekretimin e zgjedhjeve, si arsye për të shkuar drejt luftës civile.

Tani as zgjedhjet nuk u shtynë, as luftë civile nuk pati dhe presidenti është i shqetësuar, se si do të vazhdojë të injorohet.

Pyetjet e tij më shumë se sa sqarime, janë pyetje retorike, që ai nuk do që t’i konfirmojë askush.

Po çfarë ka ndodhur realisht që është destabilizuar presidenti?

E para, është injorimi që atij ju bë nga SHBA dhe Bashkimi Europian, pas ç’dekretimit të zgjedhjeve.

Perëndimi injoroi aktet e tij juridike, duke i hedhur në kosh, dhe i dha mbështetje shqyrtimit që i bëri Kolegji Zgjedhor këtyre akteve, duke mbështetur zgjedhjet e 30 qershorit. Praktikisht Ilir Metën e “shkarkuan” si president dhe zgjodhën të mbrojnë zgjedhjet dhe institucionet kushtetuese.

Së dyti, është indiferenca e Perëndimit për t’u përfshirë në bisedimet me kushte të opozitës para zgjedhjeve, duke e lënë opozitën ta paguajë shtrenjtë shantazhin e saj, për të mos hyrë në zgjedhje dhe për të djegur mandatet, që të rrëzonte qeverinë.

Ilir Meta ka pritur se Perëndimi do të trokiste në derë të tij për këtë hall dhe ai të faktorizohej. Perëndimi në fakt nuk trokiti askund.

Sot, falë strategjisë Berisha-Meta, zbatuar nga Basha- Kryemadhi, opozita është në rrugë si një parti e krijuar dje, pa asnjë deputet, pa asnjë bashkiak, ose anëtar këshillash bashkiake.

Së treti, Meta ka kuptuar se Bashkimi Europian po mbështet krijimin e shpejtë të Gjykatës Kushtetuese dhe po hedh në erë strategjinë Meta- Berisha për ta bllokuar dhe më tej krijimin e kësaj gjykate.

Nën këshillat e ekspertëve të BE, pritet që në fund të korrikut të bëhen tre propozime që i takojnë presidentit dhe tre propozime që i takojnë Parlamentit, për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Nëse presidenti refuzon t’i çojë propozimet në Kuvend, me arsyetimin se mund të mos jenë tre kandidatë për një post, por dy, atëhere sipas listimit të KED, i pari i listuar, kalon direkt anëtar.

Kjo bën që maksimalisht Ilir Meta ta vonojë Gjykatën Kushtetuese deri në fund të shtatorit. Pas saj, nuk ka çfarë i bën më.

Së katërti, Ilir Meta po bën përpjekje të bllokojë formimin e Gjykatës së Lartë.

Arsyet e bllokimit fillimisht lidhen me faktin se tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese duhet të zgjidhen nga kjo Gjykatë. Në fakt, Gjykata e Lartë mund të vonojë, por ajo nuk e pengon dot më funksionalizimin e Gjykatës Kushtetuese.

Nga ana tjetër, ajo duhet të ngrihet pasi janë akumuluar mijëra çështje për t’u gjykuar. Dhe Ilir Meta duket i shqetësuar nga një propozim i “Euralius”, që rekomandon përdorimin e precedentit të prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, deri në ngritjen e përhershme të Gjykatës së Lartë.

Të gjitha këto detaje, pafuqia për ta ndalur reformën dhe injorimi që atij po i bëhet si faktor institucional në vend,e kanë xhindosur dhe bën ato që po bën, nga dje deri sot.

Nuk di çka ndërmend të bëjë nesër, por këto që ka bërë dje dhe sot janë boll për të dëshmuar se ai ndjehet i izoluar dhe i parëndësishëm për ta.

Në fakt, ata, as tani nuk po kërkojnë të ulen me presidentin. Ata po u bëjnë thirrje palëve të ulen vetë me njëra- tjetrën dhe presidenti është palë, jo intelokutor në këtë histori.

Për Perëndimin, ai është zjarrëvënës i izoluar i Shqipërisë, për qëverinë është udhëhëqës i opozitës, për opozitën është lideri në pushtet i saj. Por askujt nuk i hyn më në punë, as Perëndimit, as shumicës. As opozitës nuk i bënë punë dekretet e tij.

Mero Baze: Don Kishoti ynë!

Nga Mero Baze

Shqipëria po shkonte drejt 30 qershorit si flutura drejt llampës së ndezur për t’u djegur. Falë presidentit të saj Ilir Meta, i cili ndezi flakën e destabilizmit institucional dhe kushtetues në vend, duke ç’dekretuar zgjedhje, e duke dekretuar të reja, në funksion të axhendës së tij politike, shqiptarët u vunë në presionin e një politike talebane, që  i kërcënonte me jetë, nëse dilnin të votonin.

Shumë pak vetë besonin se e diela nuk do të ishte një ditë e përgjakur.

Para nesh u shfaqën talebanë që filluan digjnin shkolla dhe qendra votimesh, ca karagjozë, që u vetëshpallën intelektualë dhe rreshtoheshin si kamikazë për të bërë presion ndaj votuesve, dhe një president që mbante në dorë urën e zjarrit para fytyrës së Shqipërisë, duke e kërcënuar të gjunëzohej para tij, ose të digjej.

Përballë tij, kryeministri i vendit, i rezistoi në kufijtë e marrëzisë, presionit, dhe nuk i hapi rrugë çmendurisë. Por ai nuk mund ta shmangte gjakderdhjen. Ai mund të ruante vetëm shtetin.

Shqipërinë e shpëtuan nga gjakderdhja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Europian. Ajo që kanë bërë Shtetet e Bashkuara për 30 qershorin, është një nga mrekullitë që duhet t’i njihet në histori, si rast kur ka shpëtuar Shqipërinë nga përgjakja dhe destabilizimi, e vlefshme me momentet e tjera kritike të historisë sonë.

Pas tyre, dhe Bashkimi Europian dhe vendet e mëdha mike të Shqipërisë, Italia, Gjermania, Britania e Madhe, Austria dhe Franca, shprehën vendosmërinë për 30 qershorin, duke ndarë fatin e Shqipërisë, nga talebanët.

Sot presidenti i Republikës na ka ftuar të zgjedhim mes tij, që donte të digjte Shqipërinë, dhe atyre që e shpëtuan Shqipërinë.

I njoh justifikimet që ai është bipolar, shpesh herë rrëshqet, shpesh herë nuk është njeri normal etj, broçkulla si këto, por e vërteta është se sot presidenti formal i Shqipërisë, ka ftuar shqiptarët të zgjedhin mes atij dhe SHBA e vendeve të tjera perëndimore, për atë çfarë ndodhi më 30 qershor.

E kuptoj skenën e sotme në Presidencë, ku ai i ngjante  Don Kishotit. Ndryshe nga Don Kishoti që u frymëzua në marrëzitë e tij nga librat kalorsiakë të Alonso Quixanit, Don Kishoti ynë ndjehet i vetëfrymëzuar nga artikujt që porosit vetë në gazetat e portalet e tij, në “analistët” e paguar prej tij banaqeve televizive, që këto muaj janë kthyer në Kasandra për Shqipërinë.

Don Kishoti ynë sot dukej sikur  kishte nxjerr nga sundyqet e historisë armaturën e ndryshkur anti-perëndimore, dhe ja kishte hipur Rosinantit të tij, për t’i treguar dhëmbët SHBA-së dhe Bashkimit Europian.

Brenda një ore ai na rrëfeu dramën e tij, betejën me mullinjtë e erës, që ishin ambasadorët, betejat me “Kalorësin e Hënës së Bardhë”, që ishte Edi Rama dhe beteja me një turmë të burgosurish, që ishte beteja me shqiptarët që donin të votonin më 30 qershor, dhe që i pandehu se mund t’i shtronte lehtë.

I dërrmuar shpirtërisht, moralisht dhe fizikisht, Don Kishoti ynë sot, pranoi se ishte raskapitur nga betejat me Perëndimin dhe kundërshtarët dhe kërkoi që shqiptarët të bashkohen dhe një herë rreth tij, me shpresë se ringrihet.

E di përgjigjen e shqiptarëve, por disa pyetje që lindin nga kjo marrëzi politike dhe klinike, duhet të jepen publikisht dhe zyrtarisht.

Parlamenti i Shqipërisë është e nevojshme të ketë një resolute, ose deklaratë politike zyrtare të protokolluar, ku të distancohet fortë nga qëndrimet e presidentit të Republikës dhe ta shtojë këtë qëndrim, në një nga arsyet përse duhet shkarkuar. Kjo duhet për të qenë të qetë me hsitorinë dhe korrekt me shqiptarët.

Por peshën kryesore të reagimit në këtë histori e ka Partia Demokratike. E di që Ilir Meta i ka vënë në pozitë të vështirë, por ata duhet të shprehen qartë nëse janë me presidentin, apo me SHBA dhe vendet perëndimore në këtë rast.

Ai ka ngritur lart stekën e luftës kundër SHBA dhe Perëndimit, për të marrë peng pikë së pari Partinë Demokratike. Ai është duke u thënë atyre, ose pas meje në luftë kundër Perëndimit, o këtu rrugët tona ndahen.

Opozita pa LSI dhe Ilir Metën natyrisht mund të ketë shpresa dhe më të pakta për të ardhur në pushtet, por me këtë Ilir Metë ajo ka probleme shumë më të mëdha me shqiptarët.

Përpjekja e Ilir Metës për ta marrë peng PD në rrugëtimin e tij anti-perëndimor është e qartë, dhe e ka bërë këtë si një “shejtan budalla”.

Heshtja e PD është një miratim i qëndrimit publik të Ilir Metës, i cili e kompletoi skenarin e tij anti-perëndimor në çdo detaj, deri tek këshillat e kryeministrit hungarez Orban, i cili e paska këshilluar herët kundër Perëndimit, por ky se ka dëgjuar.

Heshtja e PD ndaj tij, është një heshtje e diktuar nga Sali Berisha. Ai është i heshtur dhe i lumtur që Ilir Meta po bën betejën e tij. Por Partia Demokratike, e cila ka në mbështetje të saj qindra mijëra shqiptarë, që kanë qenë burgjeve, vetëm nga dëshira që Shqipëria të kishte aleat SHBA dhe vendet perëndimore, dhe të “qeverisej nga ambasadori i SHBA dhe jo ai sovjetik”, duhet ta ndajë këtë histori dhe nuk ka pse lidh fatin e saj me Ilir Metën e Sali Berishën.

Kjo nuk është një betejë për t’u distancuar nga Ilir Meta, pasi ai nuk përfaqëson më asgjë në Shqipëri. Kjo është një betejë për të ruajtur dinjitetin si shoqëri, orientimin perëndimor të politikës shqiptare dhe për të testuar se sa larg dhe thellë mund të jetë rrënjosur bërthama e një politike anti-perëndimore në Shqipëri.

Ky nuk është një rast për ta justifikuar presidentin si njeri anormal. Si njeri anormal, çohet në spital dhe jo në Presidencë. Nuk është rasti as të relativizojmë të keqen duke thënë se ka makthe nga drejtësia dhe kërkon pazar. Makthin nga drejtësia ta heq vetëm drejtësia.

Njeriu që ka tre javë që terrorizon shqiptarët me urë zjari në dorë, si një taleban, dhe befas kur e kupton që nuk e përfill njeri, çmendet dhe hidhet në luftë kundër Perëndimit, me përkrenaren e presidentit të Republikës në kokë, duhet të izolohet.

Jo se rrezikon të bëhet popullor si anti-perëndimorë, por rrezikon të na bëjë komb qesharak, nëse nuk distancohemi prej tij.

Don Kishoti është pasuri ta kesh personazh qesharak, por jo president. Si president të bën qesharak vendin.

Mero Baze: Shkarkimi i Metës s’ka nevojë për Kushtetuese, mjafton konferenca sot

Sipas gazetarit, Mero Baze shkarkimi i Metës tani nuk ka më nevojë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese pasi mjafton konferenca e sotme.

Gazetari shkruan se Meta plotëson një prej tre kushteve kur shkarkohet Presidenti, atë shëndetësore.

“Nuk mendoj se ka nevojë për ndonjë relacion juridik për shkarkimin e Presidentit në Gjykatë Kushtetuese. Mund të çojnë kasetën e konferencës për shtyp. Plotëson një prej tre kushteve kur shkarkohet Presidenti. Atë shëndetësore”- shkruan Baze.

Më herët në një konferencë të gjatë për mediat Presidenti Meta foli shumë ashpër kundër Ramës, dhe SHBA-ve të cilët i akuzoi për juntë, për komplot, për eksperiment me Shqipërinë dhe për ta mbajtur Shqipërinë si një Kolumbi në mes të Europës. Meta gjithashtu propozi si zgjidhje për krizën zgjedhje presidenciale në 13 tetor.

Nuk mendoj se ka nevojë për ndonjë relacion juridik për shkarkimin e Presidentit në Gjykatë Kushtetuese. Mund të çojnë…

Gepostet von Mero Baze am Dienstag, 2. Juli 2019

Mero Baze: Revolucioni mbaroi pa asnjë vrasje, por me një vetëvrasje!

Nga Mero Baze

Shqipëria arriti të dal nga një spirale e rrezikshme e rënies së institucioneve dhe përplasjes civile me zgjedhje tërësisht të qeta, që konfirmuan dhe tejkaluan votat e shumicës së vitit 2017. Revolucioni që synonte në finale destabilzimin e institucionit të zgjedhjeve, përfundoi këtu.

Edhe pse u parapri nga molotovë, gaz lotsjellës, djegie KZAZ e shkollash dhe thyerje kutish, në ditën e zgjedhjeve, gjithçka shkoi mirë, çka tregoi se kur populli del në rrugë, ata që flasin në emër të popullit struken në shtëpi.

Dita e sotme e votimit tregoi se revolucioni i opozitës ishte një furtunë në gotë, i dirigjuar nga rrogtarë bashkish dhe militantë politikë, të cilët heshtin kur duhet të flasin qytetarët.

“Revolucioni” përfundoi pa asnjë të vrarë, por jo pa viktima. Opozita është e vetëvrara e madhe e këtij revolucioni.

Katër udhëheqësit e “revolucionit”, Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, kanë asgjësuar politikisht opozitën më të madhe në vend, e cila mund të ishte një prentendente reale, nëse do merrte pjesë në zgjedhje.

Për të gjithë ata që nuk u ka dal ende rakia e revolucionit, duhet tu kujtojmë, se nesër në mëngjes, Partia Demokratike e Shqipërisë, themeluesja e pluralizmit në Shqipëri, nuk ka më asnjë deputetë të saj në parlamentin e Shqipërisë, asnjë kryetar bashkie, asnjë këshilltarë të zgjedhur në këshilla bashkiakë. Ajo është sot partia më e pa përfaqësuar në pushtet në Shqipëri, duke lënë pa përfaqësuar padrejtësisht, për arsye kriminale, demokratët shqiptarë.

Nuk di se në emër të kujt, këta katër vrasës të opozitës, kanë të drejt ti heqin pushtetin demokratëve në gjithë Shqipërinë dhe për interes të tyre ti lënë ata të pa përfaqësuar, por ata sot realisht e  kanë bërë këtë krim.

Socialistët kanë siguruar mbi 700 mijë votues, aq sa ka qenë rezultati i mbështetësve të tyre në dy zgjedhjet e fundit, ndërsa Lulzim Basha dhe LSI nëse do të kishin dal në zgjedhje mund të shtonin po aq vota.

Trupa reale e votimit në Shqipëri në zgjedhjet e 2015-ës dhe 2017-ës kanë qenë  1.6 milionë shqiptarë, ose rreth 75% e zgjedhësve me banim në Shqipëri. Pjesa tjetër e listës formale, rreth 45 për qind janë shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë prej vitit 1990.

Sot pak më shumë se gjysma janë paraqitur pranë kutive të votimit, duke i dhënë legjitimitet absolut të zgjedhurve, dhe duke reflektuar traumën e opozitës me mungesën e saj.

Përpjekja qesharake e disa gaztorëve të opozitës të paraqesin përqindje në votim, përqindjet bazuar tek lista formale e zgjedhësve që tejkalon dhe banorët e Shqipërisë, është një aspirinë që nuk e qetëson dot plagën e thellë që i ka hapur asaj papërgjegjësia  e liderëve të saj.

Ata janë sot jo vetëm vrasësit real të opozitës, por dhe shuarësit e shpresës për të ardhmen e saj, pasi sot më shumë se kurrë, ata do ngërthejnë fort kthetrat mbi vulat dhe zyrat e opozitës, për të mbijetuar me trupin e mbytur të saj.

Mos shpresoni se sot Lulzim Basha do ketë probleme me Berishën. Sot Lulzim Basha dhe Sali Berisha janë më shumë se kurrë të dobishëm për njëri tjetrin, për të përdorur si kamerdare trupin pa jetë të opozitës, me shpresë se do të mbijetojnë .

Dita e sotme e votimit, qetësia dhe qytetaria që dëshmuan shqiptarët, tregoi mes të tjerash se kasandrat e shtypit opozitar, ata që kanë tre muaj që numërojnë të vrarët hipotetikë, gjakun, flakët që do përpijnë institucionet, kufomat rrugëve dhe imazhet e vitit 1997, dështuan edhe si kasandra.

Ata janë sot të plagosurit e mëdhenj të revolucionit që shpikën dhe se bërën dot kurrë.

Por meqë ka qenë revolucion me pagesë, nuk është se u është bërë ndonjë dëm i madh, se për atë punë janë paguar.

Problemi i vetëm pas këtyre zgjedhjeve, është se si dhe kur, demokratët shqiptarë do të rikthehen në sistemin politik të Shqipërisë, pasi Sali Berisha dhe Luzlim Basha, i kanë lënë sot me zero përfaqësim.

Sot kur opozita s’ka më asnjë deputetë, asnjë këshilltar, asnjë kryetar bashkie dhe asnjë përfaqësim në asnjë hallk të sistemit, është si një nuse e re e virgjër, me një përdhunues tek koka.

Meqë do tu duhet t’ia nisin nga e para, le t’ia nisin nga vetja. Të rithemelohen duke u shkëputur nga  ata që për të mbrojtur bythën e tyre përdhunuan Partinë Demokratike. Kjo është rruga më e shpejt për tu kthyer. Rruga pa kthim është kjo që po tentojnë, duke nxituar ta quajnë shpartallimin si fitore dhe duke shkuar pas një të shpartalluari.

Skip to toolbar