Dhuna që nuk “vrau” as Lulzim Bashën!

AKTUALITET


Nga Mero Baze

Ka një mëri të shtuar nga shumë mbështetës dhe propagandistë të opozitës, kundër faktorit ndërkombëtar, pas 30 Qershorit. Ka një mllef ndaj qëndrimeve të SHBA , BE dhe vendeve të tjera Perëndimore, që u shprehën para zgjedhjeve kundër dhunës.


Tani e gjithë retorika e pas 30 Qershorit, është kufizuar tek armiku i jashtëm dhe kryesisht vendet perëndimore që bën thirrje kundër dhunës më 30 Qershor.

Asnjë fjalë për dështimin e Lulzim Bashës. Asnjë fjalë për premtimet e pambajtura të tij. Asnjë fjalë për strategjinë e dështuar të tij. Asnjë fjalë për rolin e Sali Berishës dhe Ilir Metës në këtë histori. Biles asnjë fjalë, as për lajthitjen verore të Presidentit. Për ta gjithë fajin e ka SHBA , BE dhe vendet e tjera perëndimore, që nuk kuptohet çfarë roli kanë luajtur në dështimin e Lulzim Bashës.

I gjithë ky ligjërim politik, në fakt kërkon të fsheh dështimin e Lulzim Bashës në krye të opozitës, por dhe dështimin e vet atyre, që e nxitën Lulzim Bashën në këtë rrugë.

Më i shquari prej tyre mbetet Fatos Lubonja. Ai kishte opsion të qartë përdorimin e dhunës në zgjedhjet e 30 Qershorit dhe vazhdon ti përmbehet idesë se mënyra e vetme e rrëzimit të Edi Ramës është ajo me dhunë.

Nuk jam kundër radikalëve të tillë, edhe pse janë revolucionarë të dal mode. Pra nuk mund ti përjashtosh dikujt të drejtën të rrëmbej dhe armët nëse i ka shkuar në majë të hundës.

Problemi që ne kemi me nxitësit e dhunës në Shqipëri, është se ata e kompleksuan opozitën, duke ja imponuar përdorimin e dhunës, si rrugë të vetme dhe kur ajo dështoi në këtë rrugë, ata nuk mbajnë përgjegjësi, as për presionin që i bën opozitës, as për dështimin e opozitës, as për dështimin e tyre. Ata po rreken ta gjejnë përgjegjësinë, tek kundërshtarët e dhunës.

Këta janë të vetmit humbës në botë që thonë se fajin që ne humbëm, e kanë kundërshtarët tanë, se ata na mundën.

Pra në betejën për vëllavrasje në Shqipëri, nga një anë ishte Fatos Lubonja Sali Berisha e Ilir Meta me shokë, që kishin vënë para opozitën si të marrë peng dhe nga ana tjetë qeveria dhe vendet perëndimore, që kundërshtonin dhunën.

Tani sipas këtyre faji për dështimin e rrugës së opozitës është i kundërshtarëve të saj që nuk lejuan dhunën.

Dhe këta nuk ndjehen të humbur, por ndjehen të perseketuar që nuk i kanë lënë të fitojnë.

Ky arsyetim idjot, turpuron çdo revolucionar në këtë botë që ka përdorur ndonjë herë dhunën për të marrë pushtetin. Turpuron dhe kujtimin e Todi Lubonjës si partizan. Se dhe ai rrëmbeu armët për të marrë pushtetin, por nuk ishte edhe partizan edhe të pinte kafe në Rogner. Kush del në mal, kush rrëmben armët, duhet të llogarisë të jetë në luftë, dhe jo në Teatër.

Tani kjo historia që fajin pse nuk fitoi dhuna është i Perëndimit dhe jo i Lulzim Bashës, është më shumë se qesharak. Kur dikush vendos të fitoj me dhunë, ose i qëndron deri në fund dhunës, ose vritet nga të vetët. Në këtë rast nuk themi larg qoft të vrasin fizikisht Lulzim Bashën, por politikisht së paku, nuk duhet të harxhonin kaq shumë energji për ta shfajësuar, edhe si luftëtar pa betejë, edhe si të dorëzuar një hap larg finales.

Ose duhet mbrojtur dhuna, ose Lulzim Basha. Meqë dhuna nuk eci, Lulzim Basha nuk mund të mbrohet si viktimë, pasi ai ka dështuar bashkë me projektin e tij. Por dhe nëse e mbroni, të paktën mos thoni që fajin e kanë SHBA dhe BE që nuk e lanë të fitonte me dhunë. Se luftë me leje dhe lekë bëjnë vetëm mercenerët. Ky ka pretendime që nuk është mercenar.




Skip to toolbar