Ylli Manjani, ish-ministër i Drejtësisë nga LSI, doli kundër vendimit të opozitës, që pranoi dialogun për Reformën Zgjedhore. Manjani, në një reagim në rrjetet sociale, shkruan se “opozita e bashkuar do marrë pjesë tek Reforma Zgjedhore, që do diskutohet në një hotel në Tiranë, ndërsa “opozita parlamentare” do të “votojë këto vendime të marra në hotel”, sipas Manjanit.
“Ata që hynë në parlament, pasi u konsultuan me “familjet” dhe “aleatët”, i bie të ripranohen në partitë nga të cilat u përjashtuan. Ata do miratojnë vendimet e marra në hotel. Jua pafshin hajrin e tua ndjejnë lezetin”, shkruan Manjani. Me këtë, ish-ministri i LSI, shigjeton opozitën, atë në parlament me deputetët që do të votojnë në Kuvend Kodin e ri Zgjedhor dhe atë jashtë parlamentit, që në fakt, do të jetë bashkë hartuese e Reformës Zgjedhore.
Ish-ministri, ashpërson gjuhën në rreshtat që pason, duke e konsideruar vendin në “kaos dhe agoni”, pavarësisht se në të njëjtën kohë që Manjani ka shkruar këto rreshta, CDU/CSU konfirmon të kundërtën në Gjermani, Shqipëria gati të hap negociatat me BE.
“Ky në fakt ishte dhe karremi që u hodh për të shtyrë kohën e agonisë dhe të kaosit që ka vendi i sunduar i gjithi nga një njeri i vetëm. Ndërkohë, insistoj se zgjedhjet nuk i shkatërroi Kodi Zgjedhor as mungesa e reformës zgjedhore. Zgjedhjet i shkatërroi qeveria, policia, Kolegji, KQZ dhe llogjika politike e sundimit të Rilindjes. Nejse, si ta kenë! Sa më takon, vijoj të mbështes nevojën ulëritëse që ka vendi për parlament pluralist dhe për rotacion politik. Për të tjerat, kismet!”, përfundon Manjani.