Ndryshon testi për punësimin e mësuesve. Zbardhet udhëzimi i ri

Në muajin korrik mësuesit do të futen në testim nga ministria e Arsimit dhe vlera e tij do të rritet me 10 pikë.

Këtë e fakton udhëzimi i ri i Ministrisë, i cili nga 70% ka rritur me 10 pikë peshën që do të ketë testimi në vlerësimin final. Në këtë mënyrë, dosjes personale, një pikë kjo shumë e kontestuar nga mësuesit me eksperiencë, i është lënë vetëm 20% e pikëve. Të dy këta tregues përbëjnë shumatoren e pikëve, mbi bazën e të cilave do të bëhet renditja e mësuesve aplikues për punë, shkruan të premten gazeta Panorama.

Sipas udhëzimit të ministrisë vlerësimi i kandidatëve, të cilët aplikojnë për t’u punësuar në vendet e lira që krijohen në profilin e tyre në qytetet ku kanë aplikuar, bëhet në dy faza. Së pari, nga vlerësimi i përftuar nga dokumentet e dosjes profesionale të tij  si dhe nga testimit dixhital.

Ky i fundit do të ketë njësoj si vitet e kaluara 50 pyetje, të cilat do të konvertohen jo më me 70% të peshës totale të vlerësimit, por me 80%.

Testimi elektronik zgjat vetëm një orë dhe zhvillohet njëkohësisht për të gjithë kandidatët pjesëmarrës në testim, në ditën dhe orarin e caktuar. Testi është i përbërë në dy pjesë: a) pjesa që mbulon standardet e përgjithshme të mësuesit dhe b) pjesa tjetër që lidhet me standardet lëndore. Vlerësimi i tyre, ashtu si provimi i licencës, bëhet automatikisht nga sistemi kompjuterik, duke mundësuar njohjen në çast me rezultatin.

Kushti i vetëm për të qenë pjesë e testimit është kalimi me sukses i vlerësimit të dosjes.

Skip to toolbar