Meta nuk dekretoi Gjinushin, Akademia e Shkencave nuk njeh aktin e tij: I pavlefshëm

Akademia e Shkencave ka reagua pas vendimit të presidentin Meta për të mos dekretuar Skënder Gjinushin në krye të këtij institucioni. Në njoftimin që Akademia e Shkencave ka shpërndarë për shtyp thuhet se akti i presidenti është i pavlefshëm dhe në kundërshtim me ligjin duke hedhur poshtë pretendimet e ngritura nga presidenti.

Akademia e Shkencave ka deklaruar se do të mbledhë asamblenë e saj për t’i kërkuar kreut të shtetit të shqyrtojë edhe njëherë këtë vendim.

“Këshilli Ekzekutiv pasi u njoh me dekretin e Presidentit të Republikës nr. 11223 datë 11.07.209 konstatoi:

Pavlefshmërinë absolute të këtij dekreti si akt i dalë në kundërshtim flagrant me ligjin; mungesën e çdo mjeti ligjor me ligjin e ASH për të vepruar pas një refuzim emërimi; ngërçin juridik të krijuar midis faktit se kemi një Kryetar të zgjedhur nga Asambleja e ASH me një vendim të formës së prerë, pra të pacenueshëm e ndërkohë të paemëruar; faktin se pengesa e vetme për emërimin e kryetarit të zgjedhur, sipas arsyetimit të dekretit është mos bërja efektive e dorëheqjes para kandidimit më datë 24.05.2019 çka nuk është e vërtetë.

Vendosi të mbledhë Asamblenë e ASH, për të shqyrtuar e miratuar propozimin e Këshillit Ekzekutiv për t’i kërkuar Presidentit të Republikës rikonsiderimin e emërimit të Kryetarit të zgjedhur nga ajo Asamble më datë 24/05/2019.” – thuhet në njoftimin e ASH.

Presidenti Ilir Meta, ditën e premte, refuzoi të dekretojë Skënder Gjinushin si kryetar i Akademisë së Shkencave për shkak se në kohën kur është zgjedhur kryetar i kësaj akademie, Gjinushi ka mbajtur njëkohësisht edhe postin e kryetarit të Partisë Social Demokrate. Kjo vëren presidenti bie në kundërshtim me kushtetutën dhe me statusin e anëtarit dhe kryetarit të Akademisë së Shkencave, të cilët nuk duhet të kenë poste politike.

Edhe Skënder Gjinushin është shprehur pas vendimit të Metës se është më “nyl” se dekreti i zgjedhjeve duke sqaruar se vendimi i presidentit Meta nuk është ligjor, pasi ka vetëm rol honorifik në rastin e kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe rektorit të universitetit.

Sot kërkon zgjedhje të lira, si i grabiti Meta 26 mandate në 2001

Javët e fundit Ilir Meta nga karrigia e presidentit, dhënë nga Rilindja që e solli në pushtet, po përpiqet të luajë një rol parimor për demokracinë dhe votën e lirë në vend.

Por, presidenti ynë është në fakt personazhi politik më i diskredituar për blerje apo vjedhje votash, ashtu si rasti i zgjedhjeve në Dibër denoncuar nga BILD, në vitin 2001 denoncohej me video, foto e dokumenta zyrtare masakra elektorale e Ilir Metës. Në funksion kishte dhe shumë institucione shtetërore, përveç bandave dhe parave.

Meta ka qenë kryeministër i socialistëve në vitin 2001, kur u zhvillua një masakër elektorale e cila kishte viktima, tanke në fushatë, të rrahur e masakruar nga policia, SHISH që rrëmbente njerëz e mbushte kuti, vota të vjedhura, kuti të mbushura në furgona policia, 8 raunde zgjedhore, KQZ që ndryshonte rezultat dhe gjykatë Kushtetuese që jepte mandate në tavolinë.

Në 24 qershor 2001 u zhvilluan zgjedhjet më të këqija në historinë 30-vjeçare të demokracisë shqiptare, ato të 30 qershorit janë thjeshtë qesharake. OSBE-ODIHR atëherë masakruan në raportin e tyre qeverinë, demokratët përgatitën një dosje të madhe me zullumet qeveritare të Ilir Metës, të cilat i çuan në të gjitha kancelaritë e europës dhe shumë institucione të tjera ndërkombëtare.

Ishte fenomeni “DUSHK” që nga një zonë elektorale u dha aleatëve të PS një thes me vota, duke i siguruar Ilir Metës dhe PS-së, një mazhorancë kushtetuese. Por fenomeni i Dushkut është një pikë uji në oqean, krahasuar me blerjen, vjedhjen dhe masakrën direkte të votave nga Ilir Meta dhe banda e tij në pushtet në atë kohë.

Skandalet dhe vjedhja, krimi elektoral me banda, polici, KQZ dhe gjykata në 2001, të gjitha të drejtuara nga Ilir Meta, ishin dhe janë të papërsëritshme në historinë politike shqiptare. Çdo rast është një skandal më vete, çdo rast është një skenë krimi e gatuar nga Ilir Meta, për karrigen e tij kryeministrore dhe ëndrrën e Fatos Nanos për president. Në fakt gjithçka drejtohej nga vetë Meta, megjithëse kishte një përplasje të fortë brenda PS, në atë kohë kryetari i partisë nuk mund të ishte kryeministër.

Opozita në atë kohë pretendoi se me para, krim, polici, SHISH dhe skendarin DUSHK ju vodhën të paktën 26 mandate. Faktet dhe detajet po i rendisim më poshtë.

Zona e parë është ajo me numër 13, ku Nikollë Lesi humbi si kandidat i pavarur i mbështetur nga PS-ja raundin e parë të zgjedhjeve. Pas humbjes, ai telefonoi rivalin e tij dhe e uroi për fitoren.

Po çfarë ndodhi më pas?

Gjykata, KQZ dhe balotazh. Nikolla dhe Meta u vërsulen në Lezhë me polici, para dhe dhunë i vjedhin mandatin diplomatit Llesh Kola.

Ndre Legisi në Mirditë bën një tjetër vjedhje. Rrahje, kërcënime blerje votash dhe masakër mbi demokratët. Pasi disa raundesh dhe kalimesh në KQZ e Gjykatë, Legisi zgjidhet deputet i PS duke i vjedhur mandatin të ndjerit Kolin Gjoka, në atë kohë kryetar i FRPD-së.

Ata që kanë qenë në politikë në atë kohë kanë parë në ekranet televizive video sesi në zonën elektorale 18, ku kandidonte Luan Rama me Avni Shehun, mbusheshin kutitë në zyrën e elektorale të kanidatit socialist. Në raundin e parë Shehu është gati 1 mijë vota më shumë se rivali, por Luan Rama dhe PS përmbysin çdo gjë më pas, duke përmbysur rezultatin, me kërbaç e blerje votash, kuptohet edhe me ndihmën e KQZ e gjykatave.

Në Shijak zgjedhjet ishin nën banda e terror. Agron Duka i PS në zonën 25 fiton pas një procesi të shumë kontestuar me Osman Metallën, vjedhje votash dhe përplasje që në fund i shtuan një mandat socialistëve.

Në Durrës janë zona të përmbysura nga KQZ dhe gjykata, ndërsa një garë braktiset nga kandidati i PD.

Në zonën 26, Gazmir Bizhga më bandat e Durrësit dhe policinë masakrojnë komisionerët dhe vëzhguesit e PD. Në mesditë Mero Baze tërhiqet nga gara.

Dy zonat e tjera, ajo 28 dhe ajo 29, ku kandidonin Gjergj Koja dhe Bardhyl Agasi, janë shembulli më i keq si mbushen kutitë e ndryshohet rezultati në tavolinë.

Në zonën 30, Njazi Kosovrasti i PD dhe Bashkimit për Fitore fiton raundin e parë me Zyhdi Pepën, më pas vërsulet KQZ, gjykatat e bandat dhe në balotazh nxjerrin fitues kandidatin socialist.

Në balotazh policia dhe bandat e kishin më të thejshtë, ishin më pak zona dhe aty ku duhej përqëndrim vërsuleshin si kope hijenash me urdhër të Ilir Metës.

Spartak Poci ministri i Brenshëm i Ilir Metës,  në zonën 34 me dhunë terror do mundte pas shumë përplasjesh poetin Visar Zhiti, që ishte fituesi real i zgjedhjeve, por bandat dhe policia e SHISH i Fatos Klosit ishin bashkë.

Zamira Caka do i vidhte mandatin Bamir Topit, atëherë nën/kryetar i PD, një nga zonat bastion të PD, por kjo s’mjaftonte. Vjedhje votash, mbushje kutish, KQZ, gjykata dhe PS vidhte mandatin e radhës. Kështu ndodhi në zonën 46, ku kandidonte Astrit Patozi me Ejup Tabakun apo Shpëtim Kateshi me Halit Shamatën.

Në Elbasan, Durim Hushi dhe Taulant Dedja do grabisnin mandatet e Omer Stringes dhe Kozma Tavanxhiut. As mikut të tij Fahri Balliu s’ja fali mandatin, megjithse ai humbi turpshëm në fakt.

Në Librazhd, në zonën 58 fiton Skënder Çota, por në fund mandatin e merr Maksut Balla, i PS.

Në zonën 69, në Vlorë fiton Hasan Halili i PD-së dhe Bashkimit për Fitoren, por pas sulmit nga bandat, KQZ-së dhe gjykatës mandatin e merr Nasmir Bilani, që ndoshta askush nuk e njeh si politikan.

Nië nga zonat më të egra, ku pati edhe viktima ishte qarku i Korçës. Një i vrarë, tre të plagosur, dhjetëra të arrestuar dhe të paktën 4 mandate të grabitura.

Në zonën 80, Servet Pëllumbi fiton në balotazh me Bardhyl London pas një fushate, ku kandidati socialist kishte masakruar me polici strukturat dhe militantët e PD në zonë, ishte vërsulur si bishë më zonën ku banonin egjiptianët e Korçës dhe kishte blerë vota në çdo cep. Proçesverbalet të gjitha kishin diferenca në vota.

Në zonën 82, një nga bastionet historike të demokratëve, Alfred Olli i PD dhe Bashkimit për Fitoren ka 7062 vota dhe kandidati i PS-së, 5462 vota. Një nga masakrat më të mëdha elektorale. KQZ i jep mandatin Ollit, Gjykata Kushtetuese e kthen, zhvillohen gjashtë raunde zgjedhore, nga qershori zgjedhjet mbarojnë në gusht, fitues shpallet Mehmetllari, i PS.

Në zonën 86, në Devoll, Ridvan Bode fiton përballë socialistit Maqo Lakrori, por duhej balotazhi, i cili nuk u zhvillua 4 javë më pas. Një i vrarë në Sul dhe dhjetra demokratë të masakruar në zonë. Bilishti dhe fshatrat që ishin bastione të PD-së rrethohen nga forcat special të policisë.

Në Devoll nuk pati zgjedhje, por policia e banditët si një trup i vetëm mbushën çdo kuti që mundën.

Këto janë pak, shumë pak për krimet e Ilir Metës në zgjedhjet e vitit 2001 nga Tropoja në Konispol, nga Bilishti në Durrës e kudo.

Ilir Meta është hajduti më i madh i votave në historinë e demokracisë në Shqipëri. Ky krim elektoral u shoqërua edhe me skemën DUSHK, që i siguroi PS-së një shumicë kushtetuese, por pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve Fatos Nano dorëzoi në tavolinë Presidentin, të cilin e mori opozita.

Dokumentimi i vjedhjes së votave nga Ilir Meta, tek ndërkombëtarët ishin prova e padiskutueshme e një masakre elektorale të drejtuar nga Ilir Meta, që nga pas kishte banditë, SHISH, policinë dhe për herë të parë në ato zgjedhje miliona euro u hodhën për blerje votash. /CNA

Meta tregon “ilaçin” për krizën (që nuk shëron)

Presidenti Ilir Meta i kthyer nga Bosnja ka përsëritur edhe njëherë propozimin e tij antikushtetues për zhvillimin e 3 palë zgjedhjeve në13 tetor, duke thënë se ky është “ilaçi” që i jep zgjidhje krizës në vend.

Këtë deklaratë Meta e ka bërë të enjten gjatë një takimi me delegacionin e Komitetit Hebreo-Amerikan (American Jewish Committee) me qendër në Nju Jork, të kryesuar nga Drejtori i tij Ekzekutiv, zoti David Harris.

Sipas Presidentit “kriza e rëndë kushtetuese dhe institucionale që ka përfshirë vendin, zgjidhet me propozimin e tij si President i Republikës për zgjidhjen e saj nëpërmjet zhvillimit të tri palë zgjedhjeve më 13 tetor 2019: zgjedhjeve vendore, parlamentare dhe të Presidentit nga populli”.

“I vetmi ilaç që shëron vendin nga kjo krizë e thellë përfaqësimi dhe legjitimiteti është vetëm respektimi i votës së lirë dhe direkte të të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe pranimi i verdiktit të tyre final nga të gjithë ne”, – u shpreh Meta në këtë takim.

Por propozimi i Metës është sërish në shkelje të Kushtetutës njëlloj si dekreti për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. E para sepse zgjedhjet vendore u zhvilluan dhe u njohën nga ndërkombëtarët. E dyta sipas Kushtetutës në Shqipëri presidenti nuk zgjidhet nga populli por nga parlamenti dhe e treta nuk ka asnjë arsye që të zhvillohen zgjedhje të përgjithshme pasi maxhoranca qeverisëse është e konfirmuar në parlament dhe nuk ka vend që kjo të vihet në diskutim. Në kushtetutë është e shkruar qartë se kur presidenti mund të shpërndarë parlamentin në mënyrë që t’i hapet rruga zhvillimit të zgjedheve të përgjithshme dhe që të dyja rastet lidhen me pamundësinë e parlamentit për të votuar kryeministrin, gjë që nuk ka lidhje me situatën në Shqipëri. Pra “ilaçi” i Metës nuk shëron krizën e krijuar prej tij në vend përmes dekreteve antikushtetuese.

Bomba e Fatos Klosit: Amerikanët kanë dosje për politikanët

Ish kreu i SHISH, Fatos Klosi, në një intervistë për gazetën “Dita” thotë me bindje se amerikanët kanë dosje për politikanët shqiptarë dhe së shpejti me Drejtësinë e re shumë fakte të reja do të dalin në dritë.

Në kohën kur ai ka mbajtur postin e kreut të SHISH, Klosi ka bashkëpunuar me 3 kryeministra dhe në një intervistë televizive ai ka thënë se amerikanët i kanë dhënë një dosje përvëluese për një ish kryeministër shqiptarë, dosje e cila vazhdon ende të rrijë në sirtar.

Ndërsa situatën aktuale politike, Klosi e lidh edhe me reformën në drejtësi, ndërsa shton se “drejtuesit e opozitës kanë bërë zullime” ndaj dhe i tremben reformës në gjyqësor.

Zoti Klosi, vendi është i përfshirë në një përplasje të madhe politike, që ka paralizuar thuajse zhvillimin normal në çdo sektor. Si e gjykoni këtë situatë?

– Është një situatë shumë e vështirë pasi, siç thatë dhe ju, po pasqyrohet në çdo sektor të jetës së vendit. Dhe nuk shihet asnjë perspektivë politike për zgjidhjen e situatës, ndërkohë që të dy grupimet janë barrikuar në pozicionet e tyre. Opozita kërkon me një këmbëngulje absurde, që zgjidhja të vijë nga propozimet e saj, duke “harruar” se është minorancë.

Opozita është larguar fare nga sistemi, duke djegur mandatet, duke bojkotuar zgjedhjet dhe protestuar herë me dhunë e herë paqësisht, duke kërkuar që të largohet kryeministri. Sipas saj përgjimet për blerjen e votës janë arsye të mjaftueshme që ajo të mos e pranojë më zotin Rama si kryeministër. Ju keni qenë vetë i angazhuar në zgjedhje vite më parë, a blihen votat dhe si mund të frenohet ky fenomen?

– Sigurisht që ca vota dhe mund të blihen, dhe janë blerë me kohë, dhe kjo ndodh më kollaj në zonat rurale, ku ka më shumë varfëri dhe që janë më pak të monitoruara. Përgjimet janë një provë e parë materiale për dukurinë e blerjes së votës, por që nuk tregojnë se dukuria është e re. Pastaj, ato janë bërë në mjedise shumë të kufizuara, dhe në asnjë mënyrë nuk mjaftojnë për ta përgjithësuar problemin. Nga ana tjetër janë vetëm prova, që duhet të trajtohen në një proces gjyqësor, dhe atëherë vjen koha e trajtimit të pasojave që kanë patur dhe e masave që duhen marrë.  Të kërkosh që sot, që t’i përdorësh si argumente për largimin e Kryeministrit, është thjesht një pretekst që tregon se nuk je i përgatitur seriozisht për atë që po kërkon.

Nga ana tjetër mazhoranca thotë se opozita është arratisur nga sistemi për shkak të frikës nga Reforma në Drejtësi. Sa realiste është kjo dhe pse theksohet kaq shumë që opozita ka frikë, ndërsa mazhoranca nuk paska frikë?

– Unë e besoj këtë tezë. Të gjithë, në shkallë të ndryshme, e kanë frikë Reformën. Opozita më shumë, mendoj për dy arsye: titullarët e saj kanë më shumë zullume mbi shpatulla dhe nga ana tjetër e ndjejnë vetën më larg proceseve që po çojnë në Sistemin e ri gjyqësor.

– Ju besoni se do të kemi një sistem drejtësie të pavarur?

– Besoj se po, pasi me këtë Reformë janë angazhuar seriozisht partnerët kryesorë ndërkombëtarë të vendit, ata janë pjesë e rëndësishme e strukturave kryesore dhe më delikate. Dhe po bëjnë këtu, atë që në vendet e tyre funksionon prej kohësh, pra besoj se nuk do gabojnë. Natyrisht, nuk ka për të qenë e lehtë, të paktën për shkak të traditave të ndryshme.

Aktualisht vendi është pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë dhe nuk dihet ekzakt se sa do zgjasë kjo gjendje. Mendoni se kjo është një fazë tranzitore apo palët janë duke e zvarritur me qëllim një situatë të tillë?

– Kam dëgjuar që puna për ngritjen e SPAK ka filluar, shpejt do fillojë dhe ngritja e Gjykatës së Lartë  dhe asaj Kushtetuese, është një periudhë e zgjatur tranzicioni , por nuk është fundi i botës.  E vetmja ngjarje e rëndësishme e kësaj periudhe ishin zgjedhjet e fundit lokale, që sigurisht,  e ndjenë mungesën e Gjykatës Kushtetuese. Le të shpresojmë që të votuarit e kësaj radhe do të jenë më të mirë se paraardhësit . Zgjedhjet e tjera do t’i kenë të gjitha institucionet e duhura të drejtësisë dhe të shpresojmë se do të bëhen pas një Reforme zgjedhore, shumë të nevojshme.

Zoti Klosi, dy ditë më parë ju jeni shprehur se kur keni qenë drejtues i SHISH, amerikanët ju kanë vënë në dispozicion një dosje me afera korruptive të një kryeministri. Mund të na thoni ndonjë detaj për çfarë bëhet fjalë konkretisht?

– Dhe aq sa thashë, ndoshta thashë shumë, pasi bëhet fjalë për një bashkëpunim me partnerët kryesorë të Shërbimit, dhe nuk është në traditën e punëve të mira, që aspekte të bashkëpunimeve midis Shërbimeve të bëhen publike, edhe se ka kaluar shumë kohë nga ngjarja.

Ju thatë se bëhej fjalë për një rast që nuk e parashikonte ligji. Cila është ajo vepër që lidhet me korrupsionin dhe nuk e parashikon ligji?

– Problemi nuk ka qenë kaq i thjeshtë. Ligji për Shik-un është një ligj kuadër, që jep vetëm parimet e përgjithshme të detyrave, të lidhjeve me institucione nga ku varet, të mënyrës së përcaktimit të prioriteteve të punës, të kufizimeve të detyruara në trajtimin e subjekteve  dhe të organizimit të brendshëm të Shërbimit. Kur u hartua ligji i ri i Shërbimit, që u realizua me ndihmën e madhe të partnerëve amerikanë, as që mund të mendohej që kupola e Shtetit të ishte ndonjëherë subjekt i Shërbimit, prandaj problemi nuk ishte i thjeshtë.

Si vepruat pasi u njohët me rastin? 

– Ju thashë pak më parë, edhe kaq sa kam thënë në publik është shumë.

Në çfarë viti ju ka ardhur kjo dosje, cila ishte biseda që patët me presidentin Meidani, dhe a mund të hapet sot një dosje  e tillë, duke qenë se kryeministrat e asaj kohe i kemi ende gjallë?

– Ky është një nga problemet e Sistemit të ri të Drejtësisë.

A kanë amerikanët dosje për politikanët shqiptarë?

– Sigurisht, ata janë fuqi botërore dhe përpiqen të dinë gjithçka që munden për armiqtë, por dhe për miqtë e tyre. Informacionet për integritetin e partnerëve të rëndësishëm, janë të domosdoshme për zgjedhjen e mënyrës së bashkëpunimit me ta.

Cilat janë veprat që politikanët janë më shumë të përfshirë?

– Unë sot di, aq sa lexohet dhe shihet në media. Natyrisht, një filtrim i logjikshëm i këtij informacioni është i domosdoshëm. Vepra më e përhapur e paligjshme midis politikanëve është përfitimi i paligjshëm, apo shkurt, korrupsioni.  Shpresoj që Sistemi i ri i drejtësisë do vërë gishtin mbi këtë fenomen, për ta minimizuar, por dhe për të ndarë politikanët e ndershëm nga ata të korruptuar.

Me bërjen e drejtësisë së re, mund të shpresojmë se do të ketë fakte të papublikuara që ndërkombëtarët do të vënë në dispozicion të prokurorëve?

– Besoj se do ketë.

Zoti Klosi ju keni qenë anëtarë kryesie i LSI dhe njeh mirë raportet mes Ilir Metës dhe Edi Ramës. Si e shikoni këtë marrëdhënie mes tyre?

– Në përgjithësi nuk kanë qenë shumë miqësore, kanë patur shumë dritë-hije.

Mendoni se parlamenti do ta shkarkojë presidentin, dhe a është e motivuar një gjë e tillë?

– Më duket se armiqësia aktuale midis Parlamentit dhe Presidentit nuk është proporcionale me ngjarjet e ndodhura. Më vjen keq që ngjarjet nuk u diskutuan para se të ndodhnin dhe të ish gjetur një  trajtim më racional i tyre.

Si e shikoni të ardhmen politike të zotit Meta?

– Tek LSI, siç është tradita dhe e vërteta.

A rrezikon vendi në një përplasje civile nëse arrestohet ndonjë prej krerëve të opozitës?

– Më duket absurde.  Kush do të sakrifikonte për ca krerë që kanë gabuar dhe po gabojnë përditë, përveç ndonjë militanti ekstrem. Kush do ishte pala tjetër, veç forcave të rendit? Nuk do ishte përplasje civile, por një vazhdim i përplasjeve që pamë  në disa prej protestave të dhunshme të Opozitës.

Pyetja e fundit, a mendoni se ka ardhur koha që kjo klasë politike të dalë në pension për të lënë qarkullimin e elitave dhe t’ia lënë stafetën brezit të ri?

– Po, ka ardhur dhe ka kaluar, shumica e politikanëve të rëndësishëm janë prej pothuaj 30 vjetësh në politikë. Por është dhe një problem po kaq serioz, nuk ka politikanë të rinj seriozë, ata që janë evidentuar gjer më tani, janë bërë të tillë se u janë servilosur dhe mbajnë si idhuj, të vjetrit. Gjetja e politikanëve të rinj, me koncepte dhe mendësi të reja, do të jetë një problem shumë i vështirë i së ardhmes. Gjer më tani të gjithë ( pothuaj)  të rinjtë që i janë afruar politikës, e kanë bërë për të përfituar prej saj.

Meta kujton çdekretin dhe jep mesazh me qen e mace

Presidenti Ilir Meta e ka nisur ditën e mërkurë me një video në të cilën takon një qen në Bosnje dhe i dërgon përshëndetje maces së tij në Tiranë dhe thotë ndër të tjera, duke pretenduar se po çon një mesazh të koduar se “macet me qentë nuk shkojnë bashkë, por këtu nuk është rasti”.

Një shfaqje komplet qesharake për një president që vetëm 1 muaj më parë, pikërisht më 10 qershor me vendimin e tij antikushtetues për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, gati si nuk i vuri flakën gjithë vendit, por u tërhoq me djegien e disa KZAZ-ve vetëm pas presionit ndërkombëtar.

Fill pas videos me qen e mace, Meta publikon takimin me presidentin e Maqedonisë së Veriut Pendarovksi e ndër të tjera kujton dekretin e 10 qershorit.

“Ndërkohë sot bëhet një muaj i shpërdoruar kot që nga dekreti për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, për arritjen e një zgjidhje gjithpërfshirëse që forcon besueshmërinë e vendit për zgjedhje të lira e të ndershme.”, shkruan Meta, i cili vazhdon ende të shpresojë te dekreti i tij antikushtetues, i cilësuar nul si nga KQZ, ashtu edhe nga Kolegji Zgjedhor.

Një president që nxorri dy dekretw, por askush nuk iu përfill dhe ai u zhvlerësua me zhvillimin normal dhe pa asnjë incident të zgjedhjeve të 30 qershorit. Fill pas tyre, asnjë akt i tij tani nuk ka më vlerë. Populli votoi, ndërkombëtarët njohën zgjedhjet dhe parlamenti është në prag të shkarkimit me plot 102 vota pro. Gjithçka që pritet është ngritja e Gjykatës Kushtetuese dhe vulosja e vendimit të formës së prerë. Fill pas kësaj Meta është i lirë të merret gjithë ditën me facebook.

Mirëmëngjes të dashur miq nga Jahorina e Bosnjës!Unë e nisa mbarë ditën sot me Darkon. Uroj një ditë të mbarë edhe për ju!

Gepostet von Ilir Meta am Dienstag, 9. Juli 2019

Meta nxin Shqipërinë te grekët. 6 deklaratat e tij të gënjeshtërta

Presidenti Ilir Meta ka dhënë së fundi një intervistë në gazetën greke “Kathimerini” ku ka nxirë situatën në Shqipëri dhe e ka bërë Shqipërinë të duket, (siç thotë gazetari grek), sikur ndodhet në buzë të greminës.

Një president shqiptar që i bën një përshkrim të tillë vendit në shtetin fqinj Greqinë, ku dihet se si janë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe roli që mund të luaj Greqia në tetor në hapjen e negociatave.

Ajo gjithmonë e ka kushtëzuar votën e saj pro Shqipërisë, imagjinoni tani me këtë intervistë të presidentit që e nxjerr vendin tonë një vend ku nuk respektohen ligjet.

Realstory ka bërë bërë një listë me deklaratat e Metës që nuk qëndrojnë dhe të thëna ashtu rezultojnë gënjeshtra.

1-“Unë vazhdoj palodhur e me vendosmëri të bëj çdo përpjekje për ta parë vendin tim që të funksionojë brenda kufijve të tij kushtetues si dhe ato të sundimit të ligjit”.

Është e pavërtetë për shkak se Presidenti nuk qëndroi në kufijtë e tij kushtetues, por i tejkaloi ato duke nxjerrë një dekret për anulimin e zgjedhjeve. Akt që nuk është i parashikuar në Kushtetutë dhe tejkalon kompetencat e Presidentit.

2-“Unë kam qenë gjithmonë shumë i hapur dhe bashkëpunues me kryeministrin”

Aspak e vërtetë. Kur nxorri dekretin për anulimin e zgjedhjeve presidenti nuk e thirri kryeministrin në takim (ftesa për takim ka ardhur shumë vonë, 1 ditë para zgjedhjeve). Ndërsa përplasjet me Ramën kanë nisur që me dekretimin e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe më pas me mos dekretimin e Gent Cakajt, që të dyja aktet e presidentit në kundërshtim me Kushtetutën dhe në mungesë të plotë bashkëpunimi me kryeministrin.

3-“Kam bërë një betim sublim si President i Republikës për të respektuar dhe mbrojtur Kushtetutën e vendit tim dhe unë do t’i mbetem besnik atij premtimi deri në ditën e fundit në këtë zyrë”.

Së fundi presidenti ka treguar se nuk i ka qëndruar aspak besnik këtij betimi. Që me dekretin e anulimit të zgjedhjeve, me thirrjet për të bojkotuar zgjedhjet, apo me ftesën e fundit që shqiptarët t’i bashkohen protestës së opozitës, Meta ka treguar se nuk është një figurë mbi palët, (siç e kërkon Kushtetuta), por është palë me opozitën.

4-“Kushtetuta jonë është jashtëzakonisht e qartë në përcaktimin e Presidentit të Republikës si autoriteti i vetëm shtetëror që gëzon të drejtën për të dekretuar datën e zgjedhjeve dhe Gjykatën Kushtetuese si autoriteti i vetëm me kompetencë për të gjykuar kushtetueshmërinë e një akti kushtetues”.

PO është e vërtetë: Në Kushtetutë përcaktohet që Presidenti Dekreton datën e zgjedhjeve, por ama nuk i jep atij asnjë të drejtë që ta çdekretojë atë. Në kundërshtim të hapur me Kushtetutën.  Ndërsa Gjykata Kushtetuese  me një vendim të mëparshëm të shkruar të bardhë mbi të zezë, se nuk analizon dekrete pasi ato janë akte administrative dhe jo kushtetuese.

5-“Unë thjesht e kam gërmëzuar qartë dhe saktë se si një grup i strukturuar, që praktikon taktika të një shteti paralel është duke synuar dhe kërkuar kapjen totale të shtetit në Shqipëri, gjë që u shërben agjendave të fshehta”.

Akuzat për një shtet paralel drejtuar Sorosit e morën përgjigjen të hënën në mbrëmje nga vetë filantropisti amerikan. Ai tha se: “karakterizimi që Presidenti Meta i ka bërë kësaj përpjekjeje kaq publike si një komplot, është i çuditshëm. Ne presim që të takohemi në të ardhmen e afërt me Presidentin Meta, në bazë të ftesës që na ka dërguar”.

6-“Bazuar në këtë besim, unë kam paraqitur përsëri një propozim të ri për të mbajtur zgjedhje trillojëshe më 13 tetor: zgjedhjet vendore, parlamentare dhe presidenciale. Megjithatë, nuk kam dëgjuar ende asnjë propozim kundërshtuese, ose reagim ndaj propozimit tim. Jam ende duke pritur, me durim”.

E para: propozimi i Metës për 3 palë zgjedhje është sërish antikushtetues. Zgjedhjet vendore u mbajtën dhe u njohën nga ndërkombëtarët. Ai nuk mund të dekretojë datë zgjedhje vetëm 9 muaj para afatit kushtetues dhe ky propozim është komplet jasht çdo lloj afati. Ndërsa presidenti në Shqipëri zgjidhet nga parlamenti dhe jo nga populli. Pra nuk ka zgjedhje presidenciale sepse këtë Kushtetuta e thotë shumë qartë.

E dyta: Përgjigjen nga Rama e ka marrë menjëherë në shumë forma. Madje më e fundit është ngritja e Komisionit Hetimor për shkarkimin e tij. Ndoshta Meta pret ende përgjigje nga Basha pasi ai ende nuk ka folur për zgjedhjet në 13 tetor dhe për zgjedhjet presidenciale.

Intervista e e plotë e Presidentit Meta dhënë për gazetën “Kathimerini”

Stavros Tzimas (Gazetari): Duke lexuar deklaratat dhe intervistat Tuaja së fundi, dikush mund të kujtojë se Shqipëria ndodhet në buzë të greminës. E tillë është gjendja?

Presidenti Meta: Shqipëria është një vend modest, me një popullsi shumë të re europiane, me burime natyrore të pasura dhe e bekuar me bukuri natyrore mahnitëse. Shqipëria është një anëtare e NATO-s, e pozicionuar në mënyrë të vendosur në procesin e integrimit europian, duke pritur që të hapë negociatat e pranimit të saj.

Fatkeqësisht, prej disa kohësh Shqipëria ka qenë në qendër të lajmeve ndërkombëtare për një sërë çështjesh që lidhen me mosfunksionimin e sundimit të ligjit. Si kreu i shtetit të këtij vendi të mrekullueshëm, nuk mund të mos jem i shqetësuar për këto hapa prapa që duken sikur po përshkallëzohen në përmasa shqetësuese.

Në cilësinë e Presidentit të Republikës, unë mbart përgjegjësinë shtetërore për të adresuar në mënyrë të përgjegjshme çdo aspekt që na largon nga reformat dhe trajektoret tona europiane, duke pasur parasysh se ky është objektivi më unifikues dhe strategjik i popullit shqiptar.

Deklaratat e mia realiste nuk bëjnë gjë tjetër veçse e pranojnë këtë të vërtetë të trishtë, ndërsa unë vazhdoj palodhur e me vendosmëri të bëj çdo përpjekje për ta parë vendin tim që të funksionojë brenda kufijve të tij kushtetues si dhe ato të sundimit të ligjit.

Në këtë moment Shqipëria gjendet në një krizë të thellë kushtetuese, institucionale dhe përfaqësuese. Është përgjegjësia ime të mos qëndroj në heshtje, por të kontribuoj në zgjidhjen e kësaj krize sa më parë që të jetë e mundur, në mënyrë që të mos humbasim mundësinë e vendimit që do të merret nga Këshilli Europian në tetor për të hapur negociatat e pranimit me vendin tonë.

Gazetari: Përplasja Juaj me Kryeministrin z. Rama ka marrë karakteristikat e hakmarrjes. Njëri lëshon akuza shumë të rënda kundër tjetrit  dhe tani Kryeministri  ka vënë në lëvizje procedurën e shkarkimit Tuaj. Keni ndërmend të pranoni një vendim të Parlamentit për shkarkimin Tuaj? Nëse jo, çfarë do të bëni?

Presidenti Meta: Në Shqipëri sot ka vetëm një konflikt madhor. Është konflikti mes kryeministrit dhe shtetit të së drejtës, demokracisë dhe pluralizmit politik. Ky është “nëna” e të gjitha konflikteve të tjera.

Unë kam qenë gjithmonë shumë i hapur dhe bashkëpunues me kryeministrin, me të gjitha institucionet shtetërore dhe aktorët politikë për të nxitur një qasje pozitive dhe konstruktive politike për t’u përqendruar në reformat e integrimit, si përparësi kryesore për vendin tonë.

Përgjegjësia ndaj shtetit dhe interesi më i mirë kombëtar kanë qenë dy parimet e vetme udhëheqëse në ushtrimin e detyrës time dhe unë kurrë nuk do t’i komprometoj ato për hir të marrëdhënieve personale.

Kam bërë një betim sublim si President i Republikës për të respektuar dhe mbrojtur Kushtetutën e vendit tim dhe unë do t’i mbetem besnik atij premtimi deri në ditën e fundit në këtë zyrë.

Çdo çështje që lidhet me aktet ose vendimet kushtetuese mund të gjykohet vetëm dhe veçanërisht nga Gjykata Kushtetuese, duke përfshirë këtu edhe dekretin e Presidentit të Republikës për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit 2019, ose përpjekjet politike të shumicës qeverisëse për të shkarkuar Presidentin e Republikës.

Kushtetuta jonë është jashtëzakonisht e qartë në përcaktimin e Presidentit të Republikës si autoriteti i vetëm shtetëror që gëzon të drejtën për të dekretuar datën e zgjedhjeve dhe Gjykatën Kushtetuese si autoriteti i vetëm me kompetencë për të gjykuar kushtetueshmërinë e një akti kushtetues.

Është në të drejtën e kryeministrit, apo të dikujt tjetër që të kërkojë e të përpiqet të kapë me çdo kusht të gjitha institucionet e pavarura, por Shqipëria i ka thënë autoritarizmit njëherë e përgjithmonë “kurrë më”.

Gazetari: Folët për një plan instalimi të një junte që ka si qëllim krijimin e shtetit paralel në Shqipëri dhe në Kosovë, dhe përcaktuat si ‘’njeri të përshtatshëm‘’ për të, Edi Ramën, dhe frymëzues, Xhorxh Sorosin. Çfarë dini konkretisht për këtë plan?

Presidenti Meta: Unë thjesht e kam gërmëzuar qartë dhe saktë se si një grup i strukturuar, që praktikon taktika të një shteti paralel është duke synuar dhe kërkuar kapjen totale të shtetit në Shqipëri, gjë që u shërben agjendave të fshehta.

Është e qartë se këto agjenda nuk janë gjë tjetër, veçse në mospërputhje me anëtarësimin tonë në NATO, me procesin tonë të integrimit në BE, ose edhe me partneritetin tonë strategjik me SHBA-në.

Demokracia dhe sundimi i ligjit gjenden në zemër të këtyre marrëdhënieve dhe si të tilla, ato kurrë nuk do të jenë subjekt për negociata.

Shqiptarët e sinqertë dhe punëtorë nuk do të pranojnë kurrë të jenë koloni në shërbim të pastrimit të parave dhe të krimit të organizuar ndërkombëtar. Ata kurrë nuk do të pranojnë të keqpërdoren si shkak për turbullira në një rajon ku ata kanë qenë historikisht më të paqtët, megjithëse kanë kaluar vuajtje të tmerrshme. Shqiptarët e kanë bërë zgjedhjen e tyre, për t’u bashkuar me NATO-n dhe Bashkimin Europian. Askush nuk mund t’ia ndërrojë rrugëtimin këtij projekti strategjik. Kjo duhet të jetë e qartë!

Gazetari: Cila është përgjigja për ata që mendojnë se Shqipëria është kthyer në Kolumbinë e Europës për shkak të narkotikëve? Shënoj këtu se ky imazh në botë është krijuar prej akuzave që bëhen brënda Shqipërisë për përfshirje të pushtetit politik me narkotikët, akuza që arrijnë të shigjetojnë edhe vetë Kryeministrin.

Presidenti Meta: Agjencitë e specializuara ndërkombëtare kanë ngritur shqetësimin e tyre në lidhje me këto dukuri negative, të cilat, dhe unë duhet ta theksoj këtë, nuk kanë të bëjnë fare me shumicën e madhe të njerëzve tanë të jashtëzakonshëm.

Ne nuk mund të lejojmë që të besojmë në mënyrë naive se këto raporte bazohen në debatet e brendshme. Këto janë çështje serioze, që konsiderohen më profesionalisht nga ato agjenci, të cilat ndihmojnë me zemërgjerësi institucionet tona për të përmirësuar dhe rritur kapacitetet e Shqipërisë në luftën botërore kundër kultivimit të narkotikëve dhe trafikimit të tyre.

Janë pikërisht këto raporte dhe skandale të tjera të ekspozuara në mediat vendase dhe ato ndërkombëtare, që kanë krijuar dyshime lidhur me vullnetin e vërtetë politik të investuar nga aktorët shtetërorë në këtë luftë.

Në këtë drejtim, dua të theksoj nevojën për të shumëfishuar përpjekjet e agjencive të zbatimit të ligjit në këtë fushë, duke mbështetur plotësisht të gjitha ato gra dhe burra të guximshëm, të cilët përballen çdo ditë me këta fajtorë kriminelë.

E urrej shprehjen “Shqipëria është Kolumbia e Europës”, që përdoret nga shumë media tani për tani, sepse vendi im ka potencial të jashtëzakonshëm për t’u bërë Zvicra e Ballkanit.

Gazetari: Me një atmosferë të tillë politike, mendoni se vendi juaj duhet të marrë datë hapjeje të negociatave të anëtarësimit në vjeshtë? Nëse Ju do të ishit në vend të një udhëheqësi të një vendi europian, do të votonit pro hapjes?

Presidenti Meta: Kur ka vullnet, gjithmonë ekziston një mënyrë zgjidhjeje. Tetori nuk është larg, por ne jemi ende në kohë për ta transformuar këtë krizë të thellë në një mundësi reale europiane për hir të popullit shqiptar. Kryeneçësia për të qëndruar indiferentë ndaj rrethanave të përkeqësuara aktuale apo edhe më keq, për të ecur verbërisht drejt një regjimi njëpartiak do të ketë pasoja shkatërruese për vendin dhe të ardhmen e tij europiane.

Demokracia dhe sundimi i ligjit janë përgjigja më e mirë dhe i vetmi shërim për çdo lloj krize të brendshme në një vend të NATO-s.

Bazuar në këtë besim, unë kam paraqitur përsëri një propozim të ri për të mbajtur zgjedhje trillojëshe më 13 tetor: zgjedhjet vendore, parlamentare dhe presidenciale. Megjithatë, nuk kam dëgjuar ende asnjë propozim kundërshtuese, ose reagim ndaj propozimit tim. Jam ende duke pritur, me durim.

Mbetem me shpresë se do të mbizotërojnë pjekuria, përgjegjësia dhe interesi më i mirë kombëtar.

“Pasi vodhi floririn, Ilir Meta po vjedh batutat e Nard Ndokës”

Në fakt të gjithëve na u duk si fjali e kopjuar ajo e presidentit Meta të dielën, i cili teksa bënte not në det tha në një video të shpërndarë në rrjetin social: Më mirë në det se në pishinë.

Një fjali kjo e ngjashme me ato të shpërndara nga faqja Nard Ndoka filozof.

Këtë e ka vënë në dukje të hënën ish deputeti, Eduart Ndocaj, i njohur ndryshe si kaubojsi.

 “Presidenti LSI Ilir Meta tallet me qytetarët që s’kanë mundësi me ba asnjë ditë plazh, po ky parazit i vetëshpallur hero apo patriot fals një maskara president, tall leshin me shqiptaret që u ka vjedh floririn, Bankën e Shqipërisë bashkë me Fullanin; pasuritë kombëtare, kromin e Bulqizës, bregdetin dhe shpresën për të jetuar në Shqipëri; tani i ka vjedh batutat edhe Nard Nokës. Meta, tha se është më mirë në det se në pishinë”, shkruan Ndocaj.

Presidenti LSI Ilir Meta tallet me qytetarët që skan mundësi me ba asnjë ditë plazh, po ky parazit i vetshpallur hero apo patriot falls nje maskara president, tallë leshin me shqiptaret që u ka vjedh floririn , banken e shqiperis bashk me Fullanin, pasurit komtare,kromin e bulqizes , bregdetin dhe shpresen per te jetuar ne shqipëri, tani i ka vjedh batutat edhe Nard Nokes.Meta ,,, tha se eshte me mire ne det se ne pishin uje.

Gepostet von Eduart Ndocaj am Montag, 8. Juli 2019

30 qershori u vulos nga SHBA, Meta këmbëngul: Të votojmë më 13 tetor

Megjithëse zgjedhjet e 30 qershorit u njohën si nga SHBA ashtu dhe nga BE, presidenti Ilir Meta edhe të hënën ka bërë thirrje që zgjedhjet vendore të zhvillohen më 13 tetor.

Në një reagim të gjatë, ku përmendet çuditërisht propozimi i tij i fundit (komplet i pabazuar në Kushtetutë) që më 13 tetor të bëhen edhe zgjedhjet presidenciale, edhe zgjedhjet për Kuvendin, Meta argumenton pse 30 qershori është i paligjshëm dhe pse dekreti i tij për anulimin e zgjedhjeve është ende në fuqi.

Presidenti thotë se Kolegji Zgjedhor nuk ka marrë vendim për dekretin, por vetëm për ankesën e partisë PUK dhe se Kolegji nuk ka të drejtë të rrëzojë një dekret. Këtë të drejtë e ka Gjykata Kushtetuese.

“Ky Dekret për anulimin e datës 30 qershor 2019 si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, deri në ditën e sotme nuk është kundërshtuar nga ndonjë forcë politike apo nga ndonjë subjekt tjetër politik ose jo politik përpara ndonjë gjykate në Republikën e Shqipërisë përfshi këtu edhe Kolegjin Zgjedhor.

Pra sipas Kodit Zgjedhor, Kolegji Zgjedhor nuk ka kompetencë të shqyrtojë vlefshmërinë e Dekreteve të Presidentit, pasi këtë të drejtë nuk ia njeh as Kushtetuta, as Kodi Zgjedhor dhe as ndonjë ligj tjetër në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, e cila do të duhej të shqyrtonte çdo pretendim mbi kushtetutshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës, Partia Socialiste dhe KQZ, duke përdorur Partinë e Unitetit Kombëtar (PUK,aleat i Partisë Socialiste në këto zgjedhje) inskenuan një veprim procedural për të anatemuar indirekt vendimin e Kreut të Shtetit me qëllim për të ndërtuar një operacion propagandistik brenda e jashtë vendit, që të dezinformonin se Dekreti i Presidentit u shfuqizua nga Kolegji Zgjedhor.

Ndërmarrja e një procesi në Kolegjin Zgjedhor nga partia PUK është vetëm një përpjekje e Partisë Socialiste për të justifikuar politikisht paligjshmërinë e veprimtarisë së anëtarëve të saj në KQZ.

Ky vendim i Kolegjit, nuk prek aspak vlefshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës”, argumenton presidenti.

Por Kolegji Zgjedhor me të vërtetë shqyrtoi ankimimin e partisë PUK, por nëpërmjet tij rrëzoi dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, duke argumentuar, bazuar në Kushtetutë, presidenti mund të dekretojë datën e zgjedhjeve vetëm 9 muaj para. Përtej këtij afati çdo akt i tij është jashtë afateve Kushtetuese dhe është i pavlerë, pra është nul. Dhe ky vendim i Kolegjit Zgjedhor i jep përgjigje edhe dekretit tjetër të presidentit që zgjedhjet të zhvillohen në 13 tetor.

Presidenti gjithashtu thotë se dekreti i tij mund të shqyrtohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese, por harron se vetë kjo gjykatë në praktikën e saj, ka vlerësuar se dekreti i presidentit është akt administrativ dhe si i tillë mund të shyrtohet nga një gjykatë administrative dhe jo nga Gjykata Kushtetuese.

Presidenti vazhdon të këmbëngulë dhe të thotë se anuloi zgjedhjet për  të shmangur një konflikt civil. Por harron se dekreti i tij për anulimin e zgjedhjeve  krijoi pasiguri ( e thënë kjo nga misioni i vëzhguesve të OSBE) dhe nxiti akte dhune, ku protestuesit e opozitës i vunë zjarrin KZAZ-ve në disa qytete. Presidenti dhe opozita u tërhoqën nga retorika e dhunës vetëm pas reagimit të fortë të ndërkombëtarëve dhe dita e zgjedhjeve kaloi pa asnjë incident. Pra zgjedhjet u zhvilluan pa asnjë konflikt civil, ndryshe nga sa thotë presidenti, i cili duket se s’ka më asnjë argument se ku ta bazojë aktin e tij. Në përfundim ai bën thirrje për zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor.

“Pas anulimit të datës 30 qershor 2019 si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, Presidenti  i Republikës, për të garantuar që të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, të votojnë në mënyrë të ndershme, të fshehtë, të lirë dhe demokratike, në një situatë të qetë dhe jo konfliktuale dhe jashtë çdo rreziku të mundshëm të konfliktit social, në mbështetje të neneve: 1/3, 3, 4, 5, 15, 45/1 e 4, 86/1, 92 shkronja “gj”, 93, 109 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, më datë 27.06.2019, Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11 211, datë 27.06.2019, ka vendosur se:

Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore caktohen për t’u zhvilluar ditën e diel, në datën 13 tetor 2019”. Pra ligjërisht zgjedhjet duhet të mbahen në këtë datë.

Duke vënë në dukje këtë situatë të qartë ligjore se nuk ekzistojnë ligjërisht zgjedhjet e 30 qershorit dhe duke ritheksuar se dekreti i 13 tetorit është një mundësi e shkëlqyer për të garantuar zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse dhe demokratike, Presidenti i Republikës i fton të gjithë të mos thellohen në rrugën e paligjshmërisë, njëanshmërisë dhe konfliktualitetit .

Po kështu, duke vlerësuar krizën e rëndë të përfaqësimit në vend, Presidenti i Republikës u bën thirrje të gjithë aktorëve t’i bashkohen propozimit të tij që më 13 tetor qytetarët shqiptarë të votojnë edhe për Kuvendin e Shqipërisë, por edhe për Presidentin e Republikës.

Është koha për t’iu rikthyer sovranitetin të gjithë qytetarëve të Shqipërisë!”, shkruan Presidenti.

Kujtojmë se zgjedhjet e 30 qershorit u njohën nga SHBA e cila bëri thirrje që të zgjedhurit e rinj të marrin detyrën dhe të nisin menjëherë nga puna.   

130 minuta debat për shkarkimin e Metës, para protestës së opozitës

E hëna parashikohet të jetë një ditë shumë e nxehtë për politikën në Shqipëri. Pasdite në orën 17.00 kuvendi do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme ku pritet të votohet pro ngritjes së një komisioni parlamentar hetimor për shkarkimin e presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Në axhendën e kuvendit janë parashikuar 70 minuta diskutime që i përkasin deputetëve dhe ministrave të maxhorancës dhe 60 minuta deputetëve të opozitës parlamentare. Pra në total 130 minuta. Kaq parashikohet të zgjasë seanca e së hënës.

Ndërkohë që protesta e opozitës është thirrur për në orën 20.00. Në atë kohë parlamenti ka përfunduar punimet, falë edhe urdhrit të Gramoz Ruçit për të ndryshuar orarin, nga ora 18.00 kur ishte parashikuar fillimisht në orën 17.00. Në mënyrë që të mos kishte përplasje me protestuesit. Megjithëse kreu i PD-së, Basha ka dhënë garanci që protesta do të jetë paqësore.

55 deputetë kanë firmosur kërkesën për shkarkimin e tij për shkak se ka shkelur kushtetutën me vendimin e tij për të anuluar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Kërkesa e 55 deputetëve është diskutuar prej disa javësh në komisionin parlamentar të ligjeve. Në përfundim ky komision ka hartuar një raport në të cilin përmblidhen jo pak por 9 akuza për shkelje ligjore dhe kushtetuese që ka kryer presidenti përmes akteve të tij. Ky raport do të votohet sot në seancë parlamentare së bashku me kërkesën për ngritjen e komisionitn hetimor për përmbushur të gjitha procedurat parlamentare. Në përfundim Komisioni Hetimor do të hartojë një tjetër raport i cili gjithashtu duhet të miratohet në seancë parlamentare. Në përfundim vendimi i parlamentit do të merret në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese e cila vulos me vendin të formës së prerë aktin për shkarkimin e presidentit, akt i paprecedentë në historinë e Shqipërisë. Ilir Meta do të jetë i pari president që shkarkohet nga parlamenti.

Meta kopjon Ramën, fillon të shpërndajë meme

Ishim mësuar që shpërndarjen e memeve për të qeshur nga Kryeministri Rama, i cili disa herë ka deklaruar se ka një dobësi për memet që krijon “brryli broadway”. Rama shpërndan shpesh meme të vetes   nga kjo faqe. Por duket se kjo ka filluar t’i lezetoj edhe presidentit Meta, i cili ditën e sotme ka shpërndarë një meme ku shfaqet si një djalë i fortë dhe “me muskuj” duke mbajtur tatuazhin e Monikës në kraharor. Presidenti Meta e ka cilësuar atë si fiton e ditës ndërsa falënderon ndjekësit e tij që ja dërguan duke iu bërë ditë më argëtuese.

Nuk dihet se kujt ja tregon këto ‘muskuj’ Meta, ndoshta ndërkombëtarëve ndaj të cilëve i ka ashpërsuar mjaft tonet apo Ramës, i cili do të zhvillojë një seancë për shkarkimin e tij të hënën.

Duket se si Rama dhe Meta nuk mjaftohen vetëm me sfidat institucionale dhe politike mes tyre, por kanë nisur edhe të “sfidojnë” njëri-tjetrin me meme dhe foto nga pushimet e tyre.

TOP FAKE-PHOTO OF THE DAY!Faleminderit, ma bëtë të dielën edhe më argëtuese! 🤣

Gepostet von Ilir Meta am Sonntag, 7. Juli 2019
Skip to toolbar