130 minuta debat për shkarkimin e Metës, para protestës së opozitës

AKTUALITET


E hëna parashikohet të jetë një ditë shumë e nxehtë për politikën në Shqipëri. Pasdite në orën 17.00 kuvendi do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme ku pritet të votohet pro ngritjes së një komisioni parlamentar hetimor për shkarkimin e presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Në axhendën e kuvendit janë parashikuar 70 minuta diskutime që i përkasin deputetëve dhe ministrave të maxhorancës dhe 60 minuta deputetëve të opozitës parlamentare. Pra në total 130 minuta. Kaq parashikohet të zgjasë seanca e së hënës.


Ndërkohë që protesta e opozitës është thirrur për në orën 20.00. Në atë kohë parlamenti ka përfunduar punimet, falë edhe urdhrit të Gramoz Ruçit për të ndryshuar orarin, nga ora 18.00 kur ishte parashikuar fillimisht në orën 17.00. Në mënyrë që të mos kishte përplasje me protestuesit. Megjithëse kreu i PD-së, Basha ka dhënë garanci që protesta do të jetë paqësore.

55 deputetë kanë firmosur kërkesën për shkarkimin e tij për shkak se ka shkelur kushtetutën me vendimin e tij për të anuluar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Kërkesa e 55 deputetëve është diskutuar prej disa javësh në komisionin parlamentar të ligjeve. Në përfundim ky komision ka hartuar një raport në të cilin përmblidhen jo pak por 9 akuza për shkelje ligjore dhe kushtetuese që ka kryer presidenti përmes akteve të tij. Ky raport do të votohet sot në seancë parlamentare së bashku me kërkesën për ngritjen e komisionitn hetimor për përmbushur të gjitha procedurat parlamentare. Në përfundim Komisioni Hetimor do të hartojë një tjetër raport i cili gjithashtu duhet të miratohet në seancë parlamentare. Në përfundim vendimi i parlamentit do të merret në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese e cila vulos me vendin të formës së prerë aktin për shkarkimin e presidentit, akt i paprecedentë në historinë e Shqipërisë. Ilir Meta do të jetë i pari president që shkarkohet nga parlamenti.




Skip to toolbar