Negociatat, Rama mesazh BE: Vendim i verbër, do mundohemi të shmangin pasojat

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama foli nga gjatë Forumit të Davosit për Dialogun Strategjik mbi Ballkanin Perëndimor. Duke folur për mos hapjen e negociatave në tetor nga Këshilli i Europës, Rama u shpreh se vendimi i vendeve të Bashkimit Europian është bërë i parashikueshëm. Sipas tij, vendet aspirantë tani e kanë të vështirë se çfarë duhet të bëjnë apo të mos bëjnë për të marrë atë që kërkojnë.


“Në këtë moment, vërtetë që ndihemi si një varkë në mes të detit, pasi na e kanë marrë me forcë busullën. Është shumë e qartë që, nëse procesi i integrimit europian është karakterizuar në 5-6 vitet e fundit, të paktën, nga gjithmonë e më shumë paparashikueshmëri, ajo që ndodhi në tetor e bëri plotësisht të paparashikueshme. Ndërsa flasim, nuk kemi më mundësi të dimë se çfarë duhet të bëjmë për të marrë atë që kërkojmë, pasi është e qartë që natyra e vendimeve në Këshillin Europian është shumë më e përcaktuar nga vetë vendet anëtare të BE-së, sesa nga çfarë bëjmë, apo nuk bëjmë ne. Përcaktohet shumë më shumë nga sesi ata duan të jetë, apo të mos jetë BE-ja, sesa nga çfarë duan që të bëjmë, apo të mos bëjmë ne”, tha Rama.

Më tej, Kryeministri Rama pranoi që vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë gati për anëtarësim. Por sipas tij, mungesa e kapacitetit për të nxjerrë vendime konsensuale nga BE, nuk i sjell asnjë të mirë asaj. “Sigurisht, vendet tona nuk janë gati të anëtarësohen, prandaj, nëse loja e “meritokracisë” shndërrohet në “lojën e fajësimit”, sa herë që mungon kapaciteti për të nxjerrë një vendim konsensual, kjo gjë nuk i sjell asnjë të mirë BE-së dhe procesit”, tha Rama. Ai shtoi se nisja e këtij procesi, ka ardhur jo si detyrim nga Brukseli, Berlini apo Parisi, por sepse është ajo që i duhet popullit shqiptar.

“Ne nuk e nisëm këtë proces sepse dikush në Berlin, në Paris, apo në Bruksel na detyroi, por e nisëm sepse ishte saktësisht ajo që i duhej popullit tonë, kombit tonë e fëmijëve tanë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë për ta”, tha Kryeministri. Ndërkohë, ndonëse nuk e përmendi mini-Schengenin Ballkanik, por dhe ndërhyrjet e huaja në rajon, Rama u shpreh se do të bëhet më e mira për të arritur bashkëpunim rajonal, pr edhe për të shmangur pasojat negative të mos pasjes së një vendimi nga BE për negociatat me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Megjithatë ne e dimë edhe që rajoni ka shumë potencial për të shfrytëzuar dhe ne do të bëjmë më të mirën tonë, duke rritur bashkëpunimin rajonal dhe duke bërë më të mirën tonë për të shmangur pasojat negative që sjell ky vendim i verbër, apo mosvendim i tetorit në opinionin publik apo në të ardhmen tonë”, tha Rama.

Në fund, Kryeministri Edi Rama u dërgoi dhe një mesazh vendeve skeptike të BE-së. Ai tha se Shqipëria nuk do të “lutet”, pasi ajo që po bën është për brezat dhe fëmijët shqiptarë, dhe jo për brezin aktual të liderëve të Europës. Ndërsa shtoi se BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor.

“Sigurisht, për Aleksandrin është më e thjeshtë, sepse, siç e tha, vendi i tij nuk është aq euro-optimist, por nuk mendoj se, meqë ne e kemi më të vështirë, duhet të qajmë, apo të lutemi sepse në fund të fundit e bëjmë për fëmijët dhe brezat e ardhshëm, jo për këtë brez të liderëve në Europë. E fundit, por jo për nga rëndësia, është absolutisht thelbësore ta themi që Bashkimi Europian ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, apo Europën Juglindore, po aq sa Europa Juglindore ka nevojë për Bashkimin Europian. Ata që nuk e kuptojnë këtë nuk kuptojnë mirë çfarë është në lojë, apo cilat janë sfidat e sotme dhe të së ardhmes”, përfundoi fjalën e tij Rama.​/Realstory.al/