Ish-ministri i punëve të jashtme të Greqisë,
Nikos Kotzias ka hedhur akuza të forta ndaj presidentit francez Macron duke e cilësuar
si përgjegjës nëse rajoni i Ballkanit përfshihet në zhvillime të pakëndshme.
“Pas vetos së Macron, një është përfundimi i
marrëveshjes së qeverisë Prespa: ai e minon atë dhe më pas citon rezultate
negative të minimit të vet si justifikim. Prandaj do të jetë përgjegjës për çdo
zhvillim të pakëndshëm në rajon”, shkruan Kotzias në Twitter.
Franca vuri veton për bllokimin e negociatave
për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, një vendim që u kritikua nga liderët e
BE por edhe diplomatë e deputetë të ndryshëm duke sjellë destabilitet në rajon.
Pas bllokimit të negociatave, edhe vetë SHBA reagoi ashpër ndaj Europës duke thënë
se i hapët rrugë dashakeqëve në Ballkan.
Mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste,
zhvilluar të hënën, nuk kaloi në qetësi, pasi mos hapja e negociatave nxiti
debate. Sipas gazetës “Panorama”, e cila zbardhi pjesë nga debati në kryesinë e
PS, Ministri i Diasporës Pandeli Majko dhe ish-ministri i Brendshëm Fatmir
Xhafaj, i kërkuan Kryeministrit Edi Rama, që PS të dilte me një qëndrim për
negociatat.
Majko mësohet se kritikoi në mbledhjen e kryesisë deklaratat e bëra nga Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj se “Kryeministri nuk kishte premtuar hapjen e negociatave”. “Genti nuk duhet të bënte atë deklaratë, sipas të cilit, “unë (ai) dhe Kryeministri Rama nuk kemi premtuar hapjen e negociatave”, është shprehur Ministri i Diasporës.
Sipas Majkos, PS duhet të dilte me një qëndrim
në lidhje me mos pasjen e një vendimi të Këshillit Europian për negociatat. “Prandaj,
unë them se ne si kryesi duhet të dalim me një qëndrim për këtë vendim të
Këshillit Europian dhe duhet të kemi një qëndrim në logjikën edhe të
zhvillimeve në rajon”, është shprehur Majko.
Ndërkohë, sipas gazetës, Kryeministri Edi
Rama mësohet të jetë shprehur në mbledhje se “qeveria që ai drejton ka përmbushur
të gjitha kushtet e kërkaura nga Komisioni Europian. Gjë që u nënvizua dhe nga
kret më të lartë të Bashkimit Europian, që nga kancelarja Merkel, e me radhë
kryeministrat e Italisë, Bullgarisë”, madje sipas Kryeministrit Rama edhe nga
Departamenti amerikan i Shtetit.
Ndërkohë, ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, është shprehur në lidhje me rastin e dorëheqjes së Zoran Zaev në Maqedoni, se ajo është çështje morali. “Maqedonia ka pasur një kusht mbi të gjitha kushtet, çështjen e emrit. Jetojmë në një sistem që nuk i përgjigjet marrjes së pushtetit në tavolinë. Dorëheqja nuk nënkupton domosdoshmërisht dhënien e pushtetit në tavolinë, në qoftë se ju besoni që jeni maxhorancë, mund të rifitoni besimin e qytetarëve… Dorëheqja ka të bëjë me moralin, ne po flasim për sistemin”, u përgjigj Mimi Kodheli.
Kryesia e Partisë Socialiste diskutoi dje përcaktimin e një norme të re statutore, siç është zgjedhja në krye të PS-së së bashkisë të dy kryetarëve, një burrë dhe një grua. Ky propozim është pritur mirë nga anëtarët e kryesisë, ndërsa kreu i PS-së e ka cilësuar si një risi që nuk e kanë partitë e tjera as në rajon, duke demokratizuar partinë dhe duke e hapur atë drejt grave, të cilat duhet të garojnë dhe në poste drejtuese. Ndryshimet statutore pritet të miratohen në asamblenë kombëtare dhe më pas në kongresin zgjedhor të PS-së.
Gjermania e do Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pjesë të BE-së, ndërsa thekson se “jo” e marrë më 18 tetor ta shohin si një nxitje për të ecur përpara me reformat e mbetura. Grupi parlamentar CDU/CSU thekson se të dy vendet shumë shpejt do jenë pjesë e BE, ndërsa shtojnë se miratimi i kushteve të vendosura nga Bundestagu në shtator do të largojë çdo shqetësim francez, holandez apo danez të mbetur.
“Rruga për në Bashkimin Europian mbetet e hapur për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Të dy vendet duhet të vazhdojnë përpjekjet e tyre për reforma. Nëse të dy vendet vijojnë kursin e reformave, Parisi nuk mund të bllokojë dot negociatat për herë të dytë” shkruhet në reagimin e nënkryetarit të grupit parlamentar të CDU / CSU Johann Wadephul dhe relatori përgjegjës Christian Schmidt .
Wadephul shprehet se vendet ta shfrytëzojnë vendimin negativ për nxitje të mëtejshme të punës për zhvillimin e demokracinë ne vend. “Unë u bëj thirrje të dy vendeve të kapin votën negative të Këshillit Evropian, si një nxitje për të vazhduar të gjitha përpjekjet e reformës. Nëse këto do të ndiqeshin, dyshuesit do të forcoheshin. Nëse të dy vendet mbeten në kurs, Paris nuk do të jetë në gjendje të ndalojë negociatat e pranimit për herë të dytë. Bundestag është në ndjekje të axhendës së reformës për vendimin e saj. Gjermania qëndron për një perspektivë evropiane të Ballkanit Perëndimor .”
Ndërsa Christian
Schmidt shprehet se vendimi negativ të rishikohet sa më shpejtë nga BE, pasi të
dy shtetet e kanë vendin në familjen europaine dhe arritjet e tyre duhen vlerësuar.
“Vendimi negativ i Këshillit Evropian
duhet të rishikohet menjëherë. Lidhja e Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë me
Bashkimin Evropian nuk duhet të bllokohet. Ne mbajmë bindjen se për të gjitha
vendet e Ballkanit Perëndimor, ka një vend në Bashkimin Evropian nëse ato i
plotësojnë kriteret. Kjo përfundimisht përfshin fillimin e procesit të
regjistrimit. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë të drejtë të shohin veten dhe
arritjet e tyre – deri në një ndryshim në emrin e shtetit ose një reformë gjithëpërfshirëse
të gjyqësorit – dhe të punojnë së bashku në deficitet e mbetura. Vendimi i
kushtëzuar i Bundestagut të Shtatorit, i cili përcakton kushte të qarta për
hapjen e negociatave të pranimit, duhet të tregojë gjithashtu rrugën e
miratimit për shqetësimet franceze, holandeze dhe daneze. Nëse BE nuk kujdeset
për Ballkanin Perëndimor, fuqitë e tjera do ta bëjnë atë sferën e tyre të
ndikimit. Askush nuk e dëshiron atë”
Reagimi i grupit të CDU/CSU u bë i njohur përmes një twitter-i të kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.
SHBA reagon në mënyrë të ashpër dhe zhgënjyese
ndaj vendimit të Europës për të mos hapur negociata më Shqipërinë dhe Maqedoninë
e Veriut. DASH masakron BE duke i treguar se me vendimin e tyre tashmë i hapen
rrugë aktorëve dashakeq që kërkojnë të minojnë vlerat perëndimore në rajon. Për DASH, si Shqipëria ashtu dhe Maqedonia e
Veriut kanë treguar përpjekje të forta me reformat për të merituar hapjen e
negociatave, dhe BE duhet të jepte këtë sinjal pozimit për të forcuar besueshmërinë
e saj në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë në reagim, DASH hedh shpresa për
marrjen e një vendimi pozimi për dy vendet më herët se vera e 2020.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin përkushtimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ndaj integrimit transatlantik dhe aspiratat e tyre për anëtarësim në Bashkimin Europian. Jemi të zhgënjyer që Këshilli Europian nuk njohu përpjekjet shumë të forta për reforma të secilit vend me anë të një vendimi për të hapur negociatat për anëtarësim në këtë kohë. Një vendim pozitiv do të kishte riafirmuar besueshmërinë e rrugës së tyre për në BE dhe do t’i ishte kundërvënë vendosmërisht aktorëve të huaj dashakeqës, të cilët kërkojnë të minojnë vlerat perëndimore dhe komunitetin euro-atlantik. Ne njohim faktin që Këshilli Europian nuk i tha “jo” as Shqipërisë dhe as Maqedonisë së Veriut, dhe as nuk përcaktoi kushte të reja për hapjen e negociatave për anëtarësim. Shpresojmë që Këshilli Europian do të arrijë konsensus për një vendim pozitiv për të dy vendet kohë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor verën tjetër.” shkruan Morgan Ortagus, Zëdhënës i Departamentit të Shtetit
Pavarësisht vendimit, Amerika thekon se mbetet partnere strategjike e të dy vendeve dhe do vijojë punën për forcimin e demokracisë dhe luftimin e korrupsionit në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. DASH nxit vendet të mbeten të palëkundura në punën e tyre për ndërtimin e një shoqërie demokratike.
“Shtetet
e Bashkuara do të mbeten partner strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe
Shqipërisë teksa vazhdojnë punën për të forcuar sundimin e ligjit, për të çuar
përpara përpjekjet anti-korrupsion, për të zhvilluar ekonomitë e tyre dhe për
të luftuar krimin e organizuar. I nxisim të dy vendet të mbeten të palëkundur
në ndërtimin e shoqërive transparente, të bazuara në rregulla dhe demokratike
që iu përgjigjen nevojave të qytetarëve. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të
punojmë me partnerët europianë për të çuar përpara synimet e përbashkëta të
stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor.” shkruan DASH
Këshilli Europian nuk arriti një vendim për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në dy ditët e punimeve të tij. Realstory.al, hap një sondazh në faqen zyrtare në internet, lidhur me përgjegjësitë për negociatat. “Europa, i kujt është faji?” është sondazhi i Realstory.al, ku çdo qytetar shqiptar mund të përgjigjet duke zgjedhur një nga tre alternativat e sondazhit: Macron, Qeveria apo kriza e shkaktuar nga opozita!
Voto në sondazhin e Realstory.al
Europa, i kujt është faji?
Shkak, i mungesës së marrëveshjes mes vendeve të BE për negociatat, zyrtarisht u bë qëndrimi i fortë i Presidentit të Francës Emanuel Macron. Ai kërkon së pari reformimin e brendshëm të unionit dhe më pas rinisjen e procesit të zgjerimit. E dëshpëruar, madje u dukë në faj, Kancelarja Gjermane Angela Merkel, e cila u shpreh se “Europa nuk mbajti premtimin ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”.
Reagime të forta pati nga komuniteti ndërkombëtar,
drejtues shtetesh të BE-së, të cilat adresuan kritika të forta ndaj Emanuel
Macron, duke e cilësuar edhe “sabotator” siç ishte një reagim i ish-eurodeputetit
Eduard Kukan. Në Shqipëri, ky refuzim i radhës për të mos hapur negociatat, u
lexua në mënyra të ndryshme.
Kryeministri Edi Rama mbrojti qëndrimin e
shprehur më herët, se “Europa është në përplasje të brendshme për shkak të
qasjeve që ka Macron ndaj reformimit të unionit”, duke vijuar më tej se “Shqipëria
përmbushi të gjitha kushtet e kërkuara”, ndërsa theksoi se “pavarësisht se nuk
u hapën negociatat, qeveria do të vijojë për të plotësuar kushtete Bundestagut”.
Opozita e lexoi si dështim të qeverisë, por
duke sulmuar dhe vetë institucionet europiane, siç ishte rasti i Komisionit
Europian, që sipas kryedemokratit ka “raporte të zbukuruara” dhe jashtë
realitet. Megjithatë, Lulzim Basha nuk kërkoi largim të qeverisë, pa u bërë së
pari reforma zgjedhore, që sipas tij do të sillte dhe “zgjedhjet e lira dhe të
ndershme”. Basha ia faturoi dështimin qeverisë për negociatat, ndërsa pranoi se
dhe “opozita duhet të marrë përgjegjësitë e saj për të dalë nga gjendja aktuale”,
duke u shprehur se së pari do të fillohet me “reformën zgjedhore”./Realstory.al/
Pak minuta pasi përfundoi konferenca për mediat e Kryeministrit Edi Rama, doli kreu i Partisë Demokratike. Bisedën me gazetarët Lulzim Basha e nisi fillimisht duke shprehur keqardhjen e opozitës për refuzimin e BE-së. “Nuk është ajo që kemi dëshiruar, por do të ishte gënjeshtër nëse do të thonim se nuk e prisnim. PD-ja dhe unë personalisht kemi punuar fort për të bindur miqtë tanë gjermanë të Merkel për ta transformuar ‘JO’-në e tyre. Dëshironim të kishim një rezultat ndryshe, por nuk prisnim më mirë se ajo që Bundestagu vendosi, pra një PO të prerë, arsyet janë të qarta” tha ai.
Europa, i kujt është faji?
Më tej, duke e parë si përgjegjësi të kryeministrit dështimin për negociatat, Basha tha se Rama nëse do të kishte pasur një fije patriotizmi, duhet të kishte dhënë dorëheqjen. “Rruga për hapjen e negociatave shkruhet në 9 kushtet e Bundestagut. Përsëritja e zgjedhjeve të 30 Qershorit sipas një kodi të ri. Dua të konfirmoj edhe njëherë se jemi të vendosur për të bërë gjithçka për të mos e pranuar gjendjen e sotme, tërësisht dhe kryekëput përgjegjësi e një njeriu që sot po të kishte pasur një fije patriotizmi, duhet të kishte dhënë dorëheqjen dhe asgjë më pak, por as unë dhe as ju nuk e prisnim, ndoshta ndonjë socialist idealist” tha ai.
Lulzim Basha sulmoi raportin e Komisionit Europian, që rekomandon
hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE. Sipas Lulzim Bashës, raportet e KE-së
për zgjerimin janë të zbukuruara dhe nuk paraqesin realitetin. Ai tregoi, se të premten ishte
kthyer nga Gjermania me informacione të freskëta, që sipas Bashës, tregonin
mbosbesimin e vendeve anëtare. “Në
orën 13:00 erdha nga Berlini me informacionet më të freskëta. Është e vërtetë
që mbizotëron mosbesim me vendet anëtare në raport me raportet e KE për
zgjerimin, konsiderohen të zbukuruara, nuk paraqesin realitetin. Këtë tha edhe
Holanda kur u shpreh se në rast e Maqedonisë ishin dakord, për Shqipërinë,
krimi, korrupsioni dhe ndarja e pushtetit i ndalonin për hapjen e negociatave,
në raport të qartë me raportin e zbukuruar të KE-së”, u shpreh Basha.
Më tej ai shtoi se qeveria në vend të përmbushte kushtet e Bundestagut, u “puth” me Mogherinin. “Në vend që të plotësonim kushtet shtesë të Bundestagut, vazhduam të putheshim dhe përfaqafoheshim me komisonerin për zgjerimin, me Federica Mogherinin. Këta thonin “që i kemi bëra detyrat, “Plastë armiku!”, “plaçin fashistët !”. Nuk hapen negociata me propagandë. Shumë gjëra ka arritur Edi Rama me propagandë në Shqipëri për shkak të standardit tonë të ulët europian si shoqëri, por në Europë nuk shkohet me propagandë. Në Europë shkohet më të vërteta, të kontrolluara dhe aty ku ka dyshim për kontrollin e parë, kontrollohet edhe një herë tjetër. Dhe kjo ndodhi.”, tha Basha.
Por pavarësisht sulmeve ndaj BE-së dhe qeverisë, Basha nuk kërkoi
zgjedhje të parakohshme. Ndonëse u shpreh se opozita është gati për t`u futur në
zgjedhje në çdo moment, ai u shpreh se së pari duhet bërë reforma zgjedhore, që
sipas Lulzim Bashës, është urgjencë kombëtare. “Reforma zgjedhore është
urgjencë kombëtare, por jo për t’u hedhur hi syve shqiptarëve. Dua të deklaroj
mbështetjen tonë të plotë për objektivat e shpallura nga Bundestagu, krijimi i
Kushtetueses, SPAK-ut dhe dhënien fund të kulturës së pandëshkueshmërisë. BE ka
pasur dhe do të ketë probleme, por kjo nuk lidhet me negociatat shqiptare”, u
shpreh Basha.
Më tej, Basha, pavarësisht akuzave ndaj mazhorancës, u shpreh se
opozita duhet të marrë përgjegjësi për të dalë nga gjendja që është vendi. Sipas
tij, hapat konkret janë propozimet si në rastin e reformës zgjedhore, për
organizimin e zgjedhjeve të lira. “Ne si opozitë sot kemi një mision; të dalim
nga kjo gjendje duke marrë përgjegjësi. Përgjegjësi është akoma në krye të
qeverisë. Ndaj detyra jonë fillon me propozimin e hapave konkretë si rasti i
reformës zgjedhore, por është detyra e çdo shqiptari, të bashkohemi për të
marrë në dorë fatin tonë për të vendosur standardin e zgjedhjeve të lira”, tha
Basha.
Basha shtoi se rruga e opozitës janë kushtet e Gjermanisë ndaj Shqipërisë për negociatat. “Isha i qartë kur u thashë që opozita dhe Europa flasin me një gjuhë; e sotmja nuk është ajo që dëshironim, por nuk ishte e papritur, minimumi ishin kushtet e Gjermanisë. Prandaj kushtet janë rruga, plani për çdo shqiptar që duhet të thotë cfarë duhet të ndryshojmë. Reformë zgjedhore, zgjedhje të lira, zbatimi i reformës në drejtësi, para drejtësisë çdo kush që ka abuzuar. 9 kushtet e Bundestagut janë rruga e PD-së” tha Basha./Realstory.al/
Ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca tha
se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk janë fajtor për mos hapjen e
negociatave. Soreca tha se të dy vendet nuk duhet të dorëzohen, pasi një ditë
do të bëhen anëtarë të plotë të BE-së.
“Maqedonia
e Veriut dhe Shqipëria nuk janë fajtorë për këtë … Sot do të doja t’u dërgoja
një mesazh miqve tanë: ju lutem mos hiqni dorë … Unë nuk kam asnjë dyshim
absolutisht se një ditë do të bëheni anëtarë të plotë të BE-së”, shkruan
Soreca në Twitter
Pas dy ditëve, 17 dhe 18 tetor, intensive diskutimi mes vendeve anëtare te BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Këshilli i Europës nuk arriti dot të kishte një vendim unanim pozitiv për vendet, duke i shtyrë ato për maj të 2020.
Anëtarja e Parlamentit Europian Tanja Fajon ka
sulmuar sërish Francën, me një deklaratë më të fortë se një ditë më herët, për qëndrimin
ndaj hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Fajon sulmoi
ashpër Macron duke thënë se po luan një lojë të ndyrë duke cenuar besueshmërinë
e Bashkimit Europian.
“Jam ekstremisht e zhgënjyer që Bashkimi
Europian humbi edhe një tjetër mundësi për të demonstruar se çështjet e
zgjerimit ka rëndësi dhe se ne i mbajmë premtimet tona. Bashkimi Europian është
marrë sërish peng nga Franca, e cila nuk kupton dhe vazhdojë të minojë
interesin tonë për Ballkanin. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk morën një
dritë jeshile për hapur bisedimet me BE ditën e djeshme. Parlamenti Europian
mbetet një aleat i fortë gjithsesi. Besueshmëria e Unionit është shkatërruar.
Franca po luan lojë të ndyrë politike dhe kam frikë se të gjithë do të paguajnë
çmimin. Kjo është e papranueshme!”, shkruan e irrituar sllovene Tanja Fajon, anëtare
e Parlamentit Europian.
Në mbledhjen e së enjtes të liderëve të BE në
Bruksel, që u mbyll në 02:44 të mëngjesit së të premtes, Greqia mbajti një
qëndrim të qartë, pro çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë
Veriore.
Natyrisht, pala greke ka vendosur gjithmonë
kushte të rrepta për integrimin e dy vendeve fqinje në BE, por në rastin
konkret, interesat janë qartazi pro çeljes së negociatave.
Pas dështimit të të gjitha përpjekjeve, akoma
dhe të decoupling të Holandës dhe Danimarkës, pala greke bën bilancin e
domethënies së vendimit të djeshëm, për të ardhmen e rajonit. Dhe nga çdo
këndvështrim, vendimi i Këshillit të Europës nuk ishte aspak pozitiv.
Konkretisht, kryeministri grek, Kyriakos
Micotakis, ka theksuar se Greqia është forca stabilizuese në rajon, dhe se
mbështet rrugën europiane të fqinjëve në BE, me kusht të përhershëm respektimin
e plotë të marrëveshjeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, si dhe sa
janë nënshkruar nga të gjitha palët, në dobi të respektimit të së drejtës së
shtetit.
Në lidhje me Shqipërinë, ka një referencë të
hapur konstante në lidhje me minoritetin grek të Shqipërisë. Më e ndërlikuar
është çështja me Maqedoninë Veriore, pasi refuzimi i Francës për çelje të
negociatave, duke e bashkuar fatin me të Shqipërisë, ka ngjallur të tjera
shqetësime në palën greke.
Kështu, qeveria Mitsotakis tashmë përgatitet
për probleme të mundshme në zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës nga ana
e Maqedonisë Veriore. Vetë kryeministri Zoran Zaev ka paralajmëruar se “Marrëveshja
e Prespës është e lidhur me perspektivën tonë evropiane”, duke ushtruar sa
presion mundet liderëve të BE-së, mesa duket, pa arritur rezultatin e pritshëm.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von
der Leyen ka humbur shpresat se për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut se mund
të merret një vendim pozitiv, pasi Franca nuk po arrin të ndryshojë mendim në
lidhje me çështjen e zgjerimit të BE duke e bllokuar këtë proces. Von der Leyen
shprehu keqardhjen që nuk ka sinjale pozitive për dy vendet, pasi ata kanë bërë
një punë të madhe dhe vlerësuese për BE dhe se e meritonin të merrni një sinjal
pozitiv.
“Fatkeqësisht,
nuk ka shenja pozitive për një vendim për fillimin e negociatave të pranimit në
BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore. Më vjen shumë keq sepse besoj me
vendosmëri se të dy vendet kanë bërë përpjekje të mëdha për të ecur më afër
standardeve evropiane dhe meritojnë një sinjal pozitiv.”
tha Von der Leyen.
Qëndrimin e presidentit Macron, se nuk mund të ketë një proces zgjerimi pa pasur një reformim të brendshëm të BE, duket se nuk arriti ta ndryshojë dot as kancelarja Merkel, e cila pavarësisht punës së madhe për ta bindur se këto dy procese mund të ecin paralelisht, në fund u detyrua të pranojë se “shanset për Shqipërinë dhe Maqedoninë nuk janë të mira.” Ndërsa vetë Macron në konferencë për shtyp që pati me Merkel tha se “vlerëson punën e dy vendeve, por BE ka nevojë për më shumë kohë”.