Arbitri Sokoli i përjashtuar për racizëm? E vërteta sipas nesh

E gjithë kronologjia dhe versioni zyrtar për ngjarjen në fjalë

Olsi Sokoli ishte arbitri që gjykoi takimin e datës 17 mars mes Kastriotit dhe Tiranës, duke dhënë një penallti të paqenë ndaj ekipit kryeqytetas dhe disa kartonë të paqenë. Pas kësaj ndeshje, ai u zhduk nga fushat e blerta, të paktën deri më sot nuk ka gjykuar më në asnjë tjetër ndeshje. Kjo shtoi spekulimet për të ardhmen e tij si gjyqtar në Superligë. Spekulimet shkuan nga akuzat për racizëm (të ngritura nga klubi i Tiranës), e tani përfundojnë me përjashtimin e gjyqtarit nga arbitrimi. Gazeta e vetme sportive print, “Panorama Sport”, ka publikuar sot një shkrim, ku sipas gazetës, arbitri Olsi Sokoli është përjashtuar nga arbitrimi: “Panorama Sport mëson nga burime të sigurta në institucionin e futbollit se kanë qenë vetë drejtuesit e FSHF-së ata që prej pak ditësh kanë urdhëruar sektorin e arbitrimit për të përjashtuar Sokolin nga çdo aktivitet”.

Panorama.com

EKSKLUZIVE/ Vendim drastik i FSHF-së, përjashton arbitrin e Superiores Lexo të plotë

Telesport.al

“Tërmet” tek arbitrat e Superiores, përjashtohet i pari Lexo të plotë

Vipsport.al

Racizëm në superiore, FSHF përjashton gjyqtarin e akuzuar nga Tirana Lexo të plotë

Më pas, portale të tjera sportive si, Telesport dhe Vipsport, duke iu referuar lajmit të “Panorama Sport”, shkruajnë se arbitri Olsi Sokoli është përjashtuar.  Mirëpo RealStory.al, ka kontaktuar me disenjatorin e arbitrave, Sokol Jareci, i cili ka përgënjeshtruar lajmin e përjashtimit të gjyqtarit Olsi Sokoli. “Lajmi i përjashtimit të Olsi Sokolit nuk është i saktë. Arbitri është pezulluar për shkak të gabimeve teknike në ndeshjen Kastrioti-Tirana, luajtur në Fushë-Krujë”, ka thënë Sokol Jareci.

Çfarë ndodhi në ndeshjen Kastrioti-Tirana në Fushë-Krujë?!: Më 17 mars, ora 14:00 në fushën sportive “Redi Maloku” të Fushë-Krujës, nis të luhet ndeshja e javës së 25-të të Superligës mes Kastriotit dhe Tiranës. Arbitër kryesor i takimit është Olsi Sokoli, 31 vjeç, pjesë e kolegjiumit të Tiranës. Ndeshja dukej normale në pamje të parë, me dy skuadra që ishin ndeshur dy herë të tjera gjatë këtij sezoni në dy fazat e para të kampionatit, me ekipin bardheblu që fitonte respektivisht në të dy takimit (2-3 në ndeshjen e parë dhe 4:0 në fazën e dytë).

Ndeshja nis me tension që në fillimin e saj, teksa mesfushori i Tiranës, Tony Mawejje, ndëshkohet me karton të verdhë që në minutën e 3-të të takimit. Pak minuta më vonë, Michael Ngoo gjithashtu ndëshkohet gjithashtu me karton të verdhë nga Olsi Sokoli për shkak të një përplasje që pati me lojtarët kundërshtar. Sulmuesi shtatlart i Tiranës tensionohet, teksa nga bankina vendosin që t`a zëvendësojnë që në minutën e 15` të ndeshjes, me qëllim që situat të mos agravonte.

Ndeshja vijon normalisht deri në minutan e 27`, kur pas një goditje nga këndi një nga lojtarët e Tiranës në tentativë për të larguar topin përplaset me një nga lojtarët e Kastriotit. Arbitri jep penallti, e cila ekzekutohet saktë nga Taulant Marku dhe vendos fatet e ndeshjes, pasi deri në fund takimi mbyllet me rezultatin 1-0. Gjatë takimit pati dhe disa episode të tjera, teksa arbitri dha kartonë të paqenë apo nuk i dha kur duheshin. Pas ndeshjes, trajneri Ardian Mema futet në fushën e lojës për të kërkuar sqarim nga Olsi Sokoli rreth asaj që kishte ndodhur në fushë, mirëpo situata u përshkallzua me ndërhyrjen e personave të tjerë në fushë, por dhe në hyrje të dhomave të zhveshjes.

Reagimi i Tiranës pas ndeshjes: Dy ditë pasi ndeshja kishte përfunduar dhe gjërat ishin qetësuar, më 19 mars në orën 15:25, klubi i Tiranës publikon një reagim në faqen zyrtare të ekipit në Facebook, duke ngritur për herë të parë akuzën e “racizmit” ndaj gjyqtarit Olsi Sokoli. Në komunikatën e klubit të Tiranës citohet ndër të tjera: “Klubi i Futbollit Tiranën dënon ashpër gjykimin skandaloz në ndeshjen Kastrioti-Tirana. Përgjatë 90 minutave të ndeshjes, gjyqtari Olsi Sokoli ka vendosur të ndikojë në rezultatin final të ndeshjes. Fillimisht ka provokuar me shprehje raciste futbollistin Michael Ngoo e më tej ka dëmtuar skuadrën me vendimet arbitrare”, shkruante Tirana në reagimin e saj, duke artikuluara akuzat për racizëm ndaj Olsi Sokolit.

Më tej, në reagimin e Tiranës, theksohen edhe vendimet e gjyqtarit gjatë ndeshjes, që sipas klubit bardheblu, gjyqtari ka vepruar i vetëm dhe pa dëgjuar asistentët e tij. “Gjyqtari Olsi Sokoli, ka vepruar i vetëm, pa dëgjuar asistentët e tij, që në disa momente vendimtare të ndeshjes i kanë kërkuar të marrë vendime të drejta, tërësisht të ndryshme nga çfarë ai ka vendosur”, shkruante klubi bardheblu. Ndërsa në fund artikulohet dhe kërkesa për dënim të ashpër ndaj gjyqtarit: “Fjalori me të cilin gjyqtari ka provokuar lojtarët e Tiranës dhe stafin teknik, janë një tjetër argument, që e bëjnë klubin të kërkojë një dënim radikal nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe specifikisht nga Sektori i Arbitrimit”, thuhej ndër të tjera në reagimin e Tiranës.

Ndërsa disa javë më vonë, në një tjetër reagim lidhur me ngjarjet e ndeshjes Tirana-Laçi, klubi kryeqytetas përmend përsëri gjyqtarin Olsi Sokoli, duke shkruar se për të ka hapur një çështje në FIFA. “Dy javë më parë, gjyqtari Olsi Sokoli vodhi turpshëm skuadrën në fushën ndaj Kastriotit dhe klubi ka hapur një çështje ndaj tij në FIFA, në sektorin e Luftës kundër Racizmit, në mungesë të një përgjigje nga Federata Shqiptare e Futbollit”.

Skip to toolbar